Nga Kadri TARELLI/
Një telefonatë nga kolegu im Bajram Gashi, ish drejtor i shkollës së Shënavlashit:
– Ka ardhur Dush Zeqiraj nga Peja. A je për kafe?
Nuk u çudita, por më kishte dalë nga mendja, se miku ynë nga Kosova e ka bërë ligj për vetveten, që në çdo fund Marsi, do të lerë çdo punë e hall dhe do të niset të vijë në Durrës. Deshiron të takojë e të përshëndetet me miqtë, që këtu e 15 vjet të shkuar, e pritën me aq dashuri e bujari, pikërisht në motin e keq të shpërnguljes masive të shqiptarëve të Kosovës, si rezultat i genocidit serb. Nuk di, a ka tjetër njeri që e bën çdo vit një ritual të tillë?. Deshira ime është të mos jetë i vetmi, sepse është fisnikëri dhe shpreh mirënjohje.
E prita me kënaqësi kët takim me mikun e vjetër. Pasi u falëm me shëndet, biseda nisi shtruar, si fillim për shëndetin dhe hallet e ditës, e më pas vetiu në kujtimet e atyre ditëve aq të ngarkuara me dhimbje e urrejtje bashkë. Viti 1999, prag kapërcyelli të shekullit njëzet. Më e madhja tragjedi e kohëve moderne u luajt mbi popullin shqiptar në truallin e Kosovës. Në pak kohë u pleksën egër, në njërën anë lufta dhe dhuna e agresorit serb, që shkaktoi viktima të shumta mbi popullsinë e pambrojtur dhe që detyroi një popull të tërë të marrë udhën e largimit nga trojet stërgjyshore. Shpërngulje popullsie me përmasa biblike, që u dynd drejt Shqipërisë ku u pritën aq bujarisht. Në të njëjtën kohë rezistenca e armatosur e UÇK-së dhe ndërhyrja urgjente dhe e vendosur e SHBA-së dhe fuqive të botës demokratike, që sollën fundin llogjik: çlirimin e Kosovës dhe kthimin e të shpërngulurve në shtëpitë e tyre.
– Ka kaluar 15 vjet që atëherë. – flet shtruar miku nga Kosova. – Nuk është shumë, por edhe jo pak, për të kujtuar e kuptuar çka ndodhi. Si në një filmë dokumentar më kalojnë ndodhitë e atyre ditëve të mbushura me tmerret e luftës. Sado që mundohem t`i harroj, është e pamundur. Thonë se koha bën të vetën, domethënë i zbeh, i fashit dhe i mbyll plagët. Unë mendoj se hiri i kujtesës e mbulon zjarrin, zbut zemërimin, por mjafton ta zbulosh dhe ai të djeg e përcëllon, ndërsa plagët dhembin sikur më parë. Unë kam 15 vjet që le çdo punë apo hall që të kem, dhe nisem nga Peja ku banoj e vij këtu në Shënavlash të Durrësit. Më së shumti, jo për të risjellë në kujtesë të shkuarën, por për të takuar e nderuar familjet dhe familjarët që na u ndodhën në ato dit reziku, në ato kohë aq të vështira ku s`dinim ku të përplaseshim e të fusnim kokën.
Sot, – vazhdon Dushi, – duke biseduar e pirë kafe këtu pranë detit, mbase duket jo aq e trishtë, sidomos për të rinjtë, ajo që përjetuam atëherë. Vetëm ne që e provuam e dime çdo të thotë të lesh vatanin, të ikish vetëm me plaçkat e tupit, pa ditur se ku dhe çdo të ndodhte më tej. Shpesh them me vete se vetëm guri dhe druri mund ta durojë vuajtjen e shpirtit të nënave dhe baballarëve, kur kishin humbur fëmijët dhe s`i gjenin dot. Kur rri e gjykoj në qetësi, pyes: A mund të shterrej loti i familjarëve që, kur u kthyem në Kosovë gjetën vendin të shkretuar, shtëpitë e djegura, gjithëçka e rrënuar. A mund të ndalej vaji dhe kuja e nënave kur gjetën trupat e fëmijëve të tyre të masakruara e të pa kallura në dhe. Ç`zemër burri e duroi dhimbjen kur nxorri nga pusi vajzat e mbytura. Kur bëj këtë bisedë me veten, më del parasysh miku im Enver Lipaj nga fshati “Kamenicë”, komuna e Istogut, i cili sapo u khtye në shtëpi, (ishte si ne i shpërngulur), kërkoi rreth e qark e, kur s`gjeti gjurmë njeriu, u drodh sapo i shkuan sytë tek pusi. Nxorri që aty dhjetë kufoma, mes tyre edhe trupin pa jetë të nënës dhe dy vajzave të tij. Unë solla një rast, po sa e sa të tjera ka!?
Si shumë i trazuar fati dhe kjo historia e kombit tonë. Megjithatë rrjedha e jetës ndjek udhën e saj. U kthyem gjithë gëzim në vatrat tona dhe gjetëm lemeri. Sot ne i gëzohemi pavërsis. Lëvizim të lirë, shkojmë e vjijmë sa herë të duam këtu. Duam s`duam nuk e çbëjmë atë që u bë mbi ne. Shkatërrimet janë ndrequr, po plagët e zemrave a janë mbyllur? Vështirë!! Nuk kam ç`t`u them, pasi ju i kini parë vetë sa lapidarë dhe përmendore janë ngritur për gjatë rrugëve të Kosovës. Të gjithë janë aty për të na thënë: “Mos harroni”. Por unë kam një merak tjetër që dua ta zbraz, ndaj vij këtu çdo vit. Mbase nuk më dëgjojnë të gjithë, por ata që i takoj u shpreh mirënjohjen më të thellë dhe këtë ua them me fjalë shpirti: A e dini se ç`fisnikëri e ç`pasuri shpirtërore fshihet në zemrën e popullit të Durrësit, që hapi portat për ne muhaxhirët, jo për dhjetë – pesëmbëdhjetë, por për mijëra familje. E në ç`kushte do të thoni ju, që i dini më mirë se unë!? Pa ardhur këtu, shumica nga ne në Kosovë e përfytyronin Shqipërinë, si vendin me bukuri e begati përrallore, ku perëndia vjen e bën pushime.
– Çudi! – ndërhyra unë, – Tek ju në Kosovë kishin ardhur shumë nga ne, por edhe nga Kosova kishin ardhur shumë nga ju.
– Propaganda tek ne dhe frika juaj këtu, kishin bër vend, – Dushi e treti shikimin larg në det dhe e nisi përsëri fjalën. – Unë kisha dëgjuar, por s`e besoja sa të varfër ishit. Vetëm kur e pashë me sytë e mi, u binda për skamjen dhe kushtet e vështira të banimit ku u kishte katandisur diktatura. Ç`halle kishit ju e ç`telashe u shtuam edhe ne! Megjithatë na pritët dhe s`duhet ta harrojmë. Kur Bajrami më tregon disa fotografi të vjetra, të atyre ditëve që qëndruam në shtëpinë e tij në Shënavlash, mallëngjehem dhe pa dashje më më mblidhet në grykë një lëmsh që më mek frymën. Unë nuk mërzitem, por seç ndiej një lehtësim në vetvete kur vij këtu. Çmallem, takoj e bisedoj me miqtë e mi të cilët nuk i njihja më parë, veç emrin ua kisha dëgjuar nëpër biseda odash. Ja që “Çdo e keqe ka edhe një të mirë”, siç thotë një fjalë e moçme. Lufta solli çlirimin tonë, por edhe na krijoi mundësi të shkojmë e të vijmë, të takohemi, të lidhemi e ta njohim njëri-tjetrin, ndërsa “Rruga e kombit”, na krijoi lehtësi për lëvizje, na bashkoi. Urime nga shpirti atij që e ideoi dhe atyre që e ndërtuan.
Mos ma merrni për të qeshur, pasi do t`u rrëfej një ndodhi të vogël, -miku ynë rrëfimtar po na shikonte buzagaz: – Jo më larg se dje, në fisin tonë ndodhi një vdekje. E ne, sipas zakonit i ndjekim shumë këto adete. Shkova pasdite për ngushëllim, por nuk prita deri nesër që të bëhej edhe varrimi. Thashë me vete: “Në atë botë, ai shkon edhe pa mua”, ndërsa unë nuk do ta thyej zotimin që i kam bërë vetes, që çdo 29 – 30 Mars do të jem në Durrës. U ngrita që në sabah pa gdhirë, i hipa autobuzit dhe për katër orë isha në Durrës. Kisha qejf që kafen e mëngjezit ta pimë bashkë. Hë, si thoni, a nuk është bukur kështu!?
Qeshëm dhe uruam: Vizita të tilla në Durrës mos reshtin kurrë!
Ju mirëpresim!
Ne Foto:Currila-Durres.Majtas. Bajram Gashi, Dush Zeqiraj. Kadri Tarelli