Dy popuj në lotë, dhimbja i bashkoi dhe respekti për njëri – tjetrin i forcoi/
Nga Violeta Mirakaj & Mimoza Dajçi/
Kronika e zezë, në gjithë gazetat shqiptare njoftoi vrasjen makabre të dy turistëve çek, ardhur për të vizituar Alpet e bukura shqiptare…..
Ne krenohemi me natyrën, me bukuritë e relievit mesdhetar shqiptar…. por më shumë jemi krenuar për mikpritjen tonë. Besën shqiptare. Historikisht të huajt e miqtë shqiptari i ka uruar mirëseardhejn, i ka trajtuar si pjesëtarë të familjes dhe i ka përcjell të gëzuar…. Por jo, në këtë rast, ndodhi krejt e kundërta… u merret jeta dy miqve……Dhimbja, fyerja…shpagimi, përfshiu të gjithë ndërgjegjen shqiptare si brenda vendit gjithashtu dhe jashtë saj…
Opinioni i shqiptarëve në New York e dënoi me forcë këtë akt, natyrisht edhe Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” (Hope & Peace) me qendër në New York.
Ditën e mërkurë, më datë 8 korrik 2015, ora 11 paradite kjo organizatë e përfaqësuar nga Mimoza Dajçi dhe Violeta Mirakaj zhvilloi një takim në ambjentet e Konsullatës Çeke në Manhattan. Qëllimi i kësaj vizite ishte për të treguar solidaritetin tonë, ngushëllimin për vrasjen e dy turistëve çek në veri të Shqipërisë.
Ideja e znj. Mimoza Dajçi, për të zhvilluar një vizitë kortezie pranë kësaj Konsullate u mirëprit nga anëtaret e Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe”, në emër të organizatës takimi me Kosullatën Çeke në Manhattan u rezervua nga znj. Violeta Mirakaj.
Në shenjë respekti e mirënjohje për viktimat i dhuruam Konsullit Çek, z. Martin Dvorak një buqetë me lule të freskëta, simbol i paqes, besës dhe respektit për viktimat, familjet e tyre e për mbarë popullin mik Çek.
Krimineli sot ndodhet prapa hekurave të sigurisë së lartë, para drejtësisë, familjarët vajtojnë fëmijët e të dashurit e tyre, por edhe në Shqipëri akoma përjetohet me dhimbje vrasja e rëndë për dy te rinjtë turistë Anna Kosinova dhe Michael Svatos.
Konsulli i Republikës Çeke, z. Martin Dvorak, e vlerësoi vizitën tonë. Ai e konsideroi atë tepër domethënëse duke e quajtur një vizitë vëllazërore, e për këtë xhest human të organizatës tonë do të njoftonte menjëherë qeverinë Çeke.
Në takim u fol me dhimbje rreth ngjarjes në fjalë duke shprehur ngushëllimet e rastit si familjes së viktimave, qeverisë e mbarë popullit Çek. Kjo ngjarje u përcaktua thjesht si një vrasje e bërë nga një individ kriminel e që nuk cënon aspak marrëdhëniet miqësore të dy popujve e dy vendeve tona.
Solidarizimi i kësaj situate me dhimbjen e madhe që shkatoi tek të dy popujt tanë kjo ngjarje makabër, theksoi edhe një herë e më shumë dashurinë për njeriun, jetën, punën, respektin e dashurinë e madhe për mikun, kulturën e vendin.
Një temë tjetër që u trajtua në këtë takim ishte edhe roli i gruas në Çeki dhe Shqipëri. Cili është pozicioni i saj, sa i ndjeshëm dhe prezent është potenciali i saj intelektual në politikë e vendimarje.
Këto ishin biseda që mes të tjerave ngriti znj. Mimoza Dajçi me z. Dvorak gjatë takimit. Roli i gruas në Shqipëri dhe Çeki në mbarë jetën shoqërore u shtjellua si një kërkesë e kohës, pasi lëvizja feministe në mbarë rruzullin tokësor i përket të ardhmes e mirëqënies sociale. Ky është edhe misioni i Organizatës së Gruas “Shpresë dhe Paqe” në diasporë, e cila merret me të drejtat e gruas, kundër dhunës – pro paqes, në një përfshirje të gjerë mes komunitetesh në SHBA, ku çdo ditë e më shumë sjell një imazh të qartë të përpjekjeve shoqëruar me pozitivitet.
Pritja kaloi e ngrohtë dhe miqësore, me mesazhin e paqes dhe respektit reciprok.
New York, 8 Korrik, 2015