NGA DR. GJON BUCAJ/
Në kuadër të pergatitjevet për Kuvendin e Përgjithshëm të Vatrës që do të mbahet në fund të prillit, vizitova dy degët në Florida, në Fort Lauderdale dhe në Jacksonville, si dhe degën në Washington, DC.
Ky udhëtim që realizova në fillim të marsit, ishte i nevojshëm për të marrë kontakt direkt me udhëheqësat e degëve dhe me antarët, për të shëndrrue mendime rreth çashtjeve të përbashkëta përgjithësisht, por sidomos rreth organizimit të Kuvendit të Vatrës, ku do të merren vendime me randësi për të ardhmen e saj. Ishte gjithashtu udhtim i premtuem zotit Adriatik Spahiu kur më ftoi me rastin e themelimit të degës në Jacksonville, por që nuk pata mundësi të shkoj pse ishim në prag të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipnisë.
Takimin me vatranët e degës në Fort Lauderdale e orgasnizoi kryetari i saj, zoti Kolec Ndoja, që asht edhe themeluesi, të premten me 8 mars, në një restorant ku kaluem nji mbramje të kandshme dhe biseduem gjatë për hallet e shqiptarëvet dhe për Vatrën.
Koleci dhe zonja e tij Margarita na mbajtën mysafirë atë natë, mue dhe time shoqe Nikoletën që më shoqnonte në këtë udhtim. Të nesermen, megjithëse ishin mjaft të angazhuem me business-in e tyne të suksesshëm, udhëtuen me ne për Jacksonville, rreth 300 mila në veri të shtetit Florida. Kryetari i Degës atje, zoti Adriatik Spahiu me shokë, kishin organizue nji darkë festive për Ditën Ndërkombëtare të Grave, 8 marsin, për ditën e shtune. Ishte i ftuem edhe Koleci, “për të lidhë bashkëpunimin e degëve” pat thanë Adriatiku.
Në Jacksonville u vendosëm në Holiday Inn, afër rrugës 95, që dega e Vatrës kishte rezervue për ne, na takoi Adriatiku me disa shokë dhe, mbas një pushimi të shkurtë, na shoqnuen te darka e festës familjare, ku u argëtuem në një atmosferë shqiptare vërtetë të kandshme.(Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)