Nga Dr. Sali BERISHA/
Mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre studentëve dhe intelektualëve, që me aktin e tyre, trimërinë, guximin shndërruan në annus mirabilis vitin më të mërzitshëm të jetës sime, sepse viti më i mërzitshëm i jetës ishte viti 1990 për faktin se të gjitha vendet po ndryshonin kurse ne, dukej në aparencë se do të mbeteshim Kuba e Adriatikut. Por parashikimet ishin të gabuara sepse studentët, intelektualët dhe qytetarët e Tiranës ia dolën po atë vit ta shndërrojnë pas kaq e kaq vite të tmerrshme, horribilis, vit mrekullie për shqiptarët. Ishte vërtet një annus mirabilis sepse ne erdhëm në dhjetorin ‘90, duhet ta pranoj, si një komb i turpëruar, por dhe i poshtëruar. Nietzche ka thënë një fjalë të cilës ata që kanë provuar shtypjen dhe një mijë herë ta mendojnë nuk i heqin dot as edhe një germë: “njeriu i shtypur është turpi i natyrës, njeriu i lirë është fëmija i natyrës”.
Ne ishim të shtypur dhe të tillë erdhëm. Kjo lëvizje hapi për ne dyert e lirisë, riktheu për ne liritë dhe të drejtat e ndaluara me Kushtetutë, hapi për shqiptarët derën e një seri proceseve falë të cilave sot janë të lirë.
Ne si komb, por jo vetëm ne, çdo familje, çdo komb, çdo individ në udhëtimin e tij përballet me rreziqe, me vështirësi. Rreziqeve s’ke ç’u bën, do i përballosh dhe gabimi më i madh është të mendosh ndryshe, kurse vështirësitë me urti dhe mençuri edhe mund t’i zvogëlosh problemi ynë është se në mënyrë të përsëritur ne nuk kemi patur qëndrime të përshtatshme ndaj vështirësive dhe ja kemi komplikuar më shumë historinë vetes sonë.
Tani jemi në rrugën e lirisë, lavdi Zotit dhe besoj se edhe vështirësitë e përkohshme që janë reale, sepse ne, pas një tranzicioni, pas një pasazhi të rregullt të civilizuar të pushtetit që bëmë 2 vjet më parë, përballemi sot pas 25 vitesh me gjëra që imagjinata nuk mund t’i merrte me mend, përballemi me një përpjekje për të rikthyer kultin e Enver Hoxhës, përballemi me dekorimin e xhelatëve të vërtetë të sistemit komunist.
Sot të përndjekurit politikë donin të shkatërronin bunkerin në qendër të qytetit. Shumë nga ju këtu e keni të vështirë të imagjinoni pse kjo betejë me bunkerin, por për ata ai është simboli i burgut që ata bënë.
Për çdo shqiptar ai është simboli i mjerimit dhe varfërimit të tyre ekstrem. 16 vite me radhë 36% e buxhetit të shtetit u fut në bunker. Kurse për Edi Ramën që ndërtoi bunkerin është një atraksion atëror. Por prapë sot jemi vend anëtar i NATO-s, jemi vend kandidat i BE, kështu që sado anakronike që duken këto qëndrime unë jam i bindur se do të marrin përgjigjen e merituar dhe se nuk kanë të ardhme.
Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë zoti President për nderimin që më bëtë dhe do të përpiqem që të bëj çfarë të kem mundësi, së bashku me të gjithë shqiptarët, që flamuri ynë të valvitet krahas flamujve të tjerë të Europës në Bashkimin Europian.
* Fjala me rastin e dekorimit nga Presidenti Bujar Nishani