Esse-personazh rreth figurës të poetit, dramaturgut, prozatorit, esseist-it, studiuesit dhe përkthyesit brilant të lirikëve të mëdhenj rusë, Vangjush ZIKO./
Shkruar nga Raimonda MOISIU/
Letërsia, është dashuria për artin e fjalës në të shprehur dhe në të shkruar, e cila na jep mundësinë ta jetojmë jetën ndjeshëm e natyrshëm në një realitet krejt tjetër, me integritetin e pasionit njerëzor, ambicjes dhe sfidës, të cilat lindin energjinë e psikikes dhe shpirtërores, midis ëndrrës dhe realitetit, në jetën reale. Është lufta e talentit me vetëbesimin dhe vetë-ndërgjegjësimin, që pasqyron frymëzimin nga motivet e të dukëshmes e së padukëshmes, që dëshmohen përmes vetë-zbulimit; forcës e talentit dhe e inteligjencës, armë këto për ndryshim, në udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës, të përjetimeve dhe casteve të saj, në të përditshmen njerëzore. Me intimitetin e sublimes e shpirtërores, të ëndrrave dhe zhgënjimeve, historike e dokumentare, social, politike dhe ekonomike të natyrës dhe të shoqërisë, që përkojnë natyrshëm, të menduarit ndryshe për të ecur me hapin e kohës dhe frymëzimin me ndjenjën e bukur të dashurisë në botën që na rrethon. Në historinë moderne dhe bashkëkohore të letërsisë shqipe, shkrimtari dhe poeti lirik meditadiv e vizionar, Vangjush Ziko është një figurë unike njerëzore dhe historike, mendimtar i shquar, kreativ dhe erudit, një zë i vecantë që i përket periudhës së shtrirjes kombëtare në disa epoka; asaj të historisë moderne shqiptare, letërsisë së realizmit socialist, letërsisë post-komuniste dhe jashtë kufijve të atdheut, në ekzil, zë i idealizmit dhe revolucionit të botës së modernizuar, me krijimtari metaforike dhe e motivuar ideo-artistikisht, filozofike dhe letraro-artistike, thellësisht njerëzore. Letërsia shqiptare krenohet për shumë individëve historikë dhe kombëtarë, shkrimtarë dhe poetë, për trashëgiminë e tyre të cmuar intelektuale, letraro-artistike, me veprat e tyre mbresëlënëse dhe madhështore, por një nga krenaritë që i ka rritur nderin dhe autoritetin vendlindjes, Korcës dhe letrave shqipe, është edhe emri i poetit, dramaturgut, shkrimtarit, eseistit, përkthyesit brilant dhe studiuesit, prof. Vangjush Ziko. Një emër gjithpërfshirës, një transformim krejt i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht, që vazhdon të mbetet gur prove i botës së civilizuar, në kërkim të identitetit krijues unik, është vizioni i ri i revolucionarizimit të ndryshimeve esenciale dhe i ndërgjegjësimit të artit bashkëkohor, kulturës shqiptare dhe njerëzimit progresiv, integritetit profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare.
Stili poetik i poetit Vangjush Ziko-i mëkuar thellësisht me lirizëm.
Vangjush Ziko, meriton vëmendjen dhe vlerësimin si një nga poetët lirikë më të shquar të vargjeve lirike shqiptare, poet që reflekton shqetësimet, dhimbjet e dashuritë, duke ruajtur individualitetin krijues të dallueshëm e të vecantë, individualitet rini -krijues, i mëkuar me lirizëm. Pikëtakimin e parë me vargëzimin e ka pasur në moshën fëminore, me këngët për motmotin që mbartnin ritmin e lodrave fëminore, të kënduara nga nëna e tij, dhe më pas në abetare, kur nisi të mësontë të shkruante e të lexonte. Në moshën nëntë vjecare librin e parë me vargje që lexoi, ka qenë poema në vargje e Naim Frashërit, dhe librat e parë që ka blerë me poezi, me kursimet e veta, në vitet ’47-’48, kanë qenë “Vargjet e lira”, të Migjenit dhe një botim të ilustruar në rusisht i poezive të Majakovskit, të cilat jo vetëm e mëkuan me lirizmin e vargjeve të tyre, por i atribuan edhe prirjen për t’i recituar ato vargje lirike. Janë burimet e para “letrare”, që i nxitën pasionin idealist dhe e lidhën pazgjidhshmërisht dhe përjetësisht me poezinë, duke filluar të shkruajë kështu, vargjet e para. Vargjet poetike të hershëme të Zikos, tregojnë se ai u ndikua edhe nga dashuria për natyrën, gjelbërore, shpezore dhe shpengimi i shpirtit, të cilat ai i pasqyroi në artin e tij poetik, duke botuar poezinë e parë, në gazetën “Zëri i Rinisë, nga fundi i vitit ’49-ë. Pasioni, dhe fuqia e vargjeve lirike me potencialin e tyre dhe pjekurinë artistike, të “Vargjeve të Lira”, të Migjenit dhe poetëve lirikë të shquar rusë, ndikuan në rritjen dhe zhvillimin artistik të Zikos, në përpjekje për të zotëruar mjeshtërisht artin e të shkruarit poezi. Duke lexuar dhe absorbuar cdo gjë të shkruar prej tij, vemë re se Ziko sintetizon mjeshtërisht format lirike, meditative dhe klasike, në një epikë kontemporane të përkryer bashkëkohore dhe me vetëdijen rivale me poetët lirikë bashkëkohorë shqiptarë e të huaj, për t’u shprehur lirshëm, përpos pasionit dhe intimitetit të identitetit poetik, motivit e veprimit, të përjetuarit të këtyre vlerave dhe përmbajtjen e tyre ideo-artistike. Sensibiliteti dhe figuracioni poetik i Zikos, ripërcakton traditën epike nga heroike në shpirtërore, nga lirike në elegjike me intensitet të fortë emocional, që nënkupton marrëdhëniet e dashurisë njerëzore me ankthin e pritjes, ëndrrat dhe dëshirat, dhe se si funksionon bota njerëzore në akord me natyrën, me thellësinë e mendimit dhe meditimit të tij moral e shpirtëror, duke përcaktuar kështu, madhështinë e vizionit të tij poetik. Karakteristikë e pënës poetike të Zikos është respekti ndaj sublimes, dashurisë njerëzore. Me elegancën e mjeshtërisë artistike e filozofike, në zotërim të vetëkontrollit poetik dhe formave të ndryshme poetike, Ziko ka gjetur diatezën e maturuar për të realizuar balancën mes psikikes e shpirtërores, komunikimit ndjesor meditativ, subjektit lirik të natyrshëm, dhe ballafaqimit të thellë me botën e jashtëme. Vëllimet poetike të botuara tashmë, “ Këngë për duart”, “Takim me malet”, “Këngët e Grurit”, “Galeritë e Nëtokës”, “Magjia e Dashurisë”, “Ditari Kanadez”, “Monologu i Ajzbergut”, “Kulla ime e Babelit”, “Këtu pranë Polit të Botës”, “Më zgjo Pëllumb i Noes”, “Mbase nesër gdhin e diel”, mund të thuhet me plot bindje se që në titujt respektivë të tyre, zë fill lirika moderne e ballafaqimit simbolik , është intensiteti i saj për të nënshtruar të kundërtat nga të qënit e tyre në marrëdhënie të ngushtë me të bukurën e të vërtetën. Ziko depërton në synimet e tij poetike, interesante, ndjesore dhe fabulore, poeti eksploron vetëdijen dhe subjektivitetin nëpërmjet përdorimit të imazheve, jo vetëm në gjetjen e frazava të duhura me figura artistike e filozofike, por ai qëllimisht konfronton me finesë mishërimmin simbolik të emocioneve dhe dukurive të jetës, agonisë së aktit të intimitetit në ngjizjen e impulsit jetik, përmes bashkëveprimit mes imagjinatës dhe njëjtësimit sensual, thënë ndryshe romantizmit.
“Enigmë është e do të mbetet,/E përjetojmë dhe se ndajmë dot,/Na lidhin zemrat apo epshet,/një pikëz gjak apo një pikëz lot,/Asgjë nuk janë luftërat e tërmetet,/as ankthi në mes djepit dhe qivurit./Sa plaga e padukëshme që na mbetet,/në cipëzën e zemrës a të trurit,/Sa gjembi apo lule trëndafili,/Që mbin lëndinës sonë të shpirtit.” Poezia “Dashuria”, nga vëllimi poetik “Monologu i Ajzbergut”, një poezie e herëshme e Zikos.
Natyra dhe vetëdija për poetin lirik Vangjush Ziko, janë njëjtësime ndjesore e romantike në riciklimin e jetës. Poeti përpiqet të jetë vetvetja nën aureolën e atributeve njerëzore, bashkimi unik individual i poetit mes dhimbjeve të lindjes, dashurisë për jetën dhe heshtjes së përjetëshme, marrëdhënie kjo e krijuar me kompleksitetin e tyre përmes kontrastit mes vetvetes dhe të qenit ndryshe, të përkohshmes dhe së përjetshmes: “Na lidhin zemrat apo epshet,/një pikëz gjak apo një pikëz lot.”. Poeti na tregon epërsinë që ka individi ndaj sekretit, aluzionit të klithmës shpirtërore dhe ndjeshmërisë, kosto njerëzore që ndikon mjeshtërisht nëpërmjet vargut, për t’i lehtësuar dhimbjet, mallin, trishtimin, vuajtjet njerëzore dhe shprehur dashurinë: “Sa plaga e padukëshme që na mbetet,/në cipëzën e zemrës a të trurit.” Ziko shfaq simbole të tilla metaforike sikundër; “enigmë, pikëz gjak, pikëz lot, djepi, qivuri, cipëzën, truri, zemra, gjembi, trëndafili, lëndina, etj., që të sjellin ndërmend pafundësinë e meditimit që janë po aq të ndjeshme sa edhe të maturuara poetikisht, intensitet thellësisht i mendimit artistik e filozofik, që nënkupton kontrastet mes melankolisë dhe bukurisë së dashurisë njerëzore.
Ja një poezi rishtas, e para ca ditëve e Zikos, e titulluar “Këmbana e Yjeve”:“Natë,as zgjuar, as në ëndërr,/një ninananë zëëmbël,/një zë i ngjirur dhe i vrazhdët,/më kumbon,/në dhé u tretën nën’ e babë,/u bënë dhé e bar,/nëna një lule e mëllagës,/babai zëmbak krenar,/qielli porsi këmbanë,/që gjuhëzë nuk ka,/kumbon mistershëm,/dhe më këndon,/dhe më qorton,/vibrojnë yjet tranzistorë,/qielli i tërë një vibrim,/edhe i lumtur,/edhe i gjorë,/besoj se s’ ka harrim,/jeta jonë një teatër,/në tokë luhet,/ në qiell jehon,/këmban ‘ e yjeve/ me bronx e larë,/zërat tanë inçizon.”
Te kjo poezi, Ziko demonstron mjeshtërisht zërin e tij poetik, përpiqet të komunikojë emocionalisht ndjenjën e dashurisë dhe ta bëjë atë epike nëpërmjet imazheve: “ as zgjuar as në ëndër”,- jo vetëm në gjetjen e fjalëve të duhura, ritmin, rrjedhën e vargut, me figura artistike e mendim filozofik, ku metamorfoza e jetës mbetet unike: “në dhé u tretën nën’ e babë,/u bënë dhé e bar,/”, – e vetmja epikë e dashurisë kjo: “nëna një lule e mëllagës,/babai zëmbak krenar”,- një shëmbull i transformimit artistik në vetvete dhe përballja me ndryshimet jetësore, tregojnë fuqinë dhe forcën e imagjinatës për të riformuar botën, nëpërmjet emocioneve dhe dukurive të jetës. Stili poetik i Zikos në të dyja poezitë, atë të hershmen dhe këtë rishtas, mbetet zë poetik unik, alegorik, meditativ dhe mediator mes të përkoshmes dhe së përjetshmes, psikikes e shpirtërores, botës së brendëshme dhe asaj të jashtëme, hyjnores e njerëzores, për të njohur shumëllojshmërinë e pafund të humanes dhe dashurisë, mëndje të gjallë e penë të shëndetshme, duke na ofruar kështu subjektin interesant, botëkuptimin inteligjent dhe filozofik, parë në këndvështrime interesante. Poezia e tij dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike. Ky lloj alegorizmi vjen nga përkushtimi i poetit për të kapur momentin poetik, të cilin ai qëllimisht e paraqit si imazh dhe simbole përmes penës së tij poetike. Lulja është simboli i dashurisë, vetmia dhe trishtimi janë lirike, sepse nuk mund të ketë dashuri pa trishtimin, vetminë, gabimeve dhe dhimbjeve të bukura. Vargjet poetike të Zikos janë në traditën e post-modernizmit. Ato përcjellin realitetin, ku lumturia, si gjithmonë dashuria na japin dhimbje e mall, trishtim e gëzim, me butësinë dhe epërsinë e tyre, monolog i brendëshëm, rilindjen dhe të prekëshmen, bujarinë dhe urtësinë, shndërrimin nga realiteti në një realitet të interpretuar, në kuptimin simbolik të hyjnores e njerëzores. Duke i qëndruar traditës së post-modernizmit, e cila vihet re në vëllimin poetik, të botuar rishtas, i titulluar “Mbase nesër gdhin e diel”, por edhe në poezi të tjera si poezia “Hallo Colombo”, publikuar në Facebook; “ç’jam unë!/banori më i ri kësaj toke/në një apartament me qira,/dhe ëndrrën për një jetë më të mirë,/(ëndrrat që adhurojmë dhe mallkojmë),/asnjë ëndërr nuk kam parë në këtë vend/dhe as kam për të parë,/mbase as kur të më shushurisin panjat mbi kokë/dhe ketrat të më përmjerrin./nipi apo stërnipi,/do vijë të më zgjojë,/me gjuhën e përzier: hallo, colomb i jetës së re! Përmes vërshimit të një ironie dhe autoironie, sarkazëm e satirë të mprehtë, ton qytetar e intelektual, ndaj heroit lirik (banori më i ri i kësaj toke) dhe realitetit, tipar i poezisë së sotme post-moderniste, Ziko harmonizon elementët tradicionalë me të njëjtin intensitet dhe guxim, duke na dhënë poetikisht dramën e vecantë të mërgimit dhe mallit të mërgimtarit. Duke u bazuar në realitetin e dhimbshëm të individit (mërgimtarit-alias- banori i ri) në kontekstin historik, social, kulturor, politik, dhe ekonomik, Ziko eksploron fuqinë dhe vlefshmërinë psikollogjike dhe sociale e spektrit të ndjenjave të peshës së mërgimit, me tendenca artistike e filozofike: “ëndrrat që adhurojmë dhe mallkojmë”- dhe nëpërmjet vargjeve intime e lirike, imponon konfliktet dhe dilemat morale, qytetare dhe intelektuale: “ngulur thellë në këtë tokë mes dy oqeanesh,/me kurorën e akujve rreth ballit”. Me energjinë e heroit lirik në poezi, Ziko “padit” kodet morale represive, dhe replikon me to nën efektet poetike, duke krijuar kështu një përzierje të traditës, gjuhës dhe kulturave, analizë sociale bashkëkohore që eksploron thellësisht temat e ndryshme universale të dramës së brezit të parë të emigrantëve. Simboli i dashurisë njerëzore lind nga dhimbjet e lindjes dhe pjesa tjetër, përvec kujtimit mbetet entiteti i përjetësisë. Poeti Vangjush Ziko mjeshtërisht paraqet ndjeshëm e me talent në vargjet e tij kuptimin metaforik emocional e njerëzor të jetës, e cila natyrisht në vevtvete është metaforë.
Vangjush Ziko mbetet një nga poetët më të rëndësishëm dhe me emër në letërsinë shqiptare dhe artin bashkëkohor. Stili dhe konotacionet poetike të Zikos, janë mishërimi i përkryer i vargjeve lirike shqiptare, artit si frymëzim shpirtëror dhe dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes dhe formimit fizik dhe intelektual,- një jetë, mbështjellur në butësi lirike.
Prozator, dramaturg, studiues dhe esseist.
Në prozë Vangjush Ziko është më i hapur, një novator, -karakteristikë e vecantë kjo e autorit. Në librat me tregime, skica dhe prozë letraro-artistike dokumentare me një përvojë të pasur, Ziko zotëron traditën e pasur të trajtave lirike dhe narrative, të cilat autori i respekton me seriozitetin e marrëdhënieve mes botës emocionale dhe psikologjike të temave kryesisht nga rinia, kujtime, mbresa, dhimbje e mall, ndjenjave fisnike, për të konturuar karaktere të injektuara me dashurinë dhe romantikën e bukur të tyre, duke i transformuar ato me metoda e elementë moderniste dhe stil të drejtpërdrejtë të imazheve dhe shëmbëlltyrës së tyre. Tek libri me tregime dhe skica “Borëbardha flokëthinjur”,(Romancë kanadeze), Ziko shprehet që në krye të librit: “Romancë zakonisht, quhet një pjesë e vogël muzikore, që pasqyron një gjendje të caktuar shpirtërore. Pse të mos e quajmë kështu edhe një krijim letrar, që na flet për ndjenjat dhe meditimet e një personazhi, një vepër letrare, e cila ka në themel konfliktin apo intrigën, boshtin artistik……”. Duke jetuar e krijuar mes Torontos, (Kanada) dhe vendlindjes Korcës ( Shqipëri), Ziko ndjek sintezën romantike e psikollogjike mes Lindjes e Perëndimit, ndërmjet traditës, reformimit modern, rivitalizimit dhe realitetit bashkëkohor. “ Borëbardha flokëthinjur”, është vepër letrare unike, subjektive me efekte të jashtëzakonëshme psikollogjike, artistike dhe brendia e saj vëzhgon botën shpirtërore të trazuar bukurinë, dinjitetin, dualizmin e natyrës shqiptare me atë kanadeze (p.sh Ujëvarat apo pyjet, malet lumenjtë e Shqipërisë e të Kanadasë), ndjenjat që prodhojnë ankth e frikë, nderim e përcmim, kënaqësi dhe mërzitje, nostalgji e mall, iluzione e zhgënjime, dëshira e shpresa, dashuri e dhimbje, një pafundësi ndjenjash dhe fuqi përtej kuptimit njerëzor. Përshtatja e fjalës “romancë”, për këtë vepër letrare, është mëse pozitivisht e përshtatshme nga poeti dhe eseisti Vangjush Ziko, është mishërimi i sublimes, i frymës romantike të aventurës së emigrimit, sepse ai thekson individualizmin, pohon vlerat e përbashkëta të njeriut, me imagjinatën për vlerat e saj estetike dhe etike, pohimin optimist të metamorfozës të vështirë, që shoqëria bashkëkohore e quan integrim. Idetë dhe shpalosja e tyre në këtë vepër letrare janë ende të freskëta me stilin e mprehtë prozaik dhe vëzhgimin e tyre në brendësi janë psikollogjike, shpirtërore, artistike, filozofike dhe bashkëkohore. Librat e tjerë në prozë janë; “Korca-Qyteti dhe Kujtime”,/ “Serenata -Himni i dashurisë”,/ “Dardha-Legjenda e Feniksit të Pyllit”, tregojnë që Ziko ia ka arritur të vlerësojë konceptin e shquar të përvojës njerëzore në prozë psikollogjike, por edhe të letërsisë dokumentare në to, baza e letërsisë së vërtetë dhe të vërtetës historike, të diktuara nga dhuntitë, dhe interesat e tij studimore, mitikes dhe legjendave, punës hulumtuese dhe bibliografive, kujtimeve e mbresave, nostalgjisë dhe mallit për Korcën, serenatës si himn i dashurisë njerëzore, duke përfshirë bukurinë mitike dhe antike, mondane dhe aromën e blireve të Korçës, punës gjurmuese, por edhe profili i tij si profesor i letërsisë, të gjitha këto, janë të bazuara në përvojat e jetës, emocionale dhe psikollogjike, larg cdo subjektivizmi. Proza e Zikos zgjeron temat sociale, ekonomike, kulturore, historike dhe psikologjike, sidomos për vendlindjen e tij, Korcën dhe Dardhën. Përfaqësues i denjë i dy epokave, Vangjush Ziko i përmbahet prozës psikollogjike, gjuhës dhe stilit lirik -narrativ, asaj dokumentare, koncizitetit dhe individualizmit të karaktereve të idealizuara, aventurat fantastike realiste dhe vizionit simbolist të tyre, temën karakteristike të konfrontimit mes kulturave dhe shpesh “të korruptuar”, nën ndikimin e shoqërisë perëndimore, duke e zgjeruar traditën me mjeshtëri artistike dhe filozofike. Si dramaturg, Ziko në dramat e tij; “Motra Katerinë”(inskenim e botim), “Rruga e Madhe”(inskenim, edhe libër), “Vëllai i Madh” (inskenim), “Prova”(inskenim), “Fronti”(inskenim), “Martesë pa dasmë” (inskenim), Ziko ka eksperimentuar monologjet e brendëshme, , stilin realist. Dramat e tij të sipërpërmendura, janë të hershme, që inkludojnë “ copëza të jetës”, në lidhje me iluzionet dhe obsesionet e karaktereve të zakonshëm e modestë, të ndara nga idetë dhe vlerat e tyre të qëndrueshme, shëmbull i filozofisë të transformimit shoqëror, ekonomik, politik e kulturor, duke eksploruar qartshëm aspektin filozofik dhe artistik, në lidhje me trendet e njeriut dhe progresit njerëzor. Dramaturgu Ziko na vë në dukje përpjekjet për të mbrujtur ëndrrat me të cilat ballafaqohet bota dhe dhimbjet e tyre,(të personazheve), mënyra e të shprehurit emocional dhe veprimeve fizike të tyre, të vërtetën konkrete dhe të moralit të shoqërisë, në kohë e hapësirë, për një dramë bashkëkohore mes realizmit e simbolizmit. Edhe pse dramat e tij, fillojnë me ekzaminimin e përvojave jetësore në aspektin social, psikollogjik dhe kulturor në të përditshmen njerëzore, Ziko interkulon një penetrim më të detajuar e një analizë sociale bashkëkohore, të casteve të jetës social- ekonomike-kulturore të shoqërisë nga vjen e ku mendon të integrohesh, duke e zgjeruar traditën me elemente psikollogjike e filozofike, dhe duke kthyer vëmendjen e tij letraro-artistike, për shqetësimet e personazheve, duke shfaqur kështu një vizion udhërrëfyes bashkëkohor. Për dramën dhe eseistiken, Vangjush Ziko, është në proces të botimeve; e një vëllimi me tre dramat e tij më të mira, njëra e botuar dhe e vënë në skenë, ndërsa dy të tjerat janë krijime të reja, dhe e shikojnë dritën e botimit për herë të parë, dhe në fushën esseistike të vëllimit të titulluar “Fletorja e Esseve”, me një tematikë të gjerë temash, autorë, probleme teorike dhe estetike, letrare, esse poetike, profile krijuesish të traditës dhe aktuale. Skenari dhe librete operete janë gjini të tjera që Ziko ka lëvruar në udhëtimin e larmishën krijues; “Hapi i Parë (skenar filmi, ekranizuar), “Zambakët e Bardhë” (skenar filmi,ekranizuar), “Brigadierja” (libret operete, vënë në skenë), kjo falë talentit e pasionit për letërsinë, Ziko ia ka arrituar t’i realizojë me sukses këto vepra.
Përkthyesi brilant i më shumë se treqind poetëve të mëdhenj lirikë rusë.
Më duhet të theksoj që në fillim se poeti lirik, Vangjush Ziko, arësimin e mesëm e kreu në qytetin e lindjes, Korcë, ndërsa studimet e larta i përformoi për letërsi në Institutin e Letërsisë, “M. Gorki”, në Moskë. Punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, dhe pedagog i letërsisë e gjuhës ruse në Universitetin “ Fan Noli”, në Korcë. Duke qenë kryesisht një poet lirik dhe njohës i shkëlqyer i gjuhës dhe letërsisë ruse, Ziko iu përkushtua edhe përkthimit të poezisë lirike ruse. Ka botuar përmbledhje të vecanta të poezive të A.S. Pushkinit, S. Eseninit, E. Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse (katër vëllime), ku ka përfshirë rreth pesëqind poezi të më shumë se treqind poetëve lirikë rusë, që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete, dhe deri në fund të shekullit të njëzetë, dhe vazhdon me të njëjtin intensitet të përkthejë edhe në shekullin 21-ë.
“A. S. Pushkin, Drama”, /“A. S. Pushkin, Poezi të zgjedhura”,/ “S. Esenin – Njëqind Lirika”, / “E. Eftushenko, Lirika”, “Treqind Vjet Dashuri”, Antologji e Poezisë Ruse,/
“Këmbana e Mbrëmjes”, Antologji e Poezisë Ruse, “Tokë e Dashur”, Antologji e Poezisë Ruse,/”, “Pegasi Rus”(Antologji e Poezisë Ruse), “Aleksis Parnis, -Ishulli i Afrditës”, Dramë, Vangji-Mihanj Sterjo – “Pikat e Harruara të Shiut, Poezi, –janë vëllime poetike dhe drama të pëkthyera nga përkthyesi brilant Vangjush Ziko.
Antologjitë e Poezisë ruse përmbajnë poezi të përzgjedhura nga lirika ruse, të përkthyera mjeshtërisht dhe që kanë në thelb vetëm temën e dashurisë nga poetë të shquar të mëdhenj lirikë rusë si: “poeti i natyrës dhe shpirtit rus, Esenin, me paruken klasike të Lemonsovit, hijen e venitur sentimentale të Zhukovskit, kacurelat rebele të Pushkinit, zërin e kreshpëruar të Majakovskit, ballin tragjik të Lermontovit, me vellon mistike të Bllokut, trishtimin esenian apo capkën të Eftushenkos,” -shprehet Ziko në parathënjen e tyre. Në një intervistë të paradokohëshme me poetin lirik dhe përkthyesin Vangjush Ziko, pyetjes sime, se cfarë e bën të dallueshëm një krijim në përkthimin original, mes të tjerave u shpreh: “Arti i përkthimit është mjeshtëri. Përkthimi i lirikëve të mëdhenj të poezisë ruse, ma ka asuruar, jo vetëm shpirtin tim, mjeshtërinë time poetike, por edhe dashurinë për poezinë në përgjithësi, dhe poezinë ruse në vecanti. Të përkthesh poezinë e një kombi tjetër, duhet ta njohësh me themel, jo vetëm poezinë e tij, por edhe gjuhën dhe konstitucionin shpirtëror, natyrën, zakonet, stilin e të jetuarit, dhe të menduarit, shpirtin e tij, ta njohësh mirë veprën që përkthen”.
Mendimin e tij mbi mjeshtërinë e përkthimit, dhe që e ka udhëhequr, në përkthimin e poezisë lirike ruse, përkthyesi Ziko analizon një shqipërim-të mrekullueshëm të Nolit, dhe jo përkthim, nëpërmjet një esse-je, shkruar rishtas, e titulluar “PROBLEME TË PËRKTHIMIT”, (Mbi një shqipërim të Nolit), Ziko vlerëson ndjeshëm dhe me profesionalizëm, filozofinë noliane të përkthimit dhe shqipërimit. Ja cfarë shkruan Ziko: “Noli e shikon mjeshtërinë e përkthyesit si mjet edukimi dhe emancipimi shoqëror edhe si shkollë të edukimit artistik dhe estetik. Noli zgjodhi jo vetëm kryevepra të artit botëror, por midis tyre, ato që i përshtaten momentit historik e shoqëror të vendit, si edhe synimeve të luftës së vet politike. Mjeshtërinë e përkthyesit Noli e krahason me mjeshtërinë e kopshtarit. Për përkthimin Noli përdori dy terma: “kthim’” dhe “shqipërim”. Me të drejtë mund të pyesim se me ç’ kuptim i përdori Noli këto dy terma dhe a janë të bara-barta në domethënien e tyre?
Në studimet e huaja termi “kthim” përdoret në rastet e kthimit të një vepre të prozës në vargje. Kurse te ne termi “përkthim”, rëndom, barazohet me termin “shqipërim”, gjë e cila nuk mund të pranohet si e bara-zvlefshme,-shkruan Ziko.
Emri dhe kontributi i larmishm, i poetit, dramaturgut, shkrimtarit, eseistit, përkthyesit dhe studiuesit Vangjush Ziko, është një emër gjithpërfshirës, është vizioni i ri i revolicionarizimit dhe ndryshimit të rëndësishëm i letërsisë dhe artit bashkëkohor në qarqet artistike, qytetare dhe intelektuale, i vlerësuar me Urdhërin “Naim Frasheri” i klasit të parë dhe “Kurora e Krijimtarisë 2006-ë””nga Klubi Letrar “Bota e Re”. Figura e vlera kombëtare dhe historike të tilla si Vangjush Ziko, duhet të ruhen më krenari e dinjitet kombëtar, duhet të ruhen për artin dhe kulturën korcare, për letrat shqipe dhe brezat e ardhshëm. I mëncur, i matur, rini krijues, aktiv dhe me një shpirt të madh, Vangjush Ziko vazhdon të na japë vepra brilante nga shpirti, talenti dhe pasioni i tij krijues, -një jetë, mbështjellur me lirizëm. Që prej vitit 2004r, jeton dhe krijon mes Kanadasë pranë fëmijëve të tij dhe vendlindjes, Korcës,- qytetit që vetëm buzëqesh me butësinë lirike të serenatave e blireve.
HARTFORD, CT USA
Fund Maj 2016
Luan Çipi says
Luan Cipi
Një analizë kritike vlerësuese shumë e thelluar e studjueses, poetes, shkrimtares, publicistes dhe veprimtares shoqërore, Raimonda Moisiu. Vangjush Ziko, eshtë pamëdyshje, një vlerë e madhe superiore letrare, artistike e shkencore bashkëkohore, për mbarë Kombin Shqiptar. Urime Monda! Veç një “binjake” mund ta njihte kaq thellë dhe ta paraqiste kaq bukur, këtë talent të rrallë.