Gëzim Zilja/
Dulja, një fshatar nga Lumi i Vlorës, rreth të pesëdhjetave , kishte dalë jashtë fshatit vetëm dy herë , një herë për vizituar gruan kur e operuan në spital dhe herën e dytë për të çuar vajzën në qytet në shkollën mjeksore. Gruaja shyqyr zotit ishte mirë dhe tashmë Dulja bënte rrugën vajtje-ardhje në tokat e kooperativës; kur kishte ndonjë lek në xhep kthehej te klubi i fshatit e hidhte ndonjë gotë raki. Ishte i lumtur se pas lutjeve të pafundme, kohë më parë e kishin pranuar në Parti dhe vajzës i kishin nxjerrë të drejtën e studimit në shkollë të mesme për mami. Prej asaj dite ishte komunist me tesër partie dhe me kohë mund ta caktonin brigadier. Duke kaluar pranë shtëpisë së vëllait Seferit, u vrenjt dhe i dolën djersë të ftohta. Një nga kushtet që i kishin vënë në organizatën bazë të partisë, ishte të mos shkelte në shtëpinë e të vëllait, që ishte shpallur armik i klasës madje kishte bërë dhe burg. Ai duhet të ndiqte rrugën e vëllait, që kishte rënë dëshmor gjatë luftës së dytë botërore. Përndryshe tesera e partisë do t’i hiqej dhe do ndërpritej dhe shkolla e vajzës.
Seferi, vëllai i madh që dhe ky kishte dalë dikur partizan, rebel i lindur, sherrin me njerëzit e partisë e kishte nisur, që kur i detyruan të bëheshin kooperativë. Pasi e pa që mund të vinin t’ia merrnin me forcë dy lopët, qetë e parmendës dhe bagëtinë e imët, si kishin vepruar me shumë fshatarë të tjerë kishte deklaruar: Tu hanë bajgat lopëve të mia këta zagarët me xhaketë mushamaje. Janë djersa ime, gjaku im. Ca do t’i shes, të tjerat do t’i therr dhe mishin do ta shpërndaj falas në fshat! Dhe ashtu bëri. Shokët e partisë e thirrën, i thanë që kishte vepruar gabim dhe duhet të kërkonte falje.
-Unë falje juve? Përse? A nuk ishin bagëtitë e mia? Do të bëj ç’të duan me to….
-Jep shëmbullin negativ dhe vepron si armiku i klasës, duke sabotuar krijimin e kooperativës që është direktivë e partisë. Je shpallur kulak dhe…
– Mua do më flisni, që dola partizan që çilimi e vura kokën në rrezik? Po paskeni qenë bajga fare! Ik ore pirdhuni me gjithë kooperativë e kulakë,! ulëriu si i marrosur Seferi. Në darkë erdhën në shtëpi dy civilë të armatosur, i hodhën prangat dhe e morën me vete. E shpallën armik dhe e dënuan me pesë vite burg nga të cilat bëri tre. Dulja qysh atëherë i preu vizitat, te i vëllai kulak dhe shkonte rrallë.
– Bëj si të duash!- i kishte thënë Seferi. – Unë nuk të detyroj, por hajde hidhi ndonjë sy sat’ëme se me një këmbë në varr ështe dhe nuk të heq nga goja.- Ditën që e ëma shkoi në botën e të shumtëve Dulja qau me të madhe.
– Boll o Dule! Qaj sa të duash! Plaka nuk ngjallet më,- i thoshnin miqtë. Po Dulja nuk mbahej: -Se ç’kam një xhëng këtu në zemër e mezi marr frymë. Po si nuk më lajmëroi fare ky Seferi, të kisha marrë bekimin para vdekjes? Sipas zakonit Dulja mori pjesë në drekën e shtruar pas varrimit, zakon shumë i lashtë ky dhe i shenjtë për banorët dhe nuk u duk më në shtëpinë e të vëllait. Pas disa muajsh një darkë nga ato të qetat, se në fshat jeta shkonte pa asnjë ngjarje ( shtëpi-punë, punë-shtëpi) Dules ia dha mendja të shkonte te i vëllai. Priti sa u errësua mirë dhe hapi ngadalë derën e oborrit të shtëpisë, ku ishte lindur e rritur, ( kishte mall për atë derë e sytë iu mbushën me lot) la opingat te shkallët dhe trokiti lehtë. Vëllai e priti me krahëhapur, urdhëroi gruan të therrte një zog e të binte bodilen e rakisë. – Nuk do rri shumë. Po ja erdha për tu parë se edhe malli më kishte marrë.- Vëllai qeshi hidhur, Shtëpitë e tyre nuk ishin më shumë se pesëdhjetë metra larg e Dulja kalonte aty çdo çdo ditë, kur shkonte e vinte nga puna. Uli zërin, iu afrua edhe më vëllait dhe i tha me zë të ulët: – Kam vendosur të vij o vëlla! Po do të vij natën, kur rruga të mos ketë njeri, se këta shokët e partisë… Seferi u nxi i si ajo reja e detit ngarkuar me shi por nuk tha gjë. I trembur e pak i leshtë kishte ardhur Dulja që fëmijë e nuk ia vlente të zemërohej me të. Ngriti kokën e pa gjatë në sy dhe ashtu dhe duke buzëqeshur hidhur i tha: Medemek o Dule vëllai do më vish në shtëpi ëë?
Dulja u gjallërua dhe u përgjigj: – Po vëlla, po. Natën do të vij…!
Seferi thithi fort çibukun me dru dëllinje, mbushur me duhan të fortë fshati, e pa gjatë në sy dhe i tha: Vëlla i dashur! Hajde kur të dojë zemra natën, pas mesnate ose në të gdhirë. Dera ime është e hapur për ty gjithmonë. Ama ngule mirë në atë kokën tënde prej komunisti këtë që do të them tani: Sidoqë të vejë puna unë do të vdes ditën, jo natën. Kjo është e sigurt. Ti në daç hajde në daç mos hajde. Punë për ty!