Dr. Lulzim Nika/
Në arkivin e presidentit R.Regan në Sim Valley Kaliforni. Gjatë hulumtimeve të mia, hasa në shumë dokumente që janë shumë të rëndesishme për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri. Gjatë qëndrimit tim në arkivin e presidentit R.Regan hasa ne dokumente dhe analiza të shumta për zhvillimet e kohës në Kosovë dhe Shqipëri. Për interesimin amerikan, për bashkëpunim me lëvizjet nacionale shqiptare, dhe nga analistët e CIA-s që në vitet 1982, parashikonin shpërbërjen e Jugosllavisë si rezultat i forcimit të lëvizjes nacionale shqiptare, kroate e të tjera.Vizita e Leka Zogut në Departamentin e Shtetit dhe përkrahja amerikane në këtë kohë kishte shqetësuar shumë qeverinë jugosllave, e cila kishte reaguar me një notë verbale drejtuar qeverisë amerikane. Në takimin me gjeneralët amerikanë, tema kryesore ishte çështja e Kosovës dhe forma se si të ndihmohen lëvizjet antijugosllave dhe ato kundër diktaturës në Shqipëri. Në janar të vitit 1981 president i ShBA-së zgjidhet Ronald Regan.Politika amerikane u karakterizua me një dinamizëm në arenën ndërkombëtare, duke u reflektuar një vijë më të ashpër ndaj kampit të Lindjes që ishin të sunduar nga regjimet komuniste. Qeveria amerikane në këtë kohë filloi t’i përkrahte të gjitha lëvizjet politike ekonomike e sociale që kundërshtojnë sistemin politik të shteteve të Lindjes. Në këtë prizëm duhet parë edhe demostratat e vitit 1981, që treguan pakënaqësinë e popullit shqiptar në Kosovë me të drejtën për barazimin me popujt tjerë ne federatën jugosllave. Shumë raporte dëshmojnë për dhunën që qeveria jugosllave kishte përdorur kundër demonstruesve, duke i vrarë dhe burgosur shumë prej tyre. Raportin e diplomatëve amerikanë nga Kosova për Departamentin e Shtetit, Kosovën e përshkruan si vend me administrim ushtarak, duke vendosur në gjithë Kosovën forca ushtarake, prezencën e tankave dhe mjetet e blinduara në të gjitha qytetet e Kosovës ku përfshihen edhe disa fshatra. Krahina e Kosovës ka një pamje ushtarake të pushtuar nga forcat jugosllave. Në hulumtim të dokumenteve për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri gjatë viteve 1981-1989. Sidomos për raportet e institucioneve të SHBA-së lidhur me demostratat e vitit 1981 dhe ndryshimet kushtetuese të dhunshme në vitin 1989.Dokumentet dëshmojnë edhe për kontaktet e para të diplomatëve amerikanë me personalitete të ndryshme shqiptare ne Kosovë dhe përzgjedhjen e një lideri kredibil që të përfaqësonte interesat e shqiptarëve te Kosovës. Pas shumë kontakteve, Ibrahim Rugova ishte i preferuar dhe me idealin e pathyeshëm të vlerave perëndimore. Edhe pamja e tij tregonte se vlerat liberale evropiane ishin ngulitur ne kulturën e tij personale për dallim qe disa intelektualë të tjerë nga pamjet e jashtme e evokonin liderin e lëvizjeve majtiste. Të gjitha këto dokumente do të jenë pjesë e librit tim te ri “Dokumentet amerikane për Kosovën”, që do të botohet gjatë këtij viti nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.Sim Valley Kaliforni 2023