• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2012

A DO TË BËHET SHQIPËRIA?

November 12, 2012 by dgreca

“Shqipëria do të bëhet,/

Po vallë, do ta gëzoj unë?”/

Nga Reshat Kripa/

Një miku im në Kanada, drejtues i një medie elektronike u kërkoi para disa ditësh një grupi intelektualësh të shkruanin mendimet e tyre në lidhje me temën “A do të bëhet Shqipëria?” Një nga këta isha dhe unë. Isha në dilemë nëse duhej të shkruaja diçka apo jo. Nuk vendosja dot. Jo se nuk kisha material por mendoja se, ndoshta, shkrimi im do të ishte një zë në shkretëtirë. Përse e them këtë? Sepse mendoj se edhe herë të tjera që kam shkruar ato kanë rënë si i thonë fjalës “në vesh të shurdhër”. Ndaj nuk vendosja dot t’i përgjigjesha kërkesës së mikut tim.            Para tre ditësh isha i ftuar në një ceremoni zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë ku, në shenjë respekti, u dhurohej familjarve të disa personaliteteve të luftës kundër fashizmit dhe komunizmit, libri me Aktin e Pavarësisë botuar posaçërisht nga Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të kësaj feste të madhe. Nuk e di sepse, por krahas vlerësimit për këtë aktivitet, brenda vetes time ndieva edhe një boshllëk, një zbrazëtirë. Krahas rezervave kundrejt disa prej figurave të paraqitura, ndieva një mungesë të shumë figurave të tjera që mendoj se detyrimisht duhej të ishin prezent në atë ceremoni. Kur dëgjova disa emra që m’u dukën të papërshtatshëm për t’u nderuar, së bashku me disa zotërinj të tjerë u bëra gati për t’u larguar, por e mbajta veten. Qëndrova se doja të mësoja gjithshka do të zhvillohej aty.

Le të flasim më konkretisht. Në ceremoni u përkujtuan tridhjetë figura të njohura. Ndoqa me vëmendje prezantimin e tyre. Nga këto vetëm shtatë i përkisnin lëvizjes nacionaliste dhe pikërisht Abaz Kupi, Mit-hat Frashëri, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu, Safet Butka, Osman Kazazi dhe Imzot Dom Mikel Koliqi. Njëzetetre të tjerët ishin ose komunista të vendosur si Qemal Stafa, Asim Zeneli, Abaz Shehu ose pjesmarrës në lëvizjen komuniste por që, pas mbarimit të luftës e kuptuan se ku po i çonin dhe u ngritën kundër atyre me të cilët kishin luftuar së bashku, madje një pjesë prej tyre u eliminuan pa ngritur krye fare. Përse ky diferencim? A mund të bëhet Shqipëria me diferencime ndërmjet rrymave të ndryshme? Tani, njëzetedy vjet pas përmbysjes së sistemit totalitar, e quaj të padrejtë këtë veprim.                                              Këtë shkrim nuk e bëj për të majtët e vendit tonë pasi e di që ata nuk janë gjë tjetër veçse një hije e së kaluarës dhe e kanë brohoritur një kremtim të tillë. Shkrimi u dedikohet të djathtëve ose, më mirë, atyre që e quajnë veten të djathtë. Do të doja t’iu thoja që të ruhen dhe të mos bien pre e mentalitetit komunist. A nuk është folur mjaft, gjatë dyzetegjashtë viteve të sundimit të tyre për “heronjtë komunistë”? A nuk mjaftojnë emërtimet e rrugëve dhe shesheve, shkollave dhe institucioneve të ndryshme, filmave dhe këngëve pa mbarim kushtuar atyre, madje deri edhe një stadiumi me emrin e ndonjërit? Mos vallë duhen hymnizuar ende edhe tani që komunizmi u përmbys? Kjo i ngjan thirrjes “Poshtë mbreti! Rroftë Mbreti!” që e  shqipëruar do të thotë “Poshtë komunizmi! Rrofshin komunistët!”                                                                         Do të doja që një gjë e tillë të ishte një lapsus. Nuk do të doja të besoja që kjo ishte një shenjë e “Katovicës”, siç më tha një miku im. Nuk do të doja të besoja por, padashur, në mendje më vijnë mendime të ndryshme. Mendoj me veten time: Ku ishte në atë ceremoni heroi i Termopiles shqiptare, Hysni Lepenica, rënë në përpjekje me fashistët italianë së bashku me tridhjetepesë komandantë të tjerë  çetash? Ku ishte diplomati dhe aleati i anglezëve, Skënder Muçua, vrarë nga nazistat gjermanë. Ku ishte Hysni Toska, luftëtari i Pavarësisë dhe Luftës Patriotike të Vlorës, rënë heroikisht në përpjekje me bandat komuniste? Ku ishte Aziz Çami, komandant i forcave të armatosura të Ballit Kombëtar, vrarë po nga komunistët? Ku ishte mësuesi dhe luftëtari kosovar Bajram Salihi, rënë në përpjekje me shovinistët serbë për një Shqipëri Etnike? Të gjitha këto figura madhore mungonin në atë ceremoni. Përse? Mos vallë pse ishin ballistë dhe nacionalistë dhe si të tillë duheshin lënë në heshtje? Një veprim i tillë nuk mund të ndihmojë në bashkimin kombëtar. Kush  mundet le të më kundërshtojë.                             Para fillimit të ceremonisë u shfaqen disa sekuenca filmike. Midis tyre edhe pamje të ekzekutimit të heronjve të kënetës së Maliqit. Prisja të shihja edhe figurat e Abdyl Sharrës dhe yllit të universitetit të Vjenës, Kujtim Beqirit në këtë ceremoni, por ato mungonin. Por nuk mungonte poeti komunist Sejfulla Malëshova, autor i vargjeve të mëposhtme:                                                                                                                                                                                     “Si ylli i karvanit, mbi shekuj rri Kremlini                                                                         Dhe drita që lëshon, arrin gjer te Shkumbini!”                                                                                                                                                                            Përse? Mos vallë pse Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri ishin ballistë? Edhe ky veprim nuk mund të ndihmojë në bashkimin kombëtar. Edhe një herë kush  mundet le të më kundërshtojë.          Lista e burrave të shquar të këtij kombi, të mbetur në harresë, është e madhe. Më lejoni të përmend vetëm disa prej tyre: Xhelal Koprencka, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Hajredin Cakrani, Bedri Pejani, të gjithë firmëtarë të Aktit të Pavarësisë. A nuk meritonin familjarët e tyre një kopje të këtij akti? Po të tjerë si Hasan Dosti, Patër Anton Harapi, Xhafer Deva, Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Ago Agaj, Eqerem Bej Vlora, Myfit Bej Libohova, Abaz Ermenji, Isuf Luzi e të tjerë do të vazhdojnë të quhen ende kolaboracionist? Përse? Mos vallë pse ishin ballistë dhe nacionalistë? Përsëri ky veprim nuk mund të ndihmojë në bashkimin kombëtar. Përsëri kush mundet le të më kundërshtojë.                                                                 Këto mendime bën që të ndieja një boshllëk kur dola nga ajo ceremoni. Ndjeva boshllëk se megjithse Organizata e Ballit Kombëtar dhe nacionalizmi në përgjithësi u vlerësuan me notat më të larta, heronjtë e tyre u lanë në heshtje. Do të doja të kishte një përfaqësim të barabartë ndërmjet dy krahëve të politikës shqiptare, madje po të viheshin në peshore atëherë ajo do të anonte nga nacionalizmi shqiptar, pasi ai ka qenë gjithmonë flamurtar i interesave kombëtare të këtij kombi. Në këtë 100 vjetor të Shpalljes së Pavarësisë ky do të ishte oguri më i mirë në rrugën e bashkimit kombëtar.                                                                                               M’u kujtua kërkesa e mikut tim nga Kanadaja dhe pyeta veten: A do të bëhet Shqipëria? Një pyetje që e bëjnë pothuajse të gjithë shqiptarët. Një pyetje që ende nuk po gjen përgjigje dhe kjo për shkak të amullisë që ka mbuluar vendin. Ç’kuptojmë me këtë pyetje. Një Shqipëri ku qytetarët mos ta quajnë armik njeri-tjetrin, ku partitë politike të shkëputen nga mentaliteti komunist dhe të bëhen si motrat e tyre në Europën demokratike, Mendoj se për të bërë Shqipërinë duhet të çlirohemi nga pasionet partiake. Duhet t’i bashkohemi thirrjes së Organizatës së Kombeve të Bashkuara që i bëri thirrje Shqipërisë qysh në vitin 2010 të dënojë krimet e komunizmit, t’i bashkohemi deklaratës së përbashkët të gjashtë vendeve të Europës Lindore, Lituanisë, Letonisë, Hungarisë, Çekisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, drejtuar Komisares Europiane per te Drejtat e Njeriut në BE dhe ku kërkohet ngritja e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të kryera nga regjimet komuniste. Duke patur parasysh gjëndjen aktuale mendoj se një gjë e tillë është shumë e vështirë. Mendoj se kjo mund të arrihet vetëm pas 50 vjetësh, atëherë kur në Shqipëri nuk do të ekzistojë më brezi ynë dhe ndoshta edhe ai i fëmijve tanë.

Por a do të bëhet Shqipëria?

“Shqipëria do të bëhet,

Po vallë, do ta gëzoj unë?”

Thotë kënga popullore. Kjo do të arrihet vetëm atëherë kur shqiptarët të mos e bëjnë më njeriun baltë si sot por baltën ta bëjnë njeri, ashtu siç veprojnë edhe shtetet e  qytetëruara  të  botës.

*Kryetar  i  Shoqatës   Antikomuniste  të  Përndjekurve  Politikë  Demokratë  të  Tiranës

Filed Under: Opinion Tagged With: a do te behet Shqiperia, reshat kripa

PAVDEKSIA E DIN MEHMETIT

November 12, 2012 by dgreca

Nga Gani Qarri/
 Eh vitet ecin ato nuk ndalen dhe kalojnë gati pa u vërejtur, si ujët nën urë. Sa shpejt u bënë dy vjet nga shkuarja juaj në amshim, profesor dhe poeti ynë! Por kujtimet mbeten,ato nuk plakën dhe nuk vjetrohen për ju asnjëherë. Respekti, ndjenjat e ngrohta bashkë me dashurinë e veçantë ndaj jush, jetojnë në zemrat e gjithë dashamirësve tuaj edhe sot, Din Mehmeti! Poeti ynë i shtrenjtë ju jetoni bashkë me vargjet në shpirtrat e adhuruesve që nuk u harrojnë, tani dhe asnjëherë,pa llogaritur kohën e  shkuarjes suaj në amshim. Sot e gjithmonë kujtojmë kohën sa ishe me ne,adhurojmë gjithnjë miqësinë tuaj të  sinqertë, por edhe shfletojmë krijimet e shumta poetike që na i ke lënë amanet, si dëshmi e pavdekësisë suaj të përjetshme. Madje edhe tani sikur na duket se vetëm rastësia ju ndau përkohësisht nga ne , por jo edhe përgjithmonë,Profesori ynë i dashur. Nuk e di, ndoshta afria e  rrallë dhe qëndrimi juaj prindërorë, krijoj tek ne bindje të kthyer në hipnotizim, nga i cili ne as sot nuk mund të lirohemi,ndaj nuk na duket e qëndrueshme as thënia, se ty nuk do të shohim më kurrë, por “vetëm” përkohësisht apo ndoshta gjithnjë e më rrallë…. Nostalgjia e kujtimeve ndaj profesor Din Mehmetit dhe takimet me poetin tonë të madh e me renome, çdo herë na krijoj kënaqësi. Kurse bisedat me të, ishin të veçanta,ato përmbanin ide të mëdha artistike, kulturë të lart shprehjeje dhe shije të përsosur letrare,afria njerëzore e të cilit na bënë që edhe sot në hapat e tij të ndjehemi kaq sigurt dhe mirë. Ndonjëherë Bacaloku ynë i munduar nga vuajtjet dhe hallet e jetës,dinte edhe të ngrysej, bëhej natyrë paksa më e mbyllur,por ai gjithmonë mbetej dashamirës,fjalë ëmbël dhe kishte një vështrim të butë deri në dhembje, ndaj ndoshta mu kjo, atë e bënte më të veçantë në jetë që dallonte nga të tjerët. Megjithëse poeti kishte shumë adhurues që e nderonin, në kohë të vështira do të thoshte se pati pak miq të vërtetë të cilët do ta trajtonin me dashamirësi kur ai kishte nevojë, madje disa nga ta edhe në momente të rënda nuk do t’i gjendeshin pranë atij, sado që Bacaloku ynë i mirë, ishte shumë i dashur me të gjithë dhe kishte shpirt të sinqertë njeriu. Profesor Dini për alfabet kishte sinqeritetin dhe nuk njihte djallëzinë,kundërshtonte fort mjerimin e rëndë që si vello e zezë kishte mbuluar gjithë vendin tonë dhe jo rrallë do të konfrontohej me ushtruesit e padrejtësive të cilët rëndonin jetën e shqiptarëve të pa krahë nën pushtim. Ai edhe në shumë nga vargjet që do të krijonte,nuk kishin “tituj” tjerë përveç lirisë së tyre, si kryetemën e poezive të tij. Ndaj,poezitë e Din-it, do të ktheheshin në histori, të cilat shumë kush do ti mësonte përmendësh si testament që kërkonin lirinë e atdheut të robëruar. Poetët me rrugëtime të tilla jete dhe vepre, nuk vdesin kurrë por jetojnë përgjithmonë bashkë me vargjet e historisë së shkruar poetike të cilat pa asnjë dyshim edhe për Bacalokun, që me kohë  kanë vulosur pavdekësinë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Din mehmeti, Gani Qarri

ESHTE ZHDUKUR TERMI ,,ABETARE,,PER NXENESIT SHQIPTAR NE MAQEDONI

November 12, 2012 by dgreca

TH I RR J E

Me rastin e festës së fillimit të punimeve të Kongresit të Manastirit nga 14-22 Nëntorit 1908, Shoqata Humanitare dhe Kulturore “Programi Unik Shqiptar” në Maqedoni i bënë kërkesë “Programit Unik Shqiptar” në SHBA, që të ndihmojë me ndihma për blerjen e rreth 9.000 Abetareve për nxënësit shqiptar në Maqedoni pasi ka disa vite që libri me emrin ABETARE është hequr pa të drejtë. Ky projekt bëhet me qëllim që edhe nxënësit e shkollave fillore në Maqedoni të mësojnë me Abetaren e njësuar, ashtu siç mësojnë nxënësit shqiptar në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Luginën e Preshevës dhe në Diasporë. Siç shihet vetëm vogëlushët shqiptar në Maqedoni janë përjashtuar për të mësuar me librin e dashur të Abetares, kjo jo për faj të ndarjes territoriale, por për faj të politikanëve të dobët shqiptar. Këta politikanë harrojnë se në Maqedoni u vendos Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës shqipe me shkronja latine, prandaj është ofendim i rëndë që vetëm vogëlushëve shqiptarë në IJRM tu mohohet mësimi me Abetaren mbarëkombëtare. Pra sot si pasojë e politikës diskriminuese nxënësve shqiptar u mungon libri bashkë me termin Abetare e cila është simbol i sakrificës e shumë pishtarëve të arsimit.

Ne si PUSH, duke vërejtur se asnjë parti politike, asnjë deputet dhe ministër shqiptar në Maqedoni nuk po bëjnë përpjekje që Abetarja mbarëkombëtare të mësohet edhe nga nxënësit shqiptar në Maqedoni, atëherë PUSH do t’ju krijojë mundësinë që këta fëmijë ta kenë Abetaren dhuratë-falas.

Programi Unik Shqiptar do punojë që të gjithë nxënësve shqiptar në shtator të 2013 të kenë ABETAREN UNIKE në duart e tyre. Pra nuk do të lejojmë që disa fëmijë shqiptar të trajtohen me syrin e nënës dhe disa të tjerë me syrin e njerkës për faj të politikës vasale të pushtetarëve.

Ne shpresojmë se do të gjejmë mbështetje dhe mirëkuptim nga të gjithë shqiptarët kudo në botë pavarësisht nga idetë politike dhe besimit fetar që i përkasin. Kjo iniciativë nuk është politike, por Kombëtare, Kulturore dhe Humane.

Kryetar

Prof.Teuta Kamberi-Llalla

Filed Under: Kulture Tagged With: push, Teuta Llalla, thirrje

100 VJET LETËRSI GJATË 100 VJET PAVARËSIE

November 11, 2012 by dgreca

NGA PAL NDRECAJ*/

Fati historik i popullit tone ka dashur që letërsia shqipe, në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj të krijohet në masë të madhe jasht kufijve të shtetit kombëtar dhe jasht trojeve etnike. Emigrimet e pandërprera nxorën jasht vendit jo vetëm qytetarë të rëndomtë, që u detyruan të sigurojnë ekzistencën e tyre në vende me liri më të madhe se vendi i tyre, por ndoqën edhe disa nga mendjet më të shquara të kombit. Prandaj, studimi i letërsisë bashkëkohore shqipe nuk guxon të kufizohet në emrat që krijuan në Shqipëri, Kosovë, troje etnike në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni, por edhe në Gjermani, Zvicër, Suedi, Francë, Itali, SHBA, etj. Gjeografia e letërsisë shqiptare është më e madhe dhe më e hapët se gjeografia e popullit shqiptar.

100 vjet kohë në krijjimtarinë letrare do të thotë një periudhë e gjatë dhe interesante. Sikurse edhe në letërsitë e tjera evropiane një periudhë kaq e gjatë kohore karakterizohet edhe me shfaqjen e shkollave, drejtimeve e formacioneve të ndryshme letrare. Dhe padyshim, ky 100 vjetësh i shënoi të gjitha këto, sa me faktin se paraqet një kohë më të përshtatshme për shkrimin letrar, aq edhe nga ndikimi i shpejtë i rrymave letrare perendimore, sidomos i asaj moderne. Tashmë në Shqipëri u shqua një numër krijuesish, të cilët do të vazhdonin traditën letrare shqipe të thelluar nga emra kolosësh, sic janë Naimi, Mjedja e Fishta. Mirëpo nuk kaloi edhe shumë kohë dhe letërsia u ndodh përpara momentit të vështirë të diktatit politik të shtetit diktatorial, kur nga letërsia u shtruan kërkesa që do ta vinin atë në funksion të përmbushjes së interesave politike e ideologjike të sistemit. Sic është e njohur, ky diktat zvetnoi një pjesë të konsiderueshme të prodhimtarisë letrare, duke e evituar atë  nga funksioni artistik. Mirëpo, megjithë përmasat dramatike që tashmë ka marrë debati here here më shumë politik sesa letrar në lidhje me krijimtarinë e shumë shkrimtarëve te kësaj periudhe, respektivisht në lidhje me raportin e tyre si krijues me kërkesat politike të përmendura, mund të thuhet se në letrat shqipe të periudhës së komunizmit u hetuan përpjekje për të dalë jasht këtyre kontureve ideologjike të imponuara. Kush njeh dhe kupton veprën e Ismail Kadaresë, kush njeh e kupton gjuhën e aluzionit e të alegorisë poetike, kush njeh fuqinë e figurave të sofistikuara poetike, kush e lexon dhe kupton atë pa ngarkesa emotive e ideologjike nuk e ka të vështirë të pranojë se edhe për rastin shqiptar vlen thënia e filozofit gjerman Friedrich Nitche: “Feja, morali dhe filozofia janë forma të dekadencës së njerëzimit. Lëvizja e kundërt është arti”!

Mirëpo, meqë qëllimi i këtij tubimi është shënimi i një përvjetori kaq të madh, i  100 Vjetorit të Pavarësisë dhe organizatori i tij ka kërkuar që të fokusohemi tek letërsia shqipe që krijohet ne SHBA , po përpiqem që në këtë bashkëbisedim të përkujtojmë rrugën nëpër të cilën ka ecur dhe është zhvilluar kjo letërsi në këtë pjesë të botës. Figurat e para që na shfaqen në këtë kohë dhe në këtë mjedis janë shkrimtari e intelektuali Faik Konica,  shkrimtari, intelektuali dhe studiuesi Arshi Pipa dhe shkrimtari, intelektuali kleriku e politikani Fan Noli.

Vepra e Konicës është, pothuajse, një shkollë më vete që e karakterizon një gjuhë dhe stil krejtësisht i ri dhe i paparë deri atëherë, me një ironi të fortë, me një sakrazëm të mprehtë dhe me një notë kritike të pamëshirshme. Historia e shkrimit tonë letrar e cilësoi atë si një “stilist të rrallë,  vrojtues të mprehtë qe i vuri themelet e një shkrimi krejtesisht tjetër nga ai i deriatëhershëm”, qe bëri “një shmanige në pikëpamje të formës dhe përmbajtjes dhe nxiti një avansim te të dyjave”.

Fan Noli është shkrimtari që njësoj si edhe Konica, nga përtej Atlantikut. Ai punoi dhe shkroi për emancipimin kulturor e politik të popullit të tij. Poezia e Nolit shquhet për angazhimin dhe funksionin shoqëror dhe për një angazhim të dukshëm politik.

Mirëpo në këtë vend ku ne jetojmë sot përpjekjet krijuese u intensifikuan sidomos në dekadën e kaluar dhe në këtë që sapo kemi nisur. Në këtë kohë ndodhi një vërshim shkrimesh nga një numër i pamasë autorësh, të cilët me dëshirën me të mirë për t`u bërë poetë, tregimtarë e romancierë provuan penat e tyre diku me sukses e diku fare pa të. Tash të flasesh për gjithë këtë prodhim shkrimor si për një lëtërsi është e padenjë, e papërgjegjësi dhe e padrejtë. Mirëpo edhe të mos i shohim në gjithë këtë perpjekje penash penat e mirëfillta është papërgjegjësi e njëjtë, e njëjtë e padenjë dhe e njejtë e padrejtë. Mirëpo, në një vështrim të tillë kalimthi është e pamundur të përmenden të gjithë ata që krijojnë vepra që përmbushin kërkesat estetiko-letrare, kështu që një shqyrtim seleksionues sado që mundohet të mbështetet në argumente stabile, nuk mund t`i shpëtojë subjektivizmit. Fundja, persiatjet kritike janë përkah vet natyra subjektive, pasi që ato përfaqësojnë shijet dhe preferencat personale. Në fushën e poezisë numri i atyre që kanë bërë emër osë që punojnë në ndërtimin e tij është më i madh se në prozë. këtu do të përmendja: Poetet: Ilir Spata, Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, Elinda Marku, Aulona Goxhaj, Mehill Velaj, Adnan Mehmeti, Gjekë Marinaj, Pjetër Jaku, Pal Ndrecaj etj. Ndërkaq në prozë, pothuajse të vetmit krijues të suksesshëm të romanit e tregimit mbesin Pellumb Kulla, Ramiz Gjini, Naum Prifti, Pandeli Simsia, Albana Melyshi dhe Pal Ndrecaj.

Përderisa Pëllumb Kulla përmes një humori të lehtë, një gjuhe të ëmbël dhe shumë atraktive dhe skenave tejet interesante trajton tema të ndryshme nga jeta e perditshmëria, proza e Ramiz Gjinit synon të zbërthejë të keqen si kategori sociale, politike e filozofike. Romani “Bibollasit” i Ramiz Gjinit trajton një fenomen të rrahur mjaft në këta 20 vjetët e fundit. Ajo që e shpëton atë nga rutina e temës së trajtuar dendur është fakti se Gjini nuk i nxjerr deformimet shoqërore si pasojë të një sistemi që nuk funksionon, pra nuk e lë qasjen letrare peng të qasjes  sociologjike: ideja e romanit na shpie drejt një konkluzioni të mundshëm se deformimet shoqërore burojnë nga vet psikologjia dhe shpirti i individit. Romani i tij “Bibollasit” është një vepër, e cila përmes linjave të tij rrëfimore mëton të përfshijë sa më shumë aspekte devijante të jetës në Shqipëri, në fazën delikate të ndërrimeve të mëdha politike.

Anët më interesante të poezisë së sotme në SHBA i përmbajnë Ilir Spata, Iliriana Sulkuqi, Elinda Marku dhe poetesha e re Aulona Goxhaj. I pari, Ilir Spata, duke  aplikuar një tip poezie që tashmë është i tejkaluar dhe “anakronik” me një sukses tepër të madh, me një talent te rrallë dhe një mprehtësi të rrallë thyen një “rregull” në pikëpamje të llojit e formës; ai është një poet epik dhe epika e tij freskohet me  vecori e tipare te reja e interesante. Epika e tij është epikë e Atdheut, e fatit te tij të rëndë që i sollën shekujt. Poezia e tij “Kush jemi ne” e shkruar  para 6 vitesh është pasqyrë e gjithë rrugëtimit tonë nëpër histori, ajo është një vajtim i bukur e kranar i fatit të keq, një parashtresë tronditëse e të drejtës sonë dhe një dëshmi gjëmuese e ekzistimit të dinjitetshëm përballë pabesive aq të pashpirta që na i vuri përpara e kaluara. Iliriana Sulkuqi aplikon një poezi të lehtë kuptimmisht, një lirikë që shpërfaq ndjesitë e përjetimet personale, ndërkohë që Aulona Goxhaj synon një komunikim poetik të mbështjellur me një arsenal tropesh që mëton të përfolë dukuritë e fenomenet universale të jetës dhe te ndertoje nje sistem konceptimi filozofik qe afron me meditimin e rende, me persiatjen e mundimshme dhe me gjetjet e panumerta. Elinda Marku, nje tjeter poete interesante dhe shume produktive i sjell poezise shqipe ne keto ane dhe poezise shqipe ne pergjithesi ane te tjera karakteristike, sic jane: atmosfera e befasise dhe shperthimi i te papriturave. Krijimet e saja, jane, padyshim krijime te veshura me nje petk artistik tejet farfurites dhe te bukur, sjellin mesazhe humane dhe vecohen me ide e mendime interesante dhe shtresime e shumedimensionalitet kuptimor. Nje poezi e publikuar krejt se fundi me ka befasuar me aftesine per dyzimin semantik te mitit te Arkes se Noes. Sipas Elindes, ajo qe solli shpetimin me rastin e permbytjes, nuk eshte arka, por nje djep. Dhe, rrjedhimisht, bota nuk shpetoi ne kuptimin klasik qe jep legjenda, por ne kuptimin e rigjallimit permes atij djepi. Tematika e poezise shqipe ne keto ane, perjeton nje zgjerim e pasurim te dukshem me krijimtarine e Mehill Velajt. Poezia e tij  zgjeron interesimet shprehese duke prekur ceshtje te nduarduarta, te cilat ia nenshtron nje prizmi origjinal nga kendi i nje vrojtimi metafizike. Pra, poezia e tij meton te jete gjithperfshirese.

Një numër tjetër krijuesish, që sic permenda, mëtojnë të ndertojnë emer në letërsi has në pengesa të mëdha për të realizuar këtë. Këto pengesa duken edhe më shumë tek disa të ashtuquajtur romanciere, të cilët në “romanet” ndjekin ndonjë tregim a ngjarje te jetuar a të degjuar pa pasur as më të voglën mundësi që atë ta  transormojne ne një rrëfim letrar.

  • Kjo kumtese u mbajt me 11 nentor  ne takimin festiv vjetor, organizuar me rastin e 100 vjetorit te Pavaresise nga Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane

Filed Under: Kulture Tagged With: 100 vjet Letersi, Pal Ndrecaj

NJE PORTRET AS LINDOR AS PERENDIMOR

November 11, 2012 by dgreca

Nga Astrit CANI/

Artisti Eltjon Valle më fton me më tregue pikturën e tij të fundit. Vizitojmë apartamentin tij, në skaj të lagjes ‘Isola’ të Milanos, ku muret janë të mbuluar nga kuadrot e tij me format të madh, në tonalitete të errëta, shpesh monokromatike. Këtu lart mbërrijnë veprat të cilat autori i ndjen më afër, ato që meritojnë të rrinë veç, larg angarisë së ateljesë. Herën e fundit që kam parë një seri prej tij, ishte një inventar i shkrimtarëve të mallkuar të shekullit XX, ku secili mund të njihte shkrimtarin e vet. E vetmja gjë që ka mbetur e pranishme edhe sot, nga ajo ‘recherche’ e dikurshme, është përdorimi i naftës në telajot e tij, me bazë bojrash vaji. Hedhja e bazës ose ‘grunti’ bëhet gjithmonë me bojra klasike. Më vonë vjen retushimi me olio di pietra ose petrolio. Elementi naftë për Vallen, është një mënyrë me sondue fëmininë e vet, në jugun industrial. Dhe fëminia është obsesioni i çdo artisti. Duke ia shtuar naftën, piktura e tij refuzon me qenë e bukur tout court. Ajo të imponohet me mënyra të tjera. Sikundër në mënyrë magjike një fëmini mund të jetë fatlume, pa qenë e bukur. Piktura e tij të imponohet në radhë të parë me dimensionin e saj urban, ku asgjë nuk i lihet rastit. Valle e vazhdon kërkimin e tij në të gjitha përthyerjet e postmodernizmit, duke kërkuar udhën e tij në peisazhin apokaliptik. Megjithatë herë pas here, ai ndjen nevojën t’i kthehet akademisë.

Këtë radhë ka marrë përsipër një subjekt pa të dytë, personalitetin më në zë dhe më të padiskutueshëm, flamurtarin e Rilindjes sonë, Ismail Qemalin. Larg zhurmës institucionale, larg fetishizimit mediatik, ka qenë vetë familja Vlora që e ka porositur këtë portret, e pakënaqur nga përshfaqjet e deritanishme të kësaj figure sa të nderuar aq edhe të shfrytëzuar. Nismëtari i projektit shprehet i kënaqur me rezultatin, dhe uron ta shohë në qarkullim sa më shumë, deri sa kjo e përshfaqje të tjera si kjo t’ia zënë vendin atyre të realizmit socialist. Për filatelistët urojmë ta kemi edhe në ndonjë seri pullash. Ka ende shumë punë me arritë tek ndryshimi i perceptimit edhe për këtë ikonë kombëtare.

Shumica e shqiptarëve e njohin atë nëpërmjet filmit, i cili, pavarësisht aktorit të pazëvendësueshëm që e luan, e rëndon gjithçka me një retorikë prapavepruese, që e prish vërtetësinë realiste të kohës dhe vendit, ‘hic et nunc’-un aristotelian. Më shumë se gjithçka, na intereson me hetue pikëpjekjen e përmasës njerëzore me përmasën historike të asaj bëme. Nga libri i edituar e botuar prej Darling I. Vlora, përmendim një citat që na jep nga afër kalimin e vështirë drejt destinacionit që bëhet destin. Nga kujtimet e delegatit Dh. Zografi: «…Vlora nga Durrësi nëpër det mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë me kuaj të mirë. Ç’kemi parë dhe ç’kemi bërë në këtë udhë bëhet një roman më vete. Fushët e Muzeqesë, të mbytura me ujë, dukeshin si nonjë det pa anë dhe i kemi shkuar kaluar 5-6 orë më këmbë në ujë gjer mbi gju, asisoj dhe udhë të gjata me baltëra të thella që mezi nxirrte këmbën kali. Për tu vënë re ish guximi, kurajua, fytyra e ëmël dhe e pandryshueshme e plakut Ismail Qemali, i cili shkonte gjithnjë përpara. Një njeri i pamësuar nër ato vise, jo plak si Ismail Qemali, po shumë më i ri, sikur në flori ta veshësh, s’ta bën atë udhëtim. Po patriotizmi dhe gazi i punës së shenjtë që kish nisur, e mbushte me kurajo që të marrë atë udhë të gjatë. Duke parë guximin e plakut të shtrenjtë, na forcohej edhe neve zemra që të kapërcejmë gjithë ato rreziqe, të cilat kur i kujtojmë sot na zë tmerri. Ç’ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë, ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që di dhe pa veprat e tij…»

…Poezia e fortë e realitetit. Shprehja “gazi i punës së shenjtë” flet për atë nivel realiteti ku aksioni bëhet poezi. Një poezi që duhet vazhduar. Ismail beu ka qenë kapiteni i parë i kësaj anijeje që quhet Albania. Të na falni që po i përmendim emrin ndërkombëtar, por i shkon anijeve një i tillë. Ai qe i pari që vërtetoi se kjo anije e vogël lundron, dhe i siguroi asaj njohjen dhe përnjohjen ndërkombtare. Ka pasur kohë kur një pjesë e vetë shqiptarëve e kanë sekuestruar këtë anije, dhe mu si Robinson Crusoe pas anijembytjes e kanë plaçkitur atë, anijen e vet. Dritëshkurtëve kjo i është dukur racionale, thuase mund të çohet në shpi atdheu copa-copa. Por është e kundërta, duhet të vendoset shtëpia në një atdhe, atëherë begatohet shtëpia e atdheu bashkë. Robinsoni e plaçkit anijen e vet, pasi ajo nuk lundron më, e nuk mund ta shpëtojë dot, i duhet thjesht për mbijetesë. Por anija jonë Albania do lundojë sot e mot e do ketë prapë kapitenë si Ismail beu. Piratët qysh sot kanë filluar të kthehen në papagaj.

Me cinizëm prej kritiku, them se arsyeja përse Valle e ka qarë portretin e Ismail Qemalit, vjen prej distancës nga historia dhe kompleskiteti i saj. Dora e tij lëviz me ritmnin e emocionit, pa ngërçin e ideologjisë. Sikundër ka aktorë që e qajnë tekstin pikërisht sepse nuk e kuptojnë atë, dhe vetëm kështu ata bëhen vetë teksti. Por Valle e ka ndjerë subjektin e vet, s’e ka duruar dot gjatë, e ka rrokur me penelata të shkathëta, ku gjithsesi ndihet një emocion që ka lidhje me sekretet e gjakut të të parëve. Dhe kështu kemi një portret të formatit mesatar (100 me 70), të punuar mbi një fotografi të përsosur të vitit 1910, prej arkivit të familjes. Kuptohet, që shtrimi i imazhit në pikturë, i jep atij shumë më tepër jetë, ngasa do t’i jepte një zmadhim i thjeshtë i resmes origjinale.

Mbi mur, prapa një gramafoni kinse butaforik, fytyra e plakut të urtë duket sikur buzëqesh dhe na jep bekimin, a thua se mirësia e tij na qenkej edhe mirësia jonë, sikur po na dhuron pak nga ai dinjitet duke e ngjallur atë brenda nesh, ku ka qenë i topitur për shumë kohë.

I thirrur gati para përgjegjësisë, për të realizuar portretin Valles i duhet të shfrytëzojë gjithçka që i ka marrë shkollës shqiptare dhe akademisë italiane që ka frekuentuar në vitet e vështira të formimit të tij. Për gruntin dhe flamurin, ai kërkon të kuqen, por nuk mjaftohet patriotikisht me atë të Onufrit, kërkon Tintoreton, mjeshtrin e kahershëm. Mosnjohja e historisë nga ana e piktorit, i jep kësaj pikture një pafajsi të rrallë dhe e çliron nga çdo akademizën e njëherësh nga çdo ideologji. Valle pikturon njeriun prej mishi dhe ashti dhe gjestin e tij.

Nuk është këtu vendi të flasim për modernitetin dhe tagrin shumëpërmasor të figurës së Ismail Qemalit. Si individ, pavarësi-bërësi jonë ka edhe një tregues tjetër shumë të rëndësishëm, se është ndër shqiptarët me zhvillimin më të mirë psiko-fizik të kohës. Na duket i dorës së parë fakti se ai ishte një figurë që po të mos kishte bërë Shqipërinë do të kishte punuar për Turqinë moderne, e mbase kontributi i tij direkt do t’i ishte shpërblyer familjes së tij aty. Por sikur ai të kishte zgjedhur të bënte për Turqinë, familja e tij sot do të ishte mbase më e kamur, më e madhe dhe më e respektuar, por nuk do të ishte më shqiptare.‘Amor fati’ e deshi për ’të dhe për ne që pas lavdisë të vinte kupa e hidhur. Një poet amerikan ka thënë: find what you love and let it kill you.

Na frymëzon maturia, drejtpeshimi dhe personaliteti i shëndetshëm i Ismail beut (për anglishtdashësit: lord Qemali). Ai nuk anon kurrkah. Kudo ku shkon është shqiptar, nuk është as lindor as perëndimor. Njerëz si ai europianizuan edhe Turqinë. Po të ishim si ai nuk do t’imitonim, nuk do ta bënim me anue anijen tonë, duke vrapuar herë kah perëndimi herë kah lindja. Kështu do t’ishim as lindorë as perëndimorë, pra edhe lindorë edhe perëndimorë. E në këto kohëra të globalizimit ne do t’ishim mediatorë të shkëlqyer të këtyre dy Botëve, që janë e njejta botë. Pra në vend që të ishin perëndimi dhe lindja dy gurët e mokrës që na grijnë qëmoti, do të ishin dy burimet tona që na furnizojnë padà me energji sociale. Do të ishte e vetmja mënyrë për mos e e fetishizue veten, siç kemi fetishizuar të gjitha ikonat tona.

Portreti e ka vazhduar rrugëtimin e tij. Janë bërë shumëfishime të shtypura dhe është shpërndarë edhe elektronikisht. Diaspora e shqiptarëve të Kosovës e ka pritur Darlingun dhe nderuar atë me qytetari nderi. Kuptohet që për stërnipin e Ismailit, ky është një vlerësim frymëzues. Ne shqiptarët e simbas-Londrës nuk e harrojmë amà, se ishte stërgjyshi i tij që na e dha qytetarinë bashkë me nderin. Nuk do të lejojmë e as nuk do të ndodhë që piratët të na i marrin të dyja.

Sot ky portret është pjesë e koleksionit privat të zotit Renato Skënderi. Me prani të kahershme në atdheun e pikturës, ai i ndih me sa mundet artit të ri shqiptar…Të gjitha formulimet janë të tepërta dhe e lëmë portretin të flasë.

Na intereson ta ndjekim udhëtimin e portretit. Jemi shumë kureshtarë të shohim si do festohet në familjen Vlora 100 vjetori. Si një Vit-i-Ri Shekull-i-Ri?…

Pavarësia është një realitet që duhet vazhduar pa ia prishur poezinë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Cani, Eltjon Valle, Porteri i Ismail, Qemalit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT