-Deklaratë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli/
Nga Kuvendi i Kosovës sonte u dërgua kjo deklaratë e kryeparlamentarit Kadri Veseli:Dita e sotme dëshmon se parlamentarizmi në Kosovë është i vetmi fitues i një debati të lodhshëm, me dhe pa argumente të atij apo këtij lloji!
Përkufizimi i kufijve të shtetit të Kosovës, është një nevojë dhe realizim historik i një procesi të shtetbërjes, të konfirmuar me rezistencën e popullit të Kosovës, proceset negociatore (Rambulliet, Vjenë, Bruksel), dhe obligimeve ndaj nesh dhe tjerëve, fqinjve, partnerëve ndërkombëtarë dhe vetë Kosovës, si faktor që hyn në familjen e kombeve dhe shteteve, duke marrë obligime dhe privilegje nga ky proces historik.
Ështe një privilegj dhe obligim që e jetojmë këtë kohë dhe sillemi konform kësaj situate historike.
Legjitime është që në një betejë parlamentare, të mbahen interesat partiake, por ajo që vlenë në një gjyq historik, janë interesat nacionale.
Unë, si Kryetar i kësaj legjislature, me detyrë kaq komplekse, dua të falënderoj së pari deputetët e Partisë Demokratike dhe strukturat e saj për qëndrimin unik, si dhe të gjithë akterët parlamentarë, institucional e shtetërorë, me theks të veçantë, Policinë e Kosovës.
Dua që të mos jemi shpirtngushtë, të mos mbizotërojë zhurma mbi argumentin. Lotsjellësi mbi debatin, granata mbi bisedën. Dua të gjithë të kujtohemi që shteti që po e ndërtojmë është mbi të gjitha kapriciet, shpirtëngushtësitë, interesat, kalkulimet dhe agjendat personale, grupore e të interesit.
I siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës se shteti ynë, do të ecë përpara, në partneritet të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Do të futemi shumë shpejt nga agjenda e krizave dhe konfliktualitetit në agjendën e konsensusit të përbashkët nacional dhe zgjidhjeve të çështjeve jetësore për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Faleminderit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Vetëm të bashkuar, mund të ecim përpara në rrugën e zhvillimit dhe integrimit.