
Përgatiti: Eneida Jaçaj/
Në arkivat e Europës gjenden dokumente të shumta dhe të vjetra në kohë, sa i takon historisë së popullit shqiptar. Do të ishim shumë me fat nëse do të financoheshin misione studimore, për të zbuluar thesarin historik që mban bota perëndimore për Shqipërinë, dokumente të cilat do të shërbenin për të hedhur dritë mbi shumë enigma dhe të pathëna. Këto dokumente të vjetra mund të jenë mbajtur në hije për shkak të interesave të Europës apo mosinteresimit të shkencës shqiptare, kjo pak rëndësi ka; e rëndësishme është që ato ekzistojnë dhe studiuesit shqiptarë mund t’i zbardhin për interesin e kombit tonë shqiptar. Perandoria Osmane dogji dhe shkatërroi gjithçka, duke mos lënë dokumente dhe prova autentike për historinë, kulturën, ekonominë, jetën fetare të kombit shqiptar, por jemi me fat që Europa në arkivat e saj mban gjithë historinë shekullore të Arbrit.
Pas botimit të dorëshkrimit të shekullit të 17-të, i cili përshkruan në mënyrë të detajuar dhe kronologjike jetën fetare, historike, kulturore, gjendjen sociale, kryengritjet e shqiptarëve për pavarësi kundër turqve, të shkruar nga Fra GIACINTO P. Da Sospello, një tjetër dorëshkrim është zbuluar dhe përkthyer me shumë kujdes dhe profesionalizëm nga studiuesi Mark Palnikaj, i cili me shumë zell po punon fort në arkivat e Vatikanit, duke nxjerrë në dritë dokumente 600 vjeçare për Shqipërinë. Palnikaj është një ndër të vetmit që po i lë një pasuri të madhe arkivave të Shqipërisë, studiuesve dhe lexuesve në veçanti. Bëhet fjalë për Relacionin Sinoptik rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit, nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars 1868, të shkruar nga dëshmitari okular, Arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Buçareli (Buçiarelli). Ngjarjet bazohen në torturat dhe masakrat që kanë vuajtur fshatrat me popullsi të krishterë në zonën e Vilajetit të Prizrenit, por dhe në Gjakovë, Deçan dhe në Pejë. Buçareli ishte i lindur në Castelplanio (Itali) më 4 prill 1827, ishte françeskan, dhe në vitin 1864 u emërua Arqipeshkëv i Shkupit, me seli në Prizren.
Vrasjet, rebelimet
Kleri katolik i huaj pati ardhur në trevat shqiptare me misionin për ruajtjen dhe pasurimin e jetës fetare, ekonomike dhe kulturore. Një rol të veçantë, kleri katolik luajti në afrimin e shqiptarëve të dy besimeve të Vilajetit të Prizrenit, Gjakovës e të Pejës, po dhe në fshatra, ku ata jetonin së bashku. Pra, konkretisht, konkretisht, vetë Arqipeshkvi Dario Buçareli u zotua të pengonte thellimin e përçarjes mes vëllezërve shqiptarë. Në këtë relacion, i cili tashmë është përgatitur për botim, tregohen qartë nga një dëshmitar okular, vuajtjet, torturat, masakrat, grabitjet, vjedhjet, djegjet e fshatrave dhe shtëpive me popullsi të krishterë, nga rebelët banditë turq, mes të cilëve edhe shqiptarë që ishin konvertuar në fenë islame, dhe, rrjedhimisht, quheshin turq.
Këto vrasje dhe rebelime, nuk vinin me urdhër të Sulltanit, Portës së Lartë, por nxiteshin nga përfaqësuesit e qeverisë turke dhe forca të tjera të errëta, si Kisha Ortodokse Serbe dhe Greke. Këta nëpunës të qeverisë turke, gënjenin dhe mashtronin në emër të Sulltanit, se kishin marrë urdhër prej tij për të dëbuar të krishterët nga banesat e tyre. Ishin banditë, fanatikë myslimanë, që vidhnin, plaçkisnin fshatarët e varfër, ishin sahanlëpirës të qeveritarëve vendorë, merrnin rryshfete dhe paguheshin nga qarqe të errëta sllave dhe greke. Njerëzit që donin paqen, ankoheshin te qeveritarët, si Nazif Pasha, por këta të fundit, akuzat i cilësonin thashetheme dhe shpifje. Ndërsa nga ana tjetër, rebelët banditë shpifnin dhe akuzonin të krishterët për hakmarrje, të cilët më pas përfundonin në burgje. Gjenerali Mahmud Pasha ishte njeri i mirë dhe u mundua të vendoste rend dhe qetësi. Arrestoi shumë turq që kishin grabitur dhe masakruar të krishterët, madje në një aksion me ushtrinë e tij, vrau 5 prej tyre.
Përpjekjet për paqe dhe stabilitet
Kleriku Buçareli si Arqipeshkv i Shkupit, me qendër në Prizren, bëri çmos që të vendoste paqen në vend dhe vrasjet ndaj të krishterëve të merrnin fund. Ai u dërgoi letra pa fund Portës së Lartë, ambasadorëve të huaj, duke i informuar mbi gjendjen dhe u kërkoi që të merrnin masa për ndalimin e masakrave dhe vrasjeve ndaj të krishterëve. Sipas ligjeve të Portës së Lartë, të krishterët ishin të lirë të mbanin besimin e tyre nëse dëshironin, dhe nuk duhej të ushtrohej forcë dhe dhunë ndaj tyre. Por nëpunësit e qeverisë bënin me kokën e tyre, duke përdorur emrin e Sulltanit, dhe abuzonin me ligjet. Sipas dorëshkrimit, burgjet ishin të mbushura plot me njerëz, kryesisht me të krishterë. Autoritetet vendore abuzonin me ligjin derisa kërkonin para për të nxjerrë të krishterët nga burgjet. “Duke filluar nga pashai e duke mbaruar tek mashtruesi i
fundit, e mbanin veten dhe silleshin si të ishin zotat e atij vendi e madje deri edhe ndonjë që mbahej për i ditur, përpiqej që të shpallej i ditur si ai që di gjithçka”, dëshmon Arqipeshkvi.
Abuzimet për t’u marrë para fshatarëve të varfër, ishin të pafundme. “Rasti deshi që me datën 12 shtator, në një ditë tregu, një xhandar i kërkonte një fshatari jeshirin (faturën) për disa speca që ai i kishte blerë, domethënë donte ta gjente në faj dhe ta kërcënonte që të mund t’i zhvaste ndonjë beslik (çmimi i 5 piastrave 1 fr dhe 11 cent), e meqë fshatari nuk e kishte e nuk
pranonte që t’ia jepte, u vra nga xhandari me një goditje pistole”, thuhet në dokument.
Në dorëshkrimin e tij, Buçareli thotë se shkaku i gjendjes së krijuar në Vilajetin e Prizrenit ishte qeveria vendore e jo ligjet e Perandorisë, të drejtuar nga Sulltani. “Prisni të mirën nga këta lloj njerëzish e personazhesh? Prisni nga ata zgjidhjen e problemeve dhe largimin e të këqijave, që e pikëllojnë aq shumë provincën e Prizrenit, e cila është plot me shfrytëzim, me grabitje, me abuzime, me futjen e duarve misterioze, që minojnë lirisht qeverinë e Sulltanit të madh? Ai, kuptohet, nuk i do këto gjëra, dhe urdhrat që i jep, janë të tjerë, por tradhtohet nga të tijtë, të cilët kërkojnë të angazhojnë vetveten e të mos i drejtojnë popujt sipas dispozitave të drejta që jep qeveria perandorake. Pa hezitim duhet thënë se ky lloj i njerëzve, po të krahasohet me duart misterioze, janë më fajtorë, më të dëmshëm, më të pafytyrë”, shkruan ai.
Madje, ai përmend dokumentin e 10 gushtit të vitit 1867, nënshkruar nga N. N., ku dëshmohet fare qartë terrori i krijuar në fshatra nga rebelët turq. “Filloi stuhia në fshatrat, duke djegur gjithçka që u dilte para. Aq shumë u trash e keqja, saqë me zor i detyronin të krishterët që të mohonin besimin e tyre, ose do t’u merreshin të gjitha pronat e gjëja tyre, e i kërcënuan se do t’i vrisnin e do t’ju merrnin edhe jetën, e kështu, shumë veta, të detyruar nga dhuna dhe forca, që të mos e humbisnin jetën, pasuritë dhe pronat, si dhe nderin, qenë të detyruar që të nënshtroheshin ndaj peshës së rëndë me të cilën po i ngarkonin. Kush mund t’i tregojë dëmet që iu shkaktuan të krishterëve, ndërsa nga 240 shtëpi nuk gjendej më asnjë që të mund të thoshe se nuk ishte dëmtuar?”, thotë dokumenti, sipas Buçarelit.
Rrëmbimi i katolikes, Maria
Në fshatin që quhet Kramovik, banonte Preng Kaçinari, i besimit katolik, vendas, me origjinë nga Mirdita, kolon, zotërues i një numri të madh kafshësh bagëti të trasha, një punishte bakri dhe punishte armësh. Ai ishte i martuar me Marian, e cila ishte kthyer në besimin e krishterë. Rebelët turq i erdhën në shtëpi, shkatërruan çdo gjë, ndërsa gruan ia rrëmbyen dhe e mbyllën në kullë, vetëm se kishte qenë muslimane dhe kishte ndërruar fenë.
Maria arriti të largohet nga kulla dhe kërkoi ndihmë te arqipeshkvi Buçareli, ndërsa njeriu i parë i Vilajetit, Nazif Pasha, kërkonte që ai t’ia dorëzonte atij gruan. “Ta dini, pra, shkëlqesia e juaj, se unë jam mësuar të fle me dyshek për tokë, në dysheme, direkt, e në kashtë. Me pullaz mbi kokë e në qiell të hapur, sikurse më ndodhi në udhëtimin e fundit(2). Deri tani mund të them se kam qenë pa banesë. Bamirësit e devotshëm më ndihmuan që të ndërtoj këtë shtëpi. Si në të kaluarën, edhe në ardhmen, mund të rri pa të. Ta dini se, meqë unë kam lënë nënën e babanë, vëllezërit motrat e të afërmit, shtëpinë, pasurinë e gjithçka, miqtë e atë që është më i shtrenjtë, atdheun, vullnetarisht, pa asnjë shtrëngesë në botë, kështu që mund ta kuptoni mirë se të jetoj apo të vdes është e njëjta gjë për mua. Përkundrazi, dashtë qielli që të bëjë që unë ta lë jetën e kësaj toke në shërbim të besimit të shenjtë”, tregon ai përgjigjen që i dha Nazif Pashës. Sa herë që Marian e pyesnin, e cilit besimit ishte, ajo jepte këtë përgjigje: “Si, ende nuk doni ta merrni vesh? Unë jam e krishterë e dua të jem e krishterë. Më bëni copë e grimë. Forca dhe dhuna nuk më thyejnë. Më mbani të mbyllur brenda kësaj kulle deri sa të jem gjallë, unë do të mbetem përgjithmonë e krishterë. Dhe këtë besim që kam, edhe sikur të më premtoni se nuk ma prekni jetën e si edhe po të ofroni të gjithë arin e botës, unë nuk do ta braktis”.
Përpjekjet e Dario Buçarelit janë të panumërta për të mbrojtur të krishterët. Ai u dërgoi letra ankese të pafundme qarqeve më të larta drejtuese, të cilat mashtroheshin nga rebelët banditë. Përpjekjet e Dario Buçarelit janë të panumërta për të mbrojtur të krishterët. Ai u dërgoi letra ankese të pafundme qarqeve më të larta drejtuese, të cilat mashtroheshin nga rebelët banditë. Korrespondencat dhe masat që u morën, do i trajtoj në një artikull tjetër.