
Prof. Ymer Çiraku/
Pjetër Bogdani është i lindur në Gur të Hasit, sanxhaku i Dukagjinit, dioqeza e Prizrenit. Megjithë dilemave mes studiuesve – për vitin e lindjes, si më pranë së vërtetës, duket se mbetet viti 1625. Pra, ka lindur këtu e 400 vjet më parë. Të dhënat dëshmojnë se mësimet e para i mori nga i ungji Andre Bogdani, i cili, arriti të ishte deri arqipeshkëv i Shkupit. Pas studimeve të larta teologjike e filozofike në Romë, P. Bogdani merr titullin doktor dhe shërbeu si famullitar në Pult e Prizren e më pas ipeshkëv në Shkodër, deri sa e zëvendëson të ungjin në Shkup si arqipeshkëv. Ka marrë pjesë aktive në lëvizjet çlirimtare antiosmane, duke u detyruar prej përndjekjeve të pushtuesit, që të strehohej për disa kohë maleve. Është i njohur misioni i klerikëve shqiptarë nëpër shekuj, që të përkushtoheshin e punonin me moton “Për fe e atdhe”.
Në studimin e thelluar kritik kushtuar veprës së Bogdanit “Cuneus Prophetarum” (Çeta e Profetëve), botuar më 2015, studiuesja Anila Omari thekson se kjo vepër zë një vend të veçantë, si nga shkalla e përpunimit gjuhësor, ashtu edhe nga përmbajtja e larmishme dhe karakteri origjinal i saj. Prandaj gjykon se “…ajo është mbajtur, me të drejtë, si e para vepër origjinale, që shënoi fillimet e prozës letrare shqipe dhe që luajti rol parësor edhe në formimin e prozës shkencore shqipe.”
Me vlerat letrare që krijoi, P. Bogdani arriti nivelin më të lartë të kohës së vet – pikërisht në fazat më të hershme, atëhere kur nis të krijojë gradualisht profilin e saj letërsia shqipe. Pra, me krijimet e këtij personaliteti, letërsia shqipe arrin që të fitojë “statusin letrar”, e për pasojë, të fitojë edhe ritmin dhe modelin referencial të autoritetshëm për procesin letrar të mëpasëm/pritshëm. Që ai proces letrar të ndiqte e të përcillej pastaj dora–dorës në rrjedhat e kërkimit e zhvillimeve drejt hapësirave të reja. Kjo prirje inaguruese e çelur prej veprës së Bogdanit, sigurisht, që vlerësohet si një meritë e çmuar e këtij autori, megjithë modestinë aq prekëse, që ai vet e dëshmonte, kur i drejtohej lexuesit, qysh në hyrjen e veprës “Cuneus Prophetarum” : ”… që të më ndiejsh, nde gjeç fjalë, qi të trazon veshët. Por as dielli pa hije, as hâna pa tallaze mbë faqe nuk ânshtë…”
Kjo vepër është e përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë, përmban 182 faqe, kurse pjesa e dytë 162 faqe. Rëndësia e madhe që ky libër shfaq për botën shkencore e më gjerë, duket edhe nga fakti se deri më sot, si rrallë të ketë ndodhur në raste të tjera, ajo ka njohur gjashtë botime, të bëra këto kronologjikisht në rrjedhë të 3-4 shekujve, si dhe në disa vende si:: Itali, Shqipëri, Gjermani. Këto botime, kanë ngjallur interes të gjerë dhe janë përcjellë me interpretime të shumta në rrafshin letrar e gjuhësor – nga jo pak studiues të njohur, qofshin këta të huaj, por edhe ata shqiptarë si: Ndre Mjedja, Justin Rrota, Luigj Marlekaj, Ibrahim Rugova, Arshi Pipa, Injac Zamputi, Martin Camaj, Selman Riza, Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, Engjëll Sedaj, Anila Omari, Seit Mansaku etj.
Nga të dhënat e letërkëmbimeve të Bogdanit, dëshmohet se vepra ka qëndruar plot 10 vjet në dorëshkrim, deri në momentin e botimit të saj. Kjo erdhi për shkak të pritjes së lëshimit të lejes përkatëse dhe të sigurimit të fondeve financiare për ta realizuar/finalizuar botimin e saj. Duket qartazi se autori e ka mbartur në vete për detyrë të rëndësishme dhe imediate përgatitjen dhe publikimin e një vepre të tillë. Vlerësuar si një mundësi kjo, për ta lëvruar dhe për ta mbajtur gjallë dhe të dokumentuar gjuhën shqipe, e cila, përndryshe – do të vihej rrezikshëm në pozita asimilimi, pasi ishte e rrezikuar jo pak kësaj kohe prej ushtrimit të ndikimit mbi të të gjuhëve të shkruara – qoftë të pushtuesit, apo qoftë atyre të fqinjëve. Pra, që shqiptari “…të marrë vesht dijenë mbë giuhë të vet”, sikundër shkruan Bogdani në parathënien e librit…
Sidomos cikli i poezive të “Sibilave”, arrin që ta shfaqë në mënyrën më të spikatur aktin krijues letrar të P. Bogdanit. Këtu përfshihen njëmbëdhjetë krijime dhe seicili prej tyre, përmban një kallëzim më vete, të cilat krijojnë së toku një lloj tematike si prej mozaiku.
Poezia dystrofëshe mbi krijimin e botës, është pikërisht ajo, e cila do ta mrekullonte aq shumë edhe Lasgush Poradecin, kur ky do të njihej sëpari me të, pikërisht asaj kohe, kur ishte ende student i ri në Vjenë. Në një nga bibliotekat e saj, do ta shihte për herë të parë dhe do ta vlerësonte atë gjithë entusiazëm, madje si të krahasuar denjësisht e pa mëdyshje deri me krijimet e njohura kozmogonike hindase dhe hebraike. “Tekstin e Bogdanit e citova pas disa shënimesh që kam marrë në Vienë, vjeshtën e 1924–ës, kur pata gëzimin t`ia shëkoj me sy … t`ia çik me dorë… t`ia studioj dhe t`ia përpij “Cuneusin”-in në shpirtin tim për herë të parë. Përveç shënimesh të tjera gjuhësore, që më qëndruan për zemre, kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila, nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet të konsiderohet si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht…, do të shkruajë L. Poradeci”. (Revista “Shkëndija”, 1942)
Përmes kësaj poezie, krijimi i botës përcillet nëpër shtjella dhe kontraste të përmasave kozmike, duke krijuar një tension e dramë të thellë – rreth raporteve të nënkuptuara të njeriut me gjithësinë, e cila, ka një pushtet të pazotërueshëm e të paparashikueshëm dot për të. Dhe kjo situatë, krijon atë gjendje të angësht, ku njeriu, me sa duket e ka pastaj fort të nevojshme që të ndërtojë lidhjet dhe referencat e tij me komunikime e besime të caktuara religjioze (apo dhe të tjera përtej tyre), aq të domosdoshme për të. Me qëllim, që ai pastaj të mund që të gjejë dhe të vendosë brenda vetes, paqen dhe ekuilibrin.
Át Justin Rrota, është ndër studiuesit e parë, që i është drejtuar shqyrtimit filologjik të veprës së Bogdanit, duke filluar qysh te një nga manualet më të hershme mbi historinë e letërsisë shqipe të hartuar prej tij. (Át J. Rrota “Letratyra Shqype”, Shkodër, 1925). Si latinist dhe si njohës i thellë i teologjisë dhe i autorëve të vjetër, duke u marrë kohë pas kohe me botimin kritik dhe duke i shoqëruar me komente tekstet e tyre, ai ka meritën edhe për faktin se ka gjurmuar e ka sjellë për herë të parë në Shqipëri, më 1929, tri kopje fotografike të “Mesharit” të Gjon Buzukut. Ndërkohë, ka botuar mjaft studime mbi vlerat e kësaj vepre, si e para vepër e zbuluar deri më sot, shkruar në gjuhën shqipe.
Po ashtu, studiuesi Eqrem Çabej e ka vlerësuar lart figurën e P. Bogdanit, e cila, sipas tij, qëndronte jo vetëm në lartësinë e kulturës teologjike të kohës, por që ai arrin të shfaqet edhe si shkrimtari shqiptar më i rëndësishëm, si nga madhëria e veprës që shkroi, si nga mendimet e thella derdhur në të, si nga gjuha e bukur e përdorur me mjeshtëri të madhe stilistike. E pikërisht prej këtyre vlerave: “…vepra e tij ka siguruar një vend të pavdekur në literaturën t`onë…”, do ta formulojë sintezën e tij Çabej (“Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, 1936, f. 29). Pra, e vlerëson këtë kontribut bogdanian në dimensionin e shumëfishtë që shfaq, si një aktivitet i pandalur intelektual, që rrezaton njëherazi: dije fetare e filozofike, art, atdhetari, humanizëm dhe vyrtute të larta e të përkora njerëzore.
Shtjefën Gjeçovi do ta dallojë mes të tjerëve, duke e shpallur me entusiazëm dhe metaforikisht veprën bogdaniane si: “dritë të litëratyrës shqiptare…”, “vepër që ia zbardhi faqen atdheut” (HD, 1930/12)…
Por studimi i gjerë monografik “Vepra e Bogdanit 1675-1685” i Ibrahim Rugovës, besojmë se mbetet nga studimet mjaft të sintetizuar – në qasjen ndaj kësaj figure dhe përcaktimit të rolit dhe të vendit që ai meriton, në panteonin e botës letrare dhe intelektuale shqiptare.
Duhet kujtuar se në kritikën letrare shqiptare, I. Rugova është nga zërat më të shquar. Këtë e dëshmon përballimi prej tij i disa prej temave kyçe në studimin e letërsisë shqipe, e dëshmon po ashtu thellësia, njohja dhe zbatimi i metodave interpretuese më të reja/më bashkëkohëse, si dhe ndjekja sistematike, me shije dhe intuitë selektimi të proceseve letrare. Është nga ata studiues, që tashmë mbetet i shenjuar me disa arritje antologjike në korpusin e studimeve letrare shqiptare.
Studimi i tij monografik mbi veprën e Bogdanit do të vinte pra, pas disa botimeve të mëparshme historiko-letrare dhe objekt hulumtimi këtu, bëhet vepra e këtij autori të hershëm, e cila, në botimin e saj të parë u shtyp në Padova të Italisë, më 1685. Për nga struktura, studimi ndahet në dy pjesë: I. “Gjenetika e veprës” dhe II. “Analitika e veprës”.
Duke e cilësuar këtë vepër si bërthamë të romanit të parë shqiptar, I. Rugova nxjerr në pah edhe dritën dhe shkëlqimin që shpaloset në të, duke arritur në bindjen se, shikuar në këtë plan, e gjithë vepra duket sëbrendshmi si një metaforë solare (diellore), ku çdo fenomen e gjykim, kërkohet dhe vendoset brenda refleksit të dritës, të burimit të saj, diellit.
Dhe pikërisht libri “Çeta e profetëve”, klasifikohet prej tij si vepra, që dëshmohet sot për sot si: “themeli i humanizmit shqiptar”, “i modernitetit intelektual”, madje, si ”bërthama e romanit të parë shqiptar”. Apo të vlerësuar edhe deri si varianti me referenca prej kryeveprash botërore. Prandaj e pati titulluar dhe shpallur jo pak guximshëm atë, si: “Komedia hyjnore shqiptare”…
Këto janë teza doemos të mprehta dhe sigurisht intriguese, të cilat, studiuesi arriti që t`ì përballojë me një metodikë dhe pasion të ngulët hulumtues dhe interpretues.
Kanë kaluar katër shekuj dhe Pjetër Bogdani me krijimet e tij, vazhdon që ta ruajë denjësisht figurën e prijësit të letërsisë shqipe. Që me tekstet e tij poetike, synoi dhe ia arriti që t`i sjellë ato në nivele mirëfilli estetike. Ai do të kujtohet edhe për koncepsionin metaforik nga më të hirshmit në meset tona letrare, madje dhe ato të përbotshme, për skalitjen e figurës së Jezu Krishtit:
“Nji bir të vetemë, qi Ama pat për mall…
Me Diell veshun`, e mbathunë me Hanë”