Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për Radio Vatikanin me rastin e 1-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri/
21 shtator 2015/Për Papën Bergoglio Shqipëria është shembull i bashkëjetesës ndërmjet feve, një vlerë e çmueshme kjo që duhet ruajtur e kultivuar gjithmonë me kujdes e dashuri. Vizita e parë në një Vend evropian: Papa zgjodhi udhën e Shqipërisë për të vizituar kontinentin e Vjetër. E nga Tirana Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se “forca e Kishës dhe e çdo komuniteti fetar është dashuria e Zotit”.
“Memoria e martirëve që kanë qëndruar në besimin e tyre në Hyjin gjatë diktaturës është garanci për të ardhmen e Shqipërisë; sepse gjaku i tyre është farë që sjell frytet e paqes e të bashkëpunimit vëllazëror”. Për Papa Françeskun Shqipëria “është Vend që dëshmon se si mund të bashkëjetohet ndërmjet besimeve të ndryshme” e të punohet për një shoqëri vërtetë njerëzore, të bazuar mbi vlera autentike.
Një vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, dëgjues të nderuar, e kujtojmë me Presidentin e Republikës se Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, Zotin Bujar Nishani, të cilin e falënderojmë përzemërsisht për kohën që gjeti, për të kujtuar së bashku atë ditë të paharrueshme, kur populli shqiptar e priti Papa Françeskun në Tiranë, një vit më parë.
Ajo vizitë papnore ishte një përqafim me mbarë popullin shqiptar, një takim me autoritetet më të larta të Vendit, duke filluar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryeministri, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, e të tjerë. Edhe një herë pra Zoti President ju falënderojmë!
Shqipëria qe vendi i parë i Evropës që u vizitua nga Papa Françesku më 21 shtator 2014. Ju, si President i Republikës, si e vlerësoni atë shtegtim papnor në kryeqytetin e Shqipërisë?
Më së pari më lejoni që edhe unë të përfitoj nga rasti i kësaj bisede, të shpreh mirënjohjen time të pakufishme për atë çka Radio Vatikani ka bërë në historinë e përpjekjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve mbi të gjitha për lirinë. Liri për të drejtë, për besim dhe për demokraci.
Është një rast shumë i veçantë për mua, që të kem këtë komunikim e kontakt me Radio Vatikanin, me të gjithë dëgjuesit e saj, kudo që ndodhen nga e gjithë botën. Dhe me lejoni të nënvizoj faktin: që për ne shqiptarët Radio Vatikani ka qenë në ditë të vështira, por do të mbetet gjithmonë në memorien tonë, si shenjë e fortë e shpresës dhe e besimit për një të ardhme më të mirë, dhe juve na keni mbështetur në këtë. Ju falënderoj edhe njëherë!
Ju falënderojmë Zoti President për këtë vlerësim e për fjalë miradije që thatë tani, por edhe në përshëndetjen tuaj drejtuar Papës në Presidencë, duke përmendur edhe Radio Vatikanin, ndër shumë ngjarje të paharrueshme e personalitete të mëdha të historisë së popullit shqiptar. Po t’i kthehemi vizitës së Papës. Një vlerësim i juaj, mbi atë shtegtimi papnor në Tiranë, i cili qe vërtetë domethënës, prekës e do të thosha kuptimplotë, po ta konsiderojmë edhe faktin se Shqipëria qe porta e Evropës të cilën e hapi Papa Françesku?
Vizita e Papa Françeskut në shtatorin e kaluar në Shqipëri, është pak të thuash se ishte historike, mbi gjithçka, ishte një mesazh i një vlerësimi të jashtëzakonshëm, që pakkush nga personalitetet botërore i ka bërë Shqipërisë, po kombit shqiptarë, gjatë historisë së tij. Përzgjedhja e Shqipërisë, pa dyshim që kishte simbolika shumë të forta, por ishte e lidhur edhe me mesazhet, me mesazhet e jashtëzakonshme, të shenjta që Papa Françesku drejtoi nga Shqipëria, nga Sheshi Nënë Tereza, nga Tirana për të gjithë botën e qytetëruar e të civilizuar, për gjithë njerizimin.
Ishte një vizitë e cila në fakt të them të drejtën, na ka befasuar, për shkakun se ishte vendi i parë që Shenjtëria e Tij, Ati i Shenjtë Papa Françesku zgjidhte për të bërë si vizitë në Evropë. Në një vend i cili, është një vend i shumë besimeve, i shumë feve, por që ashtu siç edhe do ta përshkruante në mënyrë të shkëlqyer Papa Françesku në fjalën e tij, në mesazhet e tij, jetoni në harmoni e në respekt me njëri-tjetrin, duke i treguar botës mbarë një shembull, nga i cili mund të udhëhiqemi dhe mund të referohemi. Pra mund të them se ishte një vizitë e cila në radhë të parë solli mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe vlerësimi pa dyshim, por mbi të gjitha shprese dhe besimi. Besimi tek Zoti, besimi tek Hyji, besimi tek e mira, besimi tek njëri-tjetri, dhe mbi të gjithë, e solli Shqipërinë me ato virtyte dhe parime, që ajo i ka trashëguar brez pas brezi në vëmendje të të gjithë botës.
Zoti President, ju patët një takim kokë më kokë me Papën në Presidencë. Për dëgjuesit e Radio Vatikanit dhe gjithë ata qytetarë shqiptarë që na dëgjojnë në atdhe e kudo tjetër, mund të na jepni një dëshmi tuaj rreth atij takimi, mund të ndani bashkë me ne diçka nga ai takim?
Po me kënaqësi, t’ ju them shumë sinqerisht, ishte një fillim shumë emocional. Ju garantoj se çdo njeri në botë, kur ka shansin dhe fatin të takoj Atin e Shenjtë, pushtohet në mënyrë krejt të natyrshme. Këto janë emocione të forta, emocione njerëzore, emocione që vinë nga, pikërisht shenjtëria që sjell me vete Ati i Shenjtë Papa. Dhe Papa Françesku e rrezatonte këtë shenjtëri që sa e takon, që sa i tok dorën, që sa e sheh në sy. Por më pas, po aq të çuditshëm, të gjitha këto emocione të zhduken menjëherë: nga mirësia, nga ëmbëlsia, nga mesazhet, nga biseda atërore e Papa Françeskut, i cili më befasoi me njohuritë e jashtëzakonshme që Ai kishte për Shqipërinë, për historinë e Shqipërisë, për hallet, problematikat, për vuajtjet që kishin kaluar shqiptarët veçanërisht në kalvarin e egër të regjimit gjakatar komunist në Shqipëri, të rezistencës që kishte pasur në tërësi populli shqiptar, veçanërisht Kisha Katolike, besimtarët katolikë, kleri katolik në Shqipëri, por dhe kleri i besimeve të tjera. Dhe mbi të gjitha, biseda qe aq e ngrohtë dhe aq e përzemërt në lidhje me mesazhet për të parë drejt së ardhmes, për të parë drejt optimizmit, për të parë drejt respektit për njëri-tjetrin. Ishte një takim i cili do të mbetet më i paharruari në jetën time politike, institucionale dhe njerëzore.
Pikërisht këto vlera që Ju posa nënvizuat, të cilat Papa i dinte, i vlerësoi dhe ua propozoi, jo vetëm shqiptarëve por edhe Evropës edhe botës. Po kujtojmë se para disa ditësh, Papa përmendi përsëri Shqipërinë si shembull, si vend me vlera dhe një rini që premton shumë. Duke përmendur realitetin shoqëror, bashkëpunimin ndërmjet Shtetit e Kishës, Papa siguroi bashkëpunimin e Kishës katolike për të mirën e shoqërisë. Sipas jush, çfarë kontributi mund të japë Kisha Katolike, si institucion shpirtëror, së bashku me komunitetet e tjera fetare të vendit, për ndërtimin e indit të ri shoqëror tek shqiptarët?
Unë besoj shumë, jo vetëm për sa unë kam parë dhe kam qenë dëshmitar i një kontributi të jashtëzakonshëm të Kishës katolike, të klerit katolik, por edhe duke ju referuar historisë së gjatë të besimeve në Shqipëri, posaçërisht Kishës katolike e cila ka qenë pazgjidhshmërisht e lidhur me identitetin kombëtar të shqiptarëve, me atdheun e shqiptarëve, me ruajtjen e traditave më të mira të të parëve tanë, me ruajtjen e kulturës, të gjuhës, zakoneve, pra të identitetit tonë kombëtar. Po ashtu në momentet më të vështira të Shqipërisë, të okupimit, të mbylljes e të izolimit Kisha katolike ka qenë përçuese e mesazheve të ruajtjes së besimit, të ruajtjes së shpresës. Sot Kisha katolike edhe kleri tjetër i besimeve tjera në Shqipëri, në një harmoni edhe me njëri-tjetrin, në respekt të Shtetit shqiptar, në respekt të ndjenjave të popullit shqiptar, janë duke ofruar një kontribut të jashtëzakonshëm përmes mesazheve të tyre, përmes takimeve të ndryshme, përmes aktiviteteve të ndryshme. Me lejoni t’ju kujtoj se vetëm para pak ditësh në Shqipëri, nën kujdesin e Komunitetit të Shën Egjidit u zhvillua një konferencë mbarë botërore, cila kishte në themel të saj, në fokus të saj çështjen e luftës kundër dhunës dhe të paqes; dhe besoj që mesazhet që dha pikërisht kjo konferencë, kur qindra e qindra klerikë nga e gjithë bota, nga të gjitha besimet, nga të krishterë, nga myslimanë, nga budistë, nga hindu, nga hebrenj u mblodhën në Tiranë, dhe nga Tirana përsëri duke iu referuar mesazheve të Atit të Shenjtë të Papa Françeskut, rikonfirmuan dhe riadresuan edhe njëherë se sa e rëndësishme është bashkëjetesa, respekti i tjetrit, harmonia, mbi të gjitha paqja, paqja liria e demokracia. Pra, edhe kleri katolik në Shqipëri, Kisha katolike, ju siguroj se janë jo vetëm të pazgjidhshmërisht të lidhura me çështjen e identitetit kombëtar shqiptar, me rrugën Evropiane të Shqipërisë, por mbi të gjitha me krijimin dhe rrezatimin e një ambienti të harmonisë, të respektit dhe vëllazërisë.
Zoti President, në fjalimin tuaj para Papa Françeskut në Tiranë, theksuat binomin: “Atdhe Fe”, që karakterizoi klerin e Kishës katolike, por në përgjithësi edhe klerin e besimeve të tjera që dha jetën për të mbrojtur identitetin dhe vlerat që sot gëzon populli shqiptar. Papa Françesku insiston shumë që në shoqëri njeriu duhet të vihet në qendër. Shoqëria duhet të kujdeset për mbrojtjen e dinjitetin e qytetarëve. Papa pohon se vlerat etike e familja nuk mund të jenë në varësi të logjikës së përfitimit e apo të ndonjë interesi tjetër. Ju çfarë ideje keni? Ju për shoqërinë shqiptare, si e mendon dhe si do ta donte Presidenti Nishani shoqërinë vërtet demokratike të shqiptarëve?
Për fatin e mirë në traditën e hershme dhe të konsoliduar shqiptare, familja ka qenë, është dhe mbetet një vlerë e jashtëzakonshme, një vlerë themelore e cila përmbledh, përmban, lind, rrit e përçon të gjitha parimet tjera të së mirës tek njeriu: dijen, punën, respektin ndaj tjetrit, dashurinë për atdheun, ndershmërinë, thjeshtësinë. Pra, për mua baza e individit që lind dhe rritet tek një familje e shëndetshme, është pa diskutim jo vetëm e rëndësishme për individin, por është e rëndësishme për vendin tonë, për të ardhmen e tij, për kombin në tërësi, për shoqërinë dhe pse jo edhe për botën në të cilën ky individ pastaj do të notojë në gjithë hapësirën e jetës së tij tokësore; kështu që unë vlerësoj shumë mesazhet dhe inkurajimet që vijnë pikërisht prej një familje të shëndoshë, prej një familje me vlera, e Shqipëria e ka të domosdoshme për t’a ruajtur fort këtë traditë, këtë trashëgimi, sepse në fund të fundit përmes një familje të shëndoshë ne do të arrijmë të krijojmë gjenerata të cilat duke pasur në fondament respektin për familjen, do të kenë në refleksion respektin për shoqërinë, që do të thotë respektin për njeri-tjetrin dhe gatishmërinë për të kontribuar për të ardhmen.
Pikërisht në përkim me një vjetorin e vizitës apostolike në Tiranë, Papa Françesku nisi shtegtimin e tij në Kubë, që do të vazhdojë pastaj në SHBA-s, e me 25 shtator në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Papa dhe Selia e Shenjtë, kanë qenë përherë afër shqiptarëve e Shqipërisë dhe kanë vlerësuar virtytet e vlerat e kombit shqiptar. Si i vlerëson Presidenti Nishani marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Selisë së Shenjtë, marrëdhëniet diplomatike, po kujtojmë, janë të vendosur në shtator të vitit 1991?
Më së pari më lejoni të përfitoj nga rasti që të uroj dhe të lutem për një udhëtim të mbarë të Papa Françeskut në këtë sezon dhe jam i bindur që qoftë populli kuban, qoftë në SHBA-së e kudo tjetër, ku Papa do të jetë prezent, do të jetë një fat i mbarë, një ndjellje e të mirës për ato vende dhe për popujt ku do të jetë i pranishëm Ati i Shenjtë Papa Françesku. Për Shqipërinë, marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, me Vatikanin, pavarësisht një periudhë të errët që u ndërprenë për shkak të një ateizmi të paimagjinueshëm dhe të çmendur të regjimit komunist në Shqipëri, kanë qenë edhe gjithmonë të rëndësishme pikërisht për vlerat për përparimet dhe mesazhet që Selia e Shenjte ka promovuar në mbarë botën. Tashmë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, janë më të shkëlqyera se kurrë më parë. Shqipëria ka një interes strategjik për t’i forcuar këto marrëdhënie me Selinë e Shenjtë, sepse mesazhet, inkurajimi, mbështetja dhe parimet që rrezatojnë nga Selia e Shenjtë, janë parime mbi të cilat shoqëria shqiptare duhet të ngrihet mbi to, t’i përqafojë fort ato dhe të shikojë të ardhmen e saj pikërisht në jetësimin e këtyre parimeve.
Unë jam i bindur që marrëdhëniet strategjike midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë do të vinë duke u përforcuar gjithmonë e më shumë. Sot Shqipëria është e angazhuar fort në udhën e saj të integrimit evropian dhe për ne në këtë udhëtim besimi, mbështetja dhe inkurajimi nga Selia e Shenjtë janë të pazëvendësueshme.
Duke ju falënderuar sinqerisht, pyetja ime e fundit është: çfarë do të donte Presidenti Nishani të veçonte nga ajo vizitë e paharrueshme e Papa Françeskut në Tiranë? Diçka që të mbetet si lajtmotiv e të jetë aktuale edhe për sot?
T’ju them të drejtën në mënyrë shumë të sinqertë, është e vështirë të zgjedhësh një mesazh specifik nga ato mesazhe dhe nga ato çaste që ne patëm mundësi të ndalemi me Shenjtërinë e Tij, Papa Françeskun në Tiranë, ishin aq të shumta sa që vërtetë është vështirë, çdo mesazh i tij ishte i veçantë, pati një jehonë të jashtëzakonshme, përmbante brenda këshilla të urta, por më lejoni të përzgjedh ndoshta njërën prej tyre që më vjen në këto çaste ndërmend, kur Ati Shenjtë kremtoi Meshën e Shenjtë në Sheshin Nënë Tereza, kur ju drejtua të gjithë shqiptarëve duke u thënë: ‘Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e Vendit tuaj, të ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur për herë besimin tuaj në Hyjin që nuk na zhgënjen, por është gjithmonë pranë nesh posaçërisht në qaste të vështira’. Mbajtja e shpresës dhe natyrisht puna nga ana e shqiptarëve, institucioneve shqiptare, shoqërisë shqiptare që shpresën për ta kthyer në dinjitet, është besoj mesazhi që ne duhet ta mbajmë vazhdimisht në mendjen tonë çdo ditë.
Zoti President ju falënderojmë e ju urojmë mision të mbarë në misionin tuaj me këtë përzgjedhje tuajën jashtëzakonisht simbolike, domethënëse, duke uruar e shpresuar që shqiptaret të dinë ta kultivojnë shpresën, bashkëjetesën, respektin vëllazëror e ta duan Atdheun si jetën e tyre. Ju falënderojmë!
Edhe unë ju falënderoj e uroj gjithashtu Radio Vatikanin, të gjithë stafin e saj e juve personalisht dhe të gjithë dëgjuesit e kësaj Radioje kaq të rëndësishme, punë të mbarë!