
U administruan 6 ankesa për pretendime dhune gjatë ditës së 20 tetorit, të gjitha në Bllokun e Sigurisë.
Pamjet filmike të publikuara nga protesta ngrenë shqetësime për tërheqje zvarrë dhe goditje me shkopinj gome.
Në Spitalin e Traumës, një person i arrestuar qëndronte ende i shtruar, i prangosur në krevat, ndërsa një punonjës policie ishte në dhomë. Ai pretendoi se u dhunua gjatë arrestimit dhe kishte dëmtim të madh në sy.
Gjatë inspektimit në Bllokun e Sigurisë u konstatua se në dhoma të destinuara për një person qëndronin 3 deri 4 persona. Sipas raportimit, të paktën dy persona flinin në dysheme.
Kapaciteti zyrtar i Bllokut të Sigurisë është 67 persona, ndërsa ne gjetëm aty 118 të arrestuar.
Gjatë monitorimit morëm kontakt me 6 të mitur. Por në Bllokun e Sigurisë, ku mbahen, nuk arritëm të identifikojmë dhomë të veçantë për fëmijët. Ankesat e administruara lidheshin me kufizimet për kontaktin me familjen dhe avokatin, si dhe mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje.
Ne dënojmë çdo akt dhune, nga kushdo që vjen. Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë publike dhe, në çdo ndërhyrje, të përdorë forcën vetëm kur është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale.
𝗡𝗴𝗮 𝗣𝗼𝗹𝗶𝗰𝗶𝗮 𝗲 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁 𝗸𝗲̈𝗿𝗸𝗼𝗷𝗺𝗲̈:
• Ruajtjen e menjëhershme të pamjeve filmike të protestës, të komisariateve dhe të Bllokut të Sigurisë, dhe instalimin e kamerave në çdo ambient shoqërimi dhe zyrë, me ruajtje të pamjeve.
• Vënien në dispozicion të urdhrave, regjistrave dhe të dhënave për bazën e shoqërimit, kohëzgjatjen dhe identitetin e punonjësve.
• Identifikim të detyrueshëm të çdo punonjësi dhe automjeti në çdo operacion.
• Dokumentimin e garancive për 6 të miturit dhe ndarjen e tyre nga të rriturit.
• Sqarim mbi prangosjen e personit të shtruar në spital: kush e vendosi, arsyet dhe kohëzgjatja.
𝗡𝗴𝗮 𝗠𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗶𝗮 𝗲 𝗕𝗿𝗲𝗻𝗱𝘀𝗵𝗺𝗲 𝗸𝗲̈𝗿𝗸𝗼𝗷𝗺𝗲̈:
• Të merren masa që Blloku i Sigurisë të funksionojë me kapacitetin normal prej 67 personash dhe personat e tjerë të mbipopulluar të sistemohen në ambientet të tjera që plotësojnë standardet.
-tha ndër të tjera, komisioneri Ahmet Prençi, drejtues i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
Avokati i Popullit do të ketë komunikime periodike me median dhe publikun në përputhje me dinamikën e protestave.
Lexoni raportin e plotë mbi ngjarjet e datës 20 tetor: https://www.avokatipopullit.gov.al/…/communication…/