
Artan Nati/
Ka çaste në historinë e një vendi kur një shumë parash pushon së qeni thjesht para dhe kthehet në simbol. Dy mijë e pesëqind euro mund të jenë një shpërblim i merituar për një punonjës policie, por, nëse vendosen në sfondin e përplasjes mes pushtetit dhe protestuesve, ato shndërrohen në një pyetje që rëndon mbi ndërgjegjen e shoqërisë: kush po mbron këtu dhe nga kush? Paratë janë të popullit. Janë paratë e studentit që ëndërron një të ardhme dinjitoze, të punëtorit që numëron ditët deri në fund të muajit dhe të biznesmenit të vogël që paguan taksat, qiranë e faturat, ndërsa përpiqet të mbajë dyert hapur. Janë paratë e njerëzve që nuk kanë vila, makina me shoferë dhe zyra ku vendosen fatet e mijëra të tjerëve. Janë paratë e atyre që, me punën e tyre, mbajnë gjallë shtetin dhe shpresën tonë.
Policia meriton paga të drejta, kushte të mira pune dhe shpërblime për shërbimin profesional. Por asnjë shpërblim nuk duhet të krijojë dyshimin se paratë publike po përdoren për të mbrojtur një pushtet nga qytetarët që kërkojnë llogari. Policia duhet të mbrojë ligjin dhe njerëzit, jo të bëhet mburojë personale e atyre që qeverisin.
Dhe këtu fillon tragjedia e Frankenstein-it shqiptar.
Mary Shelley na tregoi historinë e një krijuesi,Frankenstein-it, që solli në jetë një krijesë, por nuk arriti të marrë përgjegjësinë për të. Krijesa, e braktisur dhe e keqkuptuar, u kthye kundër krijuesit të vet. Në politikë, kjo metaforë merr një kuptim edhe më të frikshëm: një popull krijon pushtetin për të organizuar jetën e përbashkët, për të mbrojtur të drejtat, por edhe për të garantuar drejtësinë. Por kur pushteti harron kufijtë e mandatit të vet, ai mund të fillojë ta shohë vetë popullin si kërcënim. Atëherë, krijuesi përfundon përballë krijesës së tij. Dhe krijesa, në vend që të pyesë se ku gaboi, i drejtohet krijuesit me arrogancën e një monstre që ka harruar origjinën:
Ju më sollët këtu! Ju më votuat! Ju më dhatë pushtetin! Çfarë kërkoni tani? Po, zoti Kryeministër, populli të dha pushtetin. Por nuk ta dha Shqipërinë si pronë private. Nuk të dha çelësat e përjetshëm të shtetit. Nuk të bëri pronar të institucioneve, të policisë, të drejtësisë dhe as të së ardhmes së rinisë.
Populli të krijoi për t’i shërbyer, jo për t’i kërkuar llogari pse nuk të bindet. Ne nuk të sollëm në krye që të ndërtoje kopështin e Ed(en)it personal, ku ti të luaje rolin e Adamit, ndërsa të tjerët të hynin e të dilnin sipas vullnetit të kopshtarit. Të dhamë një mandat për të administruar kopshtin e përbashkët, jo për të ndryshuar pronësinë e tij. Por, në këtë version shqiptar të Biblës politike, Edeni duket sikur është shndërruar në Ed(en)i, pronë e një njeriu që rrezikon të ngatërrojë pushtetin e përkohshëm me të drejtën e përhershme për të sunduar.
Në këtë kopësht, disa banorë përballen me drejtësinë për frutat që dyshohet se kanë marrë. Eva, apo Bela ose Agasi etj siç quhen ne politikën tonë, sipas personazheve të kësaj tragjikomedie politike, nuk duhet të jenë as te paprekshëm dhe as të dënuar paraprakisht. Nëse kanë shkelur ligjin, drejtësia duhet të vendosë mbi bazën e provave. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Por atëherë lind pyetja që e trondit kopshtarin: nëse banorët e tjerë duhet të japin llogari për mollët dhe dardhat, kush kontrollon atë që administron gjithë pemishten? Kush numëron frutat që dalin nga arka publike? Dhe kush vendos nëse shpërblimi i rojeve është një politikë normale pagash apo një vendim që, në rrethanat e protestave, rrezikon të shihet si përpjekje për të forcuar mbrojtjen e pushtetit?
Nuk është vetë shuma prej 2 500 eurosh që e bën tragjedinë. Tragjedia qëndron te simbolika e saj, te mënyra si përjetohet nga një shoqëri që kërkon drejtësi dhe te frika se, në vend që të dëgjojë qytetarët, pushteti po përqendrohet te mbrojtja e vet.
Dhe jashtë portave të Ed(en)it nuk qëndrojnë vetëm kundërshtarë politikë. Qëndrojnë studentë, të rinj, punëtorë dhe qytetarë që duan të besojnë se ky vend mund të ndryshojë. Janë flamingot e shpresës shqiptare, të brishtë në pamje, por të vendosur të mos pranojnë se largimi nga vendi është e vetmja rrugë drejt një jete dinjitoze.
Ata nuk kërkojnë një fron, por kërkojnë një të ardhme. Ne nuk kërkojmë të bëhemi pronarë të shtetit, por kërkojnë një shtet që nuk ka pronar. Ne nuk kërkojmë të përmbysin ligjin, por kërkojmë që ligji të mos përkulet para pushtetit. Dhe çfarë u ofron politika kur besimi i tyre lëkundet? Nëse përgjigjja që ata perceptojnë është më shumë forcë, më shumë mburoja dhe më shumë para për të ruajtur qetësinë e pushtetit, atëherë hendeku mes qeverisjes dhe shoqërisë rrezikon të bëhet humnerë.
Zoti Kryeministër, a ia vlen egoja e një njeriu të peshojë më shumë se shpresa e një populli?
A ia vlen të mbahesh pas karriges, kur çdo ditë e më shumë qytetarë humbasin besimin se mund të ndërtojnë një jetë të mirë në vendin e tyre? A ia vlen të hysh në histori si njeriu që e shndërroi mandatin në një kështjellë dhe policinë në simbol të distancës mes qeverisë dhe të qeverisurve? Apo ndoshta është më e mençur të tregosh se e kupton kufirin mes pushtetit dhe pronësisë? Të largohesh me vullnetin tënd, kur besimi politik është konsumuar, nuk është domosdoshmërisht humbje. Në një demokraci funksionale, dorëheqja mund të jetë një akt përgjegjësie, një mënyrë për të ulur tensionet dhe për t’i dhënë shoqërisë mundësinë të rifillojë pa e kthyer çdo konflikt në luftë për mbijetesën e pushtetit.
Evropa nuk ndërtohet vetëm duke firmosur dokumente me komisionerët europianë, duke numëruar kapitujt e negociatave apo duke përsëritur fjalën integrim në konferenca shtypi. Ajo ndërtohet duke respektuar institucionet, duke pranuar kufijtë e pushtetit, duke garantuar të drejtën e protestës dhe duke kuptuar se qeveria nuk është pronare e shtetit. Dokumentet mund të firmosen brenda një dite; kultura e llogaridhënies kërkon vite dhe prova konkrete.
Ndoshta prova më e vështirë për një kryeministër nuk është sa gjatë mund të qëndrojë në pushtet, por nëse mund të pranojë se vendi është më i madh se ai vetë.
Prandaj, zoti Rama, hape rrugën nëse bindja jote është se nuk mund ta qeverisësh më vendin me besimin e nevojshëm. Lëre popullin të vendosë përmes mekanizmave demokratikë, jo përmes përplasjes dhe frikës. Lëre policinë të jetë policia e ligjit, jo personazh në një tragjedi ku krijesa duhet të mbrohet nga krijuesi i vet.
Mos lejo që 2 500 eurot të bëhen epitafi politik i një mandati. Mos lejo që shuma e një bonusi të mbetet më e kujtueshme se çdo premtim për drejtësi, zhvillim dhe integrim europian dhe mos e ngatërro largimin nga pushteti me largimin nga historia: ndonjëherë, pikërisht mënyra se si një njeri largohet përcakton se si do të kujtohet.
Ta dish se historia nuk pyet vetëm kush erdhi në pushtet. Ajo pyet edhe çfarë bëri me pushtetin, çfarë la pas dhe nëse pati guximin të ndalej përpara se të shndërronte institucionet në mure rreth vetes.
Zoti Kryeministër, populli nuk të kërkon të bëhesh hero. Të kërkon të mos e trajtosh si armik. Nuk të kërkon të jesh i përjetshëm. Të kërkon të kuptosh se mandati ka një kufi dhe se dinjiteti i një vendi nuk matet me forcën e rojeve që ruajnë pushtetin.
Dhe diçka tjetër, pyetja nuk është nëse Frankenstein-i mund ta mundë krijuesin e vet. Pyetja është nëse krijuesi do ta kuptojë, para se të jetë tepër vonë, se përbindëshi nuk është fati i pashmangshëm i demokracisë. Është paralajmërimi se pushteti, kur harron se kujt i përket, mund të kthehet kundër vetë shoqërisë që e krijoi.
Dhe atëherë, 2 500 eurot nuk do të jenë më thjesht një bonus. Do të mbeten si simbol i një pyetjeje të hidhur: sa kushton ruajtja e një pushteti dhe sa më shtrenjtë paguan një popull kur humbet shpresën?