ESSE NGA LUAN ÇIPI/
Vaçe Zela, u lind në qytetin e Lushnjës më 7 prill 1939, dhe vdiq më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës.“Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigantja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë.Vaçe Zela është këngëtare shumë e njohur, ikona e paarritshme e skenës shqiptare, artiste popullore dhe këngëtare me famë botërore. Ajo, si këngëtare u zbulua rastësisht në moshë të re në qytetin e Lushnjë. Kishte një zë brilant, të ëmbël, tingëllues e me një timbër të veçantë kumbues, me diapazon të gjerë e intonacion perfekt. Këngët e saj popullore mbeten në vite, të kënduara dhe të preferuara nga publiku. Vaçe Zela mbetet Zëri i jashtëzakonshëm që mbushte me energji, shpresë dhe optimizëm skenat shqiptare edhe pse të pluhurosura e të grisura nga ngarkesat pushtuese e diktatoriale.Ajo, mori pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në televizion, që prej organizimit të parë, në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e përhershme shumë vjeçare e çmimit të ekselencës.Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave.Në ka një artist, që emri i tij në dekada të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës. Ajo ishte dhe do mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. Vaçe Zela u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare, për më se dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët.
Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo lajmëroj se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja, se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë.
Sot duket paradoksale, por Vaçen fillimisht kishte zëra që nuk donin ta pranonin në festival. Ishte frika se do bënte dallime të dukshme me këngëtarët e tjerë, dhe se duke kënduar do t’i zhvleftësonte.
Festivalet rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë triumfuese me zërin e saj brilant, duke i spostuar me meritë të tjerët.
Këngët të bukura si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës dhe kanë hyrë në çdo familje shqiptare .
Fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, asaj iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Është “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe u nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit Shqiptar” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.
Siç ka thënë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare të qytetit të Lushnjës. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte prirje edhe në pikturë e teatër.
Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin amatorë të muzikës qytetare popullore myzeqare.
Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do ti mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa ajo vetë, këndonte krejt e lirë dhe e shkujdesur. Tregojnë bashkëkohorët, se Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar. Duke e parë talentin e lindur, të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, dhe as prindërit e saj nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen për ta shkëputur nga pasioni i saj. Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën e saj të zjarrtë, po nuk qe e thënë. Ata, nuk ia dhanë të drejtën për t’u pranuar në atë shkollë. Më pas do t’i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin dhe nisi studimet në shkollën “Qemal Stafa”. Aty nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës dhe e suksesit të saj.
Një mikja e Vaçes, Violeta Librazhdi, shoqe e shkollës dhe e gjithë jetës së këngëtares së madhe, ka botuar një libër të posaçëm, kushtuar këngëtares, ku shkruan: “Kujtoj ditët kur për herë të parë pashë Vaçen me një kitarë në duar, me të cilën ajo këndoi gjatë në dhomën e saj, këngë që nuk mundej t’i këndonte dot në skenë. Ishin këngë spanjolle, italiane e amerikane që i kishte mësuar “vjedhurazi” duke i dëgjuar me vëmendje në radiot. Pas dritares së shtëpisë ishin mbledhur me dhjetëra njerëz dhe dëgjonin vajzën që këndonte aq ëmbël. Vonë e kishin kuptuar se të tjerët ishin ngulur pas dritares. Ne nisëm të qeshnim, ndërsa njerëzit duartrokisnin pa pushim. Pak kohë pas këtij “koncerti” të thjeshtë, në rrugët e Tiranës do të ngjiteshin afishet “Këndon Vaçe Zela”…e kështu pas kësaj shfaqej çdo herë në skenat e Tiranës e jashtë saj”. Kjo kitarë, në momentin e duhur, ishte dhe një faktor suplementar, me të cilën ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, pa u larguar asnjëherë nga pasioni për këngën. Kitara e Vaçe Zelës zë një vend të veçantë edhe në studion e ish të përndjekurit politik Gëzim Çelës. Kësaj vegle muzikore, dëshmi e peripecive të shumta të kaluara në jetë, por dhe shpirtmadhësisë së këngëtares sonë të famshme Vaçe Zela, ish-i burgosuri politik , që e përdori në burg si dhuratë nga ajo,i ka kushtuar një tregim të titulluar “Kitara”, Kitara e varur në mur merr sërish jetë e bëhet e gjallë në duart e ish të burgosurit politik, të cilit tingujt e muzikës, i rikthejnë në mendje qindra kujtime të gëzuara apo të hidhura nga vendet e vuajtjes së dënimit, shokët e tij të burgjeve, por, mbi të gjitha, i kujtojnë solidaritetin njerëzor, e cila është një ndër pasuritë më të çmuara për çdokënd.
Vaçe Zela, pasi kish kënduar si amatore në Lushnje e Tiranë, e nisi karrierën e saj si këngëtare profesioniste fillimisht në Estradën e Ushtrisë, më pas, arriti kulmet e lavdisë, në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Këngët e bukura të vendlindjes gjetën te Vaçja një interpretuese të madhe. Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe të veçantë e tepër melodioz. Jo më kot u quajt “Bilbili i Myzeqesë”, por shumë shpejt u bë bilbili i kombit, i gjithë Shqipërisë dhe Kosovës, sepse këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit.
Në çdo sukses të bujshëm e të merituar që ka pasur Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, nën drejtimin artistik të muzikantit e kompozitorit te madh, Tish Daija, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Kinë, Zvicër e gjetkë, këngëtarja e shquar Vaçe Zela ishte faktor i rëndësishëm që gjithnjë e më shumë, bëri për vete një publik mjaft të gjerë dhe sidomos specialistët më të shquar të kohës. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar mjaft lart, zërin e mrekullueshëm të këngëtares se madhe. Kalimi nga muzika popullore në muzikën e lehtë qe i natyrshëm për Vaçen dhe i domosdoshëm për kohën. Kjo, për zërin e saj të ëmbël, me diapazon të gjerë e timbër të veçantë ishte fare e lehtë, ndërsa për kohën dhe zhvillimin, ishte nje domosdoshmëri. Kështu repertori i saj u bë shumë i pasur dhe u zgjerua dukshëm, duke përfshirë me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.
Kjo karrierë e lavdishme, u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.
Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori qiellor i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm varfëri ekstreme dhe prapambetje, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës dhe shpresës.
Ajo kishte repertor shumë të gjerë e të larmishëm si rrallë këngëtare të famshme në botë. Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave origjinale fine, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë.
Qenë këto vite kur njerëzit edhe pse në vështirësi ekonomike, nuk i diferenconin dot artistët e tyre, që ishin thuajse në një nivel jetese. Sipas rrëfimit të mikes së saj biografe: “këngëtaren, italianët e kërkonin ta blinin me shifra marramendëse, ndërkohë që shteti e trajtonte pa diferenca shpërblimi të theksuara e pa trajtimin special për një artiste të nivelit botëror. Po ajo, nuk pranoj të shkonte me ta, po preferoj të rinte pa kushte speciale, në shpërblim për mirënjohje, te populli i saj, qoftë dhe në varfëri e mjerim. Njerëzit e donin Vaçe Zelën. Afishet kudo reklamonin emrin e saj, ndërsa biletat shiteshin shpejt..
Është për t’u ndalur te viti 1993, kur këngëtari nga Kosova, Naim Krasniqi, do të këndonte në skenën e festivalit shqiptar të 32-të të këngës, një këngë kushtuar këngëtares së madhe. Kënga mbante titulli “Jetën ma dhurove” dhe vargjet e saj ishin vërtet emocionuese: Na fale shpirtin e njomë, këngën na fale/ Nga skena jehonte aj’ zá në fush’ e male/ Ooo Vaçe Zela k’saj toke të plaguar/Jetë i dhurove, e mbajte të zgjuar.” Që nga festivali i 19-të, kur këndoi dhe si përherë shkëlqeu dhe u vlerësua me çmimin e parë për këngën “Shoqet tona ilegale”, Vaçe Zela i kishte munguar skenës së festivale. Dhe publiku kishte mall për të, për praninë e saj. E ja tani, ajo sërish, pas 3 vjetësh, ndodhej në një sallë festivali, vërtet si spektatore, por ishte aty. U mallëngjye, nuk e priste t’i bëhej një nder i tillë. Një këngë kushtuar asaj. U mallëngjye edhe krejt publiku në sallë. Ovacionet për këngëtaren nuk pushonin. Ndërkohë që dridhërima zemre përjetonin miliona shqiptarë nëpër botë që ndiqnin nga ekranet festivalin e këngës. Prania e Vaçe Zelës në një festival, qoftë edhe me një këngë kushtuar asaj, kur ajo prej vitesh, që nga festivali i parë kishte qenë zonjë e festivaleve dhe këngës shqiptare, mjaftonte si fakt që shqiptarët ta ndienin edhe një herë praninë e “mbretëreshës”.
Rasti i fundit i pranisë së saj në atmosferën e festivalit ishte viti 1999. Festivali i 38-të i këngës. E ftuan nga Zvicra si kryetare e jurisë, ku jetonte prej vitesh dhe kurohej për sëmundjen e sa. Megjithëse mjekët e këshilluan të mos udhëtonte ajo nuk donte të humbiste emocionet e festivalit. Po aty e nderuan me çmimin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.
Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mori emrin e saj.
Vaçe Zela është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.
Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina.
Çmimet në adresë të artistes janë të panumërta. “Artiste e merituar”, në vitin 1973, “Artiste e Popullit”, në 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, deri te çmimi më i lartë, “Nderi Kombit”.
Këngët e saj këndohen vazhdimisht nga brezat e rinj të këngëtarëve, por janë të pakrahasueshëm gjithsesi me atë vokal, që vetëm Vaçe e kishte.
Artistja thoshte se ndihej mirë sa herë që në Shqipëri dikush kujtohet dhe vlerëson punën e saj. Ishte e emocionuar gjithmonë edhe pse në të shumtën e rasteve çmimet i janë dhënë në mungesë të saj.
Çmime të rëndësishme këngëtarja ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela është nderuar me “Diskun e Artë” nga Amerika për “kontribut në shoqëri në vitin ‘97”, është zgjedhur “Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj.
I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën Gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, i cili numëron një numër rekord prej 20 festivalesh. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.
Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.
Vaçe Zela mbetet “zëri i jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare, duke u bërë idhulli i shumë brezave.
Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike.
Që nga viti 2002 Vaçe Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Një histori e bukur në jetën e Vaçes së Madhe është dhe historia e dashurisë, fejesës dhe martesës së saj, plot mirëkuptim e harmoni. Vaçe Zela u martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata lindën vajzën e tyre te dashur e të mbarë, Irma. Lindja e vajzë e lumturoi edhe më shumë çiftin simpatik që pas këtaj e kaluan mbarë jetën mes përkushtimit ndaj këngës dhe familjes.
Kjo ka qenë jeta e artistes së madhe, një jetë e bukur dhe e mbushur me emocion, deri para 10 vitesh kur ajo do të sëmurej rëndë. Ishte nisur për të vizituar vajzën e saj Irma që jetonte në Zvicër, kur nuk është ndjerë mirë dhe pikërisht në këtë kohë u nis kalvari i saj i dhembjes. Dy operacione të njëpasnjëshëm, mjekime të përditshme, kohë e tërë e shkuar nëpër spitale, përmirësime apo kthime prapa.
Atje në Zvicër ajo jetoi për një kohë. Historinë se si doli në Bazel të Zvicrës këngëtarja e tregon në një libër.
Ishte Irma, i vetmi fëmijë i këngëtares, e para që vajti në Bazel dhe më pas morri atje edhe familjen. “Në qytetin Bazel të Zvicrës, në një banesë pesëdhomëshe, në katin e parë, qetë e dinjitetshëm, ajo luftoi sëmundjen për ta mbijetuar me jetën: larg këngës, larg skenës, që për të paraqiste vend të shenjtë, larg admiruesve të pasionuar pas zërit të saj, të cilëve sot u mungon figura e këngëtares, dhe larg, shumë larg, duartrokitjeve të pafund, e vetmja pasuri që i dhuroi populli” shkruan Sanije Gashi në librin “Ecje nëpër kujtesë” – derisa kujton Vaçen në vitin 2012-të.
Pjetri dhe Irma, bashkëshorti dhe vajza e saj, ishin njerëzit që i qëndruan pranë këngëtares, në momentet kur shëndeti i saj ishte dobësuar.
Vaçe Zela ndahet nga jeta në moshën 74–vjeçare pas një sëmundje të gjatë në Basel të Zvicrës. Me dëshirën e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe Zela u mbart e prehet në Atdhe.
Qeveria Shqiptare ndërmori të gjitha masat dhe e solli trupit të pajetë nga Bazeli i Zvicrës. Ajo u kujdes të kapërcente një mori procedurash burokratike, me të cilat do të ishte përballur çdo qytetar i thjeshtë. Po kështu, mori përsipër edhe shpenzimet e gjithë këtij procesi.
Pritja e parë këngëtares iu bë në Aeroportin e Prishtinës nga Autoritete kosovare, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe familjarë të saj, për t’u shoqëruar më pas për në Tiranë, ku ajo kishte kërkuar që të prehej.
Ministria e Kulturës, e cila organizoi ceremoninë mortore për nder të këngëtares Vaçe Zela, vendosi që homazhet për artisten të organizohen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ajo ngriti karrierën e saj. Skena mori një pamje mortore, por ruajti skenografia e shfaqjes së momentit në baletin “Zhizel”.
Lamtumira dhe homazhet e fundit iu dha në varrezat e Sharrës, ku ajo prehet, përjetësisht me gjithë madhështinë e pavdekësisë së saj.
Kanë thënë për VAÇE ZELËN:
Dritero Agolli, shkrimtar : “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”
Nexhmije Pagarusha, këngëtare : “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela
.”Osman Mula, regjisor : ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare e fuqishme, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”
Prof. Tish Daija, kompozitor : “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera. .. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.”
Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE” ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA.”
Avni Mula, kompozitor e këngëtar : “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”
Këngëtari Sherif Merdani Na mësoi si të dashurojmë këngën. Është një humbje aq e madhe sa nuk e krahasoj as me 100 politikanë. E kam njohur kur kam qenë në Lushnjë, këndonte në estradën e Lushnjës, me shokun tim u njoh që iu bë dhe bashkëshorti i saj. Ishte Mina e Shqipërisë. Një dhuratë nga Zoti.
Kompozitori Robert Radoja: Është humbje e madhe. Ndarja nga jeta e Vaçe Zelës është humbje e madhe. Ajo dha shembullin e papërsëritshëm. “Është e para që e ngriti në piedestal muzikën tonë të re. Është ndarje e madhe por njerëzit që bëjnë epoka kthehen në legjenda.
Agim Krajka kompozitor: Vaçe Zela është e pazëvendësueshme. “Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij. Ajo, “ishte një vajzë jashtëzakonisht korrekte”.
Zijà Saraçi, kantautor : “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një reze e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “Piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive…”
Limoz Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”
Nora Çashku, pedagoge e pianos : “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Falë talentit, ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t’i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”
Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe : “Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet.”
Prof.Dr.Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase : “Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, më së miri dëshmon atë që pat thënë Mikelanxhelo “Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju.”
Ferdinand Deda, dirigjent : ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”
Leka Bungo, regjisor: “Vaçja për mua dhe për të gjithë, ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit.”
Mimoza Ahmeti, shkrimtare: “Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton.”
Prof.Dr.Fatmir Hysi: “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”
Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me “drejtuesit”, sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”
Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”
Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”
Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë… të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”
Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: “E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli.”
Lirim Deda, poet: “Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigran i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi.”
Ardit Gjebrea, kantautor: “Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë.”
Liliana Çavolli, këngëtare: “Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete.”
Dr. Sytki Bushati, mjek, mik i familjes: “Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithçka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: “Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë.”
Rikard Ljarja, aktor e regjisor: “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite, vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte “the voice“.
Inva Mula, këngtare: Kam pasur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty. Ti, Va e dashur, ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë. Të falënderoj dhe do të jem mirënjohëse, Diva jonë absolute.
Mirush Kabashi, aktor: “Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.”
Nirvana Pistulli, poete: “Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit.”
Nexhat A. Agolli, shkrimtar, autor i monografisë “Vaçe Zela – magjia e këngës shqiptare”: “Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të atë Tokës rreth vetes dhe Diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm.”
Besnik Dizdari, gazetar: “Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigante dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri në skaj. Çuditërisht ndjeheshim më të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë, Vaçja na fal humanizëm, të cilin ne nuk ia kthyem me kurrgjë më tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta…”
Hasan Huta, poet: “Moj Vaçe Zela e pavdekshme. Je pjesë e shpirtit të këtij populli, por veçanërisht e imja si artist, si krijues. Nuk mund ta konceptoj personalitetin tim pa atë timbrin e zërit tënd që oshtinte në qiejt e kohës duke më bërë të identifikohesha me atë klithmë pothuajse hyjnore për të qenë edhe vetë pjesë e magjisë së artit. Ashtu si energjia kozmike që përshkon materien e ngurtë edhe zëri i shpirtit tënd e përshkonte tejembanë sistemin inert të kohës duke ndriçuar si një vetëtimë në qiellin e errët shpirtin e njeriut shqiptar. Të uroj nga zemra shëndet dhe ndërgjegjësim të të qenit e pavdekshme jo vetëm për kombin tonë por për zërin njerëzor në përgjithësi.”
Violeta Librazhdi, mësuese, shoqe fëmijërie, autore e librit biografik “E papërsëritshmja Vaçe Zela”: “Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e thjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë thjesht: “Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!” Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa edhe kur ajo s’është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve “Shkëlqen me mungesën e saj”
Për këtë jetëshkrim janë marrë të dhëna nga interneti: Wikipedie, Nexhat Agolli, Violeta Librazhdi, Sanie Gushi, Gëzim Çela, etj.
Tiranë, më 20.08. 2018