Nga Andon Dede, Nju York/
Para se të filloj të shtjelloj mendimet e mija për zhvillimet e fundit në Shqipëri, po i bëj të ditur lexuesit të mundshëm të këtyre shënimeve se jam absolutisht kundër dhunës, në përgjithësi, e çfardo forme e rrethane qoftë ajo. Për më tepër, më revoltojnë protestat që përfundojnë me shkatërrime e zjarre të objekteve, cilatdo qofshin ato, private apo shtëtërore. Më lindi kjo ide për të shkruar për “dhunën kundër dhunës”, qysh në protestat e Greqisë, vite më parë, nisur nga e vërteta e thjeshtë se ç’faj kishin bizneset e atyre mjediseve ku protestuesit shkatërruan e dogjën gjithçka mundën në sheshet e Athinës?! Ose, të kthehemi pas në kohë, në vendin tonë, në fillimet e pluralizmit apo dhe në “vitin e mbrapshtë” të ’97-ës: e ç’fituam nga ato shkatërrime barbare që ndodhën?! Veç, të mos harrojmë një gjë: shkatërimet që ndodhën në fillim të pluralizmit tek ne, vërtet që na kushtuan aq shtrenjt, por ato na dhanë një mesazh që, për fatin tonë të keq, është aktual edhe tani, pas afro tre dekadash: ato treguan se popullit, sado i urtë e i nënshtruar qoftë ai, si ky yni, po i erdhi shpirti në majë të hundës, deri atje ku nuk mban më, ai shpërthen në revolta të dhunshme, madje humbet edhe logjkën më elementare dhe një Zot e di se ç’bën. Të ruajtë Perëndia nga momente të tilla që nuk do t’ia dëshëroja as hasmit!
As më shumë e as më pak, kjo ndodhi, pak ditë më parë, me kuksianët e, jo vetëm me ata: u kishte shkuar thika deri në palcë nga varfëria ekstreme që po përjetonin e nga padrejtësitë e spekullimet që po bëheshin në kurriz të tyre. (Kur e them këtë, kam parasysh se Kukësi, në veçanti, apo dhe gjithë Veri-Lindja e Shqipërisë, në përgjithësi, kanë tërë ato pasuri nën e mbi tokësore). Dhe, në vend që qeveria t’iu qante hallin e t’ua lehtësontë sadapak dhimbjen e mjerimin që iu duhej të përballonin, pa pasur asnjë faj, i rëndon edhe më tepër me tarifën që iu vuri. Siç tregojnë shumë syresh, ata, kuksianët, edhe për të kryer shërbimet më të thjeshta e të përditëshme, duhet të paguanin tarifën e rrugës. Për më tepër, në vend që t’iu qajmë hallin e t’i mëshirojmë, i shajmë e i përbuzim duke i etiketuar me fjalorin më të poshtër, më fyes e më denigrues, si vandalë, barbarë, kriminelë etj.etj. A i meritojnë ata, protestuesit, gjithë këto? Absolutisht jo, siç e kanë pohuar tashmë bindshëm shumë politikanë e analistë që iu dhimbsen ata të gjorë që dolën në protestë jo për favore e lukse të pamerituara, as për vila në Gjirin e Lalëzit apo në Surrel, siç po i shijojnë politikanët tanë, në pushtet apo në opozitë qofshin, por për bukën e gojës, për të mbijetuar, në një regjim që me zullumet e veta, po ia kalon çdo diktature që ka njohur jo vetëm populli ynë i shumëvuajtur por dhe njerëzimi mbarë.
Fjalën “vandal”, unë, (ma merr mendja, si gjithë të tjerët), e kam ditur prej kohësh. Megjithatë, për të qënë sa më i saktë në këto përsiatje, nuk përtova të hap Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe. Po riprodhoj këtu, fjalë për fjalë, gjithë sa shkruhet atje, për vandalin:
“Pjestar i një popullsie të hershme gjermanike, e cila në shekullin e pestë u dynd nga brigjet e lumit Oder, pushtoi një pjesë të Perandorisë Romake, plaçkiti Romën dhe shkatërroi shumë monumente të artit e të kulturës.”. Ky qe kuptimi i parë apo etimologjik i fjalës. Dhe ja tani përdorimi i sotshëm, i figurshëm: “Ai që prish e shkatërron në mënyrë barbare monumentet e artit e të kulturës dhe çdo gjë tjetër me vlerë; njeri i egër e barbar, shkatërrimtar i pamëshirshëm”.
Po a ka njeri që është akuzuar si i tillë, në vendin tonë, për shkatërrime të monumenteve të kulturës, sidomos në kryeqytet, por dhe gjetkë, për të ndërtuar kulla e objekte të tjera fitimprurëse, se sa Rama, kryeminstri aktual?! Dhe, një akuzë e tillë, nuk vjen nga opozita apo persona të tjerë, të panjohur nga ai, si puna ime, por nga ish-miqtë e shokët e tij më të ngushtë, si Ngjela, Lubonja, Zheji, Blushi, Lesi, Bejtja, etj., për të mos u zgjatur më tepër?! Pra, nëse ka një njeri në Shqipëri që e meriton katërcipërisht fjalën “vandal”, në kuptimin e mirëfilltë të saj, është pikërisht ai, kryeministri aktual dhe tërë ata që, pa iu dhimbsur vendi e populli, kanë shkatërruar çdo gjë me vlerë në vendin tonë, vetëm e vetëm për përfitime personale. Për këdo, pra, me pesë pare mend në kokë, e ka më se të qartë se vandalët e vërtetë të Shqipërisë, nuk janë ata hallexhenj, që mezi mbushin barkun me bukë e që iu ka ardhur shpirti në majë të hundës e, në momente dëshpërimi të skajshëm, nuk dinë se ç’bëjnë, (si të gjithë ne, në rrethana të tilla), por ata që për afro tre dekada, e kanë mashtruar këtë popull dhe e kanë katandisur në këtë derexhe, sa që atij mund t’i falet çdo gjë që bën. (Sigurisht që rrënjët e realitetit të sotëm shqiptar, shkojnë thellë në histori, por nuk po merremi me këtë, se zgjatemi e dalim jashtë kësaj teme). Përfytyroni një fëmijë që e ka kapur dikush, një rrugaç apo i sëmurë psiqik, dhe po e torturon, gati ta mbysë…Për vetë-mbrojtje, ai, sa gjen rastin, kundërvepron dhe arrin ta mposhtë viktimën e ta çojë në botën tjetër…Hë, pra, kush është vandali, në këtë rast? As më shumë e as më pak, në të tilla kushte është jo vetëm Kukësi por gati gjithë Shqipëria sot, me përjashtim të oligarkëve, bashkëpuntorë të kryeminstrit, që me paturpësi dalin tani në mbështetje të tij, në vend që të bashkëbisedojnë me popullin hallexhi e të gjejnë zgjidhje të arsyeshme. Të gjithë ata janë fajtorë përderisa kanë pranuar zgjidhjet kriminale e mashtruese të kryepushtetarit, duke u bërë palë e shkatërrimeve masive të vendit, në emër të përfitimeve vetjake.
Situata ka mbërritur në një pikë sa që s’mban më. E thashë që në fillim se jam kundër dhunës, por me sa duket, qënkam i gabuar, nëse mendoj se Rama e ata që i venë pas, mund të largohen nga pushteti me rrugë të tjera, veç asaj të kuksianëve. Këtë e them me dhimbje, por nuk është hera e parë që detyrohem të pranoj mangësitë e mija, si çdo krijesë tjetër njerëzore e kësaj bote. Askush nuk është perfekt, thonë amerikanët.
“Me vandalët, – tha Rama, në fjalën qaramane pas revoltës kuksiane, duke iu marrë fryma, – ne do sillemi siç e meritojnë shkelësit e ligjit”. Bukur e drejt! Është këshilla më e mirë e më e vlefshme që mund t’i jepej popullit tonë të mashtruar e të shkelur me këmbë nga vandalë si ai, për të dalë nga kjo gjendje e mjerueshme.
Nju York, 3 prill 2018