-POLICIA E KOSOVËS KUNDERSHTON MEDIAN SERBE/
-Komuniteti serb përbën 1.47 % të banorëve në Kosovë, ku sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011 u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, prej tyre 92.93 % shqiptarë, pa përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/
-Në 17 janar njoftohej se, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiç/
PRISHTINË, 20 Janar 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç mbërriti sot në Kosovë, ku fillimisht do vizitojë manastirin e Banjskës, komuna e Zveçanit, në veriun e banuar me shumicë serbe.Në mesditë do takohet me zyrtarët serbë nga Kosova, në Fakultetin Teknik në Mitrovicën Veriore, ndërsa pasdite do takohet dhe do bisedojë me qytetarët në Shtëpinë e Kulturës në Llapnasellë, komuna e Graçanicës, afër Prishtinës.
Axhenda është njoftuar nga Presidenca e Serbisë, ndërsa media serbe raporton se presidentin Vuçiç sapo ka mbërritur në Banjskë i pritur nga një numër i madh i banorëve dhe se në Mitrovicën veriore, ku poashtu qëndroi, ka masa të forta sigurie që nga mëngjesi. Presidenti i Serbisë vendosi kurorë në vendin ku ditë më parë u vra politikani serb Oliver Ivanoviç në veri të Mitrovicës, ndërsa ka theksuar angazhimet për zbardhjen e këtij rasti.
Në Kosovë Vuçiç po vijon vizitën në lokalitete të banuara me shumicë nga komuniteti serb.
Komuniteti serb përbën 1.47 % të banorëve në Kosovë, ku sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011 u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, prej tyre 92.93 % shqiptarë, pa përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.
Në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të KQZ-së, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797, Leposaviç – 17.747, Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.
Në zgjedhjet lokale Lista Serbe ka fituar në të 10 komunat me shumicë serbe, ndërsa Kosova ka gjithësej 38 komuna.
Komuniteti serb në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh përfaqësohet me 10 deputetë, ndërsa në qeverinë ksovare ka 1 zëvendëskryeministër e tre ministra.
Nga10 komunat me shumicë serbe në Kosovë 5 janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special tëOKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Në Kosovën e pavarur prej 10 vitesh, nga 17 shkurti 2008, gjuha serbe është një nga gjuhët zyrtare. Serbia është shteti i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërsa në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së zhvillohen bisedime drejt nomalizimit të marrëdhënieve.
Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 ishte element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën 7 shtete, një nga të cilat edhe Serbia.
Në 17 janar njoftohej se, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Në këtë bisedë telefonike, të dy presidentët trajtuan çështjet e ndryshme të interesit të përbashkët, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.
Një çështje e veçantë, e cila u diskutua ndërmjet të dy presidentëve, ishte edhe vrasja një ditë më parë e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviç në veri të Mitrovicës. Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje.
Presidenti Thaçi gjithashtu theksoi se, organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje.
Të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t’u jepet kohë e mjaftueshme që organet kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ajo çfarë është kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i kryesve të kësaj vrasjeje, theksuan të dy presidentët, bëhej e ditur në faqen zyrtare ‘facebook’ të presidentit kosovar.
***
Vuçiq: Do të shkëmbejmë informacione për vrasjen e Ivanoviqit/
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka porositur në Kosovë se Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, se do të bëjë gjithçka që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen, që të sigurohet paqe dhe siguri e qëndrueshme për të gjitha familjet serbe dhe shqiptare.
Ai e ka bërë këtë deklaratë para Manastirit në Banjska, ku edhe e ka nisur vizitën e tij në Kosovë.
Vuçiq i ka porositur serbët e Kosovës se duhet të mbesin dhe mbijetojnë në vatrat e tyre, duke thënë se për këtë do t’i ndihmojë shteti i Serbisë.
“Nuk guxohet që të jemi më pak në territorin, në vendin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë arsye, si shtet, do të luftojmë në të gjitha mënyrat”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është që të bisedojë me serbët edhe për sigurinë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, si dhe për atë se cilat organe ua garantojnë sigurinë.
“Të shohim se si dhe në cilën mënyrë do t’i zhvillojnë hetimet. Ne do të shkëmbejmë informacione, sepse po shoh që po flasin për shkëmbim të informacioneve, edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetime. Por, do të presim, jo rrëfimet për gazeta, por rezultatet përfundimtare të hetimeve. Të shohim se a do të sjellin hetimet deri te kryerësit e krimit të neveritshëm në Mitrovicë ose jo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë mjaft gjëra do t’i kemi të qarta”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka shtuar se është e nevojshme gjetja e moduseve të reja që ruajtja e sigurisë dhe paqes së serbëve të bëhet më e qartë.Vuçiq theksoi se është e rëndësishme edhe gjetja e mekanizmave të rinj në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në radhët e veta.Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë ka investuar mjaft në renovimin e kishave në Kosovë dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tej. Gjithashtu, ai e ka cilësuar të rëndësishme që të përfundojë projekti i vendbanimit banesor “Lugina e diellit’.Peshkopi Teodosije, me këtë rast, ka thënë se vizita e Vuçiqit është mjaft e rëndësishme dhe se për serbët në Kosovë është e pamundur mbijetesa pa shtetin e Serbisë.Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë po qëndron për vizitë njëditore. Presidenti serb, me eskortën e tij, ka hyrë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Jarinë.
Vizita e Vuçiqit në Kosovë pason katër ditë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, siç ka paralajmëruar ai, për të biseduar me serbët.Pas vizitës në Manastirin në Banjska, Vuçiq ka udhëtuar për në Mitrovicën veriore.Ai ka vendosur kurorë para zyrës së Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, aty ku është vrarë lideri i këtij subjekti politik, Oliver Ivanoviq.Siç është paralajmëruar, në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën e veriut, Vuçiq aktualisht është duke mbajtur takim të mbyllur me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës.Ndonëse shumica e qytetarëve serbë në veri nuk kanë qenë të vullnetshëm që ta komentojnë vizitën e presidentit Vuçiq në Kosovë, megjithatë, dy prej tyre, kanë thënë se kjo vizitë është e nevojshme për popullin serb që jeton në Kosovë.Miodrag Dragosavac nga Mitrovica e veriut ka thënë se përshendet ardhjen e Vuçiqit në Kosovë.
“Është për t’u përshëndetur ardhja e tij për ta ndarë me ne këtë situatë të rëndë, e cila na ka gjetur pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, njërit prej politikanëve më të mirë në këtë hapësirë”, ka thënë Dragosavac.
Miodrag Nedeljkoviq, po ashtu nga Mitrovica veriore, ka thënë se ardhja e Vuçiqit në Kosovë ka qenë e nevojshme.
“Ne i bëjmë thirrje presidentit Aleksandar Vuçiq që të na vizitojë vazhdimisht. Populli është i gëzuar kur dikush i viziton nga Beogradi, nga Qeveria. Këtu, populli jeton shumë rëndë”, ka thënë Nedeljkoviq.
Më pas, është paraparë që Vuçiq të udhëtojë për në pjesën qendrore të Kosovës, në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku do të bisedojë me banorët lokalë.
Siç ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë shefi i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq, policia do të zbatojë planin operativ të veçantë, me rastin e vizitës së presidentit serb.
Me urdhër të Drejtorisë kryesore të Policisë, policia rajonale e veriut ka hartuar planin operativ për këtë vizitë, për zbatimin e të cilit është paraparë angazhimi i një numri të madh të pjesëtarëve të policisë, ka thënë Bojiq.
Ndonëse më herët ishte paralajmëruar që Vuçiq do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, ai do ta përfundojë vizitën të shtunën, pas takimit me qytetarët lokalë në Llapna Sellë.Kjo është vizita e shtatë e Vuçiqit në Kosovë në pesë vitet e fundit, ndërkaq e para në cilësinë e presidentit të Serbisë.(RFL)
***
POLICIA E KOSOVËS KUNDERSHTON MEDIAN SERBE/
SQARIM I POLICISË SË KOSOVËS LIDHUR ME DISA SHKRIME TË PUBLIKUARA NË DISA MEDIA SERBE/
-Policia e Kosovës dërgoi sot këtë informacion:/
Prishtinë, 20 janar 2018, ora 14:25/
Policia e Kosovës (PK), e adreson këtë informacion zyrtar për media me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me disa shkrime të publikuar sot në disa media/portale kryesisht serbe, ku shkruhet se në Llapna Sellë janë shoqëruar (ndaluar) shqiptar të cilëve iu janë marrë (gjetur) armë, dhe lidhur me këtë sqaron me sa vijon:
Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, ashtu siç ka vepruar edhe në rastin e ndalimit të një automjeti civil i cili ka penguar qarkullimin e delegacionit.
Rreth 13.05 min, njësia në lëvizje e cila ka qenë në para përcjellje të përfaqësuesve nga delegacioni i Serbisë, i cili ka qenë duke shkuar në drejtim të Graçanicës, saktësisht në dalje të autostradës në Veternik, kanë ndaluar një veturë civile e cila ka penguar qarkullimin e automjeteve zyrtare.Vozitësi i automjetit është ndaluar nga zyrtarët policor, përderisa automjetet zyrtare me delegacionin e përfaqësuesve nga Serbia kanë vazhduar sipas agjendës pa incidente dhe nuk bëhet fjalë për gjetje të ndonjë arme.
Vlen të potencohet se nuk ka qenë eskorta e presidentit të Serbisë pasi që e njëjta deri në këtë kohë gjendet në rajonin e Mitrovicës Veri.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale me qëllim të ofrimit të sigurisë ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe njoftimit të drejtë të opinionit publik.