• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Search Results for: Children of the eagle

Pikniku Tradicional i Shkollës së Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” – Një ditë gëzimi, bashkimi dhe krenarie shqiptare

June 10, 2026 by s p

Nga Drita Gjongecaj/

Pikniku tradicional përmbyllës i Shkollës Shqipe ‘Children of the Eagle’ u organizua për të gjashtin vit radhazi në Ridge Road Park në Hartsdale, NY. Gjatë viteve të mëparshme, ky aktivitet është organizuar edhe në parqe të tjera të Westchester County, duke u shndërruar në një traditë të dashur për familjet e komunitetit tonë.

Pikniku i 6të vjetor u zhvillua vetëm një ditë pas ceremonisë festive “Në Gjuhën e Rrënjëve Tona”, ceremoni që u mbajt në ambientet e shkollës publike PS 108.

Tingujt e muzikës shqiptare shoqëruan gjatë gjithë ditës aktivitetin, duke i dhënë piknikut ngjyrat dhe shpirtin e festave tona tradicionale. Këngët dhe vallet shqiptare bashkuan fëmijë e të rritur në një atmosferë të ngrohtë, ku krenaria për trashëgiminë tonë kulturore ndihej në çdo cep të festës. Ishte një ditë ku gjuha shqipe dëgjohej natyrshëm, ku fëmijët luanin së bashku dhe ku familjet ndanin jo vetëm ushqimin, por edhe përvojat, kujtimet dhe shpresat për të ardhmen e komunitetit tonë.

Programi i ditës ofroi aktivitete për të gjitha grupmoshat. Një nga momentet më argëtuese ishte ndeshja miqësore e volejbollit mes mësueseve dhe prindërve nga njëra anë, dhe nxënësve më të rritur nga ana tjetër. Loja u zhvillua në një atmosferë plot energji, humor dhe frymë bashkëpunimi, duke krijuar momente të bukura që afruan edhe më shumë brezat brenda komunitetit tonë.

Ndërkohë, fëmijët më të vegjël shijuan lojërat e ndryshme në këndin e lojërave të parkut, ku të qeshurat dhe entuziazmi i tyre i dhanë gjallëri aktivitetit. Krahas lojërave, ata patën mundësi të angazhoheshin edhe në veprimtari krijuese artistike, duke krijuar piktura me bojëra dhe buqeta me lule. Përmes këtyre punimeve, fëmijët shprehën imagjinatën, kreativitetin dhe preferencat e tyre për ngjyrat, duke sjellë krijime të veçanta që pasqyronin botën e tyre të pasur dhe plot fantazi.

Një falënderim i veçantë shkon për dy biznese shqiptare që treguan edhe një herë mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj misionit të “Children of the Eagle”. Restoranti Besa Grill, përmes bujarisë së pronarit Tony (Tush) Musaj, si dhe Sofra Tropojane, me pronare Majlinda Tafaj, dhuruan ushqim për pjesëmarrësit e piknikut, duke kontribuar në mënyrë domethënëse në suksesin e aktivitetit. Mbështetja e tyre nuk është thjesht një kontribut material; ajo pasqyron besimin dhe vlerësimin që ata kanë për punën e shkollës dhe për përkushtimin e stafit të “Children of the Eagle” në edukimin e brezit të ri. Ata kanë qenë vazhdimisht miq të shkollës sonë dhe një shembull i bukur i mënyrës se si bizneset shqiptare mund të kontribuojnë në forcimin e komunitetit.

Mirënjohje të veçantë meritojnë edhe mësueset tona, të cilat jo vetëm që kanë punuar me përkushtim gjatë gjithë vitit shkollor, por sollën edhe ushqime e ëmbëlsira për t’i ndarë me të gjithë pjesëmarrësit. Ky gjest i thjeshtë, por tepër domethënës, pasqyron frymën familjare që karakterizon shkollën tonë dhe marrëdhëniet e ngrohta që janë krijuar mes stafit, nxënësve dhe familjeve.

Pyetja që dëgjuam më shpesh nga prindërit, por sidomos nga fëmijët gjatë këtyre dy ditëve, ishte: “Kur do të fillojë viti i ri shkollor?”

Kjo pyetje ishte ndoshta treguesi më i bukur i suksesit të programit tonë. Ajo dëshmoi se fëmijët tanë nuk e shohin shkollën shqipe thjesht si një vend mësimi, por si një hapësirë ku ndërtojnë miqësi, forcojnë identitetin e tyre dhe ndihen krenarë për gjuhën dhe kulturën që trashëgojnë nga prindërit e tyre.

Falënderojmë nga zemra secilin që ishte pjesë e këtyre dy ditëve të veçanta, piknikut përmbyllës dhe ceremonisë “Në Gjuhën e Rrënjëve Tona”.

Le të punojmë akoma më ngushtë së bashku për të përcjellë te fëmijët tanë vlerat, gjuhën dhe kulturën shqiptare që do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Filed Under: Komunitet

Presidenti i Shqipërisë në Shkollën e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” në New York: një ditë e mbushur me krenari dhe emocion

September 28, 2025 by s p

Nga Drita Gjongecaj

NY, 27 shtator, 2025/

Një ditë e veçantë dhe plot emocion u shënua në historinë e komunitetit shqiptar në Bronx, sot kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Shkollën Shqipe “Children of the Eagle” në Neë York. Kjo vizitë solli momente të paharruara dhe krenari e emocion për nxënësit, prindërit dhe mësuesit.

Presidenti shoqërohej nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, nga Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Suela Janina dhe Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati. Në këtë veprimtari mori pjesë edhe drejtoresha e shkollës publike PS 108, znj. Stefania Cedrola Mustafa, e cila vlerësoi punën e veçantë të shkollës shqipe dhe inkurajoi nxënësit që të vazhdojnë të ndjekin programin si një rrugë për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë së tyre kulturore.

Aktiviteti nisi me këndimin e Himnit Kombëtar, duke i dhënë veprimtarisë solemnitetin që meritonte.

Presidenti përshëndeti pjesëmarrësit, duke vlerësuar punën e palodhur të shkollës dhe rëndësinë që ka të mësuarit e gjuhës shqipe dhe ruajtja e kulturës kombëtare. Ai falenderoi mësuesit, familjarët, vetë nxënësit, si dhe drejtuesen e shkollës.

“Dua me këtë rast të falenderoj në mënyrë të vecantë zonjën Drita Gjongecaj për përkushtimin e palodhur, vizionin dhe lidershipin e saj. Falë saj dhe punës së kolegëve, por kuptohet edhe ju si familjarë, kjo shkollë është një shembull dhe një tempull i identitetit shqiptar këtu në zemër të Nju Jorkut.”

Më tej, Presidenti vazhdoi:

“Kur fëmijët tanë flasin shqip, ata nuk mësojnë vetëm gjuhën po mësojnë një pjesë të një populli që ka mbijetuar falë dashurisë ndaj atdheut, falë kulturës së tyre.

Të dashur fëmijë, ju jeni fëmijët e shqiponjës. Kudo që jeta do t’u cojë, mos harroni se shqiponjat fluturojnë shumë, shumë lart por shqiponja kurrë nuk e harron ku e ka folenë. Dhe ju sot jeni ata të cilët do të keni dy kultura, dy gjuhë dhe dy atdhe, Shqipërinë dhe Amerikën. Kjo është forca juaj për të ardhmen, kjo është pasuria juaj më e madhe dhe do t’u hapë dyert kudo në jetë.

Ju falenderoj shumë nga zemra që mbani gjallë gjuhën, traditat dhe vlerat tona. Uroj që kjo shkollë me dashurinë e përkushtimin e këtyre mësuesve, me dashurinë dhe përkushtimin tuaj si prindër do të vazhdojë të rritet, të frymëzojë dhe të udhëheqë jo vetëm këtë brez kaq të mirë që mëson por shumë e shumë breza të tjerë të cilët do të jetojnë në NY e më gjerë.”

Fjalën e Tij, Presidenti e mbylli duke vecuar me entuziazëm moton e Shkollës së Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle”, moto të cilën kjo shkollë e mban si një mesazh të fuqishëm për gjeneratat e reja:

Shqip do flas e shqip do shkruaj,

Edhe pse jam ne dhe të huaj,

Gjuhë të nënës shqipen e kam,

Jam krenar që shqiptar jam!

Me interes e dashamirësi u prit edhe fjala e drejtoreshës së shkollës publike, Stefania Mustafa. Ndër të tjera, ajo tha: “Ky program është më shumë sesa mësimet që zhvillohen në fundjavë. Ky është një urë midis brezave, festim i trashëgimisë dhe një mundësi për nxënësit tanë që të përqafojnë gjuhën, traditën dhe vlerat e Shqipërisë ndërsa rriten këtu në qytetin e Nju Jorkut. Duke mësuar këngë, valle, histori dhe letërsi, fëmijët tanë jo vetëm që forcojnë kulturën e tyre shqipe, por edhe pasurojnë strukturën e larmishme të të gjithë komunitetit tonë shkollor.”

Ndërkohë, znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe drejtore e Shkollës “Children of the Eagle”, njëkohësisht zv/drejtore në një nga shkollat publike amerikane në NY, shprehu vlerësimin për vizitën e Presidentit dhe risolli në vemendjen e të pranishmve dy arritjet historike të muajve të fundit:

“Do të doja të rikujtoja vetëm dy arritje historike të komunitetit shqiptar në lidhje me gjuhën shqipe këtë vit. Kjo jo vetëm si iniciatore dhe hartusese e propozimit për programin dygjuhësor (Dual Language) por edhe për faktin se të dy këto arritje shënuan institucionalizimin e shqipes në metropolin e madh, duke i dhënë asaj vendin e respektuar në një sistem prej rreth 1 milion studentësh të arsimit parauniversitar.

Njëra arritje është hapja e klasës dygjuhësore shqip-anglisht për herë të parë jo vetëm në NY por edhe në botën mbarë në modelin e dyanshëm të mësimit të gjuhës. Natyrisht qëllimi dhe puna do të përqëndrohen në shtrirjen e programit në shkolla dhe lagje (boroughs) të tjera në Qytetin gjigand të Nju Jorkut.

Arritja e dytë, në rrang më të gjerë se sa programet shkollore, është ajo që gjuha shqipe është miratuar si gjuhë zyrtare e komunikimeve të Bordit Arsimor të Shkollave Publike në NY.”

Znj. Gjongecaj e mbylli fjalën e saj me premtimin se puna e pandërprerë dhe e përkushtuar e mësuesve të Shkollës së Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” do bëjë të mundur që këta nxënës të jenë ambasadorë të vendit tonë kudo që shkelin. Për më tepër, me zotërimin e dy gjuhëve dhe formimin si qytetarë globalë, ata do mund të përfaqësojnë vendin e prejardhjes edhe jashtë Amerikës dhe pse jo, në rolin e mirëfilltë të Ambasadorit në Amerikë, Evropë apo diku tjetër.”

Një grup nxënësish përshëndetën dhe falënderuan Presidentin për vizitën dhe librat e dhuruar, duke treguar me fjalë të thjeshta pse ata duan të mësojnë shqip. Programi u pasurua me recitime nga nxënësit Niko, Fatjon dhe Joana ndërsa fëmijët valëvitnin flamujt e vegjël kuqezi.

Me një gjest simbolik, Presidentit iu dhurua bluza e shkollës me emrat e të gjithë nxënësve. Në një atmosferë të ngrohtë e të afërt, Ai u ul mes fëmijëve, bëri fotografi me ta dhe i përgëzoi për dëshirën dhe përpjekjet që tregojnë në mësimin e gjuhës së prejardhjes. Rradhët e gjata të prindërve dhe fëmijëve për të fiksuar një kujtim pranë Presidentit treguan emocionin dhe rëndësinë e këtij takimi të ngrohtë.

Kjo vizitë do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit shqiptar në Bronx, si një dëshmi e lidhjes së fortë mes Shqipërisë dhe bijve të saj në mërgatë, por edhe si një shtysë e re për fëmijët që të rriten krenarë për origjinën e tyre dhe të formohen si qytetarë globalë, të gatshëm të kontribuojnë si në vendin ku jetojnë, ashtu edhe në atdheun e tyre.

Filed Under: Reportazh

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi përfundimin e vitit shkollor

June 9, 2025 by s p

Drita Gjongecaj/

Më 8 qershor Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi përfundimin e vitit shkollor me një piknik të mrekullueshëm në natyrë! Nën qiellin e kthjellët të Parkut Ridge Road të Westchester County, me muzikë shqiptare, valle, lojëra krijuese, sporte, ushqime tradicionale dhe buzëqeshje të pafundme, stafi i kësaj shkolle tregoi edhe një herë sa bukur është të ruash identitetin duke bashkëjetuar me kulturat e tjera në një qytet shumëngjyrësh si Nju Jorku.

Nxënës dhe prindër, miq dhe kolegë nga Shoqata dhe Shkolla Shqipe “Skenderbej” i dhanë një ngjyrë të vecantë aktivitetit tashmë tradicional të cdo fundviti shkollor nën drejtimin e Organizatës Dy-Gjuhësore AADLC. Një ditë e mbushur me kuptim, ku pjesëmarrësit e kthyen parkun në një skenë të gjallë të kulturës shqiptare dhe bashkëjetesës në metropolin shumëkulturor, Nju Jork.

Gjatë gjithë ditës u zhvilluan aktivitete që i afruan pjesëmarrësit me njëri-tjetrin: lojëra krijuese dhe sportive për fëmijët, ndeshje emocionuese nxënës – mësues në vollejboll, vizatime të figurave të preferuara në fytyrat e ëmbla të fëmijëve (face painting), muzikë e valle tradicionale shqiptare, si dhe një tryezë plot me ushqime tradicionale të përgatitura me dashuri.

Pikniku nuk ishte vetëm një festë përmbyllëse, por një dëshmi e fuqishme e asaj që na bashkon si komunitet në kontinentin e largët: dëshira për të ruajtur identitetin tonë kulturor, për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes brezash, dhe për të kontribuar në një shoqëri të hapur, të larmishme e të bashkuar.

Një falënderim nga zemra për të gjithë pjesëmarrësit, për komunitetin që na mbështet dhe sidomos për mësuesit tanë vullnetarë, që me pasion e përkushtim i japin jetë misionit tonë.

Një falenderim i veçantë edhe për miqtë dhe kolegët nga Shoqata partnere Skenderbej që e bënë edhe më domethënës këtë aktivitet.

Mezi presim të mblidhemi sërish me akoma më shumë nxënës në shtator për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën tonë në diasporë. Sfida dhe projekte të reja na presin 🇦🇱

Filed Under: Reportazh

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” shpalosin krenarinë shqiptare në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

February 26, 2025 by s p

Drita Gjongecaj

New York, 23 shkurt, 2025/

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është kthyer në një ditë manifestimi të gjuhës sonë të bukur për Shkollën Shqipe “Children of the Eagle” në zemër të Nju Jorkut. Mësues, nxënës, prindër dhe miq të kësaj shkolle prej vitesh mblidhen së bashku në njě festë ku krenaria e identitetit shfaqet fuqishëm nëpërmjet këngës, recitimeve, e valleve shqiptare interpretuar nga vetë nxënësit e saj.

Lindur e rritur larg trojeve të origjinës dhe në një mjedis ku mbizotërojnë gjuhë të tjera, mësimi i shqipes nuk është i lehtë për ta. Por sot, duke dëgjuar zërat e tyre kuptojmë se ata e mbajnë këtë gjuhë të gjallë. Prandaj, kjo nuk është vetëm një festë për ta, por edhe për prindërit dhe mësuesit që punojnë çdo ditë për ta mbajtur shqipen pjesë të identitetit të tyre.

Tre nga kontribuesit e palodhur në misionin e shenjtë të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit u vlerësuan me mirënjohje nga z. David Tubiolo, Westchester Board Legislator dhe Organizata e Dy Gjuhëve dhe Kulturave Paralele Shqiptaro Amerikane (AADLC).

-Life Buzhiqi, mësuese dhe bashkëdrejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” në Yorktown Heights.

-Blerim Gjocaj, Koordinatori i Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” në Bronx, njëkohësisht Luftëtar i UÇK.

-Majlinda Tafaj, mbështetëse e vazhdueshme dhe ish mësuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” në Bronx.

Duke falenderuar pjesêmarrêsit, znj. Drita Gjongecaj, drejtuese dhe njëkohësisht themeluese e shkollës, theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe tek fëmijët dhe të rinjtë jashtë kufijve të atdheut. “Gjuha është thesari ynë i përbashkët dhe lidhja jonë e përjetshme me identitetin, kulturën dhe historinë tonë,” u shpreh ajo.

Në mënyrë simbolike, fëmijët u dhuruan nga një trëndafil mësueseve Mirjana Lukiç, Yllka Gashi, Zeta Gjonbalaj, Merita Gosturani, Life Buzhiqi, Shqipe Shabaj, Drilona Sadikaj, Arlinda Hysenukaj, dhe Myzejene Sadikaj. Janë këto mësuese që punojnë me shumë profesionalizëm, dashuri e përkushtim (disa prej vitesh) që gjuha të mos mbetet vetëm kujtim i së kaluarës, por të jetë një pjesë e fortë e të ardhmes së fëmijëve tanë, pavarësisht se ku ndodhen në botë.

Programi artistik solli një kombinim të mrekullueshëm të këngëve dhe poezive shqipe, të interpretuara me pasion nga nxënësit e të gjitha moshave. Poezitë e recituara nga Fatjon Gjocaj, Fatjona, Joana, Forta, Niko, Anesa, Alfons, Anja, Ina, Janina, Aulona, Roela, Altea, Michelle, Miana, dhe Adam u shoqëruan me duartrokitje inkurajuese nga të gjithë të pranishmit.

Nxënësi Arsi Buzhiqi shoqëroi me daulle kërcimet e bukura të grupit të valleve dhe solisteve Anja Buzhiqi me Vallen Matjane, Anesa Leci dhe Fatjona Gjocaj me Vallen e Rugovës, dhe Joana e Klaudia Koka me Vallen Mirditore.

Ajo që binte në sy ishin gjithashtu veshjet tradicioanale, shumëngjyrëshe e shumë të bukura të krahinave të ndryshme që shtonin krenarinë në fytyrat e nxënësve. Përgatitur nga mësuesja Drilona Sadikaj dhe me një interpretim shumë të bukur, vajzat kërcyen nën tingujt e këngës “Shqipe me Dy Krena”, vallen Pogonishte, etj, si dhe Vallen e Tropojës, përgatitur nga mësuese Majlinda Tafaj. Fjalët domethënëse të këngës “Po Festojnë Shqiponjat” kënduar nga nxënësja Ina Papa me zërin e saj të bukur sollën një emocion tjetër tek të pranishmit.

Grupi muzikor me artistët profesionistë Novi dhe Klodiana Hasani të shoqëruar nga Dritan Papa mbajtën gjallë një atmosferë festive me ritmet magjike të muzikës popullore e deri tek modernet, ritme që u shoqëruan me pasion nga vallëzimet e të pranishëmve në aktivitetin festiv.

Ky event tregoi se gjuha shqipe nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një pasuri shpirtërore që mbledh breza dhe forcon ndjenjën e përkatësisë. Në sytë e nxënësve, mësuesve dhe prindërve reflektohej një dritë krenarie, një dritë që premton një të ardhme ku shqipja do të vazhdojë të dëgjohet dhe të ruhet me dashuri dhe përkushtim.

Faleminderit të gjithë fëmijëve që na frymëzojnë me talentin dhe entuziazmin e tyre.

Faleminderit prindërve që i mbështesin në këtë rrugëtim dhe mësuesve që me dashuri e përkushtim e bëjnë këtë mision të mundur.

Një falënderim i veçantë për vendin ku jetojmë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që na japin mundësinë dhe lirinë për të ruajtur dhe trashëguar gjuhën e identitetin tonë. Është pikërisht kjo liri dhe diversiteti kulturor që na mundëson të organizojmë programe të shkollës shqipe, të festojmë traditat tona dhe t’u mësojmë brezave të rinj krenarinë e të qenit shqiptar. Ky është një shembull i bukur i bashkëjetesës dhe respektit për kulturat e ndryshme, për të cilin jemi mirënjohës.

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës së Nënës!

Filed Under: Komunitet

10 vite AADLC dhe “Children of The Eagle”

March 13, 2024 by s p

Nga Arjeta Ferlushkaj Kotrri/

Me 2 mars, 2024, në orën 6:30, në “Royal Regency” në Yonkers, NY, u mbajt nje mbrëmje Gala me rastin e 10-vjetorit të organizatës “Albanian-American Dual Language and Culture” (AADLC) si dhe shkollës shqipe “Children of The Eagle”. Organizatorë të kësaj ngjarjeje kulturore ishin vetë organizata AADLC dhe shkolla “Children of The Eagle”, me në krye themeluesen dhe drejtuesen e saj, znj. Drita Gjongecaj. Ky aktivitet është menduar të bëhet edhe në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhëm Amtare, e cila tradicionalisht është festuar çdo vit nga AADLC-ja dhe shkolla “Children of The Eagle”.

E ftuar nderi në këtë mbrëmjë festive ishte znj. Emina Çunmulaj Nazarian, ish-modele me famë botërore, filantropiste dhe Konsulle Nderi e Republikës së Shqipërisë në Florida. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre figura shumë të njohura e të suksesshme nga komuniteti shqiptar në SHBA, si: z. Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe ish-këshilltar i Bashkisë së NY; znj. Emiljana Ulaj, e zgjedhur në vitin 2023 ligjvënëse në Westchester County; znj. Violeta Berisha, kryetare e Bashkisë në Fairview, NJ si dhe fotografi i mirënjohur z. Fadil Berisha. Gjithashtu, nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe ish-presidentja e Kosovës znj. Ahtifete Jahjaga dhe znj. Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

Mbrëmjen e hapi moderatorja e aktivitetit znjsh.Kristinë Saliasi, ish-mësuese e shkollës “Children of The Eagle”, e cila përshendeti të pranishmit dhe në mënyrë të veçantë të ftuarit e nderit. Znjsh. Saliasi i falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, të gjithë mësuesit dhe fëmijët që kanë punuar për këtë event dhe ftoi të gjithë të pranishmit të ngriheshin në këmbë në nderim të dy himneve: amerikan dhe shqiptar, ku himni shqiptar u performua nga këngëtarët Dionis Delia dhe Argjend Lloga.

Më pas, fjala iu dha znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe drejtuese e AADLC-së dhe e shkollës “Children of The Eagle”. Znj. Gjongecaj falendëroi të pranishmit që zgjodhën të kalonin këtë natë festive së bashku, duke qenë se muaji shkurt dhe mars janë muaj të ngarkuar në komunitetin shqiptar në SHBA. Ndër të tjera, zonja Gjongecaj tha: “Kur e filluam këtë rrugëtim, nuk e menduam se do të vinim deri këtu, me këto rezultate që na bëjnë krenarë. Ne kemi mësues që janë të licensuar në shkollat publike të New York-ut dhe ky grup mësuesish, me pasionin dhe përkushtimin e tyre, iu vunë punës që të trashëgojnë tek brezat e rinj gjuhën dhe kulturën shqiptare në shërbim të ruajtjes së identitetit tonë”. Znj. Gjongecaj i falenderoi prindërit e nxënësve, pa ndihmën e të cilëve nuk do të bëheshin shumë hapa para. Ajo përmendi edhe rëndësinë që ka mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptaro-amerikanë, jo vetëm në aspektin personal por edhe profesional, duke i parë ata si kandidatë të kualifikuar për ambasadorë të SHBA-ve në Shqipëri, etj. Zonja Gjongecaj tha se përveç punës me fëmijët, shkolla dhe organizata që ajo drejton i ka kushtuar dhe i kushton vëmendje edhe kualifikimit të mësuesve, në mënyrë që mësimi të zhvillohet me metoda bashkëkohore dhe me standarde të larta.

Më pas, znj. Gjondrecaj e ftoi zonjën Emina Çunmulaj Nazarian për fjalën e saj të rastit. E ftuara e nderit, znj. Çunmulaj falenderoi znj. Gjongecaj për ftesën dhe më pas përshëndeti të ftuarit, duke iu drejtuar me fjalë zemre: “Ju ndoshta mund të dini për karrierën time në fushën e modës por sot mund të më ndiqni në rrjete sociale edhe për angazhimet e mia në komunitet po ashtu edhe si nënë e tre fëmijëve, të cilët të tre flasin gjuhës e nënës, gjuhën shqipe”. Znj. Emina la porosinë që të mos harrojmë se çfarë duhet të lëmë tek fëmijët tonë mbrapa, sepse “ajo kulturë që ne e përcjellim tek fëmijët tanë, shpresojmë që edhe ata pastaj ta transmetojnë tek fëmijët e tyre. Zonja Çunmulaj shprehu falendërimet për znj. Ahtifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës, për punën e palodhur ndaj komunitetit shqiptar dhe për praninë e saj në këtë event. Ajo gjithashtu nuk kishte si të mos falenderonte edhe mikun e saj të vjetër, fotografin e mirëjohur z. Fadil Berisha. Pjesë e falenderimeve të saj ishin edhe z. Mark Gjonaj, znj. Violeta Berisha, znj. Remzie Istrefi, etj.

Më pas fjala iu dha z. Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinativ të Diasporës, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, falenderoi znj. Gjongecaj për punën që bën në mbajtjen gjallë të gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe për edukimin e fëmijëvë tanë. Z. Gjonaj përshëndeti dhe kërkoi nderim për të gjitha gratë që kanë role të rëndësishme në shërbim të komunitetit si dhe të gjithë mësuesit. Ai gjithashtu falëndëroi edhe prindërit që iu mundësojnë fëmijëve të ndjekin mësimet në gjuhën shqipe.

Mbas përshëndetjeve të rastit, të pranishmit patën mundësinë të ndjekin një koreografi të ideuar nga vetë stafi organizativ dhe performuar nga nxënësit e shkollës “Children of The Eagle” nën tingujt e këngës “Thrret Prizreni mori Shkodër”, kënduar nga Barbana Dini.

Një tjetër moment i këtij aktiviteti ishte edhe vlerësimi dhe mirënjohja për mbështetësit e vazhdueshëm të AADLC-së dhe shkollës “Children of The Eagle” në këtë rrugëtim 10-vjeçar, vlerësim që kishte si motivacion: “Për kontributin dhe lidershipin e AADLC në shërbim të ruajtjes së gjuhës e kulturës amtare”.

U vlerësuan me këtë mirënjohje individë dhe organizata: “Albanian American Women’s Organization Motrat Qiriazi” (AAWOMQ), çmim i cili u terhoq nga znj. Beti Beno, kryetare e shoqatës, e cila u shpreh: “Në emrin tim dhe të bordit drejtues të organizatës, ju shpreh mirënjohjen dhe falenderimin për AADLC-në dhe shkollën “Children of The Eagle” për të gjithë punën e bërë në misionin fisnik të mësimit të gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë. Edhe pse mijëra kilometra larg mëmëdheut, vogëlushët shqiptarë mësojnë falë jush gjuhën e bukur shqipe, historinë e lashtë të popullit shqiptar si dhe kulturën dhe traditat tona të mrekullueshme”. Z. Pashko Camaj tërhoqi vlerësimin në emër të Federatës “Vatra” dhe u shpreh: “I nderuari, nderon, kështu që faleminderit znj. Drita për mirënjohjen. Puna që bëni ju është pikërisht ajo që ka si mision edhe “Vatra”, pra ruajtja e vlerave tona kombëtare dhe traditat tona që mos t’i lëmë te jenë vetëm një relike”. Z. Adem Belliu, i cili tërhoqi vlerësimin për “Albanian Culture TV”, u shpreh: “Ju përgëzoj për këtë organizim profesional dhe faleminderit për vlerësimin. Ne si TV do të jemi gjithnjë afër jush”. Z. Tony Musaj tërhoqi vlerësimin për organizatën “Open Hand Association”. Dy vlerësimet e fundit ishin për anëtaret e Bordit Drejtues të AADLC-së: znj. Marjana Bulku Zeneli dhe znj. Arjeta Ferlushkaj Kotrri. Zonja Bulku, u shpreh: “Ndjehem e lumtur që “Children of The Eagle”, nga një projekt i shumë viteve më parë, sot është një realitet që ka sjellë shumë vlera në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe e ka rritur intelektualizmin patriotik në diasporë; e dyta, ndihem e nderuar që Drita, mikja ime e pazëvëndësueshme, më vlerëson, vlerësim që në fakt është i të gjithëve ju”. Znj. Arjeta Ferlushkaj Kotrri u shpreh shkurtimisht: “Shpresojmë që me punën tonë, kemi ditur dhe do të dijmë që të vijme tek zemrat e juaja, për të gjithë ju”.

Një segment tjetër interesant ishte edhe momenti kur nxënësit e shkollës “Children of The Eagle” recituan poezi për gjuhën shqipe, gjë që elektrizoi atmosferën në sallë.

Pjesë e këtij eventi ishte edhe vlerësimi i mësuesve të shkollës “Children of The Eagle”, përgjatë këtyre 10 viteve, me motivacionin: “Për kontributin në ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe te fëmijët e diasporës”. Vjosa Nikci, një nga mësueset e para të kësaj shkolle si dhe Cindy Sylaj, koordinatorja e parë e shkollës, përshëndetën të pranishmit dhe shprehën emocionet dhe mirënjohjen e tyre për vlerësimin e bërë. Mësuesit që morën çmimet e mirënjohjes ishin: Mirjana Lukic, Vjosa Mujaj Nikci, Cindy Sylaj, Hegland Doci, Saimira Bebja Ballabani, Blerim Gjocaj, Life Buzhiqi, Yllka Gashi, Merita Gosturani, Zetë Gjonbalaj, Shqipe Shabaj, Ornela Hasandocaj, Kristine Saliasi. Majlinda Tafaj dhe Ferzileta Gjika.

Gjithashtu, të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues të AADLC-së dhe shkollës “Children of The Eagle” u vlerësuan me Proklamatë Nderuese nga Bordi i Legjislatorëve të Westchester County: Mirjana Lukic, dr. Azeta Kola, Marjana Bulku, Arjeta Ferlushkaj Kotrri dhe Hegland Doci.

Organizuesit kishin menduar edhe hedhjen e shortit (Raffle), nga ku u mbështet prej bizneseve shqiptare si: Brucaj Eyewear, Shoppingforluxury, Art by Eralda, Posh Beauty Boutique, Aurora Beauty Salon, Alba CPA Associates, Ana’s Bakery, prindërit e nxënëses Eva Byberi, etj. Në këtë short u dhurua edhe libri “The Old Bridge” nga autorja Arjeta Ferlushkaj si dhe tri vende për të ndjekur në verën e 2024 programin BALI (në Hunter College).

***

Organizata “Albanian American Dual Language and Culture” dhe shkolla shqipe “Children of The Eagle” me në krye znj. Drita Gjongecaj, ka si mision formimin e programeve gjithëpërfshirëse dy-gjuhësore për fëmijët me origjinë shqiptare në SHBA, me synimin që të sigurojë arritje të larta akademike edhe në shqip, edhe në anglisht. Bordi drejtues i saj përbëhet nga përfaqësues të kualifikuar në fushë të arsimit, letërsisë, kulturës, etj. Shkolla shqipe “Children of The Eagle”, fillimisht e ka ushtruar aktivitetin e saj vetëm në Bronz ndërsa tani është e shtrirë edhe në zonën e Westchester County, Eastchester dhe New Rochelle. Nxënësit e kësaj shkolle janë nga mosha 4 e deri 15 vjeç. Kjo organizatë, bashkë më shkollën e saj organizojnë dhe janë pjesë e aktiviteteve të ndryshme në komunitetin shqiptar në SHBA. Është bërë tashmë thuajse i përvitshëm edhe mbajtja e seminarit shkencor me temë: “Arritje dhe perspektiva të mësimit të gjuhës amtare në shkollat shqipe në diasporë”, tema e te cilit shërbeu si titull i librit të botuar nga kjo organizatë në shtator të vitit 2021 në New York.

AADLC dhe shkolla “Children of The Eagle” është vlerësuar me çmime nga Këshilli Bashkiak i NY City dhe Këshilltar, z. Mark Gjonaj, AAWO “Motrat Qiriazi”, nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, nga Bordi i Ligjvënësve në Westchester County si dhe nga Festivali i Shkollave Shqipe në zonën e tri-shtetëshit New York-New Jersey-Connecticut.

Filed Under: Reportazh

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS, REPUBLIKA E SHQIPËRISË DHE REPUBLIKA E KOSOVËS – NJË ALEANCË E MIQËSI E PËRJETSHME
  • Shqiptarët në New York mund të votojnë në gjuhën shqipe
  • Në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut u nderua Ambasadori Blerim Reka
  • Revolucioni “Forca e të Vërtetës” – Fryma Perëndimore dhe Rruga drejt një Shqipërie Evropiane
  • 13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN I MASSACHUSETTS
  • Kujtojmë me nderim albanologun e shquar francez Pierre Cabanes në ditën e ndarjes nga jeta
  • DRITA E PËRNDRITËSHME E SHÊJZAVE TË KOLIQIT
  • FAN NOLI, AT GJERGJ FISHTA, FAIK KONICA DHE AMERIKA NË 250-VJETORIN E SAJ
  • Fshirja e trashëgimisë kulturore dhe historike e Çamërisë dhe ndryshimet toponimike – shprehje e qartë e negacionizmit të qeverisë greke
  • KUR JETA BËHET DOKUMENT HISTORIE
  • SHQIPTARËT NUK DUHET TË LEJOJNË PËRMBYSJEN E SISTEMIT TË VLERAVE
  • TIRANA USHTON: POSHTË KOMUNIZMI!
  • Protesta “Made in Albania”…
  • JOHN FITZGERALD KENNEDY: PRESIDENTI QË E BËRI NJË BREZ TË BESONTE SE MUND TË NDRYSHONTE BOTËN
  • Gëzuar 114-vjetorin e VATRËS!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT