– SHKRIMTARI AGRON TUFA VIZITOI VATRËN-/*
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit denoncoi instalimin e strukturave të trashëgimisë së diktaturës komuniste, fshehjen e krimeve të diktaturës, riciklimin e elitave të vjetra akademike dhe riprodhimin e elitave të reja me lidhje me trashëgiminë e diktaturës; rikthimin e ish sigurimsave në institucionet e shtetit etj.-
Shkrimtari AgronTufa, njëkohësisht drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojat e Komunizmit ishte mysafir në Vatër të premten me 2 nëntor. Gjatë vizitës së tij ai shoqërohej nga shkrimtari Ramiz Gjini.
Shkrimtari Tufa u prit nga Zef Balaj, anëtar i Kryesisë së Vatrës, nga ish gazetari i Zërit të Amerikës, studiuesi Idriz Lamaj, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Vatrës, dhe nga ish zv. Kryetari i Vatrës Asllan Bushati.
Editori i Diellit Dalip Greca e njohu mysafirin me pikat kulmore të historisë 106 vjeçare të Vatrës, me vatranët që lanë Amerikën për ti shërbyer Shqipërisë , por ranë në kurthin e diktaturës, shumë prej tyre u burgosën, u pushkatuan dhe u persekutuan. Ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati i prezantoi mysafirit veprimtaritë e kohës së sotme të Vatrës në qendër dhe degët e saj nëpër shtete të ndryshme të Amerikës dhe Kanada.
Zef Balaj dhe Idriz Lamaj i uruan mirëseardhjen mysafirit dhe e uruan për kontributin e tij të veçantë në luftën pa kompromis për të zbardhur krimet e komunizmit, luftën
pa kompromis të tij për të denoncuar instalimin e elementëve të diktaturës në tranzicionin shqiptar.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Z. Tufa, pasi falenderoi për mikpritjen shpalosi tablon e sotme të tranzicionin Shqiptar, duke u ndalur veçanërisht tek instalimi i strukturave të trashëgimisë së diktaturës komuniste si dhe rikthimin e ish sigurimsave në institucionet shtetërore. Në Shqipëri vazhdojnë të riciklohen elitat e vjetra komuniste, përfshi dhe ato akademike, që riprodhojnë elitat e reja pasardhëse. Linja komuniste vazhdon të jetë dominante. Realiteti është i dhimbshëm: Shqipëria nuk po dekomunistizohet realisht, tha z.Tufa.
Eshtë e dhimbshme që shqiptarët të shkojnë deri atje sa të mohojnë ekzistencën e ish kampeve të internimit dhe vdekjen e femijeve ne ato kampe, siç ishte rasti i Tepelenës, tha z. Tufa. E keqja është e instaluar që në programet dhe tekstet mësimore ndër shkolla, ku periudha komuniste , diktatura, krimet, nuk përmendet drejtëpërdrejtë, por kanë filluar të krjojnë terma që fshehin krimet e diktaturës , duke përdorur terma si “lufta e ftohtë” etj, tha ai.
- Tufa tregoi përpjekjet që bën Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për të qenë në ballë të luftës për sjelljen në optikën e sotme të krimeve të komunizmit. Ai tregoi për botimet e shumta të Institutit siç ishte dhe rasti i promovimit para pak ditësh i Vellimit të VII të Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist në Shqipëri.
Po ashtu ai prezantoi dhe veprimtari të Institutit siç ishte ajo e fundtetorit e konceptuar si Konferencë Ndërkombëtare Shkencore: “Të mohuar nga regjimi”: burgjet, sistemi i internim-dёbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990”, ku morën pjesë studiues vendas dhe te huaj.
Gjatë takimit u fol edhe për një bashkëpunim të ndërsjelltë mes Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit e Vatres.
Në fund të takimit shkrimtari Agron Tufa dhuroi për bibliotekën e Vatrës librat e tij:”Gurit të varrit ia Rrëfej”, “Elegji për Dritën- Elegy on Light”(anglisht), si dhe “Avec Des Abimes Au Milieu”(frëngjisht). Edhe shkrimtari Ramiz Gjini i dhuroi bibliotekës së Vatrës librin e tij“Pëllumbat e Rrugës”.
Shkrimtari Agron Tufa shkroi në librin e vizitorëve:
Pata kënaqësinë të vizitoj “Vatrën Shqiptare” të Amerikës; më pritën si në Shtëpinë e Atdheut të zotët e shtëpisë. Më rrëfyen historikun e Vatrës, përpjekjet e atdhetarëve për lirinë e dinjitetit të Kombit tonë.Vatra dhe vatranët janë krenaria, brerorja e shenjtë e Shqiptarisë.
Biseduam përzemërsisht me z. Idriz Lamaj,Zef Balaj, Asllan Bushati, dhe gazetarin/ciceronin-Editorin e Diellit, Dalip Greca. Gjeta në Vatër një pasqyrë të shqetësimeve tona kombëtare e shoqërore.
Jam shumë i kënaqur që isha këtu, në Shtëpinë e Vatrës së bashku me shkrimtarin Ramiz Gjini. Faleminderit Vatranë!
Jepni gjithcka për Vatrën!
Agron Tufa
Shkrimtar
(Korresp i Diellit)
- per me shume fotografi shihni ne Facebook(dielli vatra)