
Intervistoi: Sokol Paja/
1. Z. Murati, cila ka qenë ecuria artistike e grupit të valleve BESA në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Florida?
Grupi i valleve Besa ka filluar veprimtarinë e tij në tetor 2024, përpara ky grup ishte në një situatë kaotike dhe nuk i përgjigjej kërkesave që ky grup kishte karshi komunitetit që përfaqësonte, por edhe karshi vetes, kjo sepse fëmijët që dëshironin të kërcenin vallet shqiptare nuk po gjenin atë çfarë dëshironin nga ky grup!
Mua më thirrën për ta drejtuar në atë kohë dhe sigurisht do të më duhej një apo dy seanca provash që fëmijët të bindeshin në atë që kërkonin të bënin, por duhet edhe t’i bindja si fëmijët, por edhe drejtuesit e shoqatës Besa për gjithçka kërkonin nga ky grup! Sigurisht e kam thënë dhe do ta them përsëri, ju jam mirënjohës zonjave drejtuese të shoqatës Besa, Imelda Pojani dhe Lola Naqo, që ma besuan drejtimin artistik të këtij grupi, i cili e rifilloi punën e tij me 5-7 fëmijë, por me kalimin e ditëve ai do të plotësohej me më shumë se 20-25 fëmijë të moshave të ndryshme. Duke filluar nga 5-6-vjeçarë deri në 18-20-vjeçarë!
Mua m’u desh të punoja shumë, por edhe t’u shpjegoja për origjinën e valleve shqiptare nga jugu në veri! Grupi i valleve Besa promovon vallet origjinale të të gjithë Shqipërisë! Këto valle janë vallet më tradicionale që kërcehen në të gjitha festimet kombëtare, por edhe ato lokale! Grupi Besa është i pranishëm në disa evente të përvitshme që organizohen për komunitetin shqiptar në Tampa Bay Area ose në Pinellas County! Fëmijët dhe, në tërësi, grupi i valleve Besa i promovojnë vallet shqiptare nëpër festa familjare, në evente që organizohen nga shoqata Besa!
2. Si koreograf, çfarë efekti ka vallja tradicionale shqiptare në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në përcjelljen e trashëgimisë kulturore te fëmijët shqiptarë të lindur në Amerikë?
Vallja në tërësi është një nga pjesët më të bukura të traditave, folklorit shqiptar, trashëgimisë kulturore dhe kulturës shqiptare, si e tillë ajo krijon një efekt të jashtëzakonshëm dhe të emocioni të lartë për atë që e sheh, po patjetër janë shumë të dëshiruar ta mësojnë! Patjetër ata ndihen shumë mirë kur dalin të kërcejnë para prindërve të tyre ose përpara një publiku në salla apo në skenë! Atë që bën vallja dhe muzika e valles krijon një efekt të atillë që edhe nëse nuk di të flasësh shqip, pasi je një fëmijë që ka lindur në USA, të bën ta fillosh ta shikosh fillimisht, pastaj fëmijët, por edhe më të mëdhenj se fëmijët fillojnë të bëhen pjesë e grupit ku kanë filluar të mësojnë e më andej ata fillojnë ta kërcejnë ku munden ose fillojnë ta kërkojnë ta kërcejnë atje ku mblidhen për të festuar, përfshirë këtu edhe ditëlindje shokësh, apo festa familjare jo vetëm në USA, por edhe kur shkojnë në Shqipëri!
Nëpërmjet valles ne ruajmë dhe trashëgojmë një nga traditat më të hershme të kulturës sonë, po njëkohësisht të historisë së folklorit shqiptar! Fëmijët të të gjitha moshave, pjesë e grupit të valleve, mesa kam vënë re, nuk hezitojnë ta thonë me plot gojën kudo nëpër aktivitete: jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe jemi krenarë që kërcejmë dhe këndojmë valle dhe këngë shqiptare, kjo sepse vallja, kërcimi i tyre i ka hequr emocionet dhe ato ngurrime të mundshme që mund të ketë një fëmijë! Sigurisht një pjesë e madhe e tyre kanë lindur këtu dhe jetojnë këtu, edukohen këtu në shkolla, por kemi vënë re që kur vjen fjala për të kënduar himnin kombëtar të gjithë e këndojnë me shumë kënaqësi, kjo për mua si profesionist apo dhe prindërve u jep një ndjenjë krenarie, e cila besoj do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre!
Vallja dhe kërcimi ndikon shumë në disa aspekte, emocional, fizik, psikologjik, po pa diskutim ka një efekt në rritjen e vëmendjes! Vallja dhe kërcimi i ndihmon të mësojnë edhe kërcime të tjera të ndryshme!
3. Sa e vështirë është të ruhet dhe të kultivohet autenticiteti i valleve tradicionale shqiptare në një mjedis multikulturor si Tampa Bay, ku fëmijët dhe të rinjtë rriten mes ndikimeve të ndryshme kulturore e gjuhësore?
Gjithçka lidhet me edukimin, por pa diskutim edhe me familjen! Sigurisht për fëmijët e vegjël janë prindërit ata të cilët janë të interesuar që këta fëmijë të marrin ato njohuri, të cilat i bëjnë ata të interesuar të mësojnë nga kultura dhe trashëgimia kulturore e vendit të origjinës, por ajo që unë po përpiqem dhe punoj është që ata të ruajnë dhe ta kërcejnë ato valle që kërcehen nëpër aktivitetet që organizohen nga Besa!
Sigurisht në gjykimin tim nuk është e lehtë, por duhet gjetur ai çelësi i artë që ata ta hapin dhe të gjejnë diçka që u pëlqen, të gjejnë diçka që ndihen mirë, të gjejnë diçka që ndoshta shumë fëmijë të tjerë nuk kanë mundësi ta bëjnë! Kjo kërkon pa diskutim një njohje të mirë të kulturës, folklorit, traditës, kërkon profesionalizëm dhe përkushtim nga të gjitha palët!
4. Si e keni të organizuar programin kulturor me fëmijët në lidhje tipologjinë e valleve, kostumografinë dhe muzikën popullore?
Unë bëj njëherë në javë, çdo ditë të shtunë, për rreth 2 orë pa pushim, mësim të valleve tradicionale shqiptare! E kam organizuar në bazë mosheje. Fillimisht me grupin e vogël 5-9 vjeç, pastaj grupi i dytë 10-13 vjeç! Por në disa raste i organizojmë së bashku të gjithë, por ajo që unë kam bërë është që në fund të kursit organizoj një kërcim, siç është vallja pogonishte, ku fillohet nga fëmijët e vegjël, futen fëmijët pak më të mëdhenj dhe pastaj ftoj edhe prindërit të kërcejnë së bashku, kjo u jep më shumë besim fëmijëve, u heq ato emocione që ata mund të kenë, por pa diskutim ata ndihen krenarë që kërcejnë me mamanë ose me babanë e tyre në krah!
Ndihen shumë mirë dhe është një mënyrë e mirë që kam aplikuar për të mbyllur kursin e valles! Nga fillimi i muajit shtator, në pjesën e fundit të kursit të valleve kemi filluar kurs me një pjesë të mamave, duke u mësuar disa valle tradicionale shqiptare!
5. Si ka ndikuar pjesëmarrja në aktivitetet kulturore dhe artistike e fëmijëve shqiptarë të lindur në Amerikë në forcimin e lidhjeve mes familjeve shqiptare dhe në afrimin e brezit të ri me rrënjët e prejardhjen shqiptare?
Ka ndikuar shumë pozitivisht, sepse prania e tyre çdo të shtunë nga 2 orë ka bërë një socializim të fëmijëve, por pa diskutim dhe prindërve të tyre! Fëmijët kanë krijuar lidhjet e tyre të reja me pjesëtarë të grupit të valleve Besa, kanë krijuar grupet e tyre në rrjetet sociale ku shprehen për çfarë bëjnë në kursin e valleve, apo shpërndajnë foto me kostumet e bukura shqiptare duke kërcyer!
Pjesëmarrja ka ardhur në rritje nga viti i parë në vitin e dytë dhe në vazhdim, sidomos në këto ditë që ne kemi filluar sezonin e ri të mësimit të valleve, kemi një pjesëmarrje të madhe me mbi 35-40 fëmijë në çdo të shtunë, por sigurisht nga njohjet dhe komunikimi që kanë, sa po vjen dhe shtohen, kjo jo vetëm nga Tampa Bay Area, por edhe jashtë saj, kemi fëmijë dhe prindër që udhëtojnë mbi 2 vajtje-ardhje për të qenë pjesë e grupit dhe të kërcejnë vallet shqiptare!
6. A mendoni se arti, muzika dhe vallja shqiptare janë ndër mënyrat më të fuqishme për ta bërë të njohur Shqipërinë dhe kulturën shqiptare në shoqërinë amerikane?
Po, arti, muzika, vallja dhe historia shqiptare janë disa nga mënyrat më të fuqishme për t’u bashkuar, për t’u afruar, për të gëzuar, e mbi të gjitha të njihen, të ndihmojnë, të marrin e të japin informacion për gjithçka kërkojnë ata që kanë pak kohë që kanë ardhur, por muzika i bën krenarë për ato këngë dhe valle të bukura dhe me lëvizje ekspresive e bëjnë që dhe shumë amerikanë të jenë kuriozë dhe të kërkojnë më shumë informacion për Shqipërinë! Kjo i bën ata shumë krenarë për atë që përfaqësojnë!
7. Çfarë mesazhi do t’u përcillnit të rinjve shqiptaro-amerikanë që dëshironi t’i shihni më të përfshirë në ruajtjen dhe trashëgiminë e kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Më lejoni të bëj thirrje të gjithë fëmijëve të lindur këtu në USA, adoleshentëve që jetojnë dhe që kanë ardhur fare të vegjël, por edhe të prindërve të këtyre, të bëjnë të mundur të dëgjojnë muzikë shqiptare, të mësojnë vallet tradicionale shqiptare, t’ua mësojnë fëmijëve himnin kombëtar dhe t’u mësojnë të flasin shqip sa munden!
Të rinjve amerikano-shqiptarë do t’u kërkoja më shumë përulje, mësoni të këndoni himnin kombëtar shqiptar, mësoni sa mundeni vallet tradicionale shqiptare sepse ato janë pjesë e një kulture të një populli nga më të vjetrit në Evropë! Një popull që ka një folklor, se ka tradita shumë të bukura, ka valle që kërcehen për çdo festë familjare, apo në çdo aktivitet kombëtar që do të organizoni, sepse do të ndjehen shumë krenarë për atë që janë dhe përfaqësojnë!
Motivi im është: Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar! Jam krenar që jam shqiptar!