FAKTI HISTORIK DHE TRAJTIMI FOLKLORIK I LUFTËS SË VLORËS, 1920/
Nga Albert HABAZAJ/ studiues*/
Për të kuptuar dhe shpjeguar si duhet raportin histori – folklor në Luftën e Vlorës apo gjendjen dhe prirjen e zhvillimit dhe aplikimit folklorik të epikës historike për Luftën e Njëzetës, siç e quan populli, mendojmë se duhen njohur dhe kuptuar një sërë faktorësh: historikë (rrjedha e ngjarjeve, me të mirat dhe të këqijat që e kanë shoqëruar deri më sot), kulturorë (traditat, doket, të drejtën zakonore, mënyrën e jetesës, normat e të sjellurit, gjuhën dhe komunikimin, etnokulturën lokale, kulturën shpirtërore e atë materiale etj.), gjeografikë (pozita gjeografike e një vendi malor të ashpër e të thyer si treva e Vlorës, ku thyhet kontrasti me detin, ishullin, gadishullin, lagunën, mikroultësirën e kodrat me ullinj), politiko-shoqërorë (klasat e ndryshme, shtresat si janë formuar, si janë angazhuar për lëvizjen kombëtare, për lirinë kolektive në funksion të asaj individuale, kur ajo cënohej nga pushtuesi, ecuria dhe fuqia e shtresave sociale në politikën e vendit), pse jo edhe pozita gjeostrategjike e Vlorës në Shqipëri, në rajon, në Mesdhe e më gjerë.
Ndoshta edhe tangjent, e ndjejmë të domosdoshme që në fillim të japim një dukje në profil të Vlorës, pak histori për Vlorën ku janë zhvilluar ngjarjet, për arealin, si e ka trajtuar folklori, çfarë ishte Lufta e Vlorës, përse shpërtheu ajo, përse në Vlorë, koha dhe hapësira që rroku kjo luftë, si është pasqyruar në epikën historike, koha e lindjes së njësisë foklorike, e zhvillimit dhe aplikimit, hapësira etnografike ku u shtri e qarkulloi, me variantet që u kultivua dhe a përbën sot epika historike e Luftës së Vlorës një foklor që bën jetë aktive apo është folklor pasiv me vlera arkivore, si edhe arsyet e gjendjes aktuale. Pa u marrë me etimologjinë e qartë gjuhësore, Vlora, një nga qytetet më të lashtë në portën e Perëndimit me Lindjen, është njohur fillimisht me emrin Aulon (nga shkrimtari grek Lukiani dhe gjeografi i mirënjohur i Aleksandrisë, Ptolemeu në shekullin II të erës sonë) dhe është quajtur qytet, skelë. Gjurmët më të hershme i përkasin shekullit të gjashtë p.e.s., (para Krishtit). Studiuesit thonë se kemi të bëjmë me një emër tipik ilir. Akademiku Shaban Demiraj, (i cili ka lindur në Vlorë dhe pikërisht më vitin 1920) ka mendimin se emri i Vlorës është një ndër të paktët emra gjeografikë të bregdetit lindor të Adriatikut dhe të Jonit, që i kanë qëndruar kohës qysh nga periudhat e lashta. Në bregdetin e banuar nga popullsia shqiptare, ky emër ky emër gjeografik del i një lashtësie pak a shumë të përafërt me ata të Durrësit, Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit. Këta emra gjeografikë nuk do të mund t’i kishin qëndruar kohës, në rast se vendbanimet e emërtuara prej tyre nuk do të kishin pasur një vazhdimësi të pandërprerë përdorimi në rrjedhë të shekujve¹) Ndërsa arkeologu Neritan Ceka ka mendimin se emri Aulona lidhet me talasokracinë liburne, e cila është tipike për shek. VII p.e.s.²) Kemi qenë pjesëmarrës në konferencës shkencore “ Trashëgimia arkeologjike dhe themelimi i qytetit të Vlorës”, ideuar dhe organizuar nga bashkia Vlorë më 12 maj 2006 buzë detit, në ambjentet e hotel “Internacional”, ku Vlora mori çertifikatën mbi datimin e themelimit 2500 vjeçar si qytet. Por, unë kam një dëshmi gojore, të fiksuar më 20 mars 2012, nga një miku im, paleontologu 57 vjeçar, prof. Luan Hasanaj, pegadog në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, i cili në thelb më ka thënë se Vlora, ajo e hapësirës së Monumentit të Pavarësisë te “Sheshi i Flamurit”, shënjon qysh 5500- 3500 vjet para Krishtit (dhe këtë e argumenton me metodën e korelimit (krahasimit) të mikrofaunës; po kaq mbushmendës
_________________
¹) Demiraj, Sh: Vlora në rrjedhat e kohës, konferencë shkencore; Tiranë: Toena, 2001, f.15)
²)Buletini informativ, Bashkia Vlorë, 2006/10: Konferenca shkencore “ Trashëgimia arkeologjike dhe themelimi i qytetit të Vlorës”, f.22.
është edhe fakti që: kur në këtë hapësirë ekzistonin popujt e vjetër të Mesdheut, ndër ta, më vonë edhe Greqia e Vjetër dhe Roma e Lashtë, si mund të mos ekzistonte Dheu i atyre që i mendojmë dhe i pranojmë si të parët tanë, Dheu ku kemi lindur, ku banojmë, jetojmë
e veprojmë edhe ne si komunitet që e mbajmë veten si pasardhës të ilirëve.) Edhe pse ndoshta del jashtë temës që po paraqesim, e quajmë me vend ta evidentojmë këtë ide, e cila mund t’i nënshtrohet diskutimit, nga i cili na intereson, në rastin konkret, epika historike në tërësi me objektiv folklorin e Luftës së Vlorës, për vlerat njohëse, edukative dhe artistike që mbart e transmenton brezave.
Vlora është qytet, qendër e rrethit, e qarkut dhe e prefekturës me të njëjtin emër në Shqipërinë Jugperëndimore, buzë deteve Adriatik dhe Jon. Si qark bën pjesë në Zonën Malore Jugore dhe ka në administrim tri rrethe: Vlorën, Sarandën dhe Delvinën, me një sipërfaqe 2706km² e popullsi 370.999 banorë (viti 2010). Është një nga 12 prefekturat e Shqipërisë. Ndërsa si rreth ka një sipërfaqe 1609 km2. Përfshin 9 komuna dhe katër bashki me katër qytete: Vlorë (qendra e rrethit), Selenicë, Orikum, Himarë. Përbëhet nga 99 fshatra. Rreth kryesisht malor me temperatura mesatare. Male: Çika, Çipini, Griba, Bogonica, Lungara etj. lumenjtë: Vjosa, Shushica (Lumi i Vlorës), Dukati. Pjesa fushore njihet me emrin Myzeqeja e Vlorës. Bregdeti i Vlorës është shumë i përthyer me gjire e hapësira të shumta për plazhe. Natyra e rrethit është e larmishme: Gadishulli i Karaburunit, Ishulli i Sazanit, Laguna e Nartës, Uji i Ftohtë. Ka klimë mesdhetare³). Bora është një femonem i rrallë dhe kur bie në Vlorë qytetarët e festojnë bukur. Në rrethin e Vlorës gjendet dhe një nga majat më të larta të vendit, maja e Çikës, me 2045 m lartësi, në qendër të vargmaleve të Vetëtimës, që ndan vetëm gjeografikisht Bregun e Himarës nga Labëria e Brendshme dhe na ngjan si një grup valltarësh labë që hedhin vallen e rëndë mbi det, paralel me diellin. Ndër monumentet kulturore Vlora, përveç Aulonës së vjetër ka dhe 6 qyteza antike: Amantia (Ploçë), Olimpia (Mavrovë), Oriko (Orikum), Kionina (Kaninë) dhe Himera (Himarë), 3 kështjella (e Gjon Boçarit, shek. XV- Tragjas, e Porto Palermos- Himarë, nga më të mirëmbajturat në Shqipërinë e Jugut dhe e Kaninës, shek IV p.e.s- Kaninë), 5 kisha (e Marmiroit- Dukat, e Zvërnecit-Manastiri i Zvërnecit, kisha e Shën Spiridhonit- Vuno, e Ipapandisë-Dhërmi, e Gjithëshenjtëve- Himarë) e 1 xhami (e Muradies -Vlorë), 6 shpella e guva (Shpella prehistorike e Skotës-Velçë, Shpella e Shkruar- Lepenicë, e Haxhi Alisë- dhe e Gramës-Karaburun, Guva e Maçit- Velçë dhe Guva e Piratëve), 3 banesa karakteristike (Kulla e Vlashajve-Qeparo, Shtëpia e Odise Kasnecit- Vuno, Kulla e Dervish Aliut- Dukat), 3 monumente të natyrës (Pisha Flamur- Llogora, Guri i Qytetit dhe Guri me Qiell- Vranisht) dhe 3 monumente historike (Monumenti i Drashovicës:1920-1943, monumenti i Pavarësisë Kombëtare dhe Varri i Ismail Qemalit- Vlorë). Rrethi i Vlorës përfshin 6 zona etnografike: Kurveleshin e Poshtëm, Mesaplikun, Bregdetin, Topalltinë, Kudhës-Grehotin dhe zonën e qytetit që bëjnë pjesë në njësinë e madhe etnografike të Shqipërisë së Jugut, Labërinë. Vlora, nëse përdorim një terminologji të prof. Rrok Zojzit, përfshihet në një nga dy grupet e mëdha të krahinave etnografike të popullit shqiptar, që morën pjesë në formimin e tij kombëtar, pra në grupin e krahinave etnografike të Toskërisë⁴). Ndërsa Prof. Dr. Mark Tirta, pasi përmend se në shek. XI-XV Vlora ishte një qytet
____________________
₃)Fjalor enciklopedik; Tiranë: BACCHUS; 2006, f.736
⁴) Zojzi, Rr.: Etnografia shqiptare I, Tiranë, 1962, f.20
shumë i rëndësishëm bregdetar, ku eksportoheshin prodhime të bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe prodhime tekstile, me sa duket të punuara nga mjeshtrat popullorë vendës, thotë: “ Vlora në pjesën themelore të saj është Labëri”⁵), kuptohet që është Myzeqeja e Vogël, pjesa fushore e saj që bën përjashtim. Banorët e këtyre trevave ruajnë tradita të pasura në punimin e leshit, të gurit, të drurit, kashtës, filigranës, tekstilit dhe qëndisjes. Vlora ka pozicion të favorshëm, në kryqëzimin e rrugëve tokësore, detare dhe ajrore si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Është 135 km larg kryeqytetit të vendit (Tiranës); vetëm 72 km e ndajnë nga Italia (kanali i Otrantos) dhe 77 milje me Greqinë (ishulli i Korfuzit). Ky pozicion garanton një (hyrje-dalje) lëvizje masive të turistëve vendës e të huaj, të shpejtë dhe komode, pse jo dhe shtegtim e qarkullim të kulturave e popujve që mbartin njerëzit në lëvizjet ndërkomunikuese. Lidhet me rrugë automobilistike me qytetet kryesore të vendit e sidomos me ata kufizues: Sarandën, Gjirokastrën, Tepelenën dhe Fierin. Është drejt përfundimit superstrada Vlorë- Tiranë. Mbrojtur prej ishullit të Sazanit dhe Gadishullit të Karaburunit, Vlora mban “çelësat” e portës (kanalit) të Otrantos. Dhe me kaq kuptohet se Vlora është si ajo pema me kokrra, pothuaj në kufijtë midis Lindjes dhe Perëndimit, të cilën e gjuajnë udhëtarët për t’i shijuar frutat. Ndër doket e ngjarjet kulturore të traditës festohen karnavalet e Nartës, festa e Shën Mërisë dhe Ardhja e Pranverës.
Nga shkrimet historike mësojmë se Vlora në shekullin IV rrethohet me mure guri të latuar. Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore dhe detare i njohur për verën, ullinjtë dhe kripën u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë dhe Orikumit. U pushtua nga normanët (1081), nga Venetiku (1205), më pas ra nënë sundimin gjerman të Hohenshtaufëve (Hohenschtauff). Më 1272 u përfshi në Mbretërinë e Arbërisë, duke u bërë një qendër e lulëzuar tregtare dhe zejtare si despotat më vete, e dëgjuar në këto zeje: për punimin e hekurit, të shpatave, të mëndafshit dhe nxjerrjen e kripës. Po në Mesjetë u përfshi nën sundimin e Balshajve. Mbi qytet, nga juglindja e tij ngrihet kalaja e Kaninës. Nga Vlora , më konkretisht nga Kanina, në kohën e vërshimit osman dhe të qëndresës së shqiptarëve (1380-1443) del në skenën e historisë deri ballkanike edhe në gurrën e folklorit Gjergj Araniti (- 1463), Gjorg Golemi e quan kënga, i cili bëri jehonë me kryengritjet fitimtare të viteve 30 të shekullitXV, u bë edhe vjehërri i Skënderbeut apo dhe princesha me emër Rugjina Balsha. Gjatë pushtimit turk në Vlorë u ngritën disa objekte kulti, midis të cilëve dhe xhamia e Muradijes, ndërtuar në mesin e shek.XVI, gjatë qëndrimit të Sulejmanit të Përndritur, vepër e të madhit arkitekt Sinanit. U vu nën pashallëkun e Janinës gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Vlora u bë simbol i atdhetarizmit gjithëshqiptar më 1912, ku pas gati 5 shekujsh robërie u ngrit Flamuri Kombëtar dhe u shpall Pavarësia e vendit, duke u bërë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur, falë ideve dhe guximit të Ismail Qemalit nga Vlora, Isa Boletinit nga Kosova, Luigj Gurakuqit nga Shkodra, Rasih Dinos nga Çamëria e të tjerëve, që u bënë pjesë e së tërës dhe na krijojnë imazhin e pemës së shëndetshme në rrugë kombëtare që ushqen gjithë kalimtarët e uritur për liri.
Verën e vitit 1920 këtu u zhvillua Lufta e Vlorës, ku forcat pushtuese italiane u detyruan të hidhen në det. Në gjysmën e dytë të shek. XX qyteti u rrit e u zmadhua, duke u bërë
nga më të rëndësishmit e vendit. Ka të zhvilluar tregtinë, industrinë e lehtë, transportin,
___________________
₅)Tirta, M; Vlora në rrjedhat e kohës: konferenca shkencore; Tiranë : Toena; 2001, f.205
peshkimin, folklorin, sidomos shumëzërëshin labërisht, turizmin malor dhe detar. Në të është ngritur universiteti “Ismail Qemali”, dy universitete private, ka tre muzeume: muzeun etnografik, historik dhe të pavarësisë ky i fundit është muze kombëtar).
Edhe sot Vlora vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe kulturës kombëtare dhe veçanërisht të zonës së Jugut, duke u bërë një qendër edukimi dhe turistike, në dobi të komunitetit. Vlora, porti Jugor i Adriatikut, ka pamjen historike të zonës së një vendi të mpleksur me shumë ngjarje e përplasje historike. Një lexim sado i përciptë i historisë europiane, dëshmon për vendin qendror që zë Vlora në vazhdën e ngjarjeve kyçe që kanë rregulluar për 20 shekuj raportet e Lindjes me Perëndimin. Kjo pjesë toke dhe deti i saj kanë qenë në nga zonat e takimit të të dy botëve e të të dy kulturave të Mesdheut. Mjaft të kujtojmë që në kohët e lashta ndeshja mes Spartës e Athinës, mes Jul Cezarit e Gnei Pompeut, beteja vendimtare mes Augustit e Mark Antonit u zhvilluan edhe në territoret që sot i përkasin Qarkut të Vlorës.
Sot Vlora si qytet numëron një popullsi prej rreth 110 mijë banorë (afërsisht 3% e popullsisë së vendit), si rrethi ka një popullsi 216. 3 mijë banorë (afërsisht 6% e popullsisë së vendit), ndërsa në vitin 1920, si qytet, numëronte vetëm 8000 banorë.
Në këngë Vlorës i janë thurur lavdërimet më të larta, sepse folklori ka dhe parimin e zbukurimit e të hiperbolizimit. E quajnë Vlorë e krenarisë së madhe, Meka e Shqiptarit, Skela e Parë në Evropë, madem i historisë, Princeshë e Lirisë, sinonim i Flamurit Kombëtar etj. Fan S. Noli ka një thënie: “ Vlora për Shqipërinë është si Neë Yorku (Nju Jorku) për Amerikën”. Aktualisht njerëzit e quajnë “ Mbretëresha e turizmit”. Dhe sot e kësaj dite në mjedise festive këndohet, nga komunitete të ndryshme, secili sipas variantit dhe melodisë që pëlqejnë e kanë vetë banorët, kënga e Ali Asllanit, ndezur në zjarrin e Luftës së Vlorës: “…Vlorën edhe Vlorën/ thelp e kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…/ Çdo or’ e minutë/ ty të kam në gojë,/ mase të zë lemza/ kur un’ të kujtojë…”
Aristokrat i vërtetë qe Ali Asllani. Ka qenë edhe kryetar i bashkisë së Vlorës për periudhën 20.12. 1918 deri më 5.11.1920, i mbështetur nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” dhe në mbështetje të Luftës së Vlorës. Studjuesi dhe poeti Jorgo Bllaci na jep informacionin se A. Asllanin shoqëria “Përlindja Kombëtare” e ngarkoi me detyrën e hartimit të programit, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” si “ Kryetar të Katundarisë së Vlorës”, se poezia e tij “ Vlora-Vlora” u bë kryekëngë, himn e kushtrim në luftën për dëbimin e okupatorit, se për këto kontribute u izolua prej pushtuesve në ishullin e Sazanit, se ai përmendte gjithmonë mençurinë, vetëmohimin e trimërinë e Osman Haxhiut, Qazim Koculit, Halim Xhelos, Jani Mingës, Harilla Kolekës etj., se ai shprehej fisnikërisht: “Ata ishin prijësat, ne të tjerët bënim detyrën”⁶)
Është pranuar tashmë që Vlora afron një qytet simbol përsa i përket historisë, po ashtu dhe pasurisë së vlerave të folklorit si në funksionin etnopërveçues edhe në funksionin etnointegrues. Epika historike për Luftën e Vlorës ka qenë në fokusin e studimeve të mia të vogla vite e vite më parë. Mundësia e fati, rasti e pruri që unë ta thelloj me tjetër prerje Luftën e Vlorës: si qëndron ajo në balancën e kohës, duke vështruar dy gurët e peshores- historinë dhe folklorin, si ato ia kanë veshur kostumin, qëndisur sipas
__________________
⁶)Bllaci, J.: Ali Asllani: Poezi të zgjedhura; Tiranë, 1996, f.7-8)
mjeshtërisë përkatëse për t’i rezistuar rrjedhave të kohës. Ky fakt më rrit përgjegjësinë në parametrat kërkimor-studimor e shkencor, që t’i ruhem “patriotizmit shkencor” si prirje
duke i mëshuar studimit të vëmendshëm si dhe të vëzhgoj diferencën e asaj ç’ka shkruhet e thuhet dhe asaj që bëhet.
Në vetvete historia shqiptare është një dëshmi qartësisht e dhembshme për të ruajtur identitetin e patjetërsueshëm, që erëra, tufane, tallaze e shtërngata të ardhura me tërsëllimë, nga jashtë e nga brenda, deshën ta rrëzonin, ta shkulnin, ta asgjësonin, por s’mundën.
Për çdo komb të qytetëruar të botës njerëzore, nderimi dhe lartësimi i simboleve kombëtare, tregon shkallën e lartësimit kulturor e atdhetar të atij kombi. Një nga simbolet kombëtare shqipëtare është flamuri kombëtar, me ditëlindje të shënjuar dhe të pranuar 28 Nëntorin. Para këtij auditori elitar paraqitemi me punimin modest “Lufta e Vlorës- historia në epikën histoike” dhe kjo ngjan kur zjarri i 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare flakëron e bëftë në breza dritë të bardhë për qindra shekuj të tjerë shqiptarësh të pavarur, të lirë, me identitet, të integruar në familjen europiane, ku na takon të jemi denjësisht , bashkë me vendet e kombet e tjera të kontinentit tonë. Më duket se jam përpara Shenjtit të Flamurit, Plakut të Urtë Ismail Qemali, simbolit të ri i Shqiptarizmës dhe Pavarësisë të këtyre trojeve pellazgjiko-iliro-arbërore.
Ndihem shumë i respektuar dhe i nderuar dhe po aq i ngarkuar me përgjegjësi që marr
pjesë në paraqitjen e një kontributi modest për një ngjarje të rëndësishme të historisë
shqiptare, me vlera serioze të veçanta për popullin shqiptar në synimin e arritjes së lirisë, jo thjesht si imazh, por konkretisht, në realitet.
Lufta e Vlorës përbën një ngjarje që duhet të tërheq vëmendjen e atyre kapaciteteve që kombi shqiptar u ka besuar të rishkruajnë a plotësojnë historinë e kësaj Shqipërie, që e bënë ata burra e gra tramundanash, bij e bija nënash shqiptare, që nuk zhbëhet dot e nuk e zhbën dot askush, se historia bëhet vetëm njëherë, ndërkohë që gjithsesi kjo historia jonë ekziston, kur shumë kombe qytetërimformues të botës janë zhdukur nga harta e globit.
Lufta e Vlorës është një temë që kërkon përgjegjësi të lartë qytetare, me një vizion të kthjellët historik, me një vullnet balzakian, dhe, në emër të një ideali të madh sa kombëtar aq qytetar, interpretim saktësisht korrekt për të shpalosur faqe të reja dinjitoze për ata që me gjakun e tyre vaditën pemën e lirisë dhe dritëruan panteonin e vërtet të lavdisë së kombit.
Kemi patur mundësinë dhe dëshirën të sigurojmë, grumbullojmë, seleksionojmë e përzgjedhim në studion e punës goxha material, ngaqë burimet bibliografike për Lufën e Vlorës kanë qenë dhe janë përgjithësisht të pasura. E vërteta s’është një libër, e vërteta është një mozaik librash. Dhe kjo na intereson. Mendje të ditura, klasifikuar dhe me kodin kombëtar si ato të Aleks Budës, Eqrem Çabejt, Zihni Sakos, Qemal Haxhihasanit, Petro Markos, Muin Çamit, Arben Putos, Ali Asllanit, Lasgushit, Kudret Kokoshit, Nestor Jonuzit etj. kanë ravijëzuar konturet që Shqipërisë i nevojiten të jenë më të dukshmet për faqet që i mbush Historisë së Shqipërisë Lufta e Vlorës. Janë nga ata njerëz që mbi çdo gjë duan Atdheun siç është, jo bardhë e zi, por me të gjitha ngjyrat, edhe para heshtjes apo indiferencës së shtetit nëpër rrjedhat e kohës. Shkruajnë për ata burra që patën vullnet, qëndresë dhe dëshirë për t’i shërbyer popullit e ca më tepër patën shpresën kombëtare e u bënë ballë rreziqeve me çfarëdo mënyre. Pena e tyre, si daltë skulptori, skalit mjeshtërisht portretet e Ismail Qemalit, Osman Haxhiut, Qazim Kokoshit, Ahmet Lepenicës, Duro Shaskës, Murat Miftarit, Abaz Mezinit, Hysni Lepenicës, MitHat Frashërit, Skënder Muços, Azis Çamit, Zako Mezinit, Rrapo Metos, Sulo Hoxhës, Alem Mehmetit, Hamit Selmanit, Qazim Koculit, Azbi Canos, Ymer Radhimës, Hamza Isait, Hamit Selmanit, Sali Vranishtit, Sado Koshenës, Selam Musait, Zigur Lelos, Kanan Mazes, Thanas Benit, Mehmet Selimit, Toto Hosit, Jani Mingës, At Shtjefën Gjeçovit, don Mark Vasës, Tol Arapit, Tod Filipit, At Vasil Markos, Hodo Zeqirit, Sulejman Delvinës, Halim Xhelos e gjithë atyre drerëve që luftuan për Flamur. Këtyre burrave të nderuar kombi ua ka borxh bujarinë dhe fisnikërinë që ata treguan. Flamuri i Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit ishte simboli më i shenjtë dhe më i ndjeshëm i shqiptarëve. Një moment i veçantë na ka tërhequr vëmendjen, pikërisht ai moment tepër simbolik dhe aq dinjitoz i ngritjes së flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1919, vetëm 6 muaj para vendimit të treqind burrave në Kuvendin e Barçallasë për të filluar luftën e armatosur kundër pushtuesve, zbarkuar përtej Adriatikut, të cilët populli i quante pipinot e makaronave… Ëndrra shekullore që kishte përvëluar shpirtrat e zhuritur të shqiptarëve u bë realitet më 1912-ën, por e mbrapshta Luftë e Parë Botërore e bëri të pa mundur festimin popullor të përvitshëm çdo 28 Nëntor. Burrat e pasur e me mend, elita atdhetare, populli i Vlorës, qyteti dhe krahinat menduan që më 28 Nëntor 1919 të rinisnin festën e madhe të Flamurit. Ndërkohë situata ishte vërtet shqetësuese sepse pushtuesit italianë kishin hedhur në treg spiunët për të vënë në udhë e për të piketuar veprimtarët atdhetarë, qofshin këta klerikë, mësues a nëpunës të tjerë të dalluar. Zjarri atdhetar thellohej tek urrejtja kundër pushtuesve italianë saqë fëmijët të mos mësonin gjuhën italiane në shkollat shqipe. Festa e Flamurit do të bëhet madhështore me çfarëdo çmimi që të kërkohet më datën 28. Ky qe vendimi i 11 Apostujve të Vlorës me Osmën Nurin në krye. Gjeneral Ferraro, komandanti i pushtimit, nuk e pranoi ngritjen e Flamurit Shqiptar.
Dihet thënia lapidare që Osman Haxhiu i ktheu plot krenari gjeneralit. Ngado, në qytet, në krahina, në fshatra, në komuna, në Mesaplik, në Himarë, në Kurvelesh valëvitej i lirë flamuri kuq e zi dhe ata burra hijerëndë, që i qëndronin flamurit të përbashkuar si lisat malit, betoheshin për një dëshirë, për një qëllim, që ai flamur i betejave shekullore legjendare të valëvitej përjetë i lirë në qiellin shqiptar. U kishte hije atyre burrave dhe ai lot i bukur që rrezatonte faqeve të ashpra të tyre si rreze dielli. Gjëmonte vallja e buçiste kënga, e gëzimi arrinte në kupë të qiellit. Një dasmë e vërtet e përmasave kombëtare, e merituar për t’u gëzuar. “Sikur donin të lajmëronin dhe Zotin atje lart për detyrën dhe betimin e tyre në liri”⁷⁾ shkruan një monograf në një libër që ka botuar dhe ne ndjejmë vetvetiu një shpirt të dehur nga atdhetaria, një penë të ngjyer në fisnikëri. Po kjo ditë e shenjtë kaloi fatkeqësisht e përgjakshme në qytetin e Vlorës. Memorialistët e kohës na japin një panoramë të qartë të kësaj dite që u vendos të festohej me lutje fetare në kisha e xhami. Flamurtarët Rexhep Arapi dhe Faik Xhaferi u bënë shembulli model i djalërisë vlonjate. Sa dolën nga xhamia, njerëzia me këngën e flamurit në gojë, u ndodh papritur përballë tytave të armëve të pushtimit. Është vërtet një ngjarje e dhembshme, e prekshme, përlotuese, rrëqethëse. Italianët synonin flamurin. Filloi përleshja. Urtësia e trimit të ditur Duro Shaska shpëtoi djalërinë dhe parinë e Vlorës nga gjëma, kur gjëmoi: “Me duar o djem, me duar, sakën se përdorni armët.” Akt simbolik i vërtet ishte gjesti i lavdëruar i Jonuz Kumanovës,Tahir Ismail Qemalit dhe fytyrëgjakosurit për flamur Rexhep Arapi. Jonuzi e futi në gji flamurin e i dëshpëruar, përmbys mbi të ra përdhe.
___________________
⁷) Memishaj( Lepenica),E. :Emblema e një epopeje; Tiranë: GEER, 2010
Bishat e egërsuara u vërsulën, ua rrëmbyen flamurin, e copëtuan dhe e shqyen barbarisht.
Njerëzit i pllakosi gjëma, flamuri humbi. Kuja mori dhenë dhe nga burrat si rrallë ndonjëherë, qanin si për një të vdekur të shtrenjtë. Ndërsa maskarallëku pushtues arriti kulmin: një lake i tyre i vogël me uniformë, ia lidhi një copë flamuri te bishti një qeni, tek ecte në qytet. Ç’poshtërsi! Vandalizëm vërtet! Edhe sot e kësaj dite dridhen nga dhembja e dëshpërimi gurët e mureve të shtëpive vlonjate të kohës. E ndjeni? Dridhet dhe kjo ndërtesë! Dridhet sot edhe për Çamërinë, edhe për Kosovën, se ashtu si breshkamanët italianë me Vlorën atëhere, sillen sot hienat serbe me Kosovën martire. Edhe për idealin e Kosovës lufoi Azis Çami. Luigj Gurakuqi luftoi për Çamërinë e Kosovën si ai. Pra pavarësinë e Kosovës s’ka njeri a fe a perandori ta ndali!
Ai veprim i turpshëm, që oficeri i ri italian e quajti trofe e fitores, ndezi gjakun e vegjëlisë. Sa mirë e tha Shero Emini! 28 Nëntori 1919 qe shkëndia që i vuri zjarrin e mori flakë dynjaja me Epopenë e madhe të Njëzetës. Sa kuptimplote janë vargjet :
Vrite, prite për flamur
Ata hiq e tinë vur!
Vargje që për nga forca shprehjes dhe densiteti i mendimit të kujtojnë tragjeditë shekspirjane. Ishte pikërisht Lufta e Vlorës ajo që tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope lavdimadhe që gremisi në det perandorinë, “një ushtri 40 miljonë” siç thotë kënga
Për këtë realitët të madhërishëm, Abdyl Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo shkruante në shtypin e kohës: Nëse pati Greqia e moçme një Spartë, Shqipëria e ka një Labëri.
U dritëroftë kujtimi i paharruar Osmën Haxhiut, Qazim Kokoshit, Qazim Koculit, Duro Shaskës, Hamza Isait, Kol Karbunarës, Tod Filipit, Ymer Radhimës, Ahmet e Hysni Lepenicës, Hamit Selmanit, Ali Beqirit dhe gjithë atyre heronjve me apo pa dekorata, që me luftën e tyre, me gjakun, me ndihmat e dhëna materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale, kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, dhanë jetën a kapitalin dhe bënë histori. Ata dhanë forcën, guximin, trimërinë, dëftuan virtytet e larta, trashëguar nga të parët, ndezën shpirtin atdhetar dhe dashurinë për vatrën e tyre, për zjarrin e tyre, për oxhakun e tyre, për gurin e sinorit lokal e kombëtar, për varret e të parëve, që mos të lëndohen, derdhën pika gjaku a falën gjithë gjakun e tyre, për këtë dhè, lënë amanet nga paraardhësit brez pas brezi. Me këto bëma, që bënë histori, u futën në gjirin e këngës dhe fluturojnë në krahët e këngës si legjendë lirie.
Si sherbet trëndafili u jap urimet më të mira e më të çiltra të gjthë atyre njerëzve të penës dhe të këngës që përjetësuan një ngjarje të vërtetë e me vlera të padiskutuara për historinë dhe etnokulturën kombëtare, etnko-memorialistike.
Lufta e Vlorës është një temë e rrahur nga historiografia. Lufta e Vlorës ka po ashtu një cikël këngësh të bollshëm dhe përgjithësisht mund të pranojmë se e ka zënë vendin e saj në histori apo edhe në folklor.
Zgjodhëm pikërisht këtë temë për të parë, për të studiuar dhe për të evidentuar raportin histori: epikë historike për Luftën e Vlorës. Gjithashtu dëshirojmë të nxjerrim në dritë edhe personazhe që luajtën rol të dukshëm në atë epope, por që në periudhat kohore mbas ngjarjes deri në fillimet e demokracisë u lanë në heshtje, u anatemuan, kaluan kalvarin e torturave të burgjeve, u pushkatuan apo ka dhe të tillë që s’u dihet as varri dhe sot e kësaj dite. Mendojmë të japim një kontribut sadopak modest dhe në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, që mos të hahen zilet si thotë populli, pra që trajtimi i figurave kontribuese të jetë i vërtetë, pa emocione, real. Edhe për 1920-ën e vërteta historike del nga një mozaik dokumentesh tekstorë, jotekstorë si dhe dokumenta të përbërë.
Epika historike e Lufës së Vlorës lindi si frymëzim për ata që deshën e kërkuan lirinë; ajo lindi si “gurrë jete” në psikën e banorëve të këtyre trevave, të komunitetit, në psikën e shpirtin e këngëtorit, banor e luftëtar për jetë të lirë, siç ai e mendonte, përgjithësisht në hapësirat ku u zhvillua ngjarja.
Fjala e humbet vlerën kur shpalosen visare folklorike si: “ –Kanan, t’u prish bukuria/- Le të rrojë Shqipëria!” Ky dialog në këngë midis dy miqve të llogores së lirisë: luftëtarit këngëtor dhe luftëtarit hero është jo thjesht një përshkrim i sakrificës njerëzore të individit për një gjë të shenjtë siç është hapësira e pamatë e lirisë, por më tepër, është paraqitje brilante e flijimit për Atdhe nëpërmjet të bukurës në trajtën sublime, dhënë nga rapsodi intuitivisht, (ngaqë s’ka patur gjasa e mundësi ta njihte të bukurën si kategori estetike). Vetëm në dy vargje kemi histori dhe këngë, kemi personazhe misionarë, që koha dhe hapësira i caktoi të bëhen misionarë (pa urdhëra e dekrekte)- njëri misionar i lirisë me gjakun që fali dheut mëmë dhe tjetri misionar i ndërtimit shpirtëror, të shpirtit që rron nëpërmjet këngës, e cila na vjen dhe sot e këtë ditë si monument i gjallë, në lëvizje, jo thjesht si dëshmi arkivale e komunitetit përkatës a si gjurmë shpirtërore e kujtesës sociale, por si qarkullim gurgullues i folklorit, si stafetë që sfidon periudhat, sepse është ngjizur nga e vërteta historike dhe pasqyrimi artistik i realitetit historik, i ngjarjeve e personazheve realë. Këngëtori dhe heroi ma mbushin trurin me imazhe homerike dhe eskiljane, sepse epikja konkrete trazohet me tragjiken reale, saqë ngjitet nëpër qiejt e abstarksionit universal dhe kthehet po aty ku ndodhi ngjarja, ku u bë historia dhe ku ajo u përjetësua në këngë, në Kotë të Labërisë, sepse në atë stinë të stuhishme vere të etur për shirat e lirisë, në atë teatër luftarak “ Obobo, ç’na qënkej Kota! Më e bukur se Evropa! Përsëri këngëtori e përdor si metaforë fjalën diamantine të shpirtit krenar që dhemb, ndaj nuk i thotë Kanan Mazes thjesht: “O Kanan, po qysh vdiqe ashtu?!” dhe të ulërijë e të çjerrë faqet nga dëshpërimi, por, siç i ka hije trimit i drejtohet burrërisht me fisnikëri: “Kanan, t’u prish bukuria!… ” për Shqipërinë e lirë, për Vlorën e çliruar. Vetëm në raste të tilla kënga i bën nur një njeriu. Në atë lartësi ku e ngjit kënga heroin, mendoj se jemi në rezonancë të parimeve të folklorit, i cili ka si gur themeli aktin heroik për të cilin shkruan historia. E morëm këtë detaj në morinë e pjesëzave dhe pjesëve të së tërës që përpiqemi të trajtojmë për Luftën e Njëzetës me synimin që të mundohemi sadopak, por për herë të parë deri më sot, për të bërë lidhjen ose diferencimin e faktit artistik folklorik nga realiteti historik; pra në fund të fundit të vëzhgojmë si qëndron raporti histori folklor për Luftën e Vlorës dhe ta prezantojmë sipas kritereve kërkimore-shkencore këtë lëndë folklorike për këtë ngjarje historike .
Metodologjia. Kriterin kronologjik kemi si bazë të trajtimit të temës “Lufta e Vlorës –historia në epikën historike”. Objekti i punimit fokuson analizën e tipologjisë së Luftës së Vlorës, parë në raportin e histori- folklor, që është dhe qëllimi i këtij punimi; e historisë si shkencë që studion tërësinë e fakteve, ngjarjeve dhe dukurive, që karakterizuan jetën dhe zhvillimin e popullit të Vlorës dhe krahinave shqiptare që e mbështetën Vlorën me forca, mjete, armatim, ushqime dhe ndihma të tjera për të çliruar territoret e pushtuara nga të huajt, dyndur nga gjysmëçizmja apenine, si qëndron me këngët historike të Njëzetës, si rrëfim popullor në vargje, me rimë e melodi, si narracion, si tregim, që nëpërmjet të kënduarit shpreh mendim poetik historik për figura të gjalla, reale, konkrete. Folklori i Luftës së Vlorës mendoj se bëhet kështu hipotekë e fitores së merituar, kur siç dimë dhe nga historia- hasmin deti e përpiu… Në shikimintonë kemi nxitjet folklorike dhe pasqyrimin e epikës historike, me krijimet e mirëfillta folklorike, që jetojnë nëpërmjet varianteve dhe improvizimit, atje në Vreshtat e Mëdha, në Qafë të Koçiut, në Kotë, në Tepelenë, në Llogora, në Gjormë, në Skelë. Epika historike e Njëzetës rrëfen ngjarje të vërteta, personazhe realë, kemi të bëjmë me elementë realë, konkretë, historikë, që ngrihen si mohim i koncepteve të mëparshme, që marrin e japin nga këngët më të vjetra historike, në kushtet paraprake, sepse kërkon mjedisin, hapësirën dhe kohën e praktikimit. Nuk distancohet në vite kënga e Luftës së Vlorës. Shumica e krijuesve kanë qenë pjesëmarrës në ngjarje, si Nase Beni, Xhebro Gjika, Mato Hasani, Rrapo Meto, Xhemil Veli Duka etj. Ky cikël nuk vë në dyshim integritetin e epikës historike të Njëzetës, paraqet dhe të mirën dhe të keqen; edhe lëkundjet e parisë i vë në dukje. Ky cikël është shumë i pasur dhe interesant; nxjerr në pah shpirtin shqiptar, që u ngrit kundër Perandorisë së Re: “Breshkaman i breshkamani,t/ Dil steresë, jo limanit!”. Lufta e Vlorës u zhvillua në Vlorë, pjesëmarrësit ishin pothuaj nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët erdhën jo thjesht në shenjë solidariteti, por e ndjenin që po u cënoheshin trojet e tyre, vatra amtare, shtëpia e madhe. Pra ndërgjegjësimi atdhetar- kombëtar, ardhur si stafetë e njohjes së kombit, që nga Rilindasit, sidomos nga periudha e Lidhjes së Prizrenit, kur fillon ngjizja e realitetit të ndjenjës kombëtare, mori përmasa më të gjëra: njohjen e Kombit. Vullnetarët e ardhur nga krahinat e tjera në Vlorë, siç na tregon dhe historia apo dhe variantet e këngëve të rregjistruara spikasin një dukuri të re, që u bë traditë ndër hapësirat ku banojnë shqiptarë: që trojet shqiptare s’mund t’u falen më të tjerëve, që nisur nga shtëpia e vogël e familjes të ruajmë e të luftojmë për shtëpinë e madhe kombëtare, se hasmi s’ka turp e vjen te dera… Edhe ky cikël nuk mund të operojë ndryshe nga ç’ka ndodhur në të vërtetë, duke u bërë kështu kronikë e ngjarjeve të verës së vitit 1920 në Vlorë e rrethina. Këtë e marrim vesh nga toponomastika e pasur e këtij folklori, nga emrat që thotë kënga. Mbi këtë plan është realizuar rilevimi i njësive folklorike në terren krahasuar me të dhënat nëpërmjet dokumentacionit përkatës, përzgjedhur përmes ballafaqimeve të shumta tekstore.
Besueshmëria e të dhënave. Analiza e elementeve folklorikë është rezultante e përgatitjes së matricave përkatëse jo vetëm statistikore nga historia dhe përveç botimeve folkloristike edhe nëpërmjet gjurmimeve në terren për epikën historike. Këto matrica përbëjnë një bankë të dhënash të besueshme pasi:
A-Janë rezultate të dala nga përpunimi i të dhënave të regjistrimit se ç’është shkruar deri më sot, kush ka shkruar, si është trajtuar dhe çfarë ka ngelur jashtë kësaj teme, të cilën e marr me synimin për të parë raportin civilitet-traditë, duke i parë italianët në konteks si kolonizatorë, ç’informacin na jep historia, po folklori ç’informacion na jep, po ashtu opktikën e këngëve të Njëzetës në periudhat historike, që rrokin 92 vjet, kur psika e njerëzve të kolltukut sundimtar kanë patur qëllim glorifikimin e vetes dhe minimumi lënien në hije të atyre që kanë patur kontribute dikur, diku dhe aqsa, ashtu si e kanë lënë gjurmën e respektit në bashkësitë njerëzore ku kanë vepruar e janë njohur.
B- Shumë referenca të këtij punimi mbështeten në 7 kolanat që ka botuar ISKA (ish-Instituti i Folklorit), të cilat kanë nivel të lartë besueshmërie, sepse janë produkt i organizmit shtetëror më të specializuar, siç është ky institut.
C- Rilevimi në terren, nëpërmjet pjesëmarrjes së vijueshme, fiksimit memorial dhe ekspeditave vetiake ka përfshirë mbi 1/3 e verifikimit të asaj që është shkruar, ruajtjes fonetike, sipas të folmes lokale dhe gjendjes së sotme aplikative të epikës historike të Luftës së Vlorës, gjë që mund të konsiderohet e vlefshme.
Duke shtruar pyetjen: a kemi dëshmi që këngët e 20-ës këndohen edhe sot me atë melodi që është kënduar atëherë duam të shprehim jo atë që dëshirojmë por atë që dimë, që kemi parë e që kemi dëgjuar në realitet. Sot kemi një zbehje të qarkullimit folklorik të asaj epopeje. Këndohet në Dukat kënga e vjetër që përshkruan një ngjarje të asaj lufte, sipas stilit dukatas. Bëhet fjalë për kënëgn “ Nga Beuni vjen një kartë/ dërgon Komision’ i lartë”, ku bëhet dhe portreti i Kapedan Hodo Zeqirit, dukatas dhe komandant i çetës së Dukatit në këtë luftë. Kemi dëgjuar në një festë të këndohet dhe në Armen për Osman Haxhiun, i cili ishte bir i Armenit dhe njëkohësisht kyetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili udhëhoqi Luftën e Vlorës. Edhe kjo këngë këndohet sipas melodisë që këndojnë banorët e Armenit dhe jo të tjerë. Pra ato janë shumë lokale, me hapësira të kufizuar, brenda për brenda fshatit. Nuk ka kohë të caktuar se sa do të jetojë. Një komunitet i pranon, një tjetër jo, për arsye konfliktesh, bindjesh apo preferencash.(p.sh. këngët për Qazim Koculin këndohen dhe pëlqehen në Kocul, por jo në Kuç apo në Vranisht). Por nga brezi në brez kënga ka qarkulluar dhe ka ardhur sot. Në Jug këndohet me shumë zëra, pa çifteli, sepse ashtu e ka traditën. Në Labëri këndohet vetëm, me dy vetë, trio e me grup më të madh në numër, ku këngëtari i parë është marrësi, i dyti kthyesi, i treti hedhësi, të cilët mbushen me ison e të tjerëve, në harmoni zërash, që maten me biblilat. Ka këngë që kanë zgjerim më të madh, si p.sh. kënga e Selam Musait, veçse secili sipas melodisë përkatëse (avazit të tij), por në përgjithësi ndihet një praktikim i kufizuar, sepse si duket edhe lufta e Njëzetës e ka mbaruar misionin e saj, e ka përfunduar ciklin dhe i përket arkivit, gjithësesi është në kujtesën e vlonjatëve, tepelenasve e komuniteteve të tjerë që u sulmuan padrejtësisht gati një shekull më parë. Ndërkohë të mos kemi komplekse ndaj italianëve të sotëm, që i shërbejnë paqes, përparimit, kulturës dhe jetës së lirë, të cilët nuk mund të ndihen fajtorë për luftën e padrejtë, që bënë të parët e tyre si pushtues të vendit tonë. Ata nuk ka pse ta ndjejnë komleksin e fajit, as ne të urrejtjes ndaj tyre; ashtu sikurse edhe historinë nuk duhet ta harrojmë se s’mund të harrohet gjaku i derdhur për ruajtjene mbrojtjen e këtyre trojeve.
Kjo lloj kënge historike ka peshë të madhe shpirtërore për komunitete të caktuara, në hapësirat e aplikimit, pothuaj jugore e në kohën e duhur. Ajo pasurohet dhe asnjëherë nuk shkëputet nga realiteti ekonomiko-shoqëror, se kënga e Njëzetës nuk i shpëton dot konceptimit shoqëror. Edhe ajo zbukuron shpirtin, e fisnikëron atë. Për këtë arsye këmbëngul që fjala e humbet vlerën kur vezullojnë thesaret e folklorit, sidomos sot, kur jo vetëm në fasadë na shfaqet një shoqëri kozmopolite, kur patriotizmi i harruar natyrshëm po evidentohet në tërësinë e sotme sociale, me zë tingëllues të vërtetë, në konteks të zhvillimeve të kohës.
Vërehet në tërësi se kënga lind e qarkullon, së pari e së shumti, në ato hapësira ku zhvillohen ngjarjet, ku evidentohen dhe spikasin personazhet historikë. Fjala vjen, duke studjuar vëllimin “ Këngë popullore historike”, botuar nga Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1956, zgjedhur e pajisur me shënime nga Qemal Haxhihasani, nën kujdesin e Zihni Sakos, vërejmë se në bllokun folklorik “ Lufta kundër pushtuesve turq” cikli “Këngë e legjenda për Skënderbeun” vjen nga Mati, Dibra, Bulqiza, Shëngjergji- Tiranë, Burreli, Elbasani, Peshkopia, Kosova, Martaneshi, Ishmi e rrethinat e qendrave të njohura të këtyre trevave. Gjithashtu na vijnë edhe nga arbëreshët e Italisë këngë për Skënderbeun që i gjejmë në tekstin e De Radës “ Rapsodie d’ un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano, Firenze, 1866”, që sipas rilindasit janë mbledhur ndër kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe shpalosen para komunitetit për të rindezur zjarrin e atdhedashurisë, duke himnizuar Motin e Madh e bëmat e Skënderbeut e trimat e tij, kombin e simbolet, që i dëshironin, por që u mungonin. Edhe e vetmja këngë për Gjorg Golemin,siç e quan kënga vjehërrin e Skënderbeut- Gjergj Aranit Golem Komnen Topia, Zot i Arbërisë, Shpatit, Mokrës dhe Çermenikës, na vjen nga Bërzhita, Elbasan. Cikli i këngëve të Bushatllinjve të Shkodrës vjen nga Shkodra, Martaneshi, Theth- Shalë e Laç-Kurbin. Cikli i këngëve të periudhës së Ali Pashë Tepelenës vjen nga Kardhiqi, Labova, Himara, Dhëmblani e Levan-Cirua-Tepelenë. Këtu kemi një rast të veçantë; dy këngë vijnë nga Shkodra; ndoshta nga që në kështjellat e llogoret e Janinës, gjatë qëndresës epike të ditëve të fundit të Ali Pashës luftuan myslimanë, ortodoksë, katolikë, labër, çamër, kosovarë, dibranë, mirditorë, shkodranë. Këngët e periudhës së luftrave kundër Tanzimatit kanë shtrirje; gjerësi e gjatësi gjeografike jo vetëm në trevat e Jugut, por edhe në Shkodër, Dibër, Gjakovë, rrethinat e Krasniqes, kukësit e Çermeniës. Dhe kjo kuptohet sepse Tanzimati, s’qe reformë e moderuar, por sipas Sami Frashërit pushtim i ri i Shqipërisë dhe në mbarë krahinat nuk u bindën për taksat financiare, xhelepet e haraçet; ishin kundër shërbimit ushtarak të detyruar për sulltan Abdyl Mexhitit dhe luftuan trimërisht kundër dyndjeve të egra osmane. Dhe këngët për kryengritësit janë shumë yë bukura. Po kështu shumë këngë nizami, kapedanësh, kaçakësh apo këngët kundër shfrytëzimit vijnë nga Kosova, Prishtina, Elbasani, Puka, Shpati, mati, Martaneshi,, Luma, Lezha, Gjakova, Hasi, Curraj Epër-Nikaj, Dibra, Mokra, Shkodra, prizreni, Kolgecaj, Kruja, Tropoja, Gashi, pra nga të gjitha trevat shqiptare, jo vetëm nga Himara, Kurveleshi, Mallakastra, Kolonja, Korça, Gjirokastra, Labëria etj. edhe kjo është e kuptueshme, sepse nizamllëku ishte jo plagë sociale, po elegji e gjallë për djemtë e nënave që i hëngri “Jemeni”. Një mikrocikël me këngët për lirinë e popujve të tjerë e sidomos për luftën çlirimtare të Greqis vjen vetëm nga trevat jugore, se prej andej ikën e ndihmuan shqiptarët për të çliruar grekun nga Turqia. Kënga e Luftës së Kosovës (1389) vjen nga Dërvarë- Vuçitern. Edhe për Haxhi Qamilin janë kënduar këngë nga një lokalitet i ngushtë njerëzor. Janë pak njësi folklorike të mbledhura që na vijnë vetëm nga Ndroqi, Ishmi e Shatel Shijak. Aty veproi, aty si duket dhe pëlqehet. Në treva të tjera s’ka bërë përshtypje apo mbahet mend për keq. “Jo çdo bashkësi, jo çdo komunitet mund të jetë pronar i një njësie folklorike” tërheq vëmendjen në një ligjëratë Prof. Dr. Agron Xhagolli. Për Ismail Qemalin këngë të vjetra na vijnë 5 njësi folklorike dhe më saktë 3 që i bëjnë jehonë veprës së tij madhore për Pavarësisnë e Shqipërisë, vijnë nga Kabash- Gramsh, Radhimë-Vlorë dhe Kuç – Kurvelesh, ndërsa dy të tjerat përfshihen në ciklin e Luftës së Vlorës dhe emri i Plakut të Bardhë përmëndet si imazh simbolik, si shembëlltyrë nderimi.( Nuk po flasim për këngët e krijuara më vonë që janë aplikuar në vijimësi, duke u pasuruar apo për të tjera që e kanë të diskutueshëm “çertifikatën” e njësisë folklorike.
Dhe gjatë udhëtimit nëpër lëndina e bjeshkët folklorike sodisim natyrën epike dhe pimë ujë në gurrën gati shekullore prej nga buron epika historike e Luftës së Vlorës (saktësisht po mbushen 93 vjet që nga koha e zhvillimit të asaj lufte).
Duke punuar me vëllimin “Këngë popullore historike”, cituar më lart, kemi shënuar 43 njësi folklorike që përbëjnë ciklin e Luftës së Vlorës, i cili vjen nga Dhëmblani, Turani e Levan Cirua -Tepelenë, Qeparo-Himarë, Tërbaç, Vranisht, Shkozë, Ramicë, Dukat, Velçë, Vajzë, Brataj, Shalës- Mesaplik, Bolenë, Nivicë e Progonat- Kurvelesh, Çorrush e Aranitas-Mallakastër, si dhe nga vetë qyteti i Vlorës. Pra është e kufizuar hapësira e përhapes së këngës pothuaj në ato hapësira që prodhuan historinë e Luftës së 1920-ës: Vlorë- Tepelenë-Himarë. (Në këtë rast diskutojmë vetëm për shembujt që na vijnë nëpërmjet këtij botimi të realizuar relativisht herët, pra 56 vjet më parë. Botime të tjera sjellin njësi të tjera, variante të tjera, që e pasurojnë dhe e zgjerojnë hartën folklorike të këngës. Do të shprehim mendimet tona ku kemi vërejtur pasaktësira në toponiminë e vendeve, onomastikën e personazheve të Njëzetës si dhe respektimin ose jo të parimit fonetik në njësitë e mbledhura në terren, të rregjistruara dhe të sjella nëpërmjet botimit folkloristik.)
Kur flasim për kohën e krijimit të Epikën Historike të Luftës së Vlorës (= EHLV), sigurisht, nuk është fjala për një datim të saktë. Ndoshta s’mund të përcaktojmë arketipin, por jo vetëm nga studimi i burimeve të shkruara apo i traditës shqiptare të luftrave (dhe jo vetëm) luftëtarët para betejave pinin, këndonin dhe sulmonin si rrufe. Kënga u jepte frymëzim, moral, u jepte fuqi si Mujit zanat. Kemi siguruar informacion nga libra monografikë, romane historikë e kujtime të ndryshme që shumë këngë janë krijuar e kënduar në teatrin e veprimeve luftarake, në kohë të caktuar afërsisht saktë, në hapësirë të përcaktuar qartë nga këngëtorët, të cilët ishin edhe aktorë të teatrit të Luftës. Kështu, nga romani “ Ultimatumi” i Petro Markos, që përveç vlerave artistike ka edhe vlera folklorike dhe etnologjike me peshë specifike, mësojmë se Lufta e Vlorës është Faltore jo vetëm për historianët dhe studiuesit e Folklorit Shqiptar (të epikës historike), por edhe për shkrimtarët më në zë të vendit të Shqipeve, ata të vërtetët si Petro Marko – Kalorës i Lirisë së Fjalës dhe Veprimit.
(Pjesa dyte. VIJON
* Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA