Nga Gezim ZILJA/
Kryeministri në piskun e vapës dhe të sezonit turistik me sejmenët e tij vizitoi ditë më parë punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor Kulaçi i Skelës- Port (Kalata lindore) të kthyer në një kantier zhavori e gurësh. Përmendi për të njëqindën herë Parkun Muzeal, që nuk ka asnjë lidhje me Shtëpinë Muze të Pavarësisë. Segmenti rrugor, Rrethrrotullimi Skelës (Kulaçi) – Port (Kalata Lindore) ishte për bukuri dhe u rehabilitua me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë me rrugë të asfaltuara paralele, (hyrje-dalje) e trotuarë të gjerë shtruar me pllaka të kushtueshme. Midis rrugëve paralele u ndërtuan disa shatërvanë ku qindra banorë sidomos në verë, kalonin aty kohën ulur në stola, bordura dhe fëmijët luanin me skutera e biçikleta deri afër portit. Në qendër u vendos shtatorja e Isa Boletinit e punuar në bronz që të kujtonte se diku aty fshihej Shtëpiza Muze e Pavarësisë. Pamja e re pas rehabilitimit përballoi me sukses festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Tetë vjet më vonë (viti 2021) fadromat e buldozerët e Rilindjes shkatërrojnë e shkallmojnë nga themeli çdo gjë ( nuk dihet se ku është zhdukur shtatorja e Isa Boletinit) dhe fillon ri-rehabilitimi sipas planit rilindas, duke hedhur në erë paratë e shpenzuara tetë vjet më parë. Kjo rrugë të çon në port, pronë e dhënë me PPP për tridhjetepesë vjet.
Në vitin 2018 në kuadrin e rehabilitimit të bulevardit Vlorë-Skelë (Edhe ky i rehabilituar në 2012) shqepet e shkallmohet nga themeli gjithë pjesa: kthesa e Lungomares-Rrethrrotullimi i Skelës (Kulaçi), Vlorë. Kjo pjesë u zgjerua, u shtruan me pllaka të reja trotuarët, u asfaltua rruga, duke u ndarë në dy korsi të ngushta (shpikje e rilindjes) por nuk u prish lulishtja nga ana e Universitetit me emërin simbolik: Lulishtja e Shkrimtarëve, një vend i këndshëm plot pemë e gjelbërim. Pa kaluar dy vjetë për të tretën herë brenda tetë vjetësh gjithë segmenti Kulaç-Port, shkallmohet sërish dhe sot fadromat e buldozerët e rilindjes vazhdojnë të punojnë në këtë segment, duke fshirë nga faqja e dheut shatërvanët, me mjediset shlodhëse, pjesën më të madhe të pemëve e lulishtes plot gjelbërim të Shkrimtarëve, duke e mbathur me hekur e beton. Në vend të shatërvaneve janë ndërtuar tre rrathë betoni (petullat e kryeministrit thonë vlonjatët) nga të cilët në atë të mesit me diametër 50 m, po mbillen pemë vendi (pisha) që do të mbushen me zogj këngëtarë të ardhur nga pyjet e Kolumbisë e të Brazilit. Nga kthesa e lungomares deri të Kulaçi po shfaqen në gjatësinë rreth pesëdhjetë metra ca kollona betoni ( jo pavijone për të plotësuar Shtëpinë Muze) që thuhet se do të ekspozohen pikturat e kryeministrit. Vlonjatët ndërkohë i kanë quajtur: Koçekët e Rilindjes. Pyetja e parë është: Pse shkatërrojnë atë që vetë kanë ndërtuar e inauguruar gjatë tetë viteve me projekte “madhështore,” duke harxhuar miliona euro? Tre vjet më parë Kryeministri inauguroi Bulevardin, Vlorë-Skelë e mburrej e mburrej duke hequr zvarrë brekushet e stilit otoman. Sot kryeministri me po ato brekushe por me sejmenë nga kryeqyteti, shkallmon atë që u ndërtua e inaugurua prej tij, dhe vjen shikon punimet e reja që po kryhen. Shkurt për të njejtin segment Kulaç-Port (250m) janë shpenzuar 70 miljon lekë të reja (shifër e saktë) në vitin 2012, shumën për vitin 2018 nuk munda ta gjej, dhe tenderi i vitit 2020, plot ( shifër e saktë) 615 miljonë lekë të reja. Po të mendosh që Vlora thahet për një pikë ujë në verë, dhe lagjet e zonat e fshatrat përreth e mbartin ujin me gomarë e karro si dikur, këto prishje e ndreqje janë vepër kriminale. Nëse flasim për Kontroll të Lartë të Shtetit ky duhet menjëherë të hetojë për këtë batërdi. Dukuri të tilla qep-shqep duke shpërdoruar e vjedhur miliarda lekë kanë ndodhur dhe në Berat, Tiranë, Durrës e gjetkë.
Meqënëse jemi te porti, vlonjatët duhet të kujtojnë se për modernizimin e tij në gjashtë vjet janë harxhuar plot 15 milion euro. Tashmë aty po bëhen gati të hapen gropat për grataçielat që do të pushtojnë sipërfaqen prej 5ha që është tokë publike!? Tragetet e anijet e pakta tregëtare ndërkaq do të ankorohen e përpunohen në kalatat e Zvërnecit ku shkarkohen anijet e karburanteve me benxol avionash, naftë, benzinë e gasoil në rezervuarët gjigandë. Në këto kalata është e ndaluar me ligj të ankorohen anije të çdo lloji tjetër për vetë rrezikshmërinë që paraqesin lëndët djegëse. Tjetra është se në gjithë botën e qytetëruar tragetet nuk ankorohen jashtë qyteteve po brenda tyre në të ashtuquajturat skela të trageteve. Po rilindasve as u kërcet fare për ligje kombëtare e ndërkombëtare. Ata po e shndërrojnë sheshin e portit në “piazza pulita” e presin me padurim të fillojnë ndërtimet e parashikuara që do të sjellin miliarda fitime. Nuk u shkon mendja që gjithë kjo sipërfaqe publike të vihet në funksion të Shtëpisë Muze dhe të ndërtohet një Park gjigand si dikur Parku Rinia, plot vepra arti, fusha të vogla sportive, gjelbërim e pemë pa kufi. KJO SIPËRFAQE është shpresa e fundit për qytetin PËR TË PASUR NJË PARK që të prehen e shëtisin të paktën pesë mijë qytetarë njëherësh. Madje në krah të Kalatës Perëndimore duhet të kthehen e ankorohen anijet e peshkimit, krenaria e Vlorës dikur, tashmë të degdisura 20 km larg portit; aty të ngrihet një merkato moderne peshku si e kanë gjithë qytetet-port. Në akuariumin midis dy kalatave kurrë nuk kanë për tu ankoruar 400 veliera e jahte, për njëmijë arsye, veç nja dhjetë-pesëmbëdhjetë anije pasagjerësh të lodhura, që hiqen osh e branë muajt e verës në intenerarin Port- Karaburun- Sazan e kthim. Kryeministri shqiptar herë me brekushe turke e herë me tirqe jugu, viziton Vlorën duke e paraqitur si një nga sukseset më të mëdha të tij. Në Vlorë janë hedhur miliarda lekë dhe shifra e saktë asnjëherë nuk është deklaruar. Pas nëntë viteve, duke u mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, Vlora është qyteti me papunësinë më të madhe në Shqipëri dhe të ardhurat për frymë të qytetarëve janë më të ulta se tetë vjet më parë. Largimi jashtë shtetit ( emigrim quhet) po ashtu është më i larti në Shqipëri dhe me këto ritme qyteti po rrudhet, mpaket e plaket dita-ditës. Investimet e rilindjes në këtë qytet jo vetëm që janë vjedhur në përmasa të frikshme por nuk kanë dhënë përfundimin që trumbetojnë rilindasit. Qytetarët beçanërisht rinia vlonjate po e braktisin çdo ditë këtë qytet të bekuar për bukuritë e tij, për shkak të varfërisë, papunësisë e pasigurisë.
PS. Petullat e Kryeministrit
Fillimisht vlonjatët i quajtën “rrutullamet” e kryeministrit. Tashmë që u shumuan i quajnë petullat e kryeministrit. E para një rreth i madh betoni me diametër 10m vendosur mbi një shtyllë qëndron në ajër, midis dy pallateve në Skelë. Petulla e dytë po prej betoni e hekuri u ndërtua si pjesë e lungomares brenda në det në distance rreth 30 m larg nga bregu, ku dukej në 3D i parkuar një helikopter ngjyrë bizhdollani. Mirëpo petulla prej betoni në ujë nuk ndërtohen nga njerëz të paditur ( ndryshe injorantë), mburravec, e të babëzitur për para. Pas një viti e gjysmë petulla (pista e elikopterëve) u zhduk nën ujë dhe detyrimisht paratë e shpenzuara shkuan për lesh. Në gjithë harkun që inxhinierët budallenjë ndërtuan shkallë sinusoidale, deti e ka mbushur dhe aty është formuar një plazh i vogël rëre rreth 5.000 m2 i frekuentueshëm, që zgjerohet në drejtim të kanalit të ujrave të zeza. Tre petullat e tjera janë në ndërtim e sipër….