Dr. Paulin Marku/
Xhevat Kallajxhiut lindi në vitin 1903 në Gjirokastër. Profili i tij në fushën publicistike-gazetareske është i lartë. Fillimisht e nisi në Shqipëri dhe pastaj e zgjeroi veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse larg Shqipërisë, ndjenja dhe dashuria për vendlindjen nuk u zbehen asnjëherë. Lidhjet me atdheun demonstrohen të forta dhe nuk i humbi asnjëherë marrëdhëniet dhe interesin për vendlindjen dhe mbante kontakte të vazhdueshme me bashkëkombësit.
Kallajxhiu gjatë karrierës dëshmoi profesionalizëm në fushën mediatike e publicistike që në Gjirokastër drejtor i gazetës “Demokracia” dhe botoi disa vepra të rëndësishme, të cilat u mirëpriten me interes. Ai ishte besimtarë i devotshëm religjioz, si një bektashian me edukim shpirtërore e njohës i mire i komunitetit, i cili arriti të botonte në vitin 1964 librin, “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë”; “Skënderbeu”;“Larg Atdheut.”; “John Kenedy, Kampion i Paqes dhe Lirisë”; Abraham Linkoln, etj… .Xhevat Kallajxhiu punoi në Zërin e Amerikës nga ku doli dhe në pension, dhe më pas për 10 vite në krye të gazetës Dielli, si editor.
Xhevat Kallajxhiu përjetoi ngjarje të rëndësishme në Shqipëri. Ai ishte në moshe të mitur kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Luftërat ballkanike si dhe përjetoi qeverinë e Princ Vidit, qeveri të ndryshme në Shqipëri dhe shndërrimin e republikës në monarki nën mbretnin e Ahmet Zogu. Po ashtu, përjetoi Luftën e Parë dhe të Dytë botërore. Ai shpesh here shkroi dhe publikoi rreth ngjarjeve të rëndësishme të Shqipërisë në këndvështrimin e njohësit të mirë të ngjarjeve historike të popullit shqiptar.
Ashtu, si shumë atdhetar të tjerë nacionalist që u larguan nga Shqipëria për shkak se nuk pranonin t’i nënshtroheshin regjimit komunist, edhe Xhevat Kallajxhiu u largua nga atdheu. Ai mori rrugën e emigrimit në vitin 1944. Me vete mbarte një eksperience të madhe politike e publicistike, si njohës i mirë i ngjarjeve historike që do t’i shërbenin në emigracion për të pasuruar vizionin e tij, intelektual e profesional. Këto eksperienca, të përjetuara qysh prej fillimit të shekullit XX-të, ishin frymëzim e vizion që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës për të informuar opinionin publik shqiptar dhe të huaj në SHBA në fushën publicistike e gazetareske. Veprat e tij u mirëpriten në opinionin publik dhe patën interes të madh, ku mund të përmendim “Bektashizmi dhe teqeja e parë në Amerike”; Monografinë për Skënderbeun; Presidentin, Jon F. Kenedy; Librin për Abraham Linkoln që u ribotua dhe u promovua së fundmi në Vatër në bashkëpunim me Teqenë bektashiane shqiptare të Detroitit me parathënie të Eliton Baba Pashaj.
Xhevat Kallajxhiut e shikonte si frymëzim për shoqërinë jetën dhe veprimtarinë e Abraham Lincoln, i cili kishte patur një udhëtim të gjatë e të vështire deri kur arriti të behej president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lincoln, u përball me vuajtje dhe vështirësi nga fëmijëria me plot sfida e sakrifica të ndryshme. Autori analizon mënyrën si u rrit e u shkollua, jetën në adoleshencë dhe mënyrën autodidakt të shkollimit të tij, si dhe për formimin universitar. Kallajxhiu sjell në vëmendje të lexuesit qasjen optimiste me një frymëzim pozitiv për mënyrën se si një njeri i familjes së thjeshtë që vinte nga shtresa e ulet e shoqërisë, ku punët e tij të para ishin, bujk, druvar e detar për të arritur në të ardhmen, në majat me të larta politike, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Abraham Linkoln kaloi vështirësi të mëdha dhe dëshmoi vlera dhe virtyte të larta për qasjen autodidakte dhe këmbëngulës për të realizuar synimet e tij.
Sipas Kallajxhiut, profili i Lincolni ishte i larte, i një intelektuali humanist të jashtëzakonshëm dhe të veçantë, të një presidenti që la gjurme pozitive në historinë institucionale amerikane. Shprehjet e Lincolnit janë mjaft domethënëse, i cili pohonte, se:“njerëzit nuk mund të jetojnë gjysmë të lirë dhe gjysmë skllevër”, dhe e përshkroi “Deklaratën e Pavarësisë Amerikane” me këto fjalë: “Liri jo vetëm për popullin e këtij kombi, por edhe shpresë për të gjithë botën dhe për të gjitha kohët e ardhme”. Teoritë dhe analizat e shumta politike e filozofike rreth Lincolnin me parimet bazë: “Liria e Mendimit”, “Liria e fjalës”, “Liria e Shtypit”, “Liria e Besimit Fetare dhe për të Drejtat e Njeriut”. Për këto arsye, e shume të tjera, Lincolni arriti të realizojë dy objektiva thelbësore “zhduku sistemin e skllavërisë dhe siguroi bashkimin e përjetshëm të kombit”. Figura e Lincolnit ishte frymëzim dhe shembull pozitiv për Kallejxhiu, fakt ky që e dëshmon mënyra se si analizon jetën dhe veprimtarinë e Presidentit të SHBA në librin e tij.
Veprimtaria publicistike e mediatike e Xhevatit Kallejxhiut është e gjerë në fushën e botimeve. Po ashtu, ishte i kujdesshëm për ruajtjen e marrëdhënieve me bashkëkombësit, si dhe përpiqej të mbante lidhje me miq dhe koleg kudo që ndodheshin, brenda dhe jashtë Amerikës.
Ndërsa, lidhjet e tij me regjimin komunist dhe me drejtuesit në Shqipëri nuk qenë aspak të mira për arsye se ishte një kritik i forte i komizmit dhe i veprimeve të ashpra të sistemit diktatorial të Enver Hoxhës.
Xhevati ishte adhurues e bashkëpunues me Federatën “Vatra” dhe “Diellin” që kur punonte në Zërin e Amerikës, para se të merrte drejtimin e gazetës Dielli. Këtë e vërtetojnë shkrimet dhe letërkëmbimet e tij me Vatrën. Krahas veprimtarisë publicistike e mediatike në Zërin e Amerikës, la gjurmë edhe në Federatën “Vatra”, i cili drejtoi gazetën “Dielli” për dhjetë vjet, 1976-1986. Pasi doli në pension në Zërin e Amerikës, krerët e Vatres e ftuan për të drejtuar gazetën Dielli, post ky që e pranoi me shumë dashamirësi. Kallajxhiu kishte të ardhura të mjaftueshme nga pensioni dhe pohonte se “tashti kam kohë të mjaftueshme për të shërbyer në komunitet dhe për të qenë editor i Diellit me kohë të plotë. Shprehej krenar që drejtonte gazetën “Dielli”, e cila vazhdonte të ruante traditën qysh prej 15 shkurtit 1909 kur doli në Boston në shërbim të Atdheut dhe popullit shqiptar. Xhevati arriti të botonte dhe të shpërndante gazetën kudo ku kishte shqiptare në Amerike, në Departamentin e Shtetit në Washington, dhe në disa vende të ndryshme të Evropës.
Fakti që vinte nga një eksperience e gjatë mediatike, si njohës i mire i historisë, si dhe një mbrojtës i të drejtave të shqiptareve, arriti të publikonte shkrime të shumta rreth situatave në trojet shqiptare. Për shkak se qëndrimet e tij antikomuniste i kishte bërë publike, nxitën sigurimin e shtetit të ishte vigjilent dhe të ndiqte veprimtarinë e Kallajxhiut. Gjenden disa letërkëmbime të sigurimi të shtetit që raportonin mbi veprimtarinë dhe për qasjen e tij antikomuniste. Shkrimet e shumta në gazetën Dielli, dëshmojnë ndjenja të larta atdhetarie dhe guxim për të demaskuar të vërtetën që përjetonin shqiptarët. Si shume intelektual shqiptar të mërgatës, edhe Kallajxhiu bënte pjese në listën e sigurimit të Shtetit që përndiqej në aktivitetet publike dhe publicistike të tij.
Oficeri i sigurimit të Shtetit njoftonte eproret për qëndrimin e gazetës Dielli në radiogramin, 28 qershorit 1977, nr 290 njoftonte MPJ, citoj: “Xhevat Kallajxhiu, në një artikull mbi të kaluarën e “Vatrës”, bën thirrje për forcimin e saj dhe për t’u përgatitur për mbrojtjen e “Shqipërisë etnike”, se e ardhmja mund të sjellë të papritura edhe më shpejt se sa parashikohet.
Një tjetër dokument, oficeri i sigurimit të shtetit pohon për Kongresin e Legalitetit dhe fjalimin e përfaqësuesit të Federatës “Vatra” Xhevat Kallajxhiu. Dokumenti konsiderohet Sekret, i nxjerre nga relacioni i kongresit të “Legalitetit” më 13 mars 1978 dhe thuhet se me insistim të kryesisë së Kongresit, e mori fjalën Xhevat Kallajxhiu. Puna është që të gjithë së bashku të punojmë, të heqim dorë nga akuzat, sepse “Dielli” bëri të dëgjohet në të gjitha anët puna e Kosovës. Xhevati shprehte qëndrimet e tij edhe për çështjen e Kosovës. Ai pohonte: “Ne morëm kontakte me senatorë amerikanë, sepse Kosova nuk shpëtohet pa përkrahjen e amerikanëve e të senatorëve amerikanë. “Të jini të bindur, – tha më në fund Xhevati, – se Xhevat Kallajxhiu e ka në zemër Kosovën sa edhe çdo kosovar e shqiptar tjetër. Për mua çdo shqiptar është besnik, është patriot, fisnik e i ndershëm, është raca më e bukur që ka lindur perëndia në këtë botë”. (Nxjerrë nga relacioni i dërguar nga rezidentura e New York-ut më datë 22.12.77, për Xh. Kallajxhiun e “Vatrën”, nga p.op. R. Leli, më datë 13.3.78 AIDSSH, Dosje e organizatës “Vatra”, volumi 2)
Për survëjimin që i bëhej Vatres dhe publikimeve te gazetës Dielli
një tjetër dokument pohonte: “Ne po punojmë që “Vatra” të jetë e vetmja organizatë ku të grumbullohen të gjithë shqiptarët të çfarëdo tendence politike, duke përfshirë këtu ata nga Jugu e Veriu, Kosova e Çamëria”.
Veprimtaria e Xhevat Kallajxhiu dëshmon se ishte një profesionist me njohuri të përgjithshme, i cili botoi monografi të ndryshme dhe pati veprimtari të gjerë gazetareske e mediatike. Po ashtu, në drejtimin e gazetës “Dielli” la gjurme pozitive si editor i gazetës për dhjete vite. Ai ishte një zë i fuqishëm për opinionin publik shqiptaro amerikan dhe institucionet në SHBA për çështjen shqiptare. Xhevat Kallajxhiu ishte një kritik konsekuent i regjimit komunist dhe i padrejtësive ndaj shqiptareve , i cili i bëri publike nëpërmjet shkrimeve te tij.