Gezim Zilja
E quajnë Xhelo, rreth të dyzetepesave, por nuk di si e ka ndërruar emrin në Xhoni atje në Amerikë. Po shkelte për herë të parë në qytet pas njëzetë viteve, që ishte larguar. Dhjetë vjet të shkuara vdiq i ati, që jetonte fillikat. E shoqja, mësuese nga ato që nuk harrohen kurrë nga nxënësit, tepër e dëshpëruar nga mungesa e gjatë e djalit të vetëm, kishte ikur më parë në atë botë, zemërplasur dhe pengun për ta parë edhe një herë para vdekjes. Jemi njohur me Xhelon në universitet dhe që atëherë nuk ishim parë. Nuk di si ma kishte gjetur numrin e telefonit.
-Do të më ndihmosh, të shkoj në varret e prindërve të vendos një tufë lule. Ma ka lënë amanet Barbara, ta bëj tufën me shumë lule sidomos krizëntema te bardhe-kuqe,- ngatërronte gjoja shqipen Xhelua.
– Kush është Barbara?
– Gruaja ime amerikane. Doja një shqiptare në fillim po fitoi Barbara. Kemi një shtëpi të madhe, me pishinë, që ia blenë prindërit, dy fëmijë..
– Atje banon edhe sot?
– Sigurisht. Po vjehrri ka një fermë….
-Xheloooo! Prindërit e tu ishin të vetmuar. I varrosi gjitonëria dhe një halla jote… -E, eeee! Kam një hallë, po nuk pata kohë ta takoja, se mbarova ca porosi. Unë u kam dërguar prindërve 100 dollarë çdo muaj dhe ndonjë plaçkë. Kam folur dhe në telefon. Do të kisha ardhur edhe në varrim po punët e shumta….
-Në Shtëpinë e Bardhë punon ti ? Me sytë nga dera vdiqën. Nuk erdhe as për babanë e as për nënën. Të paktën të shihnin nipat,- nuk mu durua. Po ku i mbyllej goja amerikanit Xhoni-Xhelo. – Kam tre makina atje në Amerikë. Doja t’i dërgoja një babait. Këtë e kam marrë me qera këtu, pak shtrenjtë mu duk, po hajd’ mo…
-S’ka gjë. Deri te varrezat do na çojë.- Zbritëm nga makina. Në disa hektarë mbi pjerësitë e kodrinave, zgjateshin pafundësisht, në mënyrën më të çuditshme, varret e mermerta. Tela, gardhe, kangjella hekuri, rrugë pa rrugë, pemë e lule, ku i gjalli e kishte vështirë të kalonte edhe brinjas, pa shkelur mbi ndonjë varr. Ngushtë, shumë ngushtë flinin gjumin e madh të gjorët, që duket nuk gjenin rehat edhe atje nën tokë. Xhelua filloi të më tregonte sipas asaj, që i kishin thënë, se varri i nënës ishte një kilometër drejt rrugës kryesore, pastaj ktheheshe djathtas mbi ca varre të mëdhenjë me mermer e çati të kuqe, ku ishte një pishë me dega të thyera… Në anën e kundërt të rrugës ishte varri i babait, në mes të dy varreve rrethuar me kangjella hekuri me nga një deriçkë… U bën tre orë që po kontrollonim. Gjetëm dy varre me emrin e të ëmës por mbiemri ishte ndryshe. Dielli ishte në perëndim dhe dita po ia linte vendin natës, që po pllakoste dalëngadalë.
-Xheloooo! Vetëm po u ngrit nëna ose babai ( Zot! Mos më fut në gjynah!) ta na tregojnë ku janë. Eja të ikim. Vijmë nesër me sabah.
– Nesër më ikën avioni. E kam prerë biletën vajtje-ardhje. Bëhen merak Barbara me fëmijët. Mbase vjen nesër dhe i vendos ti lulet. Ma bëj këtë nder…
– Porosi e kryer. Ik i qetë!- Pastaj mërmërita: Do i gjej dhe do u them i keni lulet nga Xhelua. Mendova se më dëgjoi e do i ngelej hatri, por ai vazhdonte i çelur në fytyrë dhe plot gjallëri. Nuk dukej fare i mërzitur. Mund edhe të mos më besonte. Fundja varret nuk mund t’i merrte dot njeri. Ato aty do të ishin edhe pas njëzetë apo njëqind vitesh. Hipëm në makinën me qera, që u ndez me të shkrepurën e parë.