Vezë, shkopinj, qese me bojë, apo shashka tymuese u lëshuan ndaj godinës së kryeministrisë. Në flakë bunkeri pranë ministrisë së Brendshme. Basha: Zgidhja e vetme, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme/
Në Shqipëri, protesta e sotme kundër qeverisë, e organizuar nga opozita, e cila kërkon organiziminm e zgjedhjeve të parakohshme është shoqëruar me situate tensioni. Vezë, shkopinj, qese me bojë, apo shashka tymuese u lëshuan ndaj godinës së kryeministrisë ndërsa folës të shumtë, jo vetëm politikanë të së djathtës, ngjiteshin me radhë në podiumin e ngritur në bulevardin qëndror. Situata kulmoi kur protesta u zhvendos nga godina para kryeministrisë drejt vendin ku pranë ministrisë së Brendshme është ndërtuar një bunker simbolik, pjesë e një projekti për të hapur për publikun tunelet e nëndhenshme të ndërtuara gjatë kohës së diktaturës. Ndërtimi i tij është kundërshtuar me forcë vecanërisht nga ish të përndjerkurit politik, sipas të cilëve, e majta po provokon duke kërkuar të evokojë simbolet e komunizmit.
Protestuesit shkulën me forcë gardhin rrethues, dhe një pjesë e tyre hipën mbi bunker duke valëvitur flamujt e partisë demokratike, ndërsa I vunë zjarrin pjesës së brendshme të tij. Zjarri ju vu dhe një skele të ngritur për rikosntruksionin e fasadës së ministrisë së Zhvillimit urban në anën e e sheshit ku është ngritur bunkeri. Forcat e policisë nuk ndërhynë, ndonëse njësitë speciale u grumbulluan aty pranë.
Me protestuesit u bashkua më pas dhe kryetari i partisë demokratike dhe drejtuesë të tjerë të opozitës. Më herët, zoti Basha, gjatë fjalës së tij, e kishte cilësuar manifestimin që mblodhi sot një numër të madh mbështetësish të opozitës, si “një referendum të jashtëzakonshëm të qytetarëve të lirë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeveria teknike për zgjedhje të parakohshme”. Sipas zotit Basha “para nesh shtrohen vetëm dy zgjidhje, ose të largojmë qeverinë ose të pranojmë largimin e popullit, ose të rrëzojmë qeverinë ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë. Të reagojmë sot, nesër do të jetë vonë. Rrugë të mesme nuk ka, nuk ka më pritje dhe nuk duhet të presë më askush, pritja e mbaroi kohën e saj”. Kërkesa për largimin e qeverisë ka qenë refreni i përsëritur disa herë nga zoti Basha në fjalën e tij, ndërsa akuzonte shumicën e majtë në pushtet për korrupsion masiv dhe abuzim me pushtetin. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një pushtet demokratik por për “një bandë që nuk ka ndërmend të ndalet, po qe se nuk ndalim ne sot. Nuk mund të ndohë që të ikë populli, por duhet të iki, largohet e shporret qeveria. Kjo nuk është parrullë por ligji i artë i demokracisë. Ky është fillimi i një stine protestash, ka nisur mosbindja civile, në këmbë shqiptarë e shqiptare”, ishte thirrja e zotit Basha në fund të fjalimit të tij, ndërsa theksoi se shqiptarët do të bëjnë atë që bënë qytetarët dhe në Rumani e Maqedoni.(Foto montazhi-Kortezi Bota Sot)