NGA SOKOL PAJA-
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një ceremoni festive patriotike me rastin e 108 vjetorit të festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Të mbledhur në Vatër me gëzim e vëllazëri, patriotët vatranë në zbatim të rregullave të guvernatorit të New Yorkut në lidhje me masat e pandemisë globale, në rakordim me masat e autoriteteve shëndetësore, festuan ditën e lirisë së shtetit shqiptar.
Një traditë e shkëlqyer që u ruajt edhe këtë vit edhe pse kushtet ishin të jashtëzakonshme.Takimi vëllazëror u hap me mbajtjen e një minuti heshtje për vatranët e humbur këtë vit dhe viktimat e Covid-19.
Takimin e hapi Editori i Diellit Dalip Greca i cili pasi falenderoi miqtë, uroi Pavarësinë dhe theksoi rëndësinë historike që ka kjo datë e veçantë në kalendarin e shtetit dhe të kombit shqiptar. Editori i Diellit Dalip Greca i cili prej 11 vitesh ka bërë një punë të jashtëzakonshme në krye të gazetës Dielli, sidomos me numrat special të Pavarësisë, pasi uroi shqiptarët kudo ndodhen për festën e Flamurit, bëri një retrospektivë nga Pavarësia te gjendja e vështirë e shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë. Z.Greca ndër të tjera tha: “Është një ditë e shënuar, dita e ngritjes së flamurit kuq e zi, e cila e ka zanafillën e saj që në 28 Nëntorin e vitit 1943 në fortesën e Krujës, ku Gjergj Kastriot Skënderbeu heroi ynë kombëtar lartesoi flamurin dhe shpartalloi garnizonin turk dhe vendosi atje flamurin kuq e zi të cilin dorë pas dore e trashëguan shqiptarët derisa e ringritën duke bërë përpjekje herë pas here. Gjurmët e Flamurit i gjejmë nëpër vite,ku shqiptarët e Amerikës e kanë që në 1908, e kanë çuar edhe në Shqipëri dhe janë kthyer prapë, ndërkohë që në 6 Prill 1911 malësorët tanë më në krye Ded Gjon Lulin e ringritën flamurin kuq e zi për të ardhur dita e madhe të ciles i paraprijnë edhe kryengritjet e Malësisë dhe të Kosovës të viteve 1910 -1911 dhe 1912. Shqiptarët qenë të pafat që atë Flamur ta kishin ngritur në Shkup dhe qe aty ta shpallnin Shqiperine e mosvarme nga Turqia. Për të ardhur tek data 28 Nëntor 1912, ngritja e Flamurit në Vlorë nga Ismail Bej Qemali, duke pase prane kreret nga e gjithe Shqiperia Etnike. Vatra ka meritën se e orientoi pavarësinë e Shqipërisë, orientoi edhe Kuvendin e Vlorës, duke qënë Faik Konica Kryetar i Vatrës në ato momente, pra në Nëntorin e 1912 ai do ti dergonte një telegram Kuvendit të Vlorës dhe do të kërkonte që Kuvendi i Vlorës dhe shqiptarëve në përgjithësi, orientojeni Shqipërinë nga perendimi, gjeni një Princ që të na vijë nga perendimi sepse 28 Nëntori e gjeti Shqipërinë aty ku ishte pa asnjë lloj infrastrukture, asnjë shkollë Shqipe dhe asgjë tjetër. Të tre armiqtë kryesorë të Shqipërisë ndër shekuj edhe sllavët,grekët e turqit, shkollën Shqipe e kishin halë në sy dhe nuk e lejuan gjuhen kombetare shqipe. Kjo ishte arsyeja që Konica orientonte që Shqipëria të kishte orientim perendimor. Fatmirësisht princi perendimor, princ Vidi erdhi por fat i keq ishte që iku para se të vinte. Qe në ato momente s’kemi më shtet shqiptar nga 1914 deri në vitin 1920. Kemi Vatrën tonë që i priu mbrojtjes së shtetit, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë” përfundoi editori i Diellit z.Dalip Greca.
Më tej fjalën e rastit për të uruar festën e flamurit e mori Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Ai uroi shqiptarët për unifikim, bashkim, paqe, zhvillim dhe shpresë. Kryetari Berisha deklaroi: “Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA uron të gjithë shqiptarët GËZUAR FESTËN E FLAMURIT. Kjo ditë e shenjtë për të gjithë ne, është një ditë krenarie, lavdie dhe reflektimi të thellë. Sot më shumë se kurrë përkujtojmë aktin e lartë patriotik të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 firmëtarët e Pavarsisë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot u shpreh mirënjohje të thellë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij. Në emër të VATRËS, vatranëve dhe diapsorës shqiptare në Amerikë, perzemersisht shpreh nderimet e mia më të thella, respektet më të veçanta dhe përuljen time ndaj çdo patrioti të nderuar që me veprimtarinë e tyre atdhetare e perpjekjet e pa ndalura, ne gëzojmë shtetin që kemi sot. Uroj të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet etnike që të festojnë me krenari e shpirtin plot 28 Nëntorin, ditëlindjen e shtetit shqiptar. Në këtë ditë nderimi dhe mirënjohje, ftoj të gjithë shqiptarët që të jemi më të bashkuar, më solidarë, më të dashur, më bashkëpunues me njëri-tjetrin që ta çojmë përpara drejtë përparimit, progresit, zhvillimit dhe lulëzimit atdheun tonë të bukur e të shtrenjtë. Jetojmë në kohë të vështira globale për shtetin dhe kombin tonë, ndaj lutjet tona në këtë moment shkojnë për të gjithë ata që kanë humbur jetën në përballje me pandeminë globale. VATRA do të mbështesë me çdo mjet dhe me çdo kusht Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në rajon dhe çdo shqiptar kudo në botë. VATRA do jetë çdo herë një zë unifikues dhe i fuqishëm dhe do të luftojë për Shqipërinë, Kosovën e çdo shqiptar. Vatra do të afrojë edhe më shumë patriotë, bij e bija të nderuar të Shqipërisë e Kosovës, intelektualë, duke bërë krenar çdo shqiptar për formacionin patriotik që do i bashkangjitet elitës shqiptare në VATËR. Bashkë do të jemi më të fortë. Ne do ta bëjmë atdheun tonë krenar çdo ditë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha viset shqiptare. Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë” uroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Agim Rexhaj Presidenti i Nderit të Vatrës u shpreh: “Të nderuar dhe të dashur vatran, Kryetar i nderuar, zonja Sekretare , Kryeredaktor, Nënkretar, Anëtar dhe të gjithë ju të pranishëm me gjithë zemer ju uroj Gëzuar Festën e Flamurit, të 28 Nëntorit. Shfrytëzoj rastin të uroj dhe të përshëndes të gjithë vatranët që sot s’munden të jenë me ne, të gjithë vatranëve kudo që janë nëpër të gjitha degët e Vatrës. Në të njëjten kohë përshëndes dhe uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, dashtë Zoti që shqiptarët në një të ardhme të afërt të jenë të bashkuar. Në këtë ditë kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Pavarësinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohërat. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, Zoti e bekoftë Vatrën dhe vatranët, gazetën Dielli që e kemi gazetën më të vjetër në botën shqiptare më në krye Kryeredaktorin dhe zotin Sokol i cili po bën punë të mrekullueshme, stafin e tyre dhe të gjithë ata që kanë kontribuar dhe po kontribuojnë. Kjo gazetë në këto kushte edhe pse jemi në pandemi del rregullisht dhe sot ka dal me një numër mjaft special, dhe jam i bindur sepse që prej 11 vitesh Kryeredaktori ka bërë një punë të shkëlqyer. Edhe një herë ju përgëzoj për punën, ju përshëndes të gjithëve dhe Gëzuar Festën” u shpreh ai. Dr. Pashko Camaj, Nënkryetari i Vatrës, uroi në emër të të gjithë nënkryetarëve ku theksoi: “Gëzuar Festën e Flamurit të gjithëve. Vitin që vjen do ta festojmë pa maska. Situata e pandemisë do kalojë shpejt. Ishte një vit i vështirë me sfida. Vitin që shkoi kishim ditët e tmerrshme të termetit në Shqipëri. Ju uroj dhe përgëzoj të gjithëve për këtë festë shumë të rëndësishme. Uroj për të gjithë gëzim dhe të shohim përpara për të mirën e secilit prej jush dhe për të mirën e Vatrës e gjithë shqiptarëve kudo në botë” uroi Dr.Camaj. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu përkujtoi në ditën e Pavarësisë Nolin e Konicën: “Desha të them që bashkë me ne sot janë shpirtrat e Nolit e Konices, shpirti i Zotit Ndreu, i Kryetarit Karagjozi dhe i Zotit Zef Perndocaj. Qoftë në amshim shpirti i tyre dhe njëkohësisht gjithnjë pranë nesh për patriotizmin dhe për mundësinë që ata patën që të na e lënë Vatrën kështu siç e kemi. Faleminderit dhe Gëzuar Festën” uroi ajo. Ibrahim Kolari, anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh: “Ju të gjithë që keni ardhur sot Gëzuar dhe dhashtë Zoti që vitin e ardhshëm ta festojmë më madhështore. Faleminderit që na keni ardhur dhe fjalët e bukura që thatë. Gëzuar Festën e Pavarësisë të gjithë shqiptarëve” uroi ai. Luigj Gegaj, Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve Politikë dega Malësi e Madhe, deklaroi në Vatër për Pavarësinë: “Kam nderin të jem pjesëmarrës në këtë festë. Për shqiptarët është një festë jashtëzakonisht e madhe, është identiteti dhe pashaporta e shqiptarit. Më bëhet zemra mal që ju shoh të bashkuar dhe që as pandemia s’po mundet tju ndajë. Ju shpreh ngushëllimet familjarëve dhe Vatrës për disa vatranë që kanë humbur jetën nga Covidi. Të falenderoj ty Dalip për punën e palodhur, uroj Kryetarin për detyrën që ka marrë, është një detyrë shumë fisnike, më shumë se 1 shekullore, që ta përmbushni me sukses sepse është një mision i bekuar. Ju po mbani kulturen gjallë, po mbani shqiptarizmin gjallë edhe ndonëse shumë larg amës, ju po e mbani gjallë. Ky është një akt shumë fisnik. Ju përshendes të gjithëve dhe Gëzuar” u shpreh ai. Të gjithë të pranishmit uruan e përgëzuan njëri-tjetrin në fund të takimit festiv përmbyllës për ditë më të bukura e më të lumtura për Vatrën, familjet e tyre dhe gjithë shqiptarët kudo në botë.
Vatra falenderon z. Tony (Tush) Musaj, i cili sponsorizoi darken qe u shtrua me rastin e Festes, nderkohe pijet i sponsorizoi Kryetari Elmi Berisha.