• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2012

MIRENJOHJE PER SHQIPTARET

November 1, 2012 by dgreca

E dini shumë mirë që aq shumë shqiptaro-amerikanë shërbejnë në qeverinë tonë dhe në forcat tona të armatosura. Janë sipërmarrës e mësues, inxhinierë dhe artistë, udhëheqës fetarë, si dhe drejtojnë disa prej restoranteve më të mira në botë. Kultura shqiptare është një përbërës i pasur i jetës amerikane./

Nga Hillary CLINTON*/

Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe kam mundësinë që të flas përpara këtij parlamenti të një Shqipërie të lirë, të pavarur, sovrane e demokratike. Z. President, Zonja Kryetare, Z. Kryeministër, anëtarë të parlamentit, nderi është edhe më i madh sepse bashkohem me ju për të festuar jubileun tuaj – 100 vjet pavarësi. Ka qenë një fitore për të cilën keni luftuar shumë. Teksa po hyja me – më pëlqen shumë të them Zonjën Kryetare – me Kryetaren Topalli nëpër korridore, pashë fotot e paraardhësve tuaj. Në 100 vitet e fundit ka ndodhur aq shumë, por një gjë ka qenë e pandryshuar: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë miku dhe partneri juaj dhe për këtë jemi shumë krenarë. Lidhjet tona vetëm sa janë forcuar dhe shumëfishuar. Dhe nuk ka ndodhur vetëm mes qeverive tona; ka ndodhur mes popujve tanë. Populli amerikan dhe populli shqiptar ndajnë kapacitetin për të demonstruar zhdërvjelltësi dhe vendosmëri. Ju, ashtu si ne, keni qenë të vendosur për të qenë të lirë, për të ndërtuar një demokraci të gjallë dhe një ekonomi në lulëzim. Ju, ashtu si ne, zotëroni dëshirën e zjarrtë për të lënë pas përplasjet e vjetra dhe për të arritur një të ardhme paqeje dhe mundësie për të gjithë. Jam shumë mirënjohëse për këtë partneritet dhe për miqësinë tonë historike, ashtu siç jam mirënjohëse për kontributet që mijëra shqiptarë kanë dhënë për vendin tim. E dini shumë mirë që aq shumë shqiptaro-amerikanë shërbejnë në qeverinë tonë dhe në forcat tona të armatosura. Janë sipërmarrës e mësues, inxhinierë dhe artistë, udhëheqës fetarë, si dhe drejtojnë disa prej restoranteve më të mira në botë. Kultura shqiptare është një përbërës i pasur i jetës amerikane. Arrita ta njoh këtë mirë si senatore nga Nju Jorku për tetë vite. Dhe, Z. President, u ndjeva thellësisht e nderuar që mora sot Urdhrin e Flamurit Kombëtar. Këtë do ta adhuroj përgjithmonë. Ishte një tjetër simbol i miqësisë së fortë që kemi mes nesh. Njëqind vjet më parë si këtë muaj, Presidenti i SHBA Udrou Uillson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe ndaloi ndarjen e vendit tuaj gjatë pasojave të Luftës së Parë Botërore. Në dhjetëvjeçarët që pasuan, udhëheqësit amerikanë, si demokratë ashtu edhe republikanë, në mënyrë të përsëritur u ngritën për të mbështetur të drejtat dhe liritë tuaja, jo vetëm këtu në Shqipëri por anekënd rajonit. I vlerësova shumë fjalët e Kryetares mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur duke rivendosur shpejt marrëdhëniet me Shqipërinë në vitin 1991, në kohën e Presidentit Xhorxh H. Ë. Bush. Dhe, sigurisht, isha e nderuar dhe shumë e lumtur që dëgjova edhe një herë tjetër se çfarë kishte bërë im shoq, duke ngritur fondin e sipërmarrjeve. Si President, Presidenti Klinton themeloi një fond sipërmarrjeje për të sjellë investime amerikane në Shqipëri, për të mbështetur zgjedhjet demokratike këtu, dhe punoi me Shqipërinë dhe aleatët tanë në NATO për të mbrojtur Kosovën dhe për të rivendosur stabilitetin në rajon. Më pas, pesë vjet më parë, Presidenti Xhorxh Bush u bë presidenti i parë në detyrë që vizitonte Shqipërinë. Dhe, në vitin 2009, Presidenti Obama ishte krenar që ju mirëpriti juve, sëbashku me Kroacinë, si anëtarët tanë më të rinj në NATO. Jam sot këtu, në këtë çast historik në historinë tuaj me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre. Teksa isha ulur në karrigen këtu pas meje, duke ju vështruar të gjithëve juve dhe duke parë fytyrat tuaja e duke menduar për prindërit e gjyshërit e stërgjyshërit tuaj dhe gjithçka që kanë hequr – pushtime, diktaturën komuniste, privime të ashpra – është e vështirë të besosh sot që jo shumë kohë më parë, Shqipëria ishte vendi më i izoluar në Europë. Nuk kishit asgjë nga ato që keni sot: liri politike dhe shoqërore, vetë-vendosje, dhe shanse. Aq shumë shqiptarëve iu desh të braktisnin familjet e vendet e dashura për t’i kërkuar tjetërkund. Megjithatë, tani keni aq shumë për të festuar. Ky jubile nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën. Është edhe një sfidë se çfarë do të bëheni në të ardhmen. Njëzetë vite më parë, sapo po dilnit nga zgjedha e komunizmit; tani, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit përfshihen në debate dhe votojnë hapur ligjet e vendit, veprimtari që dikur ishin të pamundura. Në atë kohë, ekonomia juaj ishte e mbyllur dhe keni punuar fort për ta hapur, për të krijuar kushtet për sipërmarrje, tregti e investime, hedhjen e themeleve për mundësi edhe më të mira në të ardhmen. Në atë kohë, Shqipëria ishte vendi i qindra mijëra bunkerëve prej betoni, një provë e mosbesimit që udhëheqësit komunistë kishin jo vetëm ndaj kombeve të tjera, por edhe ndaj popullit të vet. Tani jeni anëtarë të vlefshëm të NATO-s, pjesëmarrës të suksesshëm në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan, dhe shpreh ngushëllimet e mia për humbjen e parë të një ushtari shqiptar atje. Po ecni drejt integrimit të plotë në Europë teksa kërkoni hyrjen në Bashkimin Europian. Të gjitha këto janë baza për festë. Por mendoj që amerikanët dhe shqiptarët nuk mund të jenë kurrë të kënaqur. Na duhet të pyesim veten, ç’mund të bëjmë më shumë? Si mund t’i përmirësojmë jetët e atyre të cilëve iu shërbejmë? Nuk mund të ndaleni tani. Keni potencialin të bëheni model, jo vetëm për këtë rajon, jo vetëm për Europën, por për të gjithë botën. Dhe Shtetet e Bashkuara kanë interes të madh në suksesin tuaj. Jo vetëm duam të shohim marrëdhënien tonë të rritet edhe më e fortë, por duam t’ju shohim edhe juve të rriteni më të fortë. Duam të shohim ekonominë tuaj, demokracinë tuaj të shkaktojë zili tek kushdo tjetër. Mbështesim plotësisht aspiratat e Shqipërisë për në BE sepse mendojmë që kjo do t’ju bëjë më të fortë. Do të jetë diçka e mirë edhe për Europën dhe, ndonëse nuk kemi votë në atë aplikim për anëtarësim, do t’i themi kujtdo që do të dëgjojë se sa fort ju mbështesim. Shqipëria dhe populli shqiptar meritojnë një vend në familjen europiane të kombeve. Kjo është diçka jo vetëm për të mirën tuaj, por do ta bënte këtë kontinent më të paqtë e të sigurt. Por që kjo të ndodhë, muajt që vijnë paraqesin disa vendime kritike për ju që jeni në këtë sallë, për qeverinë tuaj dhe për popullin tuaj. Si mike dhe adhuruese e Shqipërisë, janë veçanërisht disa sfida që shpresoj do t’i përmbushni. Janë jetike për përparimin tuaj afatgjatë. Së pari, ju lutem të punoni për të siguruar që zgjedhjet tuaja të ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe që të shihen si të tilla nga e gjithë bota. Në radhë të parë, kjo duhet në mënyrë që populli i Shqipërisë të mund të ketë besim tek rezultati dhe tek ju si udhëheqësit tuaj. Është po ashtu një sinjal i rëndësishëm për BE-në që politika shqiptare mund të funksionojë paqësisht dhe pa konflikte. E di që shumë prej jush jeni përqendruar në këtë çështje dhe po ndërmerrni tani hapa për të ngritur një proces të qartë dhe të efektshëm dhe për këtë ju përgëzoj. Si dikush që ka qenë në politikë e ka kandiduar në zgjedhje me kundërshti, në të cilat disa i kam fituar e disa jo, e di se sa e vështirë mund të jetë politika në botën moderne. Mund të dëshmoj edhe se si zgjedhjet tërheqin vëmendjen e botës sepse me TWitter dhe Facebook dhe komunikime të çastit, duhet të marrësh parasysh që gjithçka do mësohet, do shihet, çka është e mirë për demokracinë, por vendos një barrë shtesë mbi ne që jemi në drejtim. Ndaj, nxis jo vetëm udhëheqësit e Shqipërisë, por popullin, qytetarët e Shqipërisë, që të punojnë fort për t’i shndërruar këto zgjedhje të ardhshme një sukses që pasqyron thellësinë e përkushtimit tuaj ndaj demokracisë. Në të njëjtën kohë, është gjithmonë me rëndësi t’i kujtojmë vetes që konsolidimi i demokracisë kërkon më shumë se sa thjesht zgjedhjet. Kërkon sundimin e ligjit. Kërkon institucione të forta, përfshi një gjyqësor të efektshëm dhe të paanshëm. Kërkon që qeveria të jetë e hapur në mënyrë që qytetarët të na kërkojnë neve, drejtuesve, llogari. Atribute të tilla si këto sigurojnë që demokracia të japë rezultate konkrete për njerëzit. Dhe kur këto minohen, duhet dhënë llogari. Së dyti, ju nxis të përballeni me problemin që ndikon aq shumë demokraci në botë sot, dhe pikërisht korrupsionin. Kjo është një luftë që çdo vend duhet ta kryejë dhe të fitojë sepse në mbarë botën, korrupsioni është një kancer që gërryen shoqëritë. Shteron burimet, bllokon rritjen ekonomike, është mburojë për udhëheqës të paaftë dhe joetikë, dhe ndoshta më e keqja, krijon një kulturë pandëshkueshmërie që iu gërryen njerëzve vullnetin për të përmirësuar jetët dhe komunitetet e tyre. Për këtë nuk ka përgjigje të lehtë. Është po aq i vjetër sa natyra njerëzore. Jam e sigurt që nëse do të kishte një përgjigje të lehtë, bota do ta kishte zgjidhur këtë problem kohë më parë. Çrrënjosja e korrupsionit kërkon përpjekje të pandalshme dhe një përkushtim të përbashkët. Pavarësisht cilës parti i përkisni, pavarësisht cilat janë mosmarrëveshjet tuaja, nxis të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë të gjejnë vullnetin politik për të punuar sëbashku, për t’u përballur me këtë kërcënim ndaj pavarësisë suaj. Dhe kjo na drejton tek sfida e fundit që dua të ngre para jush, një sfidë që ka lidhje me gjithçka tjetër që përmenda. Që demokracia e Shqipërisë të lulëzojë, udhëheqësve të Shqipërisë do t’iu duhet të ndërtojnë një kulturë bashkëpunimi që kapërcen dallimet politike, ajo që Aleksis de Tokvil, historiani i madh i viteve të hershme të Amerikës, e quante zakonet e zemrës. Ato qëndrojnë në thelbin e çdo demokracie të suksesshme. Tani, kjo është një sfidë që disa vende nuk janë kurrë në gjendje ta kapërcejnë, por unë besoj se Shqipëria mundet. Përsëris që kam përvojë personale me këtë. Si senatore demokrate, kam punuar shpesh me republikanë në çdo krah për të zgjidhur probleme, për t’u përballur me çështje që ndikonin shtetin tim dhe vendin tim. Dhe mund të keni vënë re që tani shërbej si Sekretare Shteti për Presidentin Obama, ish-rivalin tim. Njerëz përreth botës vazhdojnë të më pyesin se si mundet që Presidenti Obama dhe unë të punojmë sëbashku çdo ditë si partnerë pasi kemi luftuar aq fort kundër njëri-tjetrit. Më besoni, kam bërë gjithçka për ta mundur. Por ai fitoi dhe pastaj më kërkoi të isha Sekretare Shteti e tij. Ndaj, kur më pyesin se si munden dy njerëz që nuk kanë lënë gjë pa thënë për njëri tjetrin, që kanë harxhuar dhjetëra miliona dollarë reklama kundër njëri tjetrit, mbështetësit e të cilëve përballeshin kudo – kundër njëri tjetrit, si mund të punoni bashkë ju të dy? Do t’jua tregoj, është një përgjigje shumë shumë e thjeshtë. Të dy e duam vendin tonë. Dhe e di që nuk ka asnjë shqiptar këtu që nuk e do Shqipërinë. Ndaj shpresoj që edhe ju do mund të gjeni rrugën tuaj për bashkëpunim të sinqertë e të qëndrueshëm. Ruajini besimet e ndryshme politike, besoni që mund të jeni një udhëheqës më i mirë se sa tjetri. Politika kështu e ka. Nuk do merreshit me të nëse nuk do besonit këtë për veten. Por në fund, vendosja e interesave vetiake dhe interesave partiake prapa interesave kombëtare është ajo që iu kërkohet udhëheqësve demokratikë. Megjithëse populli shqiptar mund t’i gjejë rrënjët e historisë mijëra vjet pas, kjo periudhë që vjen mund të jetë një prej periudhave më me pasoja me të cilat jeni përballur, për sa i përket mënyrës se si do të konsolidoni përgjithmonë dhuratën e demokracisë për brezat e ardhshëm. Dhe ka pyetje që ju, dhe vetëm ju, do duhet të ngrini dhe t’iu përgjigjeni: A do vazhdojë Shqipëria të ngrejë tullat e qeverisjes së mirë? A do të vazhdojnë udhëheqësit që të fitojnë besimin e njerëzve dhe të sigurojnë që qeveria të prodhojë rezultate? A do të lini mënjanë politikën personale dhe politikën partiake për të mirën e vendit? A do të kryeni reformat që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët? A do ta luftoni korrupsionin që iu vjen për shtat një pakice në kurriz të shumicës? A do të vazhdoni të bëni punën e madhe që kërkohet për të hyrë në Bashkimin Evropian, duke pranuar që ai ofron një rrugë të paqes dhe përparimit afatgjatë për qytetarët tuaj? A do të vazhdoni të shërbeni si model për rajonin dhe botën? Toleranca fetare që ekziston këtu në Shqipëri është një dhuratë e çmuar. Është e vështirë ta gjesh këtë në shumë vende në rajon dhe tjetërkund. Vlerësojeni atë. Përdoreni si një tjetër argument në favor të unikalitetit të këtij vendi të madh. Këto janë pyetje të vështira për t’iu përgjigjur. Nuk vij me përgjigjet këtu. Vij me pyetjet. Por vij edhe me një ndjenjë të thellë besimi tek ju. Dhe më lejoni të them që ndërsa merrni vendimet e vështira që kërkohen për përparimin tuaj të mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian, aty ku ju takon, Shtetet e Bashkuara do t’ju mbështesin në këto vendime të vështira. Ne besojmë që jemi bashkë në këtë, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria. E dimë se çfarë lloj bote duam për fëmijët tanë dhe për brezat e ardhshëm. Është një botë mundësish dhe tolerance dhe përfshirjeje. Është një botë e të drejtave të njeriut ku përfshihen të gjithë, që i japin çdo njeriu një shans për të përmbushur potencialin e dhënë nga perëndia. Dhe si udhëheqës të demokracive në shekullin e 21-të, është detyrimi ynë solemn për t’i dhënë këto rezultate për njerëzit që na kanë dhënë besimin. Ju shoh juve dhe shoh të ardhmen. Besoj që do të përballeni me sfidat dhe do të rrokni mundësitë e shekullit që kemi përpara. Dhe, të paktën unë, do t’ju nxis dhe do t’i tregoj kujtdo që do të dëgjojë se nëse doni të shihni demokracinë e vërtetë në veprim, shkoni në Shqipëri.
Urime dhe Perëndia ju bekoftë juve dhe Perëndia e bekoftë Shqipërinë.

Fjalimi ne Parlamentin e Shqiperise

Tirane, 1 Nentor 2012

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Fjalimi, i Hillary Klinton, ne Parlament

PRESIDENTI NISHANI NDEROI SEKRETAREN AMERIKANE TE SHTETIT, HILLARY CLINTON ME URDHERIN E FLAMURIT KOMBETAR

November 1, 2012 by dgreca

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi te enjten me 1 Nentor, me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me motivacionin:

“Për kontribut dhe merita të shquara në mbështetje të Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha përpjekjet për përparim e mirëqenie, për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie të lirë e të hapur.

Për ndihmën e jashtëzakonshme në anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, si edhe për mbështetjen e çmuar për Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, e cila përmbushi aspiratat e rajonit për liri e dinjitet.

Për kontribut të çmuar në konsolidimin e marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta e miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Urdhri më i lartë kombëtar i nderit iu dorëzua Sekretares Amerikane të Shtetit nga Kryetari i Shtetit Shqiptar gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Me këtë rast, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton u shpreh:“Zoti President,Të nderuar zyrtarë,

Më lejoni të shpreh ndjenjën e thellë të vlerësimit dhe nderit për marrjen e këtij Urdhri! Sigurisht që e pranoj sinqerisht në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të administratës së Presidentit Obama dhe në emër të Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten një partner i fuqishëm dhe një mik i Shqipërisë dhe për popullin e saj, teksa vijoni në të ardhmen të pavarur, të lirë, demokratike dhe me besim duke ndërtuar Shqipërinë që do të jetë një model i mirë dhe shembull për brezat që do të vijnë. Jam krenare që ju jam mike dhe do të mbetem e tillë.

Ju falenderoj për dhënien këtij nderi të jashtëzakonshëm dhe do të vijoj të bëj më të mirën time për ta merituar plotësisht. Ju e meritoni këtë plotësisht tani dhe në të ardhmen!”

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani theksoi:

“Për ne është një kënaqësi dhe nder që Sekretarja Amerikane e Shtetit pranoi këtë dekoratë të lartë të shtetit shqiptar. Përmes kësaj dekorate ne shprehim mirënjohjen për Sekretaren Klinton, qeverinë amerikane dhe për popullin amerikan, të cilët, jo vetëm në sfidat më të vështira të Shqipërisë kanë qenë pranë nesh, po dhe në çdo hap për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit.

Edhe një herë ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj!”

Tirane, 1 nëntor 2012

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: bujar nishani, Me Urdherine Flamurit, nderoi, presidenti, Sekretaren Clinton

SEKRETARJA KLINTON NE TIRANE:URIME 100 VJETORIN! SHQIPERIA PARTNERE!

November 1, 2012 by dgreca

CLINTON: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme/

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton nisi te enjten e 1 nentorit vizitën e saj në Tiranë. Ajo mbërriti pak pas orës 10.30. Takimin e parë, zonja Clinton e pati me presidentin Bujar Nishani, i cili i akordoi asaj edhe një nga medaljet më të larta, atë të Urdhërit të Flamurit e cila i është dhënë më parë edhe ish presidentëve Bill Clinton dhe GeorgeW Bush.

Më pas sekretarja amerikane është takuar me kryeministrin Sali Berisha i cili edhe një herë i ka vënë në dukje asaj se “kjo vizitë është xhevahiri në kurorën e festimeve” që Shqipëria po organizon me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. “SHBA-të janë krenare që janë partnerët dhe miqtë e vendit tuaj në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe hapjes së ekonomisë. Ne ju urojmë për 100 vitet e para dhe konfirmojmë edhe bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e tjera”, tha nga ana e saj zonja Clinton, në fillim të takimit me kryeministrin shqiptar.

Sipas departamentit të shtetit sekretarja Klinton do të theksojë në Tiranë solidaritetin me Shqipërinë si një vend anëtar i Natos, por dhe do të bëjë thirrje për një bashkëpunim më të madh politik si dhe për vendosjen e sundimit të ligjit. Zonja Clinton pritet të mbajë edhe një fjalim në parlament si dhe të takohet me kryetarin e opozitës shqiptare Edi Rama.

KRYEMINISTRI BERISHA DHE SEKRETARJA KLINTON PER MEDIAT

Kryeministri Berisha: Çdo vizitë e një Sekretari të Shtetit në Shqipëri është një vizitë historike, por vizita juaj është më historike, sepse përkon me një përvjetor të madh të vendit e kombit tim, 100 vjetorin e pavarësisë. Në këtë kontekst, ju siguroj se për çdo shqiptar prezenca juaj, sot, është një margaritar në kurorën e këtij përvjetori të madh. Shqiptarët i janë shumë mirënjohës vendit tuaj, juve, qeverisë suaj, sepse gjatë 100 viteve ia dolëm të triumfojmë në situatat më të vështira dhe ne jemi sot, një komb i lirë se kemi pasur privilegjin të kishim rolin përcaktues të kombit tuaj, qeverisë dhe vendit tuaj. Edhe një herë ju uroj mirëseardhjen më të ngrohtë. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët.
Sekretarja Clinton: Zoti Kryeministër, është një nder i madh të jem këtu, sot, në ditën e parë të muajit që shënon përvjetorin e 100 të pavarësisë suaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme

Filed Under: Kronike Tagged With: Hillary Clinton, Kryeministri Berisha, ne Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT