…në Durrës ranë gjatë luftimeve të mëngjezit nëntë dëshmorë: Mujo Ulqinaku, Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi-Kallço, Ibrahim Osmani, Isak Metalia, Ismail Reçi, Ramazan Velia, Hamit Veshko.
Nga Thanas L. Gjika/
Udhëheqja e Partisë Komuniste të Shqipërisë për ta paraqitur Luftën Antifashiste të popullit shqiptar si vepër të saj i minimizoi luftimet e ushrtisë mbretërore dhe të vullnetarëve të popullit të qyteteve Durrës, Vlorë, Sarandë, Shkodër, etj. Nga dëshmorët e asaj dite u përmend vetëm Mujo Ulqinaku, të cilit iu dha titulli Hero i Popullit, iu ndërtua një monument pranë portit të Durrësit dhe emri i tij u fut në tekstet e historisë së Shqipërisë.
Qeveritë e tranzicionit u përpoqën ta rivlerësonin Luftën Antifashiste të popullit tonë. Mbas vitit 1992 u njohën dhe shtatë dëshmorë të tjerë të Durrësit dhe emrat e tyre iu bashkuan emrit të Mujo Ulqinakut te plaka e re që u vu te pjedestali i monomentit. Gazetarë si Jozef Radi u interesuan dhe e plotësuan edhe më listën e të rënëve.
Kështu sot dihet se në Durrës ranë gjatë luftimeve të mëngjezit nëntë dëshmorë: Mujo Ulqinaku, Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi-Kallço, Ibrahim Osmani, Isak Metalia, Ismail Reçi, Ramazan Velia, Hamit Veshko. Në mesditë një qytetar ortodoks durrsak dogji veten në shenjë proteste para trupave pushtues të rreshtuar në motorbicikleta para nisjes për Tiranë. Emri i këtij dëshmori të vetëflijuar nuk dihet ende.
Po ashtu dihet se në Shkodër ra dëshmor Tonç Toma, në Sarandë Mitro Dhimitiko dhe në Berat Zenel Bllana. Në luftimet që u zhvilluan në skelën e Vlorës ranë të paktën dy dëshmorë të tjerë, si i kanë dëshmuar Sami Repishtit në burgun e Burelit dy ish-pjesëmarrës të luftimeve. Emrat e tyre ende nuk janë verifikuar. Po Profesor Sami Repishti më ka njoftuar se familjarë të ish-kolonelit Sami Koka, ish-drejtor i përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare në shtator 1943 menjëherë pas kapitullimit të Italisë Fashiste, krijoi listën e emrave të 12-13 dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe u lidhi pension patriotik familjeve të tyre.
Qeveria e sotme e drejtuar prej Kryeministrit Edi Rama ka për detyrë të kërkojë e të gjejë emrat dhe eshtrat e të rënëve të tjerë. Këto eshtra është në nderin e saj që t’i vendosë te memoriali i Vorrezave të Luftës Antifashiste në Tiranë.