*KFOR dhe Rasmussen dënojne vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it/
* Zyrtari i vrare ishte shtetas Lituanez/
Një zyrtar i EULEX-it ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri në rajonin e komunës së Zveçanit, kanë konfirmuar zyrtarë të EULEX-it.
Zëdhënësja e misionit evropian për sundimin e ligjit, Irina Gudeleviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se incidenti ka ndodhur në rajonin e Zveçanit dhe si pasojë një person ka humbur jetën.
“Sot në mëngjes, rreth orës 07:30, dy vetura të EULEX-it që i bartnin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit. Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. Task Forca në Mitrovicë është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar. Zona përreth është bllokuar. Me këtë rast do të bëhet çmos për t’i sjellë kryerësit e kësaj vepre përpara drejtësisë”, tha Gudeleviq.
EULEX-i e ka dënuar fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarëve të EULEX-it. Ky mision, po ashtu, i ka bërë thirrje komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që dinë ndonjë gjë lidhur me këtë incident, që të informojnë organet kompetente.
Edhe komandanti i Policisë në jug të Mitrovicës, Ergin Mediq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se një automjet i EULEX-it në të cilin kanë qenë tre persona, është sulmuar me armë zjarri.
Ai ka thënë se deri më tash nuk dihet se nga ka ardhur sulmi.
“Rreth orës 7:30 të mëngjesit, një makinë e EULEX-it, e cila ka qenë në rrugën magjistrale Prishtinë-Leposaviq, te fshati Ballaban, komuna e Zveçanit, është sulmuar nga persona të armatosur. Me këtë rast është plagosur rëndë doganieri A.S. nga Lituania, i cili është dërguar menjëherë në spital në veri të Mitrovicës, ku ka ndërruar jetë. Në makinë kanë qenë edhe dy pjesëtarë të EULEX-it. Ata dy nuk janë plagosur”, ka thënë Mediq.
Pas incidentit në Zveçan në veri të Kosovës, që rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të EULEX-it, shefi i këtij misoni, Bernd Borchardt dhe shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar, u janë drejtuar mediave.
Rasmussen dënon vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka dënuar sulmin ndaj EULEX-it, i cili ka çuar në vdekjen e një pjesëtari lituanez të misionit evropian.
“Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen dhe të dashurit e pjesëtarit të ndjerë të EULEX-it, për të gjithë anëtarët e misionit të EULEX-it, si dhe për popullin dhe Qeverinë e Lituanisë. Të plagosurve u dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Rasmussen.
Në deklaratën dërguar mediave, Rasmussen po ashtu ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij: për të kontribuar për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes në Kosovë.
KFOR-i dënon sulmin ndaj EULEX-it
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka dënuar fuqishëm sulmin kundër patrullës së EULEX-it, i cili ka lënë një doganier lituanez të vrarë.
Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit.
KFOR-i po ashtu ka thënë se vazhdon të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike.
Vdekja e doganierit – “lajm i trishtuar për Lituaninë”
Ministri i Jashtëm lituanez, Linas Linkevicius, ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit.
Doganieri me inicialet A.S. ka qenë shtetas i Lituanisë.
“Lajm i trishtuar ka goditur Lituaninë këtë mëngjes – vdekja e shtetasit tonë, i cili ka shërbyer në misionin e EULEX-it në Kosovë”, ka shkruar Linkevicius në Twitter.