NGA PAL NDRECAJ*/
Fati historik i popullit tone ka dashur që letërsia shqipe, në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj të krijohet në masë të madhe jasht kufijve të shtetit kombëtar dhe jasht trojeve etnike. Emigrimet e pandërprera nxorën jasht vendit jo vetëm qytetarë të rëndomtë, që u detyruan të sigurojnë ekzistencën e tyre në vende me liri më të madhe se vendi i tyre, por ndoqën edhe disa nga mendjet më të shquara të kombit. Prandaj, studimi i letërsisë bashkëkohore shqipe nuk guxon të kufizohet në emrat që krijuan në Shqipëri, Kosovë, troje etnike në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni, por edhe në Gjermani, Zvicër, Suedi, Francë, Itali, SHBA, etj. Gjeografia e letërsisë shqiptare është më e madhe dhe më e hapët se gjeografia e popullit shqiptar.
100 vjet kohë në krijjimtarinë letrare do të thotë një periudhë e gjatë dhe interesante. Sikurse edhe në letërsitë e tjera evropiane një periudhë kaq e gjatë kohore karakterizohet edhe me shfaqjen e shkollave, drejtimeve e formacioneve të ndryshme letrare. Dhe padyshim, ky 100 vjetësh i shënoi të gjitha këto, sa me faktin se paraqet një kohë më të përshtatshme për shkrimin letrar, aq edhe nga ndikimi i shpejtë i rrymave letrare perendimore, sidomos i asaj moderne. Tashmë në Shqipëri u shqua një numër krijuesish, të cilët do të vazhdonin traditën letrare shqipe të thelluar nga emra kolosësh, sic janë Naimi, Mjedja e Fishta. Mirëpo nuk kaloi edhe shumë kohë dhe letërsia u ndodh përpara momentit të vështirë të diktatit politik të shtetit diktatorial, kur nga letërsia u shtruan kërkesa që do ta vinin atë në funksion të përmbushjes së interesave politike e ideologjike të sistemit. Sic është e njohur, ky diktat zvetnoi një pjesë të konsiderueshme të prodhimtarisë letrare, duke e evituar atë nga funksioni artistik. Mirëpo, megjithë përmasat dramatike që tashmë ka marrë debati here here më shumë politik sesa letrar në lidhje me krijimtarinë e shumë shkrimtarëve te kësaj periudhe, respektivisht në lidhje me raportin e tyre si krijues me kërkesat politike të përmendura, mund të thuhet se në letrat shqipe të periudhës së komunizmit u hetuan përpjekje për të dalë jasht këtyre kontureve ideologjike të imponuara. Kush njeh dhe kupton veprën e Ismail Kadaresë, kush njeh e kupton gjuhën e aluzionit e të alegorisë poetike, kush njeh fuqinë e figurave të sofistikuara poetike, kush e lexon dhe kupton atë pa ngarkesa emotive e ideologjike nuk e ka të vështirë të pranojë se edhe për rastin shqiptar vlen thënia e filozofit gjerman Friedrich Nitche: “Feja, morali dhe filozofia janë forma të dekadencës së njerëzimit. Lëvizja e kundërt është arti”!
Mirëpo, meqë qëllimi i këtij tubimi është shënimi i një përvjetori kaq të madh, i 100 Vjetorit të Pavarësisë dhe organizatori i tij ka kërkuar që të fokusohemi tek letërsia shqipe që krijohet ne SHBA , po përpiqem që në këtë bashkëbisedim të përkujtojmë rrugën nëpër të cilën ka ecur dhe është zhvilluar kjo letërsi në këtë pjesë të botës. Figurat e para që na shfaqen në këtë kohë dhe në këtë mjedis janë shkrimtari e intelektuali Faik Konica, shkrimtari, intelektuali dhe studiuesi Arshi Pipa dhe shkrimtari, intelektuali kleriku e politikani Fan Noli.
Vepra e Konicës është, pothuajse, një shkollë më vete që e karakterizon një gjuhë dhe stil krejtësisht i ri dhe i paparë deri atëherë, me një ironi të fortë, me një sakrazëm të mprehtë dhe me një notë kritike të pamëshirshme. Historia e shkrimit tonë letrar e cilësoi atë si një “stilist të rrallë, vrojtues të mprehtë qe i vuri themelet e një shkrimi krejtesisht tjetër nga ai i deriatëhershëm”, qe bëri “një shmanige në pikëpamje të formës dhe përmbajtjes dhe nxiti një avansim te të dyjave”.
Fan Noli është shkrimtari që njësoj si edhe Konica, nga përtej Atlantikut. Ai punoi dhe shkroi për emancipimin kulturor e politik të popullit të tij. Poezia e Nolit shquhet për angazhimin dhe funksionin shoqëror dhe për një angazhim të dukshëm politik.
Mirëpo në këtë vend ku ne jetojmë sot përpjekjet krijuese u intensifikuan sidomos në dekadën e kaluar dhe në këtë që sapo kemi nisur. Në këtë kohë ndodhi një vërshim shkrimesh nga një numër i pamasë autorësh, të cilët me dëshirën me të mirë për t`u bërë poetë, tregimtarë e romancierë provuan penat e tyre diku me sukses e diku fare pa të. Tash të flasesh për gjithë këtë prodhim shkrimor si për një lëtërsi është e padenjë, e papërgjegjësi dhe e padrejtë. Mirëpo edhe të mos i shohim në gjithë këtë perpjekje penash penat e mirëfillta është papërgjegjësi e njëjtë, e njëjtë e padenjë dhe e njejtë e padrejtë. Mirëpo, në një vështrim të tillë kalimthi është e pamundur të përmenden të gjithë ata që krijojnë vepra që përmbushin kërkesat estetiko-letrare, kështu që një shqyrtim seleksionues sado që mundohet të mbështetet në argumente stabile, nuk mund t`i shpëtojë subjektivizmit. Fundja, persiatjet kritike janë përkah vet natyra subjektive, pasi që ato përfaqësojnë shijet dhe preferencat personale. Në fushën e poezisë numri i atyre që kanë bërë emër osë që punojnë në ndërtimin e tij është më i madh se në prozë. këtu do të përmendja: Poetet: Ilir Spata, Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, Elinda Marku, Aulona Goxhaj, Mehill Velaj, Adnan Mehmeti, Gjekë Marinaj, Pjetër Jaku, Pal Ndrecaj etj. Ndërkaq në prozë, pothuajse të vetmit krijues të suksesshëm të romanit e tregimit mbesin Pellumb Kulla, Ramiz Gjini, Naum Prifti, Pandeli Simsia, Albana Melyshi dhe Pal Ndrecaj.
Përderisa Pëllumb Kulla përmes një humori të lehtë, një gjuhe të ëmbël dhe shumë atraktive dhe skenave tejet interesante trajton tema të ndryshme nga jeta e perditshmëria, proza e Ramiz Gjinit synon të zbërthejë të keqen si kategori sociale, politike e filozofike. Romani “Bibollasit” i Ramiz Gjinit trajton një fenomen të rrahur mjaft në këta 20 vjetët e fundit. Ajo që e shpëton atë nga rutina e temës së trajtuar dendur është fakti se Gjini nuk i nxjerr deformimet shoqërore si pasojë të një sistemi që nuk funksionon, pra nuk e lë qasjen letrare peng të qasjes sociologjike: ideja e romanit na shpie drejt një konkluzioni të mundshëm se deformimet shoqërore burojnë nga vet psikologjia dhe shpirti i individit. Romani i tij “Bibollasit” është një vepër, e cila përmes linjave të tij rrëfimore mëton të përfshijë sa më shumë aspekte devijante të jetës në Shqipëri, në fazën delikate të ndërrimeve të mëdha politike.
Anët më interesante të poezisë së sotme në SHBA i përmbajnë Ilir Spata, Iliriana Sulkuqi, Elinda Marku dhe poetesha e re Aulona Goxhaj. I pari, Ilir Spata, duke aplikuar një tip poezie që tashmë është i tejkaluar dhe “anakronik” me një sukses tepër të madh, me një talent te rrallë dhe një mprehtësi të rrallë thyen një “rregull” në pikëpamje të llojit e formës; ai është një poet epik dhe epika e tij freskohet me vecori e tipare te reja e interesante. Epika e tij është epikë e Atdheut, e fatit te tij të rëndë që i sollën shekujt. Poezia e tij “Kush jemi ne” e shkruar para 6 vitesh është pasqyrë e gjithë rrugëtimit tonë nëpër histori, ajo është një vajtim i bukur e kranar i fatit të keq, një parashtresë tronditëse e të drejtës sonë dhe një dëshmi gjëmuese e ekzistimit të dinjitetshëm përballë pabesive aq të pashpirta që na i vuri përpara e kaluara. Iliriana Sulkuqi aplikon një poezi të lehtë kuptimmisht, një lirikë që shpërfaq ndjesitë e përjetimet personale, ndërkohë që Aulona Goxhaj synon një komunikim poetik të mbështjellur me një arsenal tropesh që mëton të përfolë dukuritë e fenomenet universale të jetës dhe te ndertoje nje sistem konceptimi filozofik qe afron me meditimin e rende, me persiatjen e mundimshme dhe me gjetjet e panumerta. Elinda Marku, nje tjeter poete interesante dhe shume produktive i sjell poezise shqipe ne keto ane dhe poezise shqipe ne pergjithesi ane te tjera karakteristike, sic jane: atmosfera e befasise dhe shperthimi i te papriturave. Krijimet e saja, jane, padyshim krijime te veshura me nje petk artistik tejet farfurites dhe te bukur, sjellin mesazhe humane dhe vecohen me ide e mendime interesante dhe shtresime e shumedimensionalitet kuptimor. Nje poezi e publikuar krejt se fundi me ka befasuar me aftesine per dyzimin semantik te mitit te Arkes se Noes. Sipas Elindes, ajo qe solli shpetimin me rastin e permbytjes, nuk eshte arka, por nje djep. Dhe, rrjedhimisht, bota nuk shpetoi ne kuptimin klasik qe jep legjenda, por ne kuptimin e rigjallimit permes atij djepi. Tematika e poezise shqipe ne keto ane, perjeton nje zgjerim e pasurim te dukshem me krijimtarine e Mehill Velajt. Poezia e tij zgjeron interesimet shprehese duke prekur ceshtje te nduarduarta, te cilat ia nenshtron nje prizmi origjinal nga kendi i nje vrojtimi metafizike. Pra, poezia e tij meton te jete gjithperfshirese.
Një numër tjetër krijuesish, që sic permenda, mëtojnë të ndertojnë emer në letërsi has në pengesa të mëdha për të realizuar këtë. Këto pengesa duken edhe më shumë tek disa të ashtuquajtur romanciere, të cilët në “romanet” ndjekin ndonjë tregim a ngjarje te jetuar a të degjuar pa pasur as më të voglën mundësi që atë ta transormojne ne një rrëfim letrar.
- Kjo kumtese u mbajt me 11 nentor ne takimin festiv vjetor, organizuar me rastin e 100 vjetorit te Pavaresise nga Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane