Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, Elmi Berisha, gjatë ditës së mërkure ka qëndruar në Medvegjë, ku ka pasur një varg vizitash tek shqiptarët në Medvegjë. Berisha atje u prit nga biznesmeni shqiptarë që jeton në Itali, Muharrem Salihu.
Biznesmeni shqiptar e njoftoi kryetarin e Vatrës më shumë për ecurinë e punës në fabrikën e tij të çorapëve në Medvegjë.
Pas kësaj, vizita e Berishës vazhdoi edhe në shtëpinë e veprimtarit Xhem Xhema në fshatin Tupallë, duke vazhduar tutje në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Gjylekreshtë.
Vizitën njëditore, Berisha e përmbylli me një takim shumë të veçantë me deputetin e vetëm shqiptarë në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në takim u fol për situatën aktuale në vend, sfidat që po përballen shqiptarët në Luginë e me vështirësitë që po ballafaqohen çdo ditë shqiptarët në atë vend.
Kreu i Vatrës shprehu vullnetin e tij për t’i ndihmuar bizneset në Medvegjë, ndërkaq Kamberi e falënderoi për vizitën që i bëri.
Në ketë vizitë i pranishëm ka qenë edhe Drejtori gjeneral i RrBDSh-së, Naim Dedushaj. Për më shumë gjatë kësaj vizite në Medvegjë do të shihni nesër në videon e realizuar gjatë gjithë ditës së sotme./arbresh.info/