Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.Kjo rrugë e sodit, 25 shtator 2014, që po niston prej Deçanit e shkon në Plavë e prej këndejna merr për në Guci e drejt e në Vermosh e mbasandejna bie në Shkodër, po më përnget si një unazë e trefishtë dhe një e vetme: Gjeo-strategjike. Etno-historike. Turistike.
Kjo Unazë, brenda trinisë të lumenjve Lim-Cem-Drin, si dikur në ato kohna para e mbrapa Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, po e rilidhë Plavë-Gucinë me dy kryeqëndrat e saj sanxhakore e shpirtërore, ekonomike e kulturore: me Pejën (Rrafshin e Dukagjinit) edhe me Shkodrën (Ultinën Bregdetare nga Lezha në Podgoricë).
Tashti ka me u ringjallë krahina e Plavë-Gucisë me qytetet e saj, me luginat e bjeshkët e saj. Si në verë, pothuaj edhe në dimër. Dikur, si në Guci edhe në Plavë, krahinë me mbi 20 mijë banorë, kanë pasë prona tokësore e dyqanet (shitoret) e veta edhe Haxhi Zekë Byberi i Lidhjes Shqiptare të Pejës, edhe Veziri i Shkodrës, edhe Begollët e Pejës, edhe Ali Pashë Gucia e Rexhepagajt, edhe… Kësokohe, thuhej se ishin edhe pesë dyqane florini (edhe me unaza)…, edhe nji sahatxhi…Pa dy fjalë: kishte zhvillim të madh, pasi ishin rrugët e karvajeve prej Peje në Shkodër.
Zoti po e bekon prapë krahinën e Plavë-Gucisë me rrugët e saj, rilindjen e saj, ardhmërinë e saj.
2.Plavë-Gucia, si rrallkush, e mirë/din’ se mungesa e rrugëve në trollin tand të çon rrugëve të botës. Kahmos. Gjithkund. Tashti kjo “Unaza e Madhe” ka me i ba shqiptarët etnik ma trojenik si farë e ngultarë. Shqiptarët kanë me u ba ma të pasur, ma të lumtur, ma të ditun.
Kjo krahinë e bekuar ka pa fillue me u pakë në shqiptarë, me u mplak shqiptarët e këtuhit, me iu mpak’ fuqitë, me e pa bijë e bija, nipa e mbesa ma së shumti në stinën e verës.
Po tashti, Plavë-Gucia, me kit’ Unazë Deçan-Plavë-Guci-Shkodër ka me u “Nusërue”. Për at’ Zot ka me i pasë hije: Vendi është i bukur. Njerëzit janë të mirë.
Kanë me u shtue djepat me djemë. Kanë me ardhë nuset edhe nga larg, pasi miqtë kur kanë angazhime a përnguti kanë me mujtë me ardh’ nga Shkodra e Podgorica, nga Mirdita e Kukësi e Mitrovica, nga Prizreni e Prishtina dhe me e pi hangër drekën në Plavë-Guci e darken tek shtëpia e vet.
E ka pa thanë Fishta i madh se bash këtu rri Ora e Shqypnisë… Tashti e kanë në dorë vet bijtë e bijat e saj me ia mbrri prapë kësaj dite, epoke. Si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe në kit’ Lidhje të madhe Euro-Atlantike: BE e NATO.
3.
Kjo “Unaza e re” e Plavë-Gucisë është qytetërim modern, bashkëkohor.
Si qytetet e mëdha të botës që kanë edhe unaza të vjetra i ka edhe kjo: Rruga rretherrotull e gategat prej Plave në Rrozhajë e Pejë e Bregut të Drinit (apo Rrugës së Kombit) e në Shkodër e prej atyhit në Podgoricë e Kolashin-Plavë. Ka’i’herë do duhet edhe kjo Unaza e vjetër.
Po tashti e kemi edhe kit’ Unazen e re.
Veç kësaj, e thashë – si në vende me qytetërim modern, janë edhe unazat e brendshme. Unazat e vogla. Po ecë drejt përfundimit Rruga Plavë-Çerem (Valbonë)-Bregut të Drinit-Porti i Shëngjinit (edhe Tiranë, edhe Shkodër). E ka i pasë dy unazat e vogla, ma së forti turistike: Atë, Plavë-Valbonë-Liqeni i Komanit-Shkodër-Vermosh-Guci. Atë, Guci-Plavë-Deçan (Pejë-Rugovë-Junik)-Gjakovë (Prizren)–Tropojë-B.Curri-Valbonë-Plavë.
4.
Kjo Unaza e Madhe e Plavë-Gucisë është me të vërtet e madhe. Të tillë po e ban dhe zhvillimi euro-atlantik, qytetërimi ynë shqiptar bashkëkohor, klima politike euro-ballkanike, etj.
Kjo Unazë e Madhe nuk është vetëm përskej e ndërmjet trinisë së lumenjve Lim-Drin-Cemi, po edhe Plavë-Deçan-Rruga e Kombit-Shkodër-Vermosh-Guci. Pra, një rreth hapësinor tejet i madh.
Kjo Unazë e Madhe është sa kombëtare edhe ndërkombëtare, pasi kalon nëpër tri shtetet e sotme ballkanike: Shqipëria Londineze, Kosova Euro-Atlantike e Mali i Zi (që kurrihere s’po do “e s’po di” me u ba i Bardhë). Gjithkahit kalon nëpër territore etnike shqiptare.
Si kurrnjiherë tjetër, po vjen e madhja Ditë Historike, që kjo Unazë e Madhe njëherash edhe Euro-Atlantike, ka me na i lidh ndërveti Kohnat, Tokat, Zemrat Shqiptare, me rrugët e saj të paqes, zhvllimit, qytetërimit modern.
5.
Sot, më 25 shtator 2014, kur t’ia nisni punimeve të Rrugës Deçan-Plavë dijeni se “Jam në Deçan edhe pa kanë aty në Deçan” e mos më vnoni mungesë se unë kurrë nuk jam i munguar për kilometrat trasetor, shpirtëror, zhvillimor të kësaj rruge të re.
Kjo rrugë është edhe e imja, jo vetëm se jam brenda Unazës së saj të Madhe, se më çon ma shpejt tek trolli im / ynë, tek gjaku im / jonë, drejt progresit bashkëkohor, qytetërimit modern.
Po edhe për disa arsye e realitete të kohës sotme e të nesërme.
Kjo rrugë është kombëtare, ndërshqiptare – rrugë e Kombit tim Shqiptar.
Kjo rrugë është edhe ndërkombëtare, ndërballkanike- rrugë e Ballkanit tim.
Kjo rrugë është edhe Euro-Atlantike – rrugë e të ardhmes tonë të përbashkët në brigjet të Limit e Drinit, të Adriatikut mesdhetar e të Atllantikut ndërplanetar.
Zakonisht, shqiptarçe, kur bajmë ndonjë punë të tillë të madhe, vepër të madhe si kjo Rruga Deçan-Plavë, pasi i përfundojmë ato në kohë të tejzagjatur, fillojmë e thurim edhe legjenda të ndërtimit të saj. Në fakt, kësaj here, më duket se ka ndodh disi ma ndryshe: Vet ndërtimi i kësaj Rruge nga Ëndrra, Projekti e Përurimi i fillimit të saj ishte një Legjendë. Një Legjendë me Rrena e me të Vërteta. Një legjendë aspak legjendare.
Tashti Rruga Deçan-Plavë që e kishim Ëndërr të vjetë e të re, po bahet Realitet prej sodit, 25 shtatorit 2014, në kit’ Rend të Ri Botëror, në kit’ botën e tashtit, Euro-Atlantike. Do të deshiroja që kjo Rrugë të jetë fakt e faktor Kombëtar e Ndërkombëtar, e investuar me ideale të larta e fonde të mëdha, që ky Realitet me dritën e përurimit të mos kthehet në Ëndërr…Zoti e Bekoftë këtë Rrugë e Njerëzit e saj, 25 Shtatorin e Saj / Tonin çdo ditë të saj krejt zhvillim dhe plot qytetërim, jo vetëm për Plavë-Gucinë, po për tri shtetet e Ballkanit.
Në Deçan pa kanë n’Deçan,
më 25 shtator 2014
Sadik Elshani says
Nuk mund te gjenit nje harte me emertime ne gjuhen shqipe?!