Portret biografi nga Thanas L. Gjika/
Ne shqiptarët nuk e kemi shkruar historinë familjare, për pasojë shumëkush prej nesh di pak ose aspak për jetën dhe bëmat e srërgjyshërve të vet. Pas shpërnguljes masive që na ndodhi pas vitit 1991, e cila për fat të keq vijon akoma, mendoj se është mirë që çdo familje sa më parë ta shkruajë historinë e familjes së vet dhe një kopje ta dorëzojë në Arkivin e Shtetit e një kopje t’ua lerë pasardhësve. Nga ana e tyre brezat e ardhshëm t’i pasurojnë këto biografi me jetën dhe bëmat e tyre. Ky proces ndihmon për mbrojtjen e pasurive dhe traditave tona familjare, shoqërore dhe kombëtare, si dhe për jetëgjatësinë e diasporës.
Loni Vasil Trebicka ka qenë një prej ustallarëve ndërtues më të shquar të Korçës. Ai ishte bir i një familjeje të ardhur në Korçë nga fshati malor Trebickë, ku burrat brez pas brezi kishin ushtruar zanatin e muratorit. Midis muratorëve të qytetit dhe krahinës së Korçës, Loni u shqua që në rininë e tij për guxim, profesionalizëm, ndershmëri dhe karakter qytetar të lartë. Duke ia njohur këto tipare, mendova që jetën dhe bëmat e tij të mos i lë pa i shkruar në letër, sepse duke i lënë pa shkruar ato do të harrohen si janë harruar jetët dhe bëmat e gjyshërve e stërgjyshërve tanë.
* * *
Ambjenti shoqëror dhe profesional ku u rrit usta Loni
Fshati Trebickë, ku kishin lindur të parët e fisit të cilit i përket kushëriri im Loni, bashkë me fshatrat fqinjë, deri aty nga viti 1470 bënin pjesë në krahinën që quhej Opar. Sulltan Bajaziti ia dha këto fshatra dhëndërit të tij Iliaz Bej Mirahorit si vakufe (vakëfe), kur ky u pensionua dhe deshi të pleqërohej në Korçë. Që nga ajo kohë Vithkuqi, Panariti, Grabocka, Trebicka, Treska, Katundi dhe Stratobërda nuk u quajtën më Opar, por “zona e Vakëfeve”, si quhen dhe sot.
Shumica e burrave të kësaj zone, si shumica e burrave të shumë fshatrave malorë të Kolonjës, Oparit dhe Dibrës, nuk bënin jetën e një bujku të zakonshëm. Në fshatin e tyre ata jetonin gjatë pesë muajve të ngrohtë të vitit si bujq dhe blegtorë, kurse gjatë shtatë muajve të ftohtë (nga fundi i tetorit deri në fund të majit të vitit tjetër) shkonin e punonin si muratorë në zona ku dimri ishte i butë pa ngrica. Kjo mënyrë jetese me emigracion të brendshëm (kurbet sezonal) ishte krijuar që në kohët e vjetra.
Në qytetet dhe fshatrat e Beratit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Himarës ekzistojnë edhe sot shtëpi të bukura të ndërtuara prej këtyre ustallarëve me gurë të skalitur, me porta dhe dritare me harqe. Edhe murin e gjatë mbrojtës në anën e djathtë të lumit Osum anës Beratit e kanë bërë disa grupe ustallarësh të këtyre fshatrave bashkë me disa argatë beratas.
Ustallarët e këtyre fshatrave punonin në grupe me nga 4-10 persona, midis të cilëve shquhej kryeustai. Ky luante rolin e ingjinierit dhe të sipërmarrësit të punëve. Çdo grup kishte një ose dy mushka për transportin e veglave, veshjeve dhe ushqimeve, si dhe një qen. Gjatë pushtimit turk e deri në vitin 1920 grupet e ustallarëve mbanin dhe një ose dy pushkë për t’u mbrojtur nga hajdutët. Sasia e pjesëtarëve të grupit përcaktohej nga madhësia e objektit (shtëpisë) që do të ndërtohej.
* * *
Fëmijëri dhe rini e vështirë
Loni u lind në Trebickën e Poshtm, kur i gjithë fshati (Trebicka e Poshtme dhe e Sipërme) kishte rreth 200 familje, pra nja 1.000 banorë, si ka shkruar Polikron Simi Trebicka në librin e tij “Trebicka në rrjedhën e viteve” botuar më 1993. Gjyshi i Lonit, i cili ka qenë dhe gjyshi im, quhej usta Thanas Xheka (Xhekë është forma e shkurtër e emrit Vangjel). Nusja e Thanas Xhekës pasi lindi më 1884 djalin e parë Vasilin, vdiq pa mbushur fëmija një vit. Kjo vdekje e detyroi gjyshin Thanas të rimartohej me bashkëfshataren Nerënxa për të rritur djalin e vetëm 1-vjeçar. Nga kjo martesë në vitet e parë lindën disa fëmijë të cilët jetua vetëm disa javë ose muaj, kurse më 1894 u lind Ligori (Goni, si e quanim shkurt, babain tim). Pra Vasili dhe Ligori ishin vëllezër me diferencë 10 vjet, të cilët i rriti Nerënxa. Kjo nuse edhe pse në fakt ishte njerkë e Vasilit, e deshi dhe e rriti atë si djalin e vet. Po ashtu dhe Vasili që nga mosha 1-vjeçare e njohu dhe e deshi atë si nënën e vet.
Gjatë dimrit 1902-1903 ndodhi një tjetër fatkeqësi, kryeusta Thanasi u sëmuar nga pleviti gjatë punës për ndërtimin e një shtëpie në qytetin Kavallë, sot qytet i Greqisë. Ai vdiq në mars të vitit 1903 duke lënë djalin e madh Vasilin 19-vjeçar dhe Ligorin e vogël 9-vjeçar. Varrimi i usta Thanasit u bë në Kavallë, por varrin e tij nuk ka pasur rast ta vizitojë asnjë prej ne pasardhësve. Mbas vdekjes së Thanasit, vëllai i tij usta Sotiri mori drejtimin e grupit ku u shtua dhe Ligori si ndihmës baltaxhi. Sotiri e ndërroi vendin e punës dhe në tetor të vitit 1903 shkoi në Dhoksat të Gjirokastrës për ndërtim shtëpish. Mbas disa vjetësh, në shtator të vitit 1908 usta Vasili u martua me vajzën Kondile, bijë nga fshati Treskë. Nga kjo martesë u lind Loni në fillim të marsit 1910.
Para vitit 1913, gjendja e varfër dhe dëshira për të mos kryer shërbimin ushtarak në vende të largëta të Perandorisë Turke, i detyronte shumë të rinj të krishterë të Vilajeteve Manastir e Janinë (Shqipëri e Jugut) të merrnin rrugën e kurbetit për Egjipt, Rumani, Bullgari e pas vitit 1884 edhe në SHBA. Duke ëndërruar një vend pune ku mund të paguheshin më mirë dhe mund të mblidhnin pare për të përmirësuar jetën, në fund të marsit 1910, Vasili bashkë me Ligorin dhe disa kushërinj morën rrugën e kurbetit për Amerikë. Pasi kaluan disa muaj në Boston MA dhe dimrin e ashpër në Concord NH, në pranverë të vitit 1911 ata shkuan me tren në qytetin Seatle WA në brigjet e Oqeanit Paqësor, ku nuk binte borë. Ligori dhe kushërinjtë u rregulluan në punëra të ndryshme si ngarkim-shkarkim peshku, derdhje çeliku nga fonderia, prerrje trupash në sharra, etj. Kurse Vasilin, duke qenë usta shumë i mirë, trupmadh dhe i fuqishëm, e mori në punë një grup muratorësh për ndërtim pallatesh. Mirëpo pas dy vjet pune, ai u dëmtua rëndë në kokë sepse ra nga skela e katit të tretë. Në atë kohë nuk kishte inshurenca për ustallarët, prandaj vëllai i tij pas vizitave të para te mjekët, e mbajti pa punë dy vjet në konak (dhoma e përbashkët, ku jetonin ata të dy dhe 5 kushërinjtë, djemtë e hallës: Hari, Simi, Panua, Nisi dhe Rakua, bijtë e Sotir Stefanit).
Në vitin 1915, kur u pa se Vasili nuk kishte përmirësim, Ligori dhe kushërinjtë vendosën ta dërgonin në atdhe pranë nënës, gruas e djalit. Trebicka dhe shumë fshatra të tjerë të Shqipërisë së Jugut ishin djegur gjatë vitit 1914 prej ushëtrisë greke (andartëve), për shkak se burrat e atyre fshatrave, kur i pyesnin ushtarët grekë “a jeni grekë ortodoksë?”, ata u përgjigjeshin “ne jemi shqiptarë ortodoksë”. Shumë banorë që shpëtuan gjallë të Trebickës, Panaritit, Katundit, Stratobërdës, Treskës, Grabockës, Orgockës, Koblarës, etj, pas këtyre masakrave u shpërngulën nga vatrat e tyre dhe u vendosën në Korçë, ose në qytetet dhe fshatrat e Beratit, Përmetit, Gjirokastrës e Himarës, ku kishin miq e të njohur, të cilëve u kishin ndërtuar shtëpitë. Kurse xhaxha Sotiri me familjen e tij dhe nënë Nerënxa me nuse Kondilen dhe Lonin e vogël, si shumë bashkëfshatarë të tjerë, pasi u fshehën gjatë masakrave, u rikthyen te shtëpitë e tyre. Kur erdhi Vasili nga Amerika më 1915 shkoi në fshat, ku u bashkua me nusen, djalin dhe nënë Nerënxën. Mirëpo në pranverë të vitit 1916 ushtria greke sulmoi përsëri qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë së Jugut. Djegiet dhe masakrat u përsëritën. Kësaj here pothuaj gjithë trebickallinjtë u shpërngulën nga fshati i tyre përgjithnjë. Kjo shpërngulje e detyroi fisin tonë të ndahej më dysh: usta Sotiri, me gruan e vet dhe djalin Andon, i cili ishte i martuar me Kostandinën nga fisi Koçollarë i Koblarës, shkuan në fshatin Dhoksat të Gjirokastrës. Kurse Vasili me gruan e tij, që ishte shtatzënë, me djalin Loni dhe nënë Nerënxën, shkuan në Korçën e afërt, ku zunë një dhomë me qira.
Shumica e familjeve të shpërngulura pasi sistemoheshin në qytete e fshatra të tjerë merrnin për mbiemër emrin e fshatit nga ishin me origjinë. Kështu Vasil Thanas Xheka pas vajtjes në Korçë u quajt Vasil Thanas Trebicka. Këtë mbiemër morën dhe nënë Nerënxa, nuse Kondilja dhe Loni, kurse Ligori në Amerikë vijoi të quhej Ligor Thanas Xheka. Nga ana e tij usta Sotiri, kur shkoi në Dhoksat u quajt Sotir Xhekë Thimio, kurse i biri u quajt Andon Sotir Thimio. Mbiemrin Thimio nuk e di njeri pse e mori kjo degë e familjes sonë. Andoni me Kostandinën lindën tre fëmijë: Viktoria, Pandeliu dhe Apostoli, të cilët kanë lënë pasardhës dhe këta kanë fëmijë që jetojnë në Gjirokastës, Tiranë, Korçë, Itali dhe SHBA.
Gjendja ekonomike e familjes së Vasilit në Korçë ishte shumë e vështirë sepse në qytet nuk kishte shtëpinë e vet, kopshtin e bashtën, ato pak dele dhe pula. Këtu më 1916 familja u shtua dhe me vajzën Athina dhe më 1918 edhe me djalin Kristaq. Vasili nuk mund të punonte dhe ato pak dollarë që solli u mbaruan shpejt. Ligori dërgonte shuma të vogla dollarësh çdo gjashtë muaj, që nuk mjaftonin për të paguar qiranë dhe për të blerë ushqimet për gjithë familjen. Prandaj nënë Nerënxa dhe nusja Kondile filluan të punonin ku të mundnin si pastruese, larëse rrobash, gatuese gjellësh, etj. Në nëntor të vitit 1920 u kthye dhe Ligori nga Amerika. Me nënën e tij ai zuri një dhomë tjetër me qira dhe u martua pas dy javësh me një vajzë që ia kishte gjetur nëna e tij, që kur ishte në mërgim.
Vitet 1921-1922 sollën disa fatkeqësira në jetën e Ligorit. Nusja kishte qenë e sëmurë me plevit dhe sa vinte rëndohej. Vizitat te mjekët nuk po e shëronin sepse në atë kohë nuk ekzistonin antibiotikët. Në verë të vitit 1921 nevoja për të pasur pare për të shpenzuar nëpër doktorët dhe për të blerë orendi, ushqime të mira e veshje për punë, e detyruan Ligorin që të pranonte propozimin e disa miqve për t’i këmbyer dollarët flori me dhrahmi greke monedha në letër që ishin në qarkullim. Ndërkohë në shtator 1921 i mbaroi afati 1-vjeçar i pasaportës që kishte marrë prej Kostë Çekrezit, Konsullit të Shqipërisë në Washington DC. Pra ai nuk mund të kthehej më në SHBA. Në nëntor i ndodhi fatkeqësia tjetër, i vdiq nusja, kurse në mars 1922 qeveria greke shpalli se i konsideronte të pavlefshme kartmonedhat dhrahmi që kishin mbetur jashtë shtetit. Kështu, kursimet e mbledhura me djersë e mund në kurbet, Ligorit i shkuan kot. Kartmonedhat e dhrahmive 100-mijshe, 50-mijëshe dhe 10-mijëshe ishin në shtëpinë tonë me tufa, me të cilat më vonë do të luanim ne fëmijët. Kur i thamë një ditë se nuk duhej ta vijonte miqësinë me ata që ia ndërruan dollarët me dhrahmitë letër, sepse ata ia kishin hedhur, ai na tha se fajin e kishte ai vetë që pranoi pa pyetur dhe jo ata që i propozuan atë pazar këmbimi.
Pas vdekjes së nuses së parë, humbjes së kursimeve dhe skadimit të afatit të pasaportës, Ligori e mblodhi mendjen se duhej të rifillonte jetën nga e para me kurajo dhe optimizmin. Në korrik të vitit 1922, kur ishte 28-vjeçar kërkoi për nuse vajzën 17-vjeçare Meropi, bijë e një familjeje nga Trebicka që kishte zbritur në Korçë para vitit 1900. Meropi ishte vajza e vetme e zotit Josif Doko Simo, të cilin Ligori e kishte njohur gjatë viteve të kurbetit në Amerikë. Në gusht e mori nusen në shtëpi pa dasmë. Një muaj më vonë u bashkua si usta me një grup muratorësh për të ndërtuar shtëpi në fshatrat e Tepelenës. Kur u kthye në maj, shkoi me nusen te fotografi dhe bëri foton me rroba dasme si kujtim.
Në verë të vitit 1922, Loni mbaroi shkollën fillore. Pa i mbushur ende të 13 vjetët filloi të kërkonte punë. Xhaxhai i tij, Ligori iu lut të bashkohej me grupin që do bashkohej ai për ndërtime në fshatrat e Tepelenës, por prindërit e tij, nënë Kondilja dhe Vasili, nuk pranuan që djali të largohej nga Korça. Kështu Loni filloi punë si baltaxhi pranë një grupi muratorësh, shokë të babait të tij. Mbas disa vjetësh ai u bë ndihmësusta dhe në vitin 1929 fitoi pozitën e ustait. Ashtu si i ati dhe ai u bë usta i talentuar pa studiuar në ndonjë shkollë profesionale, por duke punuar me pasion dhe i ndihmuar prej trupit të fortë dhe aftësive individuale.
Usta Loni ishte trupmadh si i ati, i fuqishëm, që dallohej për punën e shpejtë e të pastër. Të gjithë ustallarët korçarë që punuan me të, çuditeshin se si ai nuk e ndoste vendin e punës edhe as rrobat që mbante veshur.
Guxim dhe arritje profesionale
Në shkurt të vitit 1931 në qytetin e Korçës ra një tërmet që bëri shumë dëme. Midis dëmeve ishte dhe bashkimi i dy kullave të këmbanoreve të Kishës së Shën Gjergjit. Kjo kishë ishte ndërtuar në vitet e pushtimit turk 1898-1905 si dhuratë prej atdhetarit Anastas Avramidh Lakçe. Ky atdhetar korçar i mërguar në Rumani, pasi u pasurua i dhuroi shoqërisë “Dëshira” të Sofjes paret për blerjen e shtypshkronjës ku botoheshin falas librat e Naim Frashërit dhe atdhetarëve të tjerë e më tej për ndërimin e kishës madhështore të Shën Gjergjit, një monument madhështor arkitektonik, ndërtuar e gjitha me gurë të mëdhenj gri të skalitur. Mirëpo dëmtimi i dy kullave të këmbanoreve shkaktoi panik në popull. Pritej që ato të binin nga dita në ditë, mirëpo nuk po binin vetë. Populli ndërpreu vajtjet në kishë për të kryer ceremonitë fetare. Askush nuk guxonte të hipte për të çmontuar kullat e këmbanoreve.
Pikërisht në këtë kohë u shfaq guximi, zgjuarësia dhe profesionalizmi i usta Lonit, këtij trebickalliu 21-vjeçar. Vinça ende nuk kishte në Korçë. Pasi u konsultua me ing. Anastas Pilikën, i cili kishte kryer studimet në Amerikë në Universitetin e qytetit Detroit MI., Loni ndërtoi dy palë skela, njërën nga ana ballore e kishës dhe tjetrën nga ana e prapme e kullave. Kur përfundoi ndërtimin e tyre filloi çmontimin e kullave të këmbanoreve duke hequr pjesët përbërëse nga maja deri te niveli i çatisë së kishësh. Pastaj çmontoi skelat dhe mbylli vrimat e mëdha që u krijuan nga prishja e kullave.
Ingjinier Pilika pas këtij veprimi të guximshëm e vlerësoi djaloshin dhe e mori në grupin e ustallarëve me të cilët po ndërtonte Katedralen “Zonja e Madhe” pranë Mitropolisë. Mirëpo, kur përfundoi ndërtimi i kishës doli problemi i vendosjes së tre kryqeve, dy mbi kullat e këmbanoreve në ballë dhe një mbi kupolën e madhe në mes të kishës. Përsëri ishte usta Loni, ai që sugjeroi zgjidhjen dhe guxoi ta zbatonte atë. Mbi skelën e kupolës ai ndërtoi një trekëndësh të lartë, në majë të të cilit mbërtheu një çengel dhe kaloi aty litarin me të cilin lidhi veten dhe i detyroi shokët ta tërhiqnin litarin derisa ai të arrinte në pozicionin e duhur mbi kupolë. Kështu ai mundi të vendoste pak çimento te vrima dhe nguli kryqin e parë. Po kështu veproi dhe për vendosjen e dy kryqeve të tjerë mbi kullat e këmbanoreve. Vendosja e tre kryqeve ia rriti famën ustait të ri.
Gjatë viteve 1931-1932 duke punuar me ing. Pilikën për ndërtimin e Katedrales “Zonja e Madhe”, Loni përvetësoi ndërtimin me tulla dhe leximin e projekteve të ndërtimit. Më tej ai u stërvit të skiconte vetë tre lloj projektesh të thjeshta për ndërtim shtëpish të vogla private me një ose dy kate. Shumë shpejt ai i nguliti në mendje skicat dhe sasinë e materialeve që duheshin për ndërtimin e secilës skicë. Po ashtu ai nguliti në mendje dhe koston në lek të materialeve dhe se sa duhej paguar puna e tij dhe e ustallarëve. Me të tilla njohuri praktike ai bënte pazar me ata që donin të ndërtonin shtëpi të re. Duke punuar me cilësi e ndershmëri, ky usta kishte shumë kërkesa pune për ndërtim shtëpish të reja, prandaj ai nuk pati kurrë kohë të merrej me meremetim shtëpish të vjetra, ndërrim çatish, ngritje avllish, etj.
Vepra arkitektonike me vlera kombëtare
Nga duart e usta Lonit dhe të shokëve të grupit të tij në qytetin e Korçës ka shumë shtëpi, vila, godina qeveritare, fabrika e objekte të tjerë. Midis tyre janë disa ndërtesa madhështore me vlera arkitektonike të spikatura, të cilat janë frut i punës së tij dhe shokëve të tij gjatë zbatimit të projekteve të ingjinierëve A. Pilika dhe Qemal Butka në vitet 1931-1938, të ingjinierëve italianë në vitet 1938-1943 dhe më vonë edhe të ingjinierëve sovjetikë në vitet 1952-1958. Po ndalem të përshkruaj disa prej tyre:
Varri monumental i Dr. Mihal Turtullit
Te vorrezat e vjetra të qytetit të Korçës, kur ato ishin rreth kishës së Shën Mërisë, që ndodhej në daljen veriore të qytetit, pra në të djathtë të rrugës Korçë-Tiranë, usta Loni ndërtoi në vitin 1935 një varr monumental, varr-shtëpi, të cilin e veshi krejt me mermer të bardhë të importuar nga Greqia. Ky varr monumental u ndërua për okulistin dhe politikanin Dr. Mihal Turtulli, atdhetarin që kishte shkrirë pasurinë e vet për çështjen kombëtare. Ky varr u ndërtua sipas projektit të një varri-shtëpi që ishte ndërtuar për një mikun e Dr. Turtullit në Gjenevë të Zvicrës, ku ai jetoi disa vjet. Dimensionet e tij ishin: 3.1/2 metra të gjerë, 4 metra të gjatë dhe 6.1/2 metra të lartë. Prerja e copave të mermerit në forma të ndryshme dhe vendosja e tyre ishin punë delikate dhe të vështira, që nuk mund t’i realizonte një usta i zakonshëm. Ky varr monumental ishte një munument kulture që nuk ekzistonte në asnjë nga vorrezat e qyteteve shqiptare.
Fatkeqësisht, në vitet 1961-1963 gjatë zhvendosjes të vorrezave prej anës veriore tek ana jugore e qytetit, ky varr, ashtu si dhe kisha e Shën Mërisë e ndërtuar rreth vitit 1300, bashkë me shumë varre të tjerë të mermertë me vlera muzeale u shkatërruan dhe nuk u rindërtuan te vorrezat e reja. Në ato vite konsideroheshin objekte me vlera të mëdha historike e muzeale objektet që kishin lidhje me Luftën Antifashiste dhe ndërtimin e socializmit. Kështu Korça e traditave “borgjeze” i humbi dy monumente kulture, kishën 800-vjeçare të Shën Mërisë, e cila kishte qimitir (ambjent nëntokësor ku ruheshin eshtrat e njerëzve të shquar) dhe varrin-shtëpi të Dr. Turtullit, objekte që nuk gjendeshin askund në Shqipëri.
Vila madhështore e Dr. Sotir Polenës
Doktor Sotir Polena, pasi përfundoi në Austri studimet e larta për mjekësi dhe specializimin pasuniversitar për kirurgji, erdhi në qytetin e lindjes, në Korçë, në vitin 1930. Këtu ushtroi profesionin e mjekut kirurg me shumë sukses. Në vitin 1933 ai porositi jashtë shtetit një projekt për ndërtimin e një vile të madhe, ku duhej të përfshihej brenda saj shtëpia dykatëshe ku banonte familja. Godina e re u ndërtua me katër kate. Në katin e parë dhe të dytë u bënë vetëm shtesa anësore mbështetur mbi shtylla betoni. Kjo pjesë u mbulua me soletë betoni dhe mbi të u ndërtuan dy kate të tjerë. Dy katet e parë do të vijonin të shërbenin si shtëpi banimi për familjen dhe shërbëtorët. Kurse kati i tretë do të shërbente si klinikë për vizita dhe operacione. Kati i sipërm do të shërbente si pavion për të mbajtur të operuarit disa ditë derisa të forcoheshin para se t’i dërgonte në shtëpitë e tyre. Me këshillën e arkitekt Pilikës ai ia besoi zbatimin e projektit grupit të ndërtuesve që drejtonte usta Loni Trebicka.
Aty nga vitet 1960-1961, Loni dhe unë po kalonim para kësaj vile të bukur. Duke parë nga vila e pyeta se pse kishte mbetur pa u suvatuar nga jashtë. Ai më tregoi se gjithëçka kishte ecur mirë derisa u përfundua krejt godina dhe u suvatuan ambjentet nga brenda. Mirëpo kur ishin ndërtuar skelat për të filluar suvatimin e godinës nga jashtë, doktori hipi në skelën e katit të dytë për të parë si po shkonin punët. Në një moment ai u pengua dhe ra nga skela poshtë, por nuk pati dëm në trup. Kjo ngjarje iu duk si shënjë e keqe dhe dha urdhër të çmontoheshin skelat dhe të mos kryhej suvatimi i godinës. Prindërit e doktorit kishin lindur nëntë fëmijë, por prej tyre jetonte vetëm ky djalë. Kuptohet se rënia nga skela e trembi atë, ose prindërit e tij, se mos mbetej familja pa trashëgimtar…
Lënia pa suvatuar e asaj vepre ishte një nga pengjet e usta Lonit. Fatkeqësisht edhe sot ajo vilë e bukur ka mbetur e pasuvatuar nga jashtë prandaj nuk e tregon bukurinë e vet sa dhe si duhet. Në mjaft vende pjesët prej betoni kanë filluar të dëmtohen nga erozioni natyror, sepse cimentoja greke që ishte përdorur nuk ishte e markave të larta.
Godina e Bankës së Shtetit
Banka shtetërore si institucion në Shqipëri u krijua në vitet 1923-1924. Në Tiranë dhe në qytetet e tjerë ky institucion e kryente detyrën në disa godina jo të përshtatëshme. Për këtë arsye Mbreti Zog i I në bashkëpunim me ingjinierë arkitektë italianë ndërtoi në vitet 1935-1936 godina të reja për të kryer funksionin e bankës shtetërore në qytetet kryesore të vendit. Këto ndërtime Mbreti i realizoi me kreditë që merrte prej Italisë. Me ato kredi ai bëri përveç godinave të bankave dhe disa ndërtime të tjera si rrugë automobilistike për lidhjen e qyteteve kryesore, urën madhështore të Milotit mbi lumin Mat, godinën e maternitetit të Tiranës, Hotel Dajtin, stadiumin, etj.
Arkitekti italian vendosi që Godina e Bankës së Shtetit në qytetin e Korçës të ndërtohej në dy katet e parë me gurë të mëdhenj gri të skalitur, kurse kati i tretë që do të ishte shtëpi banimi e drejtorit të bankës, të ndërtohej me tulla të kuqe. Për skalitjen e gurëve gri u caktua një grup gurgdhëndësish që drejtohej prej usta Kristaq Papaargjirit. Kurse për zbatimin e projektit, pra për ndërtimin u caktua usta Loni me grupin e tij. Kjo godinë zbukuron qytetin edhe sot pranë qendrës te këndi që formohet nga ndarja midis rrugës Korçë-Tiranë dhe rrugës Korçë-Bilisht.
Prefektura / Komiteti Ekzekutiv dhe Gjykata
Midis ndërtimeve që u bënë para pushtimit italian në qytetin e Korçës, ku mori pjesë usta Loni me grupin e tij, është dhe godina e madhe me dy kate, që u ndërtua në të majtë të Lumit të Mborjes. Kjo godinë u ndërtua sipas projektit të hartuar prej ing arkitektit Qemal Butka, që kishte mbaruar studimet në Vjenë në vitin 1931, me kate të lartë dhe hyrje madhështore. Hyrja e saj kryesore është realizuar me një portal, që përfshin të gjithë lartësinë e fasadës mbështetur në kolona të forta. Ndërtimi i kësaj godine u krye gjatë viteve 1936-1937. Mbasi mbaroi ndërtimi, qeveria mbretërore e përdori për zyrat e Prefekturës dhe të Gjykatës. Pas Luftës së Dytë Botërore në këtë godinë u vendosën zyrat e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit me seksionet përkatës dhe Gjykata.
Për ndërtimin e kësaj godine u përdorën mure me tulla të suvatuar nga jashtë, kurse për ndarjen e pjesës së themeleve nga muri i katit të parë dhe për ndarjen midis dy kateve u përdorën gurë të skalitur të nxjerrë nga mademi i gurit të Polenës. Guri i mademit të Polenës është gur i kuq zbukurues më i fortë se guri gri. Gurët e kuq u përdorën edhe për ndërtimin e qosheve të godinës, anësoret e portave dhe të dritareve, si dhe për shtyllat te hyrja kryesore e godinës.
Me skalitjen e gurëve të kuq për këtë godinë u caktua një grup gurgdhëndësish që drejtohej prej usta Guri Qiricit, një mjeshtër i punimit të gurit me origjinë nga fshati Koblarë, shok i usta Lonit. Pra ky objekt arkitektonik është gjithashtu një kujtim i punës së kujdesëshme të kryemjeshtrave Loni Trebicka e Guri Qirici dhe i punëtorëve të tyre.
Godina në formë vapori
Familja e pasur korçare me mbiemrin Çekani ndërtoi në qendër të qytetit gjatë viteve të Mbretërisë një godinë të bukur me gjashtë kate në formë vapori. Në katin e parë kishte një farmaci dhe disa dyqane tregëtie. Mbi katin e pestë kishte një verandë e ballkon të madh prej ku dukej qyteti si në pëllëmbë të dorës. Farmacia mbane emrin “Farmacia Çekani”. Me formën e veçantë dhe me lartësinë e saj kjo godinë nuk gjendej në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë. Duke pasur në sfond Malet e Moravës dhe përpara Monumentin e Ushtarit të Panjohur të Odise Paskalit, kjo godinë shumë shpejt u bë simbol i qytetit. Mirëpo mbas ardhjes në pushtet të qeverisë komuniste, kjo godinë private u shtetëzua, të zotët e saj u degdisën.
Nëpunësve të urbanistikës së qytetit në vitet 1970-të u lindi nevoja për ndërtimin e një godine të re për të vendosur Komitetin e Partisë së Rrethit, organika e të cilit fryhej gjithnjë e më shumë. Ata i ranë shkurt punës për të krijuar sheshin e nevojshëm për ndërtesën e re. Prishën godinën madhështore, “Vaporin”, simbolin arkitektonik të qytetit, godinë që nuk kishte kush ta mbronte sepse ishte pronë shtetërore. U zhduk nga qyteti edhe kjo godinë monumentale ashtu si u zhdukën dhe Kisha e Shën Mërisë, Kisha e Shën Gjergjit, vorrezat e lashta, Katedralja Zonja e Madhe, etj. Qeveritarët e sistemit komunist edukoheshin prej partisë shtet të mendonin se historia e kulturës dhe e artit shqiptar fillonte me historinë e objekteve të kulturës dhe artit që po ndërtoheshin prej shtetit komunist. Nuk mendonin se prishja e një objekti kulturor e artistik është humbje e përjetshme.
Për ndërtimin e godinës në formë vapori kishte punuar disa vjet edhe usta Loni me punëtorët e tij. Prandaj ai kur pa shkatërrimin e kësaj godine simbol, u mërzit pa masë dhe më tha me vrarje zemre: “Nuk ndreqet Korça duke prishur kënaçe për të bërë bucela. Sot për ne ustallarët është ditë zie”.
Në vitet 1930-1943 në Korçë si në gjithë qytetet e Shqipërisë shumë njerëz që merreshin me tregëti dhe profesione si ndërtues, suvatues, bojaxhinj, etj patën fitime të mira. Tregëtarët italianë sillnin materiale moderne të llojllojshme me çmime të leverdisëshme. Kjo situatë u dha mundësi të pasurve të porositnin ndërtim shtëpish të reja, kurse ustallarëve u erdhi rasti të shpalosnin më tej aftësitë e tyre profesionale.
Loni me grupin e tij të punës ndërtoi në këto vite krahas godinave qeveritare dhe një numër shtëpish private luksoze. Të tilla janë disa vila midis të cilave po përmend shtëpinë e nje familjeje, e cila është e dokumentuar si punë e usta Lonit nga një foto që ruan djali i tij Vaskë Trebicka. Kjo vilë pas vitit 2000 u muarr me qira nga qeveria greke për të sistemuar aty Konsullatën Greke të Korçë. Të gjithë gurët e skalitur të kësaj godine mbi themelet e deri te mesi i katit të dytë i kanë punuar duart e usta Lonit, po ashtu dhe anët e dritareve ai i ndërtoi me tulla të prera me sqaparin e tij duke krijuar dritare të veçanta artistike. Mbas ndërtimit të karabinasë së kësaj shtëpie, ustai porositi fotografin t’i bënte një kujtim. Doli në foto duke e mbështetur dorën e majtë te muri anësor i saj për t’u treguar pasardhësve se aty ai kishte derdhur djersën dhe talentin e tij për gdhëndjen e gurëve dhe tullave. Ata gurë e ato tulla e kanë parë fytyrën e përqendruar e të djersitur të usta Lonit duke goditur mbi to me duart e tij të arta për t’i kthyer nga gurë e tulla të zakonshme në objekte të bukur artistikë për ndërtim muresh dekorativë.
Godina fabrikash në vitet e ndërtimit të socializmit
Pas Luftës së Dytë Botërore, puna për ndërtimin e shtëpive private u kufizua. Disa pak ndërtime që vijuan të bëheshin pas vitit 1944 binin në sy për cilësinë e ulët të materialeve që prodhoheshin në vend, për zvogëlimin e dimensioneve dhe varfërinë e përgjithëshme. Qeveria që erdhi në fuqi u përpoq të ndërtonte pallate me apartamente banimi, si dhe fabrika e punishte për punësim të popullsisë. Politika shtetërore synonte shtetëzimin e çdo prone private dhe stimulonte vetëm ndërtimet shtetërore. Mbas vitit 1950 edhe usta Loni u fut në punë në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimeve (NShN). Ai punoi tani për ndërtimin e disa prej objekteve shtetërore, por pa e braktisur punën private për ndërtimin e disa shtëpive të vogla pas orarit të punës shtetërore dhe sidomos gjatë ditëve të djela. Grupi i tij i punëve private mbeti po ai ku bënin pjesë ustallarët Thomo Orgocka, Pano Petro, Spiro Grabocka dhe baltaxhiu i palodhshëm Rako Niçka me origjinë nga Qyteza.
Në fillim të viteve 1950 Loni punoi për ndërtimin e Fabrikës së Sheqerit në Maliq, pastaj për ndërtimin e një fabrike të vogël qelqi brenda në qytetin e Korçës, më tej për ndërtimin e Ndërmarrjes së Konservimit, të Birrarisë dhe kinemasë Republika dhe në vitet 1963-1964 për ndërtimin e Fabrikës së Qelqit afër fshatit Mborje. Pas këtij objekti, Loni u punësua si usta i kësaj fabrike për ndërtime e riparime të ndryshme dhe kryeisht për riparimin e kullave të zjarrit të saj. Me ndërtimin e fabrikave të tjera të qelqit në Tiranë e Kavajë, Loni ishte ustai kryesor që dërgohej për ndërrimin e tullave të shamotit edhe në kullat e zjarrit të këtyre dy fabrikave të reja.
Tullat e shamotit kishin aftësinë që të ruanin temperaturën e lartë gjatë punës për shkrirjen e qelqit, prandaj me to visheshin nga brenda kullat e zjarrit. Mirëpo ato kishin një të keqe se dëmtoheshin dhe duheshin ndërruar çdo vit. Kjo ishte puna cfilitëse që i shkurtoi jetën usta Lonit me shokë, sepse tullat nuk ftoheshin menjëherë pas shuarjes së zjarrit. Ato e mbanin temperaturën e lartë për shumë ditë e javë, por punëtorët e prodhimit të qelqit nuk mund të mbaheshin gjatë pa punë, prandaj drejtoria e detyronte grupin e ustallarëve që të fillonte punën e heqjes së tullave që kur temperatura kishte zbritur në 300 gradë celsus. Hyrja në furat e nxehta dhe dalja prej aty në temperaturat normale, pra puna në 300 gradë brenda furave dhe dalja në ambjentet me 40-50 gradë (pra puna në diferencë temperaturash prej 250 gradësh) u shkaktonte shpesh ustallarëve bronkopleumoni. Përdorimi i antibiotikëve i shëronte bronkopleumonitë duke kalcifikuar pjesën e sëmurë të mushkërive. Me pak fjalë, kalcifikimi nxirrte jashtë përdorimit pjesë të tëra të mushkërive. Në vitin 1970, kur usta Loni doli në pension, atij i funksiononte vetën një e pesta e mushkërive. Kjo gjëndje i shkaktoi largimin e parakohshëm nga jeta më 1979, pra 69 vjeçar, këtij burri dikur të fuqishëm, që ngrinte i vetëm edhe gurë 200 kilogramsh. Një gur i tillë ishte dhe guri i skalitur prej tij, të cilin, pasi ia vunë dy ustallarët mbi dy duart e tij e ngriti dhe e vendosi sipër kollonave mbajtëse të portës së jashtme të shtëpisë që ndërtoi për vete në vitet 1944-1946 te rruga Kristaq Isak, ku banoi familja jonë për shumë vjet.
Medalja e Punës për metodën “Zhandarova ta kalova”
Gjatë ndërtimit të Fabrikës së Shqerit në Maliq u dërguan prej Bashkimit Sovjetik krahas ingjinierëve dhe arkitektit dhe një usta për dhënie përvoje në ndërtimin e mureve me tulla. Ky usta e kishte mbiemrin ZHANDAROV dhe metodën e punës së tij që do të përhapte në Shqipëri e quante “Metoda Zhandarova“.
E vunë usta Lonin te një mur dhe usta Zhdanovin në murin karshi që të dëshmonte metodën e tij. Të dy kishin në dispozicion nga një baltaxhi, nga një govatë te këmbët për mbajtjen e baltës dhe si vegla pune kishin vetëm nga një mistri, një çekan dhe nje plumbçe (shaull). Mirëpo usta Zhandarovi mbajti të govata e tij e baltës dhe një lopatë, kurse Lonit nuk i dhanë lopatë. Filloi gara: dy baltaxhinjtë sillnin baltë dhe e hidhnin te govatat e dy ustallarëve. Usta Loni e merte baltën me mistrinë e tij dhe e hidhte mbi mur, pastaj e shtronte dhe vendoste tullat. Kurse ustai sovjetik e merrte baltën me lopatë nga govata dhe e hidhte në mur, e perhapte dhe shtronte tullat. Për disa minuta muri i usta Zhdanovit po ecte më shpejt se muri i usta Lonit. Ky, kur e kuptoi djallezinë e mysafirit, i tha baltaxhiut të vet: “Ma hidh baltën drejt e në mur mos e zbraz te govata“. Kështu baltën që sillte baltaxhiu me govatën e tij filloi ta hidhte drejt e mbi murr, Loni e përhapte me shpejtësi dhe mbi të vinte tullat sipas radhës duke i goditur nga pak me çekanin e tij për t’i niveluar. Në fund të orës së parë, muri në krahun e usta Lonit ishte rritur me disa rreshta më shumë. Ustai sovjetik, për të mos u turpëruar edhe më keq, kërkoi të mbyllej gara dhe usta Loni të shpallej fitues. Loni, gjatë drekës tha me shkaka se metodën e tij mund ta quanin ‘Zhandarova ta kalova’.”
Në Kuvendin Popullor, ambasada sovjetike kishte sjellë disa medalje pune të gatshme me drapër, çekan, kazmë e lopatë për t’ua dhënë si stimul punëtorëve të dalluar në Shqipëri. Pas dy-tre muajsh një të tillë i erdhi dhe usta Lonit, mjeshtrit që tejkaloi “Metodën Zhandarova”.
Qytetaria dhe shpirtmadhësia e usta Lonit
Loni Trebicka, si në rini kur punonte dhe fitonte pare dhe gjatë viteve të pensionit, ishte njeri që kishte shoqëri të gjerë dhe në shoqëri dallohej për bujari, qiraste këdo me të cilin ulej në lokale të ndryshme. Ai ishte nga ata njerëz që janë të zotë të bëjnë pare, por dijnë dhe t’i prishin kur është rasti për t’u nderuar. Kur ishte beqar, Loni pasi kishte punuar si ndërtues, shkonte në mbrëmje disa orë te kinema “Luksi” ku rinte te dera për të prerë biletat e spektatorëve dhe shikonte falas filmat në seancën e fundit. I mjaftonin gjashtë orë gjumë.
Më 24 shtator 1933 djemtë muratorë të Korçës krijuan shoqërinë e parë me emrin “Shoqëria profesionale e mjeshtërve për ndërtime godinash PUNA”. Usta Loni dhe disa shokë të tij ishin ndër nismëtarët e saj. Në statutin e vet kjo shoqëri shpalli se kishte për qëllim mbrojtjen, ndihmën morale e materiale të anëtarëve të saj, pra të punëtorëve. Aktivitetet e veta kjo shoqëri i kryente të shtunave mbas orarit të punës si mbrëmje dëfrimi, mbledhje për të formuluar kërkesa për përmirësimin e kushteve të punës, për hapje frontesh të reja pune, për pagesa më të mira, etj. Grupi Komunist i Korçës u përpoq që ta detyronte “Shoqërinë Puna” të bënte kërkesa politike dhe kërkesa kundër importimeve italiane. Mirëpo importet italiane të lëndëve të ndërtimit i kishin dhënë një bum ndërtimeve të shtëpive private. Kundërshtimi i këtyre importeve dëmtonte interesat e punëtorëve të ndërtimit, prandaj Loni me shokët e vet u tërhoqën dhe u bënë anëtarë pasivë. Petro Papi, kryetari i “Shoqërisë Puna” ishte anëtar aktiv i Grupit Komunist të Korçës. Ky, për ta ribërë aktiv Lonin, i kërkoi që të bëhej anëtar i Grupit Komunist, por Loni iu shmang duke thënë se sapo i kishte vdekur babai dhe nënën e kishte të sëmurë, se duhej të martonte motrën, të rriste vëllain, se ishte ende pa shtëpi të tijën e duhej të ndërtonte një shtëpi për familjen e vet, etj.
Mirëbërje brenda familjes.
Dikush mund të mos i quajë mirëbërje ndihmat që djali i shtëpisë i jep familjarëve, por për mua disa nga këto ndihma nuk janë ndihma të zakonshme, por mirëbërje të rëndësishme.
Loni ka qenë që në vitet 1922-1939 i vetmi krah pune në familje, me të ardhurat e të cilit jetonin nëna, babai, motra e vëllai. Ai siguroi shpenzimet e dasmës për motrën Athina më 1934. Djali i saj i vogël, Nikua, më 1945 duke trazuar një bombë të mbetur nga lufta, u dëmtua rëndë në këmbën e djathtë dhe doktor Polena ia preu deri te gjuri për të mos iu gangenizuar dhe më lart. Djali filloi të ecte me ndihmën e një paterice, që e mbështeste te sjetulla. Por nënë Athinaja nuk mund ta shikonte dot djalin sakat, u sëmur dhe pas tre vjetesh u nda nga jeta. Babai i Nikos, marangozi Thomaq Qirinxhi më 1950 me djalin e madh Petraqin shkuan në Tiranë, ndërsa Nikon e regjistruan tek Azili i Invalidëve të Luftës afër spitalit civil të Korçës, për të cilin dajo Loni mori përsipër detyrimet e kujdestarit. Kur Nikua mbaroi shkollën 7-vjeçare ishte 16-vjeçar. Loni, bisedoi me doktor Polenën për aftësimin dhe punësimin e nipit. Doktor Polena i tha se në Bukuresht kishte mundësi t’i vihej një protezë prej druri me disa pjesë lëkure. Loni njoftoi babanë e djalit dhe ky u lidh me kushëririn e tij në Bukuresht, z. Kristo Kristesku Rëmbeci. Kushëriri mori përsipër shpenzimet e spitalit dhe të qëndrimit në Bukuresht, kurse Loni pagoi shpenzimet e udhëtimit vajtje ardhje. Kështu Niko Qirinxhiu u kthye shëndoshë e mirë nga Bukureshti duke ecur me të dy këmbët. Ai qëndroi pranë babait e vëllait të tij në Tiranë ku u punësua në repartin e këpucarisë te Ndërmarrja Ushtarake e Veshmbathjes. Petraqi (1935-1982) dhe Nikua (1938-1989) pasi u vdiq babai u martuan. Patraqi ka lënë bashkëshorten dhe djalin Klito, kurse Nikua ka lënë bashkëshorten dhe katër djem e një vajzë.
Mirësia dhe bujaria e Lonit është shfaqur edhe ndaj vëllait të tij Kristaqit, i cili ka qenë shëndetlig. Ky pasi punoi disa vjet në Ndërmarrjen e Konservimit, për shkak të një diareje kronike u largua nga puna dhe nuk u punësua më. Loni e mbajti atë si invalid në shtëpi, kurse nusja e tij Viktoria u kujdes për të për larje dhe ushqim, që nga viti 1938 kur erdhi nuse në atë familje derisa ajo u nda nga jeta.
Mirëbërje xhaxhait.
Një tregëtar i pasur i Korçës në pranverë të vitit 1944 i kërkoi usta Lonit t’i ndërtonte një shtëpi të re në po atë vend ku ai kishte shtëpinë e trashëguara nga babai. Kjo shtëpi “e vjetër” ishte shumë e mirë, por zotnia donte të ndërtonte një vilë moderne sipas një projekti italian. Loni në atë kohë jetonte te shtëpia që i kishte lënë dajua i tij që kishte shkuar në Amerikë. Mirëpo duke jetuar pa qira në shtëpinë e dajos, ai ndjeu se mund ta pësonte si thosh populli: “Poçexhiu poçe bën, poçe për vete s’ka”, pra mund të mbetej pa pasur një shtëpi të vetën. Iu lut tregëtarit t’ia shiste dyert, dritaret dhe disa trarë e dërrasa të shtëpisë që do të prishte. Pasi i bleu ato me një çmim të lirë, bleu një vend te mëhalla e Shën Triadhës, ku ndërtoi ca nga ca shtëpinë e vet, të cilën e mbaroi më 1946.
Deri në atë kohë xhaxhai i tij, Ligori, nuk kishte mundur të ndërtonte shtëpi për vete dhe rronte në një shtëpi me qira bashkë me gruan dhe tri fëmijë. Atëhere nipi Loni i tha xhaxha Ligorit: “Merr familjen dhe shko jeto te shtëpia ime e re pa qira”. Jeta në shtëpinë e re me disa dhoma, me bashtë e oborr, me çezmë për karshi, ia mbushi jetën me gëzim Ligorit dhe Meropit. Në maj të vitit 1947, kur këta ishin 53 dhe 42 vjeçarë u shtuan me një vajzë, Margaritën, të shëndetshme ë u bë e pashme dhe e zgjuar.
Loni me pjesëtarët e familjes së vet (nënë Kondilja, gruaja Viktori, dy vajzat dhe djali, si dhe Kristaqi) jetonin te shtëpia e dajos, vëllait të nënës. Mirëpo në vitin 1964 dajua i Lonit i moshuar kuptoi se nuk mund të kthehej më në atdhe, prandaj vendosi ta shiste shtëpinë te një korçar që jetonte afër tij në Boston MA, i cili e bleu për një fisin e tij që jetonte në Korçë. Në atë vit Loni me familjen shkoi për të banuar te shtëpia e tij te mëhalla e Shën Triadhës, ku jetoi tre vjetët e parë bashkë me familjen e xhaxhait drerisa lagja i dha një apartament Ligorit te pallatet e rinj aty pranë.
Mirëbërje kunatit.
Vëllai i gruas së Lonit, Stavri Lako, duke parë se kunati ishte shumë bujar, se e sistemoi xhaxhin e vet te shtëpia e re pa qira, guxoi dhe i kërkoi Lonit t’i ndërtonte një shtëpi njëkatshe me dy dhoma e një kuzhinë te mëhalla e Shën Ilisë me nja 40.000 lekë të cilat do t’ia lante kur t’i mblidhte. Loni ia ndërtoi shtëpinë duke paguar materialet dhe ustallarët, pa marrë për vete asnjë lek. Shkuan vitet dhe kunati me bashkëshorten e tij filloi të bënte pare, por nuk po i mblidhte paret e borxhit dhe as filloi ta lante borxhin ca nga ca. Loni nuk ia kërkoi kurrë borxhin kunatit dhe nuk e përfoli. Një herë e shoqja, pra motra e Stavrit, e shtyu që t’ia kërkonte, por Loni ia mbylli gojën duke thënë: “Po të duash ta kesh shtëpinë e vëllait të hapur, harroi ato pare. Yt vëlla dhe jot kunatë duket që kanë vendosur të mos na i kthejnë, po ua kërkuam do mërritemi me ta për gjithënjë.” Kështu ai borxh mbeti vetëm në kujtesë.
Mirëbërje kushërirës, vajzës së Andonit.
Në maj të vitit 1940 Ligori para se të kthehej me grupin e tij nga Lekli i Tepelenës në Korçë, shkoi për të parë familjen e xhaxhait të tij, usta Sotirit, i cili, si kemi thënë më parë, bashkë me gruan, djalin Andon e nusen e këtij, ishte shpërngulur nga Trebicka më 1916 dhe ishte vendosur në Dhoksat e pas disa vjetësh ishte sistemuar brenda në Gjirokastër. Ligori kishte shkuar në Gjirokastër për herë të parë mv 1928 për të ngushëlluar për vdekjen e Andonit, i cili kishte lënë tre fëmijë të vegjël, kurse gjatë vizitës së dytë mori vesh se Viktoria, vajza e Andonit dhe Kostandinës, ishte ndarë nga burri, dhe se ky ia kishte mbajtur djalin e vetëm. Viktoria ishte shumë e shqetësuar nga shkëputja prej djalit të vogël, prandaj nuk donte të rronte më në Gjirokastër. Ligori u tha se ai vetë nuk mund ta ndihmonte për ta sistemuar në Korçë, por i nipi, usta Loni, ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe kishte shoqëri të gjerë. Kështu djali i madh i Andonit, Pandeliu me Viktorinë dhe Ligorin në maj të vitit 1940 erdhën bashkë në Korçë dhe shkuan te shtëpia e Lonit ku biseduan për hallin që kishin. Loni ishte 6-vjeç kur Sotiri dhe Andoni me familjet e tyre ikën prej Trebicës. Ai i mbante mend disi turbullt ata të dy, kurse Viktorinë dhe Pandeliun nuk i kishte parë kurrë, por u prek nga ato që dëgjoi dhe pa pyetur gruan dha fjalën se do ta mbante vajzën e Andonit dhe do të përpiqej ta martonte. Dhe vërtet mbas disa muajve Loni arriti ta martonte Viktorinë me një shokun e tij, Aristokli Palon, të cilit i kishte vdekur gruaja para disa vjetësh. Aristokliu kishte dy djem, Gaqon dhe Raqin, të cilët po i rriste nëna e tij e moshuar. Viktoria u kujdes për djemtë e burrit dhe me Aristokliun lindi dy vajza, Elvirën dhe Andonetën, të cilat e quanin Lonin me respekt “dajo Loni”.
Mirëbërje për banorët e pastrehë.
Në mars të vitit 1970, Loni 60-vjeçar doli në pension. Ishte koha kur vijonte ndërtimi i pallateve me punë vullnetare. Trupi i tij i mësuar me punë nuk e duronte dot papunësinë e plotë. Delte shëtitje çdo ditë, takohej me shokët pensionistë për kafe, por duart i hanin për punë, por e ndjente se nuk kishte fuqi të ndërmerrte ndërtime shtëpish private. Një ditë duke pirë kafen e mëngjezit te kafene “Panda” u tha dy ustallarëve pensionistë të mëhallës, Guri Qiricit dhe Pano Petros, që të merrnin pësipër ndërtimin e dy pallateve dykatesh me 16 hyrje gjithsej për strehimin e familjeve që kishin nevojë. Këtë ide e mbështetën dhe kolegët e tjerë Rako Niçka, marangozi Thoma Toroveci dhe disa të tjerë, madje dhe xhaxhai i tij Ligori, 76-vjeçar. Lajmëruan zyrtarët e Lagjes, u caktua vendi i ndërtimit dhe në mars-prill u sollën materialet dhe filloi hapja e themeleve. Pa ardhur dimri familjet hynë në apartamentet e rinj ku festuan Vitin e Ri 1971 duke ngritur nga një gotë dhe për shëndetin e ustallarëve. Ne bijtë e këtyre ustallarëve, sa herë kalojmë para këtij pallati i kujtojmë dhe i falenderojmë prindërit tanë që lanë këtë kujtim human, që i nderon ata dhe neve.
Qytetaria dhe mirësia vijon.
Usta Loni me bashkëshorten Viktori lanë tri fëmijë: Albertinën (1940 – ), Vaskën (1945- ) dhe Donikën (1953- ), të cilët shquhen si njerëz të ndershëm, që çdo gjë e kanë arritur me djersën e ballit. Albertina me burrin dhe dy djemtë me nuset e fëmijët e tyre jetojnë në Australi, kurse Vaska dhe Donika me fëmijët e vet jetojnë në Korçë.
Vaska me bashkëshorten Miranda, pleqëruan prindërit dhe xhaxha Kristaqin, rritën e martuan vajzën Viktora dhe djalin Leonard dhe u kujdesën për mëkëmbjen e dy fëmijëve të Viktora-s (Odise dhe Juli) dhe djalin e Leonardit (Vasiljani). Më 2019, kur nusja e Leonardit ishte shtatzënë, Vaska me Mirandën ndërtuan një shtëpi të vogël me një dhomë e një kuzhinë te bashta për të kaluar pleqërinë e tyre, kurse në shtëpinë e madhe lanë të jetojë në paqe familja e Leonadrit, e cila u shtua me vajzën Irina.
* * *
Në mbyllje të këtij portreti biografi për kryemjeshtrin Loni Vasil Trebicka, dua t’i sugjeroj Bashkisë së qytetit të Korçës, që ta vlerësojë me titullin “Qytetar Nderi”. E bëj këtë sugjerim, jo se jam kushëriri i tij, por sepse mendoj që kjo bashki bëri mirë kur i dha usta Kristaq Papargjirit titullin “Qytetar Nderi” dhe këtë respektim ta vijojë edhe për usta Lonin e për ndonjë mjeshtër tjetër. Emrat Kristaq Papargjiri, Loni Trebicka, Guri Qirici e ndonjë tjetër duhet t’i mbajnë rrugët në qytetin e tyre, ku ata kanë lënë pasardhësit dhe objektet e ndërtuar me duart e tyre. Korça është qytet i vilave të bukura që i kanë ndërtuar bijtë e saj, mjeshtrit duarartë dhe jo ustallarë të ardhur nga Dibra e Kolonja, ose krahina të tjera, si janë ndërtuar Tirana, Berati, Gjirokastra, Fieri, etj. Duke i nderuar këta bij, ky qytet do ta dëshmojë më mirë vlerësimin e hitorisë së vet, si qytet me kulturë që është…