Sokol Paja/
New York, 27 Prill 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA promovoi veprën “Fëmijët shqiptarë në Kosovë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë” një kryevepër dokumentare që denoncon dhe ekspozon krimet, vrasjet dhe torturat e serbëve mbi fëmijët shqiptarë në Kosovë. Me pjesëmarrjen e veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të shoqatave kryesore në Amerikë, mbrëmja promovuese ishte homazh, lutje dhe nderim për çdo fëmijë të vrarë në Kosovë në vitet 1981-1999 të dokumentuar me profesionalizëm nga Hanëmshahe ILAZI, Nusret PLLANA dhe Agim ALIÇKAJ. Editori i Diellit në fjalën prezantuese u shpreh se këto botime janë një kontribut historik për të dëshmuar të vërtetën e gjenocidit serb mbi shqiptarët. Faktet tregojnë barbarinë e regjimit fashist serb kundrejt luftës së drejtë, të pastër e të ndershme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky libër është kontribut i çmuar për drejtësi kundrejt padrejtësisë shekullore ku luftëtarët e çlirimtarët gjenden në Hagë e kriminelët serbë në liri. Promovimi homazh filloi me shfaqjen e filmit : “Kush i vret fëmijët” dokumentar filmik i krimeve serbe mbi fëmijët shqiptarë në Kosovë. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i përlotur theksoi në fjalën përshëndetëse se ky promovim është një homazh për ëngjejt shqiptarë qu u vranë padrejtësisht prej regjimit serb. Prof. Nusret Pllana është intelektual i lartë, zëri i lirisë së Kosovës, zëri luftës krenare të UÇK. Agim Aliçkaj është një veprimtar i pandalshëm moralisht dhe kombëtarisht, përfaqësues i denjë mërgatës në përpjekje për çështjen kombëtare” theksoi kryetari i Vatrës z.Berisha. Imam Elez Osmani në fjalën e tij deklaroi se Prof. dr. Nusret Pllana është ndër të vetmit që është marrë edhe me gjenocidin serb ndaj fëmijëve shqiptarë të Kosovës. Në veprën e tij, ai ka shënuar me emër dhe mbiemër, me foto dhe me fjalë, tragjedinë e 1432 fëmijëve të Kosovës, të cilët do të ishin 1432 familje të së ardhmes së Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Pra, popullit shqiptar, i mungojnë nga tmerri i gjenocidit serb 1432 familje dhe askush deri sot nuk është përballur as me drejtësinë e shqiptarëve, as me atë botërore, theksoi z.Osmani. Bashkautori Agim Aliçkaj i emocionuar rrëfeu emocionet e rrugëtimit të librit, shpërndarjen e librit në Senat dhe Kongres, qendrat e mërgatës në Europë dhe deklaroi se SHBA është miku dhe aleati më i ndershëm dhe i vërtetë i kombit tonë, mirënjohje SHBA dhe homazhe fëmijëve të vrarë prej Serbisë. “Jam i impresionuar nga forca, fuqia dhe vendosmëria e Nusret Pllanës në denoncimin dhe ekspozimin e krimeve të Serbisë në Kosovë. Gjaku i krimit serb, gjaku i fëmijëve tanë nuk falet kurrë. Kërkojmë drejtësi, jo hakmarrje. Ne si komb nuk duhet të harrojmë kurrë” tha ndër të tjera z.Aliçkaj. Prof. Dr. Nusret Pllana deklaroi se vrasja e fëmijëve është dhimbja më e madhe e njerëzimit. “Barbarët serbë nuk mund ta zhbëjnë pavarësinë e Kosovës, nuk mund ta vrasin ardhmërinë tonë si shtet e si komb. Serbët kryen krime mizore e veprime shtazarake në Kosovë” tha ndër të tjera Prof.Dr. Nusret Pllana. Ai kërkoi më shumë mbështetje dhe përkrahje nga Institucionet e Shtetit të Kosovës në denoncimin e krimeve e gjenocidit serb mbi shqiptarët në Kosovë.
Harresa historike, servilizmi ndaj ndërkombëtarëve dhe bajraktarizmi nuk duhet të zënë vend në shoqërinë shqiptare dhe institucionet tona, këmbënguli Prof.Pllana. Ai shtoi se duhet mbështetje dhe bashkëpunimin kombëtar për të qenë një zë i fortë përballë propagandës shtetërore serbo-sllave. “Kërkojmë që të ndërtohet obelisku i fëmijëve të vrarë. Kurrë nuk do ta harrojmë gjakun e fëmijëve të vrarë. Mirënjohje mërgatës shqiptare në Amerikë e në Evropë për mbështetjen e sidomos z.Nazar Mehmetit në Teksas e secilit nga ju për mbështetjen” përfundoi fjalën e tij Prof.Dr. Nusret Pllana. Promovimi u mbyll me shpërndarjen e librit me nënshkrimin e autorit dhe një koktejl të dhuruar nga patrioti Toni Musaj. Lavdi përjetë luftëtarëve, çlirimtarëve, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë së atdheut e kombit shqiptar.