Sot shënohet 12 vjetori i ditës së Lumturimit të Nënë Terezës.
Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh në përkujtim të kësaj dite, në fokus të së cilave do të jenë çështjet e bamirësisë.
Që prej fillimit të javës që lamë pas, në Tiranë janë vendosur më shumë se 12 pika dhurimi që ndodhen në rrugët kryesore të qytetit, ku shumë aktivistë presin gjatë 24 orëve kontribute të ndryshme, të cilat do tu shpërndahen sot familjeve në nevojë.
“Të hënën, që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, do të kërkojmë që të gjithë vullnetarët të vendosen në të gjitha qendrat sociale, çerdhet, institucionet, ku ne trajtojmë rastet sociale, nëpër lagjet e komunitetit rom, te qendra jonë e emergjencave, ku shumë prej banorëve janë vendosur aty, për t’i akomoduar në një ambient shumë më komod se sa Liqeni i Tiranës” deklaroi Veliaj me 15 tetor gjatë takimit me organizatat rinore dhe drejtues të shoqatave.
Ndërkohë të martën ora 19:00, në përkujtim të kësaj figure në Muzeun Historik Kombëtar do të organizohet një aktivitet me rastin e Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, në bashkëpunim me gjimnazin “Qemal Stafa”.
Me këtë rast do të hapet një ekspozitë dhe do të transmetohet një film dokumentar për Nënë Terezën, i përgatitur nga Muzeu Historik Kombëtar.
Dymbëdhjetë vite më parë (19 tetor 2003), Nënë Tereza u shpall e “lumturuar” nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfëritë e të varfërve”, të cilëve ajo iu kushtoi krejt jetën