Deklaratë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA për Stausin Kandidat i Bashkimit Europian të Shqipërisë/
Vatra përshëndet fitoren e Statusit të Shqipërisë si Kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe përgëzon klasën politike për këtë arritje, edhe pse me shumë vonesë, por me rëndësi për të ardhmen e Kombit.
Mbas anëtarësimit në NATO dhe mbas heqjes së vizave për zonën Shengen, me fitoren e statusit si Kandidate e Bashkimit Europian, Shqipëria po ecën, vështirë e ngadalë, por në drejtimin e duhur për integrimin Europian.
Në fillimin e qindvjetshit të kaluar Europa i pat vënë thikën kombit Shqiptar, duke u dhuruar fqinjëve tanë grabitqarë mëse gjysmën e trojeve, duke lënë pjesën të madhe të popullsisë shqiptare nën thundrën e egër sllavo-greke.
Shqiptarët të prirë nga udhëheqsit e tyre luftuan dhe sakrifikuan shumë për të shpëtuar Kombin dhe Pavarësinë e Shqipërisë edhe ashtu të cunguar, si dhe për të dëshmuar se me kulturën e civilizimit të lashtë, ne i përkasim Europës, ndërsa vetë Europa na shtynte tej vetes.
Tani, në fillimin e shkullit 21, Europa me mbështetjen e fuqishme të SHBA, na i ka hapur dyert dhe realizimi i aspiratave të Rilindasve tanë varet kryesisht nga vetë shqiptarët e sotëm.
Ndërsa padrejtësitë e atëhershme të Europës mbanin larg Kombin Shqiptar duke i rrezikuar edhe egzistencën, tashti ajo i ka hapur dyert. I përket klasës politikë të përshpejtojë plotësimin e kushteve të integrimit, të lirojë vendin nga korrupsioni, të pastrojë institucionet nga mbeturinat e diktaturës së kaluar, të ndërtojë një shoqëri vërtetë demokratike, me ligje dhe me drejtësi, edhe për ish pronarët e ish të përndjekurit e regjimit komunist dhe të rrisë mirëqenien e qytetarëve.
Urime popullit shqiptar!