NGA XHELAL ZEJNELI/Akti juridik që ka të bëjë me gjuhën, mban titullin Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ka të bëjë me qytetarët e Maqedonisë që flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja, e që përbëjnë të paktën 20% të popullsisë. Çështja e përdorimit të gjuhës është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit. Me miratimin e tij, mund të thuhet se rrumbullakohet pjesa më e madhe e implementimi të saj. Kjo çështje duhej të zgjidhej qysh në vitin 2004. Që atëherë kanë kaluar plot 14 vjet. Shkrimtari i BH-së – Mesha Selimoviqi thotë: “Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe nga ajo siç ka ndodhur”. Me miratimin e këtij ligji, nuk cenohet karakteri unitar i shtetit dhe Maqedonia nuk federalizohet. Ligji është në përputhje me amendamentin 5 të Kushtetutës së RM-së. Në këtë ligj, njashtu si edhe në Marrëveshjen e Ohrit, askund nuk përmenden shqiptarët apo gjuha shqipe. Në vend të shqiptarëve përdoret sintagma ”qytetarët që flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja e që përbëjnë të paktën 20% të popullsisë”. Gjuha shqipe me këtë ligj nuk është gjuhë zyrtare në tërë territorin e RM-së. E tillë mbetet maqedonishtja dhe alfabeti i saj cirilik. Shqipja bëhet zyrtare vetëm në rajonet në të cilat shqiptarët përbëjnë të paktën 20% të popullsisë, përfshi edhe një pjesë të madhe të institucioneve shtetërore të nivelit qendror. Në zona të caktuara, me këtë ligj përfshihet edhe e drejta zyrtare e përdorimit e gjuhës turke, serbe dhe rome. Për lexim të parë, ligji hyri në Kuvendin e RM-së me yllin, që paraqet simbolin e Bashkimit Evropian. Me këtë nënkuptohej se propozimi i ligjit duhej të miratohej me procedurë normale, të papenguar dhe pa obstruksione. Simboli i BE-së tregonte se ky ligj është në përputhje me standardet evropiane të përdorimit të gjuhëve nga bashkësitë etnike që nuk përbëjnë shumicë. Shembuj të tillë kemi në Zvicër, në Belgjikë etj. Kuptohet, ky ligj ka edhe dimension politik ngase do ta forcojë kohezionin ndërmjet bashkësive etnike në RM. Madje, është edhe pjesë e rrugëtimit të vendit drejt organizmave euro-atlanitkë. Miratimi i këtij ligji në Kuvendin e RM-së me 64 vota për, është një arritje për shqiptarët, eliminon një padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe i jep fund politikës diskriminuese dhe restriktive, karakterit unitar, centralist dhe monoetnik të shtetit me përbërje dyetnike. Maqedonia duhet të pushojë së qeni shteti më i nacifikuar në Evropë. Pra, duhet të bëhet denacifikimi i saj.
Që kur Maqedonia është shkëputur nga amalgama jugosllave, kanë kaluar 28 vjet. Që atëherë, shqiptarët merren me çështjen e gjuhës. Pra gati tri dekada. Gjatë gjithë kohës së pluralizmit çështja shqiptare në Maqedoni sillej midis scilës dhe haribdës. Gjatë gjithë kohës së tranzicionit, kërkesat primordiale të shqiptarëve kanë hasur në vox clamantis in deserto. Faktori politik maqedonas, duke e shtruar çështjen shqiptare në shtratin e Prokrustit, i detyroi shqiptarët që vite me radhë të merren me çështjen e gjuhës. Si rrjedhojë, rajonet e banuara me shumicë shqiptare, ngecën në pikëpamje ekonomike. Nëpër qytezat tona, në vend të ndërmarrjeve prodhuese dhe institucioneve kulturore dhe shkencore, kanë vërshuar kazinotë, bastoret, çajtoret, tavernat dhe byrektoret. Ka edhe bordele apo shtëpi publike. Duke mos parë perspektivë, shumë të rinj u detyruan t’i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit. Për këtë vonesë historike, faktori politik shqiptar, në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim, duhet të mbajë përgjegjësi. Në vend që t’i japë llogari këtij populli, faktori politik shqiptar synon t’i amplifikojë arritjet e veta në skenën politike.
* * *
Ligji për përdorimin e gjuhëve ka një shtrirje të caktuar horizontale si dhe dimension vertikal. Përfshin organet e pushtetit vendor si dhe pjesë të mëdha të pushtetit qendror. Në bazë të këtij ligji, gjuha shqipe dhe alfabeti i saj do të flitet, përkatësisht do të shkruhet në të gjitha organet e pushtetit qendror të RM-së, në institucionet qendrore, në ndërmarrjet publike, nëpër agjencitë, drejtoritë, në organizata, në ente, në komisione.
Shqipja do të përdoret në sistemin gjyqësor të vendit, në gjykata, në prokuroritë publike etj. Qytetarët do të kenë të drejtë ta përdorin shqipen gjatë komunikimit në organet e pushtetit qendror, siç janë Kuvendi i RM-së, Kryetari i RM-së, Qeveria e RM-së, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, përfshi edhe procesin zgjedhor, veprimtarinë e radiopërhapjes (radiodifuzionit), veprimtarinë noteriale, dokumentet personale, lëmin e financave etj.
Funksionarët shqiptarë të zgjedhur apo të emëruar në institucione, përfshi edhe ato me seli në kryeqytet, gjatë komunikimit zyrtar do ta përdorin gjuhën shqipe. Shqipja bëhet zyrtare edhe në punën e Qeverisë së RM-së. Por, seancat e Qeverisë së RM-së udhëhiqen në gjuhën maqedonase. Shqipja përdoret në seancat e Qeverisë së RM-së vetëm atëherë kur ato udhëhiqen nga funksionari shqiptar – i zgjedhur apo i emëruar. Në seancat e qeverisë, në komisionet qeveritare dhe në kolegjiume, funksionari shqiptar – i zgjedhur apo i emëruar, do ta përdorë shqipen. Kartëmonedhat etj. do të përmbajnë simbole të trashëgimisë kulturore shqiptare. Uniformat e policisë etj. shkruhen edhe në shqip. Teksti i vulave të institucioneve, përfshi edhe të atyre me seli në Shkup, shkruhet edhe në shqip. Shqipja përdoret edhe në Ueb faqet e institucioneve. Të gjitha aktet e qeverisë dhe të institucioneve të tjera nxirren edhe në shqip. Nuk është e qartë nëse një projektligj i një dikasteri të udhëhequr nga një ministër shqiptar, hartohet në shqip që pastaj të përkthehet në maqedonisht, apo një e drejtë e tillë nuk parashikohet.
Shqipja është gjuhë zyrtare në Kuvendin e RM-së. Stenogramet e seancave të Kuvendit (si dhe të Qeverisë) ruhen edhe në shqip. Funksionari i zgjedhur apo i emëruar i Kuvendit të RM-së materialet i merr dhe i dorëzon në shqip. Kur seancën e Kuvendit e udhëheq deputeti shqiptar, atëherë seanca udhëhiqet në shqip.
Ligji përmban 25 nene të përfshira në 12 faqe. Me pjesën e arsyetimit, ligji ka 19 faqe. Në grosso modo kjo do të ishte përmbajtja e tij. Ndonëse nuk është zyrtare në tërë territorin e RM-së, megjithëkëtë ky ligj paraqet avancim të përdorimit të shqipes.
Duhet shtuar se gjuha shqipe nuk do të përdoret në komunikimin ndërkombëtar, në Armatën e Republikës së Maqedonisë, në polici, në kartëmonedha.
* * *
Lidhur me çështjen e gjuhës, faktori politik shqiptar nuk ka qenë sa duhet transparent. Megjithëkëtë, për këtë ligj flitet qe nëntë muaj. Ka pasur debate në të gjitha mediumet elektronike. Opinione rreth kësaj çështjeje janë paraqitur edhe nëpër mediumet e shkruara. Në debate kanë qenë të përfshirë persona lëmenjsh të ndryshëm, si në hapësirën mediatike shqiptare, ashtu edhe në atë maqedonase, kështu që ligji nuk është përvjedhur nëpër deriçkë, por ka kaluar nëpër një procedurë parlamentare të rregullt. Partitë politike shqiptare, në fazën e hartimit të projektligjit, janë këshilluar me ekspertë të kushtetutës, në mënyrë që asnjë nen i tij të mos jetë në kolizion me Kushtetutën e RM-së.
* * *
Sot e tutje, në organet e pushtetit vendor me shumicë shqiptare, të gjitha vendimet, aktvendimet, raportet, rregulloret, udhëzimet, dokumentet ekonomike, financiare, juridike dhe politike duhet të hartohen, të nxirren dhe të miratohen në gjuhën shqipe, e pastaj të përkthehen në maqedonisht. Kjo vlen edhe për njësitë rajonale të pushtetit qendror që janë të vendosura në komunat me shumicë shqiptare. Kjo nuk është një punë e lehtë. Përkundrazi, është një çështje komplekse. Për realizimin e kësaj detyre, nevojitet vullnet i mirë, ndërgjegje e lartë e sidomos kapacitet profesional. Duhet pasur kujdes që mos ta ngatërrojmë punën, e të dalë më keq se ç’ishte. Megjithëkëtë, duhet të besojmë se puna do të shkojë mbarë. Për shqiptarët, ligji paraqet një sfidë. Për t’u ballafaquar me të, nevojitet përkushtim. Negligjenca, indolenca dhe papërgjegjësia mund të shpijnë në dështim. Tani shqiptarët duhet të manifestojnë kapacitet shtetformues. Tani e tutje s’kemi sesi i fajësojmë të tjerët. Filozofi dhe shkrimtari ekzistencialist francez – Zhan-Pol Sartrë thotë: Njeriu, vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet.
* * *
Tekstet shkollore të shkollave fillore dhe për ato të mesmet kryesisht përkthehen nga maqedonishtja. Përkthimet kryhen në mënyrë diletante, d.m.th. joprofesionale. Ka raste kur pjesë dhe kapituj të tërë, për të mos thënë i tërë teksti, janë të papërdorshëm. Gabimet janë të natyrave të ndryshme – teknike, drejtshkrimore, sintaksore dhe terminologjike. Përkthimi nuk është punë e tezgaroshëve. Çështja e gabimeve nëpër tekste nuk zgjidhet me gjoba. Gjobitja është puna më e vogël. Kjo çështje kërkon ngritjen e nivelit tonë arsimor, ngritjen e cilësisë në arsim, kërkon reforma të thella në sistemit e arsimit. Ky është një proces i gjatë. Në parim, përkthimi flet për inferioritet, pozitë të nënshtruar, tregon varësi por edhe diskriminim. Në këtë lëmë, shqiptarët duhet t’i marrin punët në duart e veta. Duhet të jenë autorë dhe jo interpretues. Duhet të krijojnë vepra burimore dhe jo të punojnë me kopjime. Shpesh themi se kemi disa universitete, kemi individë me tituj akademikë. Të tillët duhet t’u dalin zot punëve të veta dhe t’i arsyetojnë titujt apo gradat shkencore.
Përveç kësaj, ka tekste shkollore, si për filloristët, ashtu edhe për nxënësit e shkollave të mesme, që janë hartuar pa kritere shkencore apo me kritere shkencore të dyshimta, që janë me ngarkesa ideologjike dhe nacionaliste. Të tillat nuk i shërbejnë bashkëjetesës, ndaj duhet të flaken nga procesi arsimor. Është mirë që ndërmjet Tiranës dhe Shkupit të arrihet një marrëveshje që tekste të caktuara, të paktën ato të matematikës dhe të shkencave të natyrës, të vijnë nga autorët e Shqipërisë. Ndërkaq tekstet e lëndëve siç janë gramatika e gjuhës shqipe, historia e gjuhës shqipe, letërsia shqiptare, arti figurativ, arti muzikor, historia kombëtare, gjeografia kombëtare – duhet të vijnë nga Shqipëria. Kuptohet, edhe këtu në Maqedoni kemi autorë shqiptarë të cilët mund të hartojnë tekste shkollore cilësore. Të mos harrojmë, ne ende s’kemi një abetare të përbashkët.
* * *
Për zbatimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet e shtetit do të themelohet edhe Agjencia e zbatimit të gjuhës. Atë e themelon Qeveria e RM-së, e cila emëron edhe drejtorin e saj. Kjo agjenci, për punë e vet çdo vit i paraqet raport qeverisë. Ndërkaq, në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë, në cilësi të personit juridik, do të formohet edhe Inspektorati i zbatimit të gjuhës. Për organet dhe për institucionet që e shkelin ligjin, parashikohet gjobë prej 4.000 deri në 5.000 euro. Me 30% të shumës së sipërthënë gjobitet për shkelje të dispozitave të ligjit edhe personi përgjegjës i organit. Themelimi i kësaj agjencie apo i këtij inspektorati, që në krye të herës të çon të dyshosh në mundësinë e zbatimit në praktikë të ligjit. Nuk duhet të jemi ithtarë të dënimeve apo të gjobitjeve. Me këtë ligj nuk rregullohet qarkullimi rrugor, për shkeljen e të cilit parashikohen dënime apo gjoba. Ligji i përdorimit të gjuhëve duhet të zbatohet me vullnet të mirë, me ndërgjegje, me vetëdije dhe në mënyrë profesionale. Zbatimi i tij nuk shkon në dëm të askujt. Përkundrazi, shkon në dobi të çdokujt. Sidomos është në funksion të stabilitetit të shtetit.
Zbatimi i ligjit, sidomos në organet dhe në institucionet e pushtetit qendror mund të hasë në vështirësi llojesh të ndryshme. Do të ketë mungesë kapaciteti profesional, por nuk përjashtohen as obstruksionet eventuale. Zbatimi i ligjit kërkon njohuri të mëdha në fushën e gjuhës. Zbatuesit do të ballafaqohen edhe me çështjen e njohjes së terminologjisë, në lëmenj të ndryshëm, siç janë terminologjia administrative, juridike, ekonomike, bankare, financiare, komunale, politike, gjyqësore, postare, arsimore, shëndetësore, infrastrukturore, arkitekturore, kriminalistike, informatike, sportive etj.
Shqiptarët në Maqedoni, të diskriminuar gjatë dekadave, nuk kanë traditë të duhur në administratë. Nuk kanë as klasë politike, ngase klasa politike ekzistuese, e periudhës së pluralizmit, nuk ka qenë veçse dekor i faktorit politik maqedonas. Dallohet gjuha gjatë përdorimit privat nga ajo që përdoret në jetën publike apo në profile profesionale të ngushta. Shqiptarët në Maqedoni, në sferën e njohurive të gjuhës amtare, sidomos gjatë të shkruarit të saj, kanë zbrazëtira serioze. Një përqindje e madhe e personave me tituj akademikë kanë njohuri tejet të kufizuar në të shkruarit e shqipes.
Kur është fjala për zbatimin e ligjit, politizimi dhe partizimi i administratës, tanimë është një luks. Gjuha kërkon dituri, sot, si asnjëherë deri tani. Flitet për lektorë, për korrektorë, për përkthyes etj. Po ku t’i marrim ata, ku t’i gjejmë?! T’i kërkojmë si Diogjeni me qiri ditën. Inspektori mund të inspektojë sa të dojë, por brumin e administratorëve brenda në administratë, kurrë s’mund ta ndryshojë. Brumin e nomenklaturës dhe të establishmentit s’e përmirëson dot kush. Për ta mësuar këtë punë kolosale, shqiptarëve u nevojitet të paktën dhjetë vjet përvojë. Në raportet të cilat agjencia do t’ia dërgojë qeverisë, gjendja e përdorimit të gjuhës do të paraqitet e zbukuruar, njashtu siç e paraqitnin të zbukuruar realitetin, krijuesit letrarë dhe artistikë të periudhës së real-socializmit, në kohën e Zhdanovit. Në raporte, realiteti shpeshherë shtrembërohet. Shkrimtari kroat Kërlezha thotë: Askund nuk gënjejnë më shumë se në armatë. Për çdo punë në ushtri thuhet se është kryer dhe është realizuar për notën maksimale.
* * *
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ernest Koliqi, në cilësinë e ministrit të Arsimit, dërgoi në këto anë dhe në Kosovë qindra mësues për ta filluar arsimimin e nxënësve shqiptarë në gjuhën amtare. Për punën e zbatimit të suksesshëm të shqipes, ndërmjet Shkupit dhe Tiranës duhet të ketë kontakte të rregullta dhe komunikim të rregullt. Duhet marrë përvojat e administratës së Shqipërisë, të organeve dhe të institucioneve të saj, si të pushtetit vendor, ashtu edhe atij qendror. Shkresat e të gjitha dikastereve, ato të gjyqësisë, të administratës, të financave etj., është mirë t’u vihen në dispozicion administratorëve shqiptarë në Maqedoni. Është me rëndësi që shqiptarët të mendojnë shqip dhe të shkruajnë shqip, duke e flakur ndikimin nga gjuhët sllave. Është me rëndësi parësore që në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, të përdoret terminologji unike dhe jo laramane, në mos dhe e gabuar. Për këtë çështje mund të krijohen edhe komisione ndërshqiptare për njëjtësimin e terminologjisë. Në funksion të kësaj, duhet të vijnë nga Tirana fjalorë terminologjikë lëmenjsh të ndryshëm, përfshi edhe literaturën profesionale. Në këtë pikëpamje, mund të vendoset komunikim edhe me Prishtinën për arsye se administrata e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, duke qenë dikur pjesë e administratës së ish-Jugosllavisë, janë kompatibile dhe kanë ngjashmëri të caktuara.
* * *
Shqiptarët në Maqedoni kanë të meta serioze në të shkruarit e shqipes. Kuptohet, edhe në të folurit e saj. Kjo është pasojë e sundimit shekullor sllav. Sllavët e kanë penguar arsimimin e shqiptarëve. Një popull i diskriminuar e ka vështirë të arrijë arsimim normal dhe cilësor. Megjithëkëtë, shqiptarët në Maqedoni kanë arritur shumë. Reforma në arsim duhet të ketë. Por, së pari duhet ta reformojmë veten. Reforma, jemi ne. Ato janë në ne. Kush t’i bëjë reformat? Kush t’i zbatojë ato? Ndryshimet kozmetike nuk mund të quhen reforma. S’ka shkop magjik që e drejton drurin e shtrembët. Ç’pret prej një shoqërie ku injoranti merr titull akademik apo gradë shkencore, pa e ditur as edhe një gjuhë të huaj?! Dituria nuk është ekzibicionizëm, reklamë, propagandë dhe paraqitje në studiot televizive të qytezave tona. Si mund të sugjerohet ndarja e letërsisë dhe e gramatikës në dy lëndë të veçanta, derisa edhe fondi ekzistues i orëve, sidomos i atyre të gramatikës, nuk shfrytëzohet në mënyrë efektive?! Një prej reformave është kur nxënësi i shkëlqyeshëm do të bëhet mësues, i cili të ketë 1.000 euro rrogë dhe të punojë me nxënës të zgjedhur, në kushte shkollore bashkëkohore. Çdo njeri nuk duhet të ketë arsimim universitar. Ka njerëz me fakultet që mezi dinë të shkruajnë. Naimi thotë: …dhe dritë e diturisë, përpara do na shpjerë.
* * *
Ka perënduar koha kur për shqiptarët kërkonin dhoma gazi, kur brohoritej vdekje për shqiptarët, shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur. Ka kaluar koha e ksenofobisë, e antishqiptarizmit dhe e fyerjeve degutante. Janë klithmat e fundit të një ideologjie në shuarje. Është në të mirë të VMRO-së që të shkëputet nga ideologjia retrograde, anakronike dhe antihistorike. Nacionalizmi romantik i tipit të shekullit XIX, në qindvjeçarin XXI është anakronik. Në funksion të paqes dhe të stabilitetit të vendit dhe të rajonit, kjo parti duhet të reformohet sa më parë. Janë drithërimat e fundit të forcave të mundura. Një ditë mund të vijë puna që VMRO-ja, për të krijuar shumicën parlamentare, të kërkojë koalicion me ndonjë parti politike shqiptare. Cila do të ishte ajo parti shqiptare e cila do të bashkëqeveriste me një VMRO të këtillë?! Thuhej se me themelimin e Universitetit të Tetovës do të shembet bota, por s’ndodhi kjo. Po kjo, thuhej edhe për ndarjen territoriale. In ultima linea, mendim për Ligjin e përdorimit të gjuhëve le të japë Gjykata Kushtetuese apo Komisioni i Venecias.
Pala maqedonase duhet ta dijë se ka shumë shqiptarë që nuk pajtohen me shtrirjen e kufizuar të gjuhës shqipe. Në Zvicër, gjuha retoromane është gjuhë zyrtare, ndonëse retoromanët përbëjnë vetëm 4% të popullsisë së atij vendi. Shqiptarët në Maqedoni ndërkaq, përbëjnë rreth 30% të popullsisë dhe janë popull autokton. Rrjedhimisht, maqedonasit nuk mund të jenë mbartës të vetëm të shtetësisë, as trashëgues të vetëm të shtetësisë. Te të gjitha palët duhet të mbizotërojë arsyeja dhe jo veprimet irracionale. Të mos ushqehemi me mite dhe me legjenda. E ardhmja është sot.
Vigjilenca, puna me përkushtim, ndershmëria në punë, sakrifica, ideali, puna me përgjegjësi, niveli profesional, qasja profesionale, bashkëpunimi i ndërsjellë, dashuria për gjuhën dhe për kombin do të bëjnë të mundur jetësimin e aktit juridik për përdorimin e shqipes. Gjuha shqipe duhet të përdoret pikë për pike në të gjitha poret e shtetit, sikundër parashikohet me ligj. Është një moment historik për të cilin shqiptarët kanë sakrifikuar një shekull. Kryetari i RM-së – Ivanovi refuzoi nënshkrimin e ligjit dhe shkeli Kushtetutën e vendit. Tani për tani, ligji pret nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit të RM-së, si pjesë e procedurës për të hyrë në fuqi.