
Zef Nush Pali, lindi në Shkodër më 16 Qershor 1910 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Lindi pikërisht në kohën kúr ishte n’agim pamvarsija shqiptare, kúr patriotët shqiptarë shifshin rrezikun e coptimit të matejshëm që kërcënote kombin Shqiptár. Në kët atmosferë ideshë të rilindjes së shqiptarizmës e patriotizmit përhapë prej njerëzve të kalibrit si Luigj Gurakuqi, Pater Gjergj Fishta e Át Mati Prennushi, Zef Pali mori mësimet e para në Kolegjin Saverian, ndërsa studimet e mesme në shkollën Normale t’Elbasanit. Ma vonë kreu studimet universitare për Filozofi në Universitetin e Firences, në Itali. I paisun me idetë e rilindjes Zef Pali dha kontributin e tij si arsimtar, shkrimtar, gazetar, udhëheqës politik dhe mprojtës i palodhun i çeshtjes shqiptare. Me stilin e tij të mprehtë dhe me gjuhën e tij të kthjelltë prof. Zef Pali u bâ nji nga pishtarët e parë për drejtësi shoqnore në Shqipnin e pamvarun.
Qysh në ditët e para të pushtimit fashist, shkrimet e tij të shumta në revistën “Hylli i Dritës”, në trakte dhe revista të fshehta të nënshkrueme me pseudonimin “Flaka”, ndezën flakë rininë shqiptare. Ai u bâ nji nga udhëheqsit e lëvizjes së qindresës së popullit shqiptár. U largue nga Shqipnija me atdhetarë të tjerë nacionalistë kur vendi râ në duert e komunistëve. Pasues i denjë i ndjenjave tâ pastërta atdhetare të Luigj Gurakuqit dhe besnik i idealeve të Mid’hat Frashërit, Zef Pali vazhdoi jashtë atdheut të mprojë me kambëngulje kauzën shqiptare, kauzen e demokracisë dhe atë të lirisë së popullit Shqiptár.