Rafael Floqi/
Commonwealth. (Skotia Neck, N.C.) 17 qershor 1922
Tiranë, Shqipëri, Qershor 1922
“Na njihni ne” i thotë Ahmet Bej Zogu, Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, agjencisë Associated Press në një intervistë të fundit.
“Nëse Amerika na njeh dhe dërgon një përfaqësues diplomatik në Shqipëri, kjo do të jetë shtytja më e madhe që mund të ketë Shqipëria”, tha ai.
“Ne jemi një racë e lashtë dhe krenare. Kemi tradita para epokës së krishterë. Kemi vuajtur nën thembërin e tiranit. Jemi të shtypur nga popujt aziatikë dhe evropianë. Ne kemi ëndërruar me shekuj një ëndërr lirie. Ne jemi raca më homogjene në Ballkan dhe dëshirojmë shansin që ta përcaktojmë vetë fatin tonë.
Amerika, faqet e historisë së cilës shkëlqejnë me vepra të lavdishme në kauzën e lirisë njerëzore, duhet ta riorganizojnë Shqipërinë, sepse është një vend që ka vuajtur në shekuj të gjatë robëri dhe tani, e rilindur si komb, dëshiron ta ruajë lirinë për aq gjatë sa ta mbajë” –
Ahmet Bej Zogu trung i një fisi fisnik luftarak. Traditat fisnore dhe grindjet në Shqipëri-kanë ngjallur tek ai një shpirt luftëtari të trashëguar. Sot ai është heroi i Shqipërisë dhe spikat me dukshëm e guximshëm teksa kombi i ri po përpiqet të nxisë mundësitë për ekzistencën e tij kombëtare. Ai është një i ri jo më shumë se 28 vjeç dhe konsiderohet si sundimtari i vërtetë i Shqipërisë. I imët shtatlartë, bjond, me sy të kaltër të mprehtë, ai ka një pasion dhe ai do ta ngrerë Shqipërinë në këmbë dhe t’ë vendin e vet.
Intrigat depërtojnë në jetën politike, të shtetit të ri që po ngrihet me vështirësi, por Zogu ka qenë gjithmonë në gjendje t’i kapërcejë ato qysh në fillim dhe të ruajë respektin për autoritetin e krijuar.
“Shqipëria është larg sherrit të brendshëm.;”, tha ai për korrespondentin. “Ne kemi një ushtri të vogël prej 9000 burrash. Këto duhen përdorur për të mbajtur rendin. Kur kombet e tjera thonë se Shqipëria po i sulmon, është absurde, sepse Shqipëria nuk ka as mjete dhe as forca për të sulmuar dikë.
Ne kemi një popullsi që llogaritet mbi 1.000.000 dhe të gjithë shqiptarë. Nuk ka asnjë fis, soj apo grup të huaj brenda kufijve tanë. Vetëm për këtë, ne kemi të drejtën për të pasur kombësinë tonë”.