I nderuar z. Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë,
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ka nderin t’ju urojë përzemersisht zgjedhjen tuaj në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Duke parë në personalitetin tuaj një udhëheqës me vizion e shpirt demokratik, ne besojmë se ju do ta çoni përpara Partinë Demokratike për të mirën e Shqipërisë Europiane, si një oponente të fuqishme opozitare për të mirën e demokracisë së brishtë dhe për ta rikthyer atë në udhëheqje të Shqipërisë, më të fortë e më të demokratizuar.
Shërbimi juaj në detyra të ndryshme publike është histori suksesesh. Ju keni firmosur me kontributin tuaj në arritjet kryesore të qeverisjes së Partisë Demokratike: në ndërtimin e Rrugës së Kombit, në anëtarsimin e Shqipërisë në NATO, në realizimin e premtimit elektoral të Qeverisë Demokratike për heqjen e vizave dhe, në fund, në garën elektorale që ju çoi në krye të bashkisë së kryeqytetit.
Vatranët, sikurse ish të përndjekurit antikomunistë në Shqqipëri, e kanë mbështetur Partinë Demokratike dhe dr. Berishën në krye të saj, që në fillim, si alternativë kundër partisë komuniste me emër të ndërruar në socialiste, për realizimin e integrimeve euroatlantike dhe të reformavet demokratike. Kur ka qenë nevoja, kemi vënë në dukje mungesën dhe kemi inkurajuar realizimin e integrimit të të përndjekurve politikë, kthimin e pronavet, dekomunistizimin real të shoqërisë shqiptare, hapjen e dosjeve të diktaturës etj.
Nën drejtimin e dr. Berishës Shqipëria ka realizuar arritje historike, u antarësua në NATO dhe është në pragun e hyrjes në Europë, ndërkohë që vendi ka bërë ndryshime të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë. Edhe pse Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e 23 qershorit, Berisha korri një fitore morale me aktin qytetar e demokratik, duke pranuar rezultatin e votimevet dhe duke dhënë dorëheqje, për ndryshim nga rivali socialist që, në rastin e humbjes, do të përsëriste skenarin e 2009-ës me pasoja të dëmshme për vëndin.
Ne vatranët shpresojmë se nën drejtiminn tuaj Partia Demokratike do të tregojë më shumë kujdes për ish të përsekutuarit, për ish pronarët dhe për figurat kombëtare padrejtësisht të damkosura nga regjimi komunist dhe kështu të rrisë elektoratin që të rikthehet në pushtet dhe të japë kontribut të mëtejshëm në kapërcimin e tranzicionit të zgjatur shqiptar, duke shkëputur shoqërinë shqiptare nga trashëgimia e diktatsurës së kaluar.
Suksese në drejtimin e Partisë Demokratike në shërbim të Shqipërisë!
Gjon Buçaj
Kryetar i Vatrës
New York, 26 Korrik, 2013
SHUME LARTE IA NGRITET VLERAT LULZIM BASHES ZOTERINJ TE VATRES. MOS E MBURRNI SHUME SE KOHA ESHTE E VESHTIRE, AQ SA DHE DETYRAT E TIJ PER TE JUSTIFIKUAR KARRIKEN QE EMORI ME TRADITEN QE KANE UDHEHEQESIT E PARTISE DEMOKRATIKE NE SHQIPERI. JU PERSHENDES.