
Thanas L. Gjika/
(Vlerësime për librin ODE PËR TEMPUJT QË NUK U HARRUAN)
Gjatë historisë mijravjeare dy popujt fqinjë të gadishullit Ballkanik, shqiptarët dhe grekët kanë pasur fat të njëjtë. Jetuan nën Perandoritë Romake, Bizantine, Bullgare, Serbe dhe Osmane. Mirëpo pas 25 vjet nga formimi i shtetit të pavarur grek në klasën e tij sunduese u krijuan disa qarqe shoviniste të cilat formuluan ideologjinë “Megali Idhea” për formimin e një Greqie të madhe ku të futeshin edhe ish-kolonitë e lashta helene. Nga njëra anë mohohej ndihma bujare që dhanë luftëtarët arbërorë dhe çamë në luftën për lirinë e Greqisë dhe nga ana tjetër luftohej t’u ndërrohej identiti kombëtar shqiptarëve ortodoksë në grekë. Shpallja e kufijve të Shqipërisë në vitin 1913 prej gjashtë Fuqive të Mëdha e zemëroi qeverinë greke, sepse ajo përveç krahinës pjellore të Çamërisë, që iu dha padrejtësisht, ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë, donte që t’i jepeshin edhe krahinat e Korçës, Përmetit, Gjinokastrës dhe Sarandës, të cilat i kishte pushtuar gjatë Luftës Ballkanike në tetor-nëntor të vitit 1912. Në vitin 1914 Fuqitë e Mëdha i dhanë urdhër qeverisë greke që t’i lironte tokat e pushtuara që i ishin njohur shtetit të ri shqiptar. Atëhere forcat ushtarake greke bënë masakra ndaj popullsisë shqiptare në fshatra të Korçës, Përmetit, Gjinokastrës dhe Sarandës.
Mbas shpërthimit të Luftës së parë Botërore (LIB) ushtria greke i ripushtoi përsëri krahinat e Shqipërisë së Jugut. Ushtria italiane dhe ajo franceze, që hynë në këto territore, e detyruan ushtrinë greke të largohej prej aty. Edhe ky largim i tyre u shoqërua me masakra të reja, vrasje njerëzish të pafajshëm, djegie shtëpish e pronash, shembje urash, etj. Babait të këtyre radhëve ia dogjën shtëpinë në fshatin Trebickë të zonës së Vakëfeve, me kryeqendër Vithkuqin. Qeveria shqiptare mbas LIB kishte shumë probleme të brendshme dhe nuk e ngriti problemin e këtyre masakrave në Lidhjen e Kombeve. Përmasat e këtyre masakrave ishin KRIME NDAJ NJERËZIMIT, por qeveria greke nuk kërkoi kurrë të falur dhe nuk dha llogari.
Nga ana tjetër popullsia shqiptare e Çamërisë, e cila iu dha Greqisë, u trajtua edhe më barbarisht. Qeveria greke ndoqi ndaj popullit shqiptar të kësaj krahine politikën e përçarjes dhe të genocidit: çamët myslimanë i quajti turq dhe filloi t’i keqtrajtonte, kurse çamët e krishterë orodoksë i quajti grekë për hir të besimit të përbashkët fetar. Mbasi Greqia humbi në luftën Turko-Greke (1919-1922) u detyrua, kur u bë paqja në vitin 1923, të bënte këmbim të popullsisë. Qeveria greke tërhoqi popullsinë greke nga brigjet perëndimore të Turqisë dhe dërgoi në Turqi banorët turq që kishin mbetur në Greqi. Këtë proces këmbimi të popullsisë fqinji ynë e shfrytëzoi për të dërguar me dhunë në Turqi shqiptarët myslimanë të Çamërisë. Por këtë shpërngulje të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga trojet stërgjyshore, qeveria greke u detyrua ta ndërpriste mbas disa muajsh, sepse e detyroi Lidhja e Kombeve mbas ankesave që bëri qeveria shqiptare.
Gjatë LIIB, Italia Fashiste mbasi pushtoi Shqipërinë sulmoi Greqinë në tetor 1940, por populli patriot grek dhe ushtria qeveritare greke e mposhti ushtrinë itliane dhe e ndoqi përtej kufirit të saj veri-perëndimor. Mirëpo duke pushtuar krahinat e Shqipërisë së Jugut ajo e ktheu luftën çlirimtare në luftë pushtuese. Kësaj here ushtria greke nuk mundi t’i mbante të pushtuara trojet shqiptare, sepse Gjermania Naziste, aleatja e Italis Fashiste, shumë shpejt e pushtoi Greqinë, dhe krijoi aty një qeveri kolaboracioniste në shërbim të pushtuesve nazistë, të cilët nuk donin cënimin e trojeve të Shqipërisë.
Në fund të LIIB, gjatë muajve qershor 1944 – mars 1945, forca ushtarake greke, të drejtuara nga kolonel Napolon Zerva e disa kolegë të tij, pa marrë urdhër nga qeveria qendrore, kryen masakrën më të madhe kundër popullit shqiptar të Çamërisë. Prej myslimanëve shqiptarë të kësaj krahine u vranë mbi 2.500 burra, gra, nuse e fëmijë dhe përzunë me përdhunë pjesën tjetër mbi 30.000 çamë myslimanë, të cilëve ua dogjën shtëpitë dhe ua konfiskuan pronat. Kurse pjesën e krishtere të çamëve, rreth 30.000 banorë, e detyruan të mbyllte gojën për të shpëtuar nga keqtrajtimi. Edhe banorët grekë të Çamërisë mundën të ndihmonin shumë pak fqinjët e tyre të vjetër, sepse edhe ndaj tyre u mbajt një qëndrim kërcënues.
Në këtë kohë Shqipëria po delte nga LIIB e varfër dhe e shkatëruar, pas luftës që kishte kryer kundër pushtuesve italo-gjermanë dhe luftës midis forcave të brendshme antifashiste, forcave të “Nacional – Çlirimtares” dhe “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”. Në këtë situatë Partia Komuniste që mori pushtetin duke qenë pa përvojë qeverisjeje, dhe e trembur se mos humbte pushtetin, nuk e bëri problem masakrimin e popullsisë së Çamërisë. Ajo i priti e i sistemoi të shpërngulurit si mundi në toka pa pronarë, shumica toka rranishte në bregdet, ose në disa qytete si Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Elbasani e Tirana. Ajo nuk ndoqi një politikë shoviniste ndaj minoritetit grek, rreth 20.000 banorë, që jetonte në fshatrat e krahinave Sarandë, Gjinokastër e Përmet. Nuk i dëboi banorët grekë të minoritetit që të sistemonte në shtëpitë e tyre muhaxhirët e ardhur nga Greqia. U dha minoritarëve grekë të drejtat që kanë minoritetet e huaja në shtetet europiane: shkollim falas në gjuhën amëtare, gazetë dhe emisione radiofonike në greqisht, etj. Të tilla të drejta shqiptarët e Çamërisë nuk i gëzuan kurrë që nga viti 1913, po ashtu edhe çamët e krishterë që qëndruan në Greqi pas marsit 1945 nuk i gëzuan këto të drejta. Këta u dhunuan që të mos e flisnin gjuhën amëtare nëpër oborret e shkollave e as në rrugët e qyteteve e të fshatrave të tyre. Këtë politikë shoviniste ndjek edhe sot qeveria greke, qeveria e një shteti anëtar të Bashkimit Europian, jo vetëm ndaj banorëve të vjetër shqiptarë të Çamërisë e të fshatrave të Gramozit, por edhe ndaj shqiptarëve të rinj emigrantë që shkuan atje për të punuar mbas ndërrimit të regjimit më 1991-1992.
Vitet 1991-2025, vite kur populli shqiptar në Ballkanin Perëndimor po ecën drejt forcimit ekonomik, moral dhe politik, janë vite kthese edhe për ndërgjegjësimin e shqiptarëve dhe të grekëve, si dhe të opinionit botëror për kërkesat që u duhen bërë qarqeve shoviniste të qeverisë greke ndaj masakrave që u janë bërë në të kaluarën shqiptarëve të Shqipërisë së Jugut dhe të Çamërisë, si dhe ndaj të drejtave të emigrantëve të rinj.
* * *
Plagën e madhe që shkaktoi ushtria greke nën komandën e Kolonel Zervës me shokë në qershor 1944 – mars 1945, trajton libri i ri i poetit dhe prozatorit të talentuar Luan Rama “ODE PËR TEMPUJT QË NUK U HARRUAN” botim i ALBAS, Tiranë, 92 f. Këtë masakër në vitet 1944-1945 e kanë dënuar dhe disa intelektualë të ndershëm të minoritetit grek të Shqipërisë. Midis tyre po përmend ish-pjesëmarrësin e Luftës Antifsshiste në radhët e forcave partizane shqiptare, të paharrueshmin Vasil Nathanalili, ish-ambasador i Shqipërisë në disa vende dhe ish-zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme të RPSh-së.
Për nga lënda letrare ky libër ka karakter mozaik. Brenda tij janë përfshirë disa gjini letrare. Ai hapet me një hyrje – prolog, ku shpaloset thelbi tematik e problematik që do të trajtohet.
Autori do të ishte ambasador i Shqipërisë në Francë në vitet 1997-2001, dhe fshfytëzoi rastin për të vizituar disa herë Greqinë, ndali në Filat, qytetin ku kishte jetuar brez pas brezi familja e nënës së tij. Shikoi me vëmendje mbeturinat e mureve, të portave e dritareve me harqe, fotografi të varura në mure; fikun dhe pusin në oborr, e më tej ullinjtë e lashtë… Iu ngjallën emocione shqetësuese. Në veshët e tij nisi të dëgjojë rënkime, klithma e të qara, që kishin përjetuar ato ambjente gjatë kohës së masakrës.
“Harqe guri, porta të mëdha guri, dritare të shqyera ku era fryn trishtueshëm. Magje të braktisura, çati të rëna e të thyera nga gjëma e madhe dhe një copëz qiell i vetmuar, i ngrënë, i vrarë. Era fryn nëpër shkurre, mbi gurë të latuar dhe puse të harruar, mbi trarë të përmysur në këtë shembje të jetës dhe të botës në Çamëri. Një fotografi e zbehur dhe e përbaltur, një foto dasme mbetur në një rrenojë rrëzë murit… Lugë të ndryshkura dhe të vetmuara që prisnin gojët e tyre. E papritur, në heshtjen e madhe, një këngë e vjetër dëgjohet. Këngë e shpirtit, këngë e popullit të handakosur e të vrarë. Kënga, që dhe në rrënoja dhe varre, për dekada me radhë, ka jetuar dhe vazhdon të jetojë. Shpirti i popullit nuk mund të heshtë. Eshtë kënga që i këndon masakrës, është vaji i një jete të humbur, që nuk do të harroje tragjedinë e vet…
Eshtë rrëfimtari, i vdekuri i gjallë, ai që lëviz mes gërmadhash dhe me shpirtin e dhimbur sheh katakombet e një jete të dikurshme. E kështu nis të rrëfejë, të na tregojë…”
Vepra vijon me një poemë të tipit ODE (lloj i gjatë i këngës solemne të kohës antike, e ndarë në strofa të gjata, ku u këndohej me tekst e muzikë ngjarjeve të mëdha historike, bëmave të njerëzve të shquar në luftra, ose në gara olimpike, por këtu u këndohet përmes alegorisë dhe kontrastit jetës së dikurshme të popullit të Çamërisë dhe katastrofës reale që poeti sheh me sytë e tij). Vargjet poetike burojnë nga shpirti i trazuar dhe i revoltuar:
“Çdo natë nga rrënojat hijet ngrihen,
duke shkundur pluhurin e tragjedisë.
Hijet nuk kanë vdekur,
nuk kanë heshtur gjithashtu,
janë të vrarët, të masakruarit, të handakosurit,
diej të shuar që shndrisin ende….
Gurët tanë që nuk heshtin,
që flasin me gjuhën e erës dhe të mallit,
gjuhën e lumit që shkon poshtë kodrinës,
ku Hadi gurgullon gurë përrallash të vjetra,
aromë dheu, livande dhe borziloku.”
Dhe renditen njëra pas tjetrës disa nga tragjeditë që përjetuan çamët myslimanë, njerëz të talentuar, që kishin krijuar qyetetërimin e Epirit të lashtë e të ri: ustallarë, bahshevanë, bukëpjekës, marangozë, dervishë e varrmihës që i vunë të mbulonin të masakruarit; nëna me fëmijë, nuse shtatzëna që i vranë duke ua çarë barkun me bajonetë, si dhe bardë të këngës, të cilëve ushtarët grekë ua mbyllën gojën me dheun e etërve, por ata prapë këndojnë në errësirën e natës. Shkuan 80 vjet nga pritja e gjatë dhe krakëllimat e korbave u shuan bashkë me duhitë e hakmarrjes. Tani, shton poeti, “harabelat e paqes u shfaqën përsëri, cicëruan emrat tanë si të ishin evlatë të shenjtë, që nuk na harruan. Malli ynë do të bëhet shteg i bukur mbushur me jargavanë”, gjë që e ndihmon autorin të bëhet optimist për të ardhmen:
“Dhe atëhere, në pranverën e re
përtej errësisrës, sytë tanë do të shohin fytyrën e ardhmërisë,
gjaku do t’i risjellë lulkuqet e tij me hapat e pinjollëve tanë
dhe dielli do ta largojë brymën e errët dhe zinë.
Perëndimi do të shkëlqejë me njeqind tone të së kuqes
të dasmave që do të vijnë.”
Optimizmi për një të ardhme paqësore vijon me një prozë poetike, ku theksohet se Çamëria po mbushet me lule, se: “Diçka pritet të vijë. Një tjetër këngë për atë që do të vijë, që jeta përsëri të bulëzojë dhe që ustallarët e rinj të rivijnë, të ringrenë muret, të hedhin çatitë e reja, të mbjellin mëllaga e manxuranë e t’i gëzohen jetës me fqinjët e tyre të lashtë.”
Optimizëm, të cilin e ka ngjizur dhe një këngëtar popullor nga Picari i Filatit: “Të lamë lule pa petale / Çamëri / po do vijë dita e prap do ngjallesh / moj peri.” (f. 71)
Vend më vete zë një tregim artistik i titulluar “Përtej Qafës së Botës” të cilin autori e ka thurur mbi gjarje të vërtetë të zonjës Fero Avduli nga Filati, një çame e përndjekur prej ushtrisë greke nga shtëpia e bukur dhe tokat stërgjyshore, për të vetmin “mëkat” se nuk ishte greke, se nuk ishte shqiptare ortodokse, që mund të quhej greke, po ishte thjesht shqiptare myslimane, që fliste gjuhën e të parëve. Pra i përkiste pjesës së popullit shqiptar, të cilën shovinizmi grek e kishte shpallur armike dhe e kishte luftuar egërsisht që nga koha e krijimit të “Megali Idhesë”.
Pas tregimit vijon një prozë politike-filozofike ku Luan Rama shpalos politikën shoviniste të ndoqi qeverisë greke edhe pas viteve 1991-1992. Kur Shqipëria ndërroi regjimin, populli shqiptar filloi të emigronte nëpër botë, edhe Greqia i hapi kufijtë për shqiptarët, sipas porosisë së ShBA-ve dhe BE-së. Populli i thjeshtë ua hapi shtëpitë emigrantëve, por qarqet shoviniste nuk lejuan që çamët e dëbuar nga bajonetat e kolonel Zervës, të shkonin në Çamëri për të vendosur tufa me lule mbi varret e të parëve të tyre, për të parë rrënojat e shtëpive, tokat, vreshtat, ullishtet…
Këtë tragjedi të re autori e titullon: “Dante dhe Shekspiri nuk do ta kishin imagjinuar se mund të ndodhte në shekullin e XX-të”, por për çudi të shqiptaëve kjo ndodhi dhe po ndodh edhe në shek e XXI-të. SHBA-të dhe BE-ja kanë bërë shumë pak për ta emancipuar qeverinë greke në këtë drejtim. Autori, si diplomat kufizohet duke kërkuar që qeveria greke të kërkojë “pardon”, por lexuesit mendoj se dëshirojnë që aleatët tanë ShBA dhe BE t’i imponojnë kësaj qeverie, ashtu si dhe qeverisë serbë, që masakrat ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë nga pala greke, dhe ato ndaj shqiptarëve të Kosovës nga pala serbe, të dënohen, sepse mosdënimi është krim i ri.
Libri mbyllet me pjesën kujtime. kujtime rrëngjethëse, dëshmi gojore të mbledhura nga çamër konkretë me emra e mbiemra, burra e gra, që e përjetuan përndjekjen. Këto dëshmi autori i ka marrë nga libri “Kongresi Antifashist çam” botim i Shoqatës Patriotike Çamëria, Tiranë, 2018, ose nga gazeta “Dielli”, 2025, organ i Federatës Pan Shqiptare Vatra të Amerikës.
Pjesa ilustruese Album është e shpërndarë nëpër faqet e librit. Në këto fotografi riprodhohet aktori i talentuar Alfred Trebicka duke recituar poemën “ODE për tempujt që nuk u harruan” në ambjente të ndryshme, herë mbështetur në muret e rrënojave, tek ndonjë portë me qemer, ara me ullinj, dritare të shqyera, etj. Sytë e tij të mëdhenj, mimika shumë shprehëse, trupi i bëshëm i veshur me një xhamadan pjesë e veshjes së burrave çamë, të emocion. Lexuesit i duket sikur dëgjon vargjet e poemës, sikur shikon çamët duke ikur të raskapitur e të stërmunduar. Ai na kujton bardët e lashtë, por që nuk reciton trimërira heronjsh, por bëma kriminale të ushtrisë greke me kolonel Zervën në krye.
Paisja e veprës me lloje të ndryshme letrare e sidomos albumi është një arritje e re në letërsinë tonë. Por mendoj se kjo arritje mund të ishte shpënë më tej duke e pajisur veprën me një DVD, ku të ishte filmuar aktori duke recituar në ambjentet konkrete të masakrës.
Mosdënimi i masakrës së ushtrisë greke të viteve 1944-1945 bashkë me moslejimin e pasardhësve të viktimave të shqiptarëve çamë për të vizituar arat dhe trojet e të parëve, si dhe pronat e tyre, dënohen prej Luan Ramës si turpe të qeverisë greke, anëtare e BE-së dhe në një letër të hapur drejtuar Shkëlqesisë së Tij Micotaqis, Kryeministër i Greqisë, më 14 korrik të këtij viti dhe botuar në shumë gazeta online apo në median e shtypur “Telegraf” ku i kërkon që ai ta shlyejë këtë turp. Në një ribotim ship a në gjuhë të huaj, kjo letër vlen të riprodhohet brenda librit…
Si përfundim, kjo vepër e re e poetit dhe prozatorit të talentuar Luan Rama, do të ndikojë ndjeshëm në emancipimin e politikanëve grekë dhe shqiptarë, të cilët nuk kanë bëraë sa duhet për dënimin e masarës së Çamërisë. Madje pala greke ka kërkuar me paturpësi që të mohohet ekzistenca e toponimit “Çamëri” dhe e emrit “çam” si banor i asaj krahine të njohur historikisht.
Federata Pan Shqiptare Vatra ka një vit që ka marrë për detyrë të mbështesë çeshtjen çame, duke sensibilizuar opinionin shqiptar e botëror mbi të drejtat e popullit shqiptar të Çamërisë, prandaj sugjeroj që kjo shoqatë atdhetare, partnere me Departamentin e Shtetit Amerikan, të ftojë autorin e të organizojë promovime të këtij libri në New York e në disa degë të saj.