*Ushtria amerikane nderon Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj/
IOWA, 11 SHKURT
2018-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur në mënyrë madhështore nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjenerali Tymothy Orr, në bazën e ushtrisë amerikane, njësiti i helikopterëve luftarakë “Black Hawk”.
Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, nga Gjenerali Orr dhe zyrtarët tjerë të ushtrisë amerikane, është njohur për së afërmi me këtë bazë unike si dhe me helikopterët luftarakë “Black Hawk”.
“Është nder i posaçëm të jesh në mesin e ushtrisë mike të popullit të Kosovës, ushtrisë amerikane.
Gjenerali Tymothy Orr dhe Garda Nacionale, sot në Iowa më rezervuan një pritje madhështore në bazën ushtarake të njësitit të helikopterëve luftarakë “Black Hawk”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.
***
Iowa–Kosova, bashkëpunim i frytshëm
–Kryeministri Haradinaj: Bashkëpunim i frytshëm i Kosovës me Iowa
Iowa, 12 shkurt
2018-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në pritjen e organizuar nga konsullata e Republikës së Kosovës, në Iowa. Në këtë pritje u theksua roli i rëndësishëm i shtetit të Iowa-s në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe mundësitë e avancimit të raporteve ndërmjet dy shteteve tona.
Para ta pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se qytetarët e Kosovës vlerësojnë lartë kontributin e SHBA-ve dhe në veçanti të shtetit të Iowa-s, për ndihmën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në fuqizimin e shtetësisë së Kosovës.
I pranishëm në këtë pritje ishte edhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, që bashkë me përfaqësuesit e Gardës Kombëtare dhe akademike të Iowa-s, theksuan nevojën e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, me theks në fushën e arsimit.Konsulli Xhavit Gashi prezantoi të arriturat e bashkëpunimit të deritanishëm, por edhe planet për të ardhmen.