Autoriteti i Dosjeve/
Dokumentari “𝐅𝐥𝐮𝐭𝐮𝐫𝐚𝐭” u shfaq premierë në kinema “Millennium”, më 30 gusht, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, duke bërë bashkë në sallë qindra të mbijetuar, familjarë, përfaqësues të institucioneve homologe dhe partnere të Autoritetit, përfaqësues të komunitetit artistik në vend, grupe të interesit, përfaqësues të pushtetit qendror e vendor, trupit diplomatik e medias.
“𝐅𝐥𝐮𝐭𝐮𝐫𝐚𝐭” e regjisorit Bujar Alimani ndjek përmes një spiraleje gjithëpërfshirëse historitë e 𝟐𝟏 𝐯𝐚𝐣𝐳𝐚𝐯𝐞 që i mbijetuan internimeve me breza në Gradishtë e Savër të Lushnjës. Regjisori dhe ekipi i tij i kanë intervistuar në vende të ndryshme të globit ku ata jetojnë sot, nga SHBA në Kanada dhe nëpër Europë, duke bërë bashkë në një mozaik të zgjeruar, rrëfimet e tyre për jetën që e nisën në internim, në Savër e Gradishtë.
Pas mbylljes së kampit me tela me gjemba të Tepelenës në 1952, familjet e internuara u transferuan për në fshatrat e Lushnjës, ku shkuan jetën me brezni, të dënuara e të ndëshkuara kolektivisht që në lindje, të etiketuar si “armiq të popullit”.
Historitë e përditshme të mbijetesës, rezistencës, solidaritetit dhe humanizmit, të jetuara në hapësirat e kufizuara të jetesës, por jo të mendimit, zbërthejnë përmes vajzave e grave, Shqipërinë që i rezistoi diktaturës, i mbijetoi asaj dhe u ringrit.
E shkuara dhe e sotmja shkrihen në rrëfime e përjetime, por drita e “fluturave” është e dukshme, ata janë modele të triumfit të jetës mbi të keqen.
Sipas regjisorit Alimani, “ishte e rëndësishme për filmin që “𝐅𝐥𝐮𝐭𝐮𝐫𝐚𝐭” të paraqiteshin me të gjithë dimensionin e tyre, qëndrimet, personalitetin, kujtimet, qasjen ndaj jetës e sfidave, dhe të sillnin në mënyrën e tyre ngjyrat, historitë e mesazhet që janë përballje e dinjitetshme me totalitarizmin.”
Në vijim e morën fjalën të mbijetuarat Shpresa Kaloshi, Lindita Ndreu Aliçka, Floreta Kaloshi dhe Ritvana Mena, e cila e vuri theksin te rëndësia e kujtesës për shoqërinë e sotme dhe brezat e rinj, për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme të së nesërmes, të bazuar mbi vlera dhe vetëdije qytetare.
Znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, falënderoi regjisorin Alimani dhe të mbijetuarat e pranishme në premierë për mesazhet e forta që përcollën, po ashtu për leksionet e qytetarisë e humanizmit dhe premtoi që, krahas punës së përditshme të Autoritetit për vënie dokumentacioni në dispozicion, do të vijojë bashkëpunimin me partnerë për zbardhje të së shkuarës.
“𝐅𝐥𝐮𝐭𝐮𝐫𝐚𝐭”është i pari i një serie dokumentarësh të regjisorit Alimani, që trajtojnë diktaturën komuniste në vend, duke vlerësuar mendimin ndryshe dhe dinjitetin njerëzor.
Dokumentari do të shfaqet në vend dhe ndërkombëtarisht, për të rritur ndërgjegjësimin për krimet e komunizmit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, për të inkurajuar dialog me universitetet, akademikët, komunitetet vendore, të mbijetuarit e familjarët e tyre, mediat dhe publikun e gjerë.
642
People reached
14
Engagements
44