Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim shefat e misioneve diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Kosovë, si dhe drejtuesit e Zyrës së BE-së.Në këtë takim, është biseduar për zhvillimet aktuale në vend, perspektivën evropiane të Kosovës dhe hapat që duhen ndërmarrë në këtë drejtim, si dhe për angazhimet e ardhshme.Në rezymenë e tij për zhvillimet e fundit në Kosovë, Veseli ka theksuar edhe një herë orientimin euro-atlantik të Kosovës, duke e konsideruar atë jo vetëm prioritet politik, por identitet të vetë shoqërisë dhe shtetit.“Ne do ta vazhdojmë rrugën e integrimeve euro-atlantike në mënyrë të palëkundur, duke përmbushur çdo standard dhe kriter i cili Kosovës i kërkohet në këtë rrugëtim. Për ne, partneriteti me vendet e BE-së është i një rëndësie të veçantë. Ky është zotimi ynë dhe kjo është përgjegjësia jonë”, ka deklaruar Kryeparlamentari Veseli.Kreu i Kuvendit, po ashtu, ka konfirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për vazhdimin e reformave të fuqishme në funksion të përmirësimit të ambientit investues, në mënyrë që Kosova të transformohet në një fuqi të zhvillimit ekonomik.Ai ka thënë se do të vazhdojë kursi i komunikimit të brendshëm pozitë-opozitë, i integrimit të të gjitha komuniteteve dhe promovimit të të drejtave të tyre, duke u bërë kështu shembull i stabilitetit dhe bashkëjetesës multietnike.“Institucionet do të vazhdojnë procesin e forcimit të sovranitetit dhe të shtetësisë së Republikës së Kosovës, një imperativ ky jetësor për çdo qytetar të vendit tonë. Kosova nuk është më konsumuese e stabilitetit, por është vetë kontribuuese e stabilitetit”, ka thënë Veseli.Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, vlerësoi ftesën e Kryetarit Veseli bërë përfaqësuesve të familjes evropiane.
“Ne patëm rastin të diskutojmë prioritetet e Kuvendit për vitin 2017 për sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe Agjendës Evropiane të Reformave, si dhe akteve legjislative të rëndësishme për reformat në Kosovë”, tha Apostolova.”Ne e përcollëm porosinë tonë si familje e BE-së për rolin e rëndësishëm të Kuvendit, të Kryetarit dhe të gjithë kolegëve për ta mundësuar procesin e reformave, sidomos në zbatimin e MSA-së. MSA-ja mbulon të gjitha sferat e jetës: krijimin e vendeve të punës, ekonominë, sundimin e ligjit, kulturën, arsimin. Zbatimi i saj është i një rëndësie të madhe. Kjo është arsyeja përse pakoja legjislative që Kuvendi do ta miratojë në këtë kontekst është shumë e rëndësishme për jetën e qytetarëve të Kosovës. Takimi i parë i nën-komitetit të MSA-në për drejtësi, liri dhe siguri është duke u zhvilluar sot në Prishtinë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe i falënderoj institucionet e Kosovës që e mundësuan këtë.”Apostolova e përgëzoi Kryetarin për njoftimin se raporti financiar i partisë më të madhe politike do të publikohet së shpejti, dhe për zotimin se emërimi i Ministrit për Integrime Evropiane do të bëhet brenda një jave.Ambasadorë të vendeve të ndryshme anëtare të BE-së, ndërkaq, duke e falënderuar Kryeparlamentarin Veseli për ftesën e tij, e kanë cilësuar takimin të qëlluar dhe praktikë të mirë, e cila duhet të vazhdohet edhe në të ardhmen.