Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë…
SHKROI: Faik KONICA,
Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s’janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n’Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës. Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t’a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it! Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit.
Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës? Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë. Çudia është se kemi dhe n’Amerike një shumicë nga këta skllev qesharakë dhe të poshtër. Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë. Dhe është bukuri të vazhdojë njeriu sielljet e kësaj kopeje. Posa u tepëron pakë kohë nga puna, ata nukë dalin të marrin erën e paqme që të qërojnë mëlçit’ e tyre nga mikrobi i oftikës, – po venë si gjërpërinj nga “konak” në “konak” dhe nga dyqan në dyqan dyke bërë propagandë kundër Fushatës. – “Ç’ësht’ ajo parti liberale?” thonë skllevët. “Ne kemi një guvernë, dhe duhet t’a mprojmë. Ato që bën guverna janë të mira. Populli në Shqipëri ësht’ i kënaqur. Mos dëgjoni çpifjet, se paratë do t’ju venë humbur”. Dhe fjalët e tyre gjejnë përkrahje nga një turm’ e errët spiunësh dhe larosh, – pseudotregëtarë gjysmë t’egër që janë në të dhënë faliment e sipër, batakçinj t’ardhur në mes të Shqipëtarëve s’dihet nga ku dhe me ç’porosi, varangjelistë të paqytetëruar me kurrizin “den-baba-den” të zbutur nga shkopi, kumarxhinj, dembelë, etj. Kjo turme, e palarë në gjithë kuptimet e fjalës, ka disa qëllime të fshehta, – dhe një qëllim sheshit, që është: të mos bëhet Shqipëria një Shtet modern i shtënë në themele të shëndosha, po të mbetet një vent i turbull dhe i dobët, i lehtë për të përmbysur kur lakmia e fqive të gjejë rastin.
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë.
Puna është sheshit. VATRA ka lëftuar dhe lëfton për një Shqipëri moderne, serioze dhe të nderuar. Partia liberale që u-organizua në Shqipëri, do t’mundohet të fitojë shumicën në zgjedhjet, që të vërë në veprim idealet e VATRES. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa ju mundet Partine Liberale duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre.
Botuar më 1923