Nga Harilla Koçi/.-Të dielën, 30 Mars, në qytetin e Vlorës u zhvillua ceremonia zyrtare e rivarrimit të eshtrave të Eqrem bej Vlorës, diplomat, politikan dhe historian, personalitet i shquar i letrave shqipe. Me këtë rast, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora në arkivolin me eshtrat e tij, në mjediset e shtëpisë së familjes në qytetin e Vlorës, atje ku ai u largua 70 vite më parë drejt Austrisë.
Kurorën në emër të kryeministrit Edi Rama e vendosi Këshilltari për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Evropiane, Fate Velaj, i cili vlerësoi figurën e Eqrem bej Vlorës, si një personalitet i kulturës dhe i letrave shqipe.
Bënë homazhe dhe vendosën kurora edhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni, Princ Leka II, qytetarë vlonjatë dhe nga rrethe të tjera të vendit. Zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni, në fjalën e tij në ceremoninë zyrtare, u shpreh mes të tjerash se, Eqrem bej Vlora është personalitet i shquar i letrave shqipe. “Shpirti i tij endet mes letrave dhe dilemave politike”, theksoi Çuni. Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, në një prononcim për mediat e cilësoi Eqrem Bej Vlorën, personalitet të kulturës dhe një figurë poliedrike që, pavarësisht se e diskutueshme, ka lënë gjurmë dhe kontributin e vet në historinë e Vlorës dhe të Shqiopërisë, një nga pinjiollët e familjes Vlora.
Nga ana e tij, nipi i Ismail Qemal Vlorës, Darling Vlora, falenderoi në emër të familjes kryeministrin Edi Rama, për vendimin për kthimin në atdhe të eshtrave të Eqrem bej Vlorës. Ai u shpreh se vepra e Eqrem bej Vlorës, është aty dhe flet vetë.
Arkivoli me eshtrat e Eqrem bej Vlorës, i mbështjellë me flamurin kombëtar, u vendos në sheshin përpara ish- shtëpisë së Vlorajve në qendër të qytetit, e cila i është kthyer vajzës së tij. Ceremonia vazhdoi më pas në fshatin Kaninë, ku do të prehen eshtrat e Eqrem bej Vlorës në përmbushje të amanetit të tij.
Eqrem bej Vlora ndërroi jetë në mars të vitit 1964 në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë, ku edhe u varros.
Vendimi për kthimin e eshtrave të tij u mor nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë në 7 mars.
Eqrem bej Vlora u largua nga vendi 70 vjet më parë
Skender Zogu says
Tashé ka ardhé koha pér rivarrimit té eshtrave té AtFan Noli dhe Komandant Abaz Kupi, n’Atdhe.