-Ministri Gashi viziton YMCA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të qëndrojë në dy selitë e kësaj organizate, në Nju Jork, për të parë nga afër përvojat dhe si i zhvillojnë aktivitet/
PRISHTINË, 29 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Me ftesë të organizatës për rini YMCA, dega në Amerikë, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Kujtim Gashi, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Në kuadër të vizitës, ministri do të qëndrojë në dy selitë e kësaj organizate, në Nju Jork, për të parë nga afër përvojat e organizatës dhe si i zhvillojnë aktivitet në SHBA.Gjatë kësaj vizite ministri Gashi do të takohet me udhëheqësit më të lartë të YMCA Amerika, ndër të tjerë, me Adriana Statoviç, që është udhëheqëse e programeve ndërkombëtare, e cila njëkohësisht ndjek programin e YMCA-së edhe në Republikën e Kosovës.
Ministri Gashi synon që përmes kësaj vizite të marrë mbështetje nga YMCA-ja për shtrirje të saj në Republikën e Kosovës, ku te rinjve kosovarë do t’u jepet rasti që të jenë pjesë e këtij rrjeti të fuqishëm në mbarë botën.“Mbetet përkushtim i yni, që përmes marrëveshjeve të nënshkruara që do të arrijmë në këtë vizitë, ta bëjmë shtrirjen e kësaj organizate shumë të fuqishme rinore në të paktën disa prej qyteteve të Kosovës, në Gjakovë, Prizren, Istog, Rahovec si dhe në disa komuna tjera”, është shprehur ministrit Gashi.“Angazhimi ynë nuk do të mungojë që kjo organizatë të ketë shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës, përmes së cilës do t’i jepet mundësia mijëra të rinjve për të qenë pjesë e aktiviteteve që zhvillon kjo organizatë”, shtoi ai.Gjithashtu, ministri Gashi, do vizitojë edhe dy kampe rinore të cilat zhvillojnë aktivitete me mijëra të rinj nga mbarë bota dhe për të parë se si ato menaxhohen.YMCA është organizata e te rinjve, e para për nga madhësia në Botë, e themeluar në vitin 1844. Kjo organizatë e fuqishme rinore ka shtrirje në 119 shtete të botës. YMCA i shërben 58 milionë të rinjve në vit në mbarë botën./b.j/