Të Shtunën, me 28 shtator, një përfaqësi e Vatrës është takuar me presidentin Nishani në Hotelin Lexinton. Presidenti shoqërohej në takim nga ambasadori Gilbert Galanxhi dhe Konsulli i Përgjithshëm Dritan Mishto. Përfaqësia e Vatrës përbëhej nga Kryetari dr. Gjon Buçaj, sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu dhe editori i Diellit, Dalip Greca.
Presidenti Nishani falenderoi Vatrën për pritjen e ngrohtë gjatë vizitës së Tij në Shtëpinë e Vatrës dhe gjatë darkës, që organizoi Vatra dhe bashkësia shqiptare me 24 shtator. Ndër dhjetra takime që presidenti ka organizuar me komunitetin shqiptar në të gjithë Amerikën, veçoi atë me Vatrën, për shkak të historisë që Vatra mbanë mbi shpinë si dhe të veprimtarive të saj në shërbim të Kombit.Vatra, tha presidenti, më shumë se kushdo tjetër, është kontribuesja më e madhe e ruajtjes së identitetit shqiptar këtu në Amerikë për më shumë se 100 vite, është një urë e fuqishme miqësie mes Amerikës dhe Shqipërisë.
Puna e Vatrës është e lidhur fort me çështjen kombëtare, tha presidenti.Ajo ka përcjellë dhe vazhdon të përcjellë mesazhe bashkimi shpirtëror, kulturor për popullin shqiptar në trojet e veta etnike. Më pas Presidenti foli për sfidat që e presin Shqipërinë për të ardhmen e saj Europiane, marrjen e ftesës për në BE, realizimin e reformave, ruajtjen e standarteve demokratike, foli për sfidat që e presin Kosovën, për forcimin e shtetit, për rritjen e njohjeve ndërkombëtare, ku ka kontributin e vet edhe Shqipëria, edhe Diaspora, foli për sfidat e shqiptarëve në Maqedoni, për Marrëveshjen e Ohrit, për sfidat e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi. Për këtë të fundit ai tha se ia ka përcjellë presidentit malazes dy kërkesat kryesore të popullsisë shqiptare për Komunën e Pavarur të Tuzit dhe hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe. Nuk ka asnjë argument kundër, dhe për pasojë të dyja janë të realizueshme.
Më pas presidenti u ndal edhe në çështjen çame. Tani kjo çështje nuk është më tabu; për të flitet hapur në Parlament, madje ka dhe një Rezolutë të Parlamentit Shqiptar dhe Presidenti shtoi se gjatë vizitës që do të bëjë në Tiranë presidenti grek, ai do t’ia shtrojë edhe çështjen çame. Nuk bëhet fjalë për ndryshim kufijsh, sqaroi ai, por për probleme të trashëgimisë së pronave dhe shtëpive të popullsisë çame.
Diaspora shqiptare në Amerikë, tha presidenti, kërkon edhe mbështetjen dhe koordinimin me vendlindjen për t’i rritur kontributet në Washington.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti tha se diaspora shqiptare, Vatra, të gjithë e kanë të hapur derën e presidencës për bashkëpunim dhe punë të përbashkëta për çështjen Kombëtare.
Dr. Gjon Buçaj, kryetar i Vatrës, e falenderoi presidentin Nishani për fjalët vlerësuese të adresuara Vatrës dhe vatranëve si dhe në adresë të diasporës në përgjithësi. Vatra, tha ai, natyrisht nuk ka pushtet egzekutiv, por ajo ka 101 vjet që i shërben çështjes Kombëtare dhe po kështu do të vazhdojnë brezat e ardhshëm.
Z. Buçaj, shprehu besimin se institucioni i presidencës do të ushtroje autoritetin e vet për të ndikuar në thellimin e reformave, duke ruajtur standartet demokratike, me qëllim që Shqipëria me dinjitet të shkojë në BE. Në mesazhin e tij, dr. Buçaj përcolli idenë se krahas integrimit në BE Shqipëria dhe Kosova si dy shtete shqiptare të ndikojën pozitivisht që të unifikohet faktori shqipatr në Ballkan për të ruajtur arritjet e deritanishme dhe për t’i çuar ato më tej. Faktori shqiptar duhet të jetë i përgatitur dhe të punojë fort për bashkimin dhe jo për ndarjen, pavarësisht ngjyrave politike.Urojmë që infrastruktura rrugore t’i lidhë të gjitha trojet, deri edhe në skajet më të largëta.
Dr. Buçaj, shprehu shqetësimin se ndërrimi i pushtetit, nuk duhet të kthehet në revansh dhe të shkatërrojë investimin e bërë në adminsitratë. Dr. Buçaj e quajti të nxituar veprimin e fitusëve të zgjdhjeve duke hequr nga zyrat e shtetit fotografinë e kryetarit të shtetit. Ai përmendi edhe pushimet pa kriter nga funksionet, siç ka ndodhë me Konsullin e Shqipërisë në New York, z. Dritan Mishto, i cili e ka mandatin edhe për një vit. Konsulli Mishto ka qenë shumë i lidhur me komunitetin shqiptar, pavarësisht orientimve politike.
Duke shtruar shqetësimet e Vatrës për zhvillimet në Shqipëri, kryetari Buçaj shfaqi brengën për uzurpimin real që i ka bërë autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare Kryepeshkopi Janullatos.
Një problem tjetër, që shtroi para presidentit të Shqipërisë , kryetari i Vatrës, ishte edhe ai për vlerësimin e figurave të baltosura nga diktatura komuniste, që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot në demokraci. Ka figura të periudhës së Mbretit Zog dhe të kohës së okupimit, që kanë bashkëpunuar për t’i shërbyer sa të mundnin Kombit. Duhet parë me vështrim të kthjellët kontributi i Ernest Koliqit dhe bashkëpunëtorëve. A duhet vlerësuar hapja e shkollave shqipe në Kosvë?
Në fund të bisedës kryetari Buçaj i paraqiti presidentit propozimin e Vatrës për dekorimin e themeluesëve të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA si dhe të vatranëve atdhetarë të pushkatuar, të burgosur, të mbeturit pa varre nga diktatura komuniste.
SALI BOLLATI says
Më pas presidenti u ndal edhe në çështjen çame. Tani kjo çështje nuk është më tabu; për të flitet hapur në Parlament, madje ka dhe një Rezolutë të Parlamentit Shqiptar dhe Presidenti shtoi se gjatë vizitës që do të bëjë në Tiranë presidenti grek, ai do t’ia shtrojë edhe çështjen çame. Nuk bëhet fjalë për ndryshim kufijsh, sqaroi ai, por për probleme të trashëgimisë së pronave dhe shtëpive të popullsisë çame. –
Shume mire qe Vatra permendi edhe Ceshtjen Came. Megjithese Presidenti nje dite me pare as nuk e zuri ne goje Çamerine Shqiptare, duhet te kuptoi ai dhe qeveritaret e Tiranes se Ceshtja Çame nuk eshte problem pronash; ajo eshte Ceshtje Mbarekombetare.Se pari eshte ÇESHTJE NDERI DHE DINJITETI MBARESHQIPTAR!