• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

RICIKLIMI I TEZAVE ANTI-SHQIPTARE TË SHK 19 NË MASMEDIAN SHQIP-SHKRUESE

January 26, 2013 by dgreca

Nga Fatbardha DEMI/

Mjer’ ai që i jep puthjen e tradhtis’ kombit të vet, Mëmëdheut dhe të birit të të lartit Zot në qiell!  (Naim Frasheri « Deshira e vertete e shqiptareve »)/

 Është vënë re, në harkun e viteve të fundit, mbi bazën e metodës « moderne » të shtjellimit të Historisë dhe në emër të “së vërtetes historike”, që të lexojmë shpalosjen e tezave anti-shqiptare të dy shekujve të fundit (19-20) mbi historinë e popullit, figurat e shquara dhe Shtetin Shqipëtar. Këtë dukuri, na e zbulojnë edhe disa shkrime-analizë të autorit Pirro Priftit si:

« Lidhja e Prizrenit – Lidhja që zgjoi shqiptarizmin por copëtoi territoret shqiptare » (1) ,

« Rrënimi  i ‘Shtëpisë së  Pavarësisë’ – një goditje e pabesë ndaj Rilindasve » (2)

« Censusi –Një Atentat kundër Komunitetit Ortodoks shqiptar » (3),

« Patriot, Ali Pashë Tepelena!? Kjo është butafori politike »(4)

Boshti rreth së cilës shtjellohen këto shkrime është :

Shqipëtarët janë fajtorë për copëtimin e trevave të tyre, për urrejtjen, shovinizmin dhe genocidin e ushtruar nga fqinjët e tyre, se Shteti shqipëtar po ben një luftë të fshehtë ndaj komunitetit fetar ortodoks,  dhe « politika bizantine shqipëtare … ka reminishencat raciste, osmane në kuptimin e drejtimit të vëndit dhe të marëdhënieve me jashtë »(3) 

        Përfundimisht, vlerësimi i autorit për vendin tonë është : « me sa duket po vërtetohet historia e fshatit të pasur që pinte ujë nga burimi i ujit që të bënte të çmendur. Çdo njeri që vinte të punonte dhe të banonte në atë fshat, duhej ta mendonte se, donte s`donte do të çmendej dhe budallallepsej si fshatarët e fshatit. Kjo është Shqipëria»! (4)

Për hir të së vërtetës, burimi i kësaj « fabule » vjen nga ish-kryeministri dhe presidenti i Greqisë Kostandin Karamanlis, i cili e përshkruante vendin e tij si një “azil i madh të çmendurish” (Robert D.Kaplan.Vepër e cituar, f.40).(5)

Përse duhet t’iu kushtojmë vëmendje shkrimeve që haptas janë sajesa dhe s’kanë asnjë mbështetje të fakteve historike ?

Siç shprehej studiuesi i metodës historike, Marc Bloch, edhe në shkrimet ku shtrëmbërohet historia , studiuesi mund të gjejë fakte që plotësojnë pasqyrimin e realitetit të kohës.

Në këtë kënd-vështrim, dobia e trajtimit të këtyre shkrimeve, është se këto ide, vërehen edhe në disa shkrime, debate televizive dhe median elektronike të autorëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Pra është një realitet i sotëm i medias dhe ideve që qarkullojnë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë.

Sikurse edhe në shkrimet e lartpërmendura, ato shpesh trazohen, si kashta me grurin, me data dhe ngjarje historike (shpesh jo të sakta), por të shkëputura nga zhvillimet politike ndërkombëtare dhe të vendit, të kohës në fjalë dhe të komentuara së prapthi.

Sipas analistit të shquar italian Marco Travaglio , kjo dukuri ka qëllime thjesht politike, sepse „Duke luajtur me fjalët mund t`i manipulosh faktet dhe në përfundim ,të gjithë memorjen kolektive” (6)

Tezat që shpalos autori mbi figurat dhe ngjarjet historike të shqipëtareve,  pasqyrohen në shtypin dhe dokumentat historike, që i përkasin periudhës së shk 19-20 mbi “Çështjen Shqipëtare” të përdorura nga shtetet fqinj dhe Fuqitë e Mëdha. Për rrjedhojë, në të gjitha shkrimet e lart-përmendura nuk ka asnjë “trajtim modern të temës historike”, por kemi thjesht një riciklim të tezave të vjetra anti-shqipëtare, që janë përdorur për qëllimin e copëtimit dhe të zhdukjes së Shtetit dhe popullit shqipëtar.

Një nga tezat qëndrore është ajo e « fajësise » së shqipëtarëve si bashkë-punëtorë të forcave pushtuse. Kjo tezë nuk është e panjohur për popullin tonë, për faktin e thjeshtë se për këtë « arësye » edhe në ditët e sotme, një pasuri e madhe ( në kohën e genocidit të Zervës, e vlerësuar në 20 deri 30 milion franga ari) (letër e M. Frashërit dërguar MPJ ,Tiranë .F.142 “Dokumente për Çamërinë”) në monedhë, tokë dhe ndërtesa, pa llogaritur donacionet milionëshe të shqipëtarëve për Kishën e tyre Autoqefale ortodokse, akoma shfrytëzohet, jo nga pronarët e ligjshëm, sipas konventave të BE-së, por nga fqinji ynë jugor, anëtar i BE-së.

Nuk lejohen të qarkullojnë të lirë banorët autoktonë çamë, e drejtë e aprovuar nga BE-ja dhe mbi të gjitha, mbajtja  me kokë-fortësi e « Ligjit të Luftës » (28 tetor 1940) dhe ideollogjisë shoveniste « Vorio-epirrote » (ku shqipëtarët paraqiten si pushtues të tokave greke) midis dy anëtarëve të të njejtit bllok ndërkomëbetar ushtarak NATO-s, gjë që na bën të mendojmë, se qënja në BE apo organizma ndërkombëtarë, nuk garanton TË DREJTAT E NJERIUT dhe të Shtetit Shqipëtar.

Në shërbim të kësaj teze, autori në mënyrë të përsëritur mundohet të na ndërgjëgjesojë për shkakun e “vërtetë” të genocidit ndaj shqipëtarëve, të popullsive sllavo-ortodokse : « se klasa e pasur shqipëtare e lidhur kokë e këmbë me Perandorinë osmane, është fajtore si për cungimin (e trojeve) dhe urrejtjen ndaj shqipëtarëve dhe Shqipërisë… sepse këta pashallarë në krye të sanxhaqeve ushtruan dhunë edhe ndaj popullatave sllave, rumune dhe greke» (4)

Njohja me historinë e popujve të Europës dhe ata ballkanikë, do ta ndihmonin autorin të mësonte se, fiset aziatike osmane ishin numerikisht të papërfillshëm në krahasim me popujt dhe vendet që pushtuan. Se këta ndoqën të njejtën metodë, si fiset kalorës (Gotet, Burgundet, Franket, Avaret etj.) të para dhjetra shekujve në Europën Veriore dhe Qëndrore, të cilët shfrytëzuan popujt që pushtuan, për “material” njerëzor, ushtarak dhe administrativ, duke i vënë në shërbim, apo si skllevër të tyre.

Kësaj praktike, nuk i ka shpëtuar as populli ynë i pushtuar. Në fakt, kjo metodë u përdor, pa asnjë ndryshim edhe në shk 19-20 ndaj trevave dhe popullsisë shqipëtare, nga Mbretëritë dhe Shtetet sllavo-ortodokse me ndihmën e paçmueshme të faktorit fetar, islamo- ortodoks.

Dëshmi të vlefshme se si funksiononte administrata turke, na e ka sjellë Edith Durham (e ripohuar edhe nga Faik Konica në botimin « Ju rrëfej grekët »): “Sulltani (çështjen e fesë) ia shiti ofruesit më të lartë (Patriarkanës greke në Stamboll – shën im). Shuma të mëdha qenë paguar (nga grekët) dhe këto nxireshin prej tagra-mbledhësve kishtarë nga turma të mjera, të cilët dridheshin nga këta tagrambledhës më shumë se sa nga Turqia” (7)

Shumë dëshmorë të luftës çlirimtare si, Petro Nini Luarasi, por edhe bashkë-luftëtarët besimtarë ortodoksë shqipëtare si Papa Kristo Negovani, i vëllai Papa Theodhosi dhe nipi Vasil Gjergji, At Stath Melani, At Naum Cerja, Jani Vellaraj, Vasil Gjergji etj, janë shprehje e kundërshtimit të këtij bashkëpunimi anti-shqiptar të institucioneve fetare me Perandorinë Osmane.

Njohësi i dokumentave arkivore mbi historinë mesjetare të popujve ballkanikë, Veis Sejko, duke folur për qëndrimin kolektiv të klasës sunduese të tyre, ndërmjet shëmbujve të tjerë, pohon se : “Paria sërbe historikisht ka qënë në shërbim të të huajit. Nuk është rastësi që krye-kreshniku popullor serb i epikës serbo-kroate, Kraleviç Marku është tradhëtari më i madh i atdheut” (8)

Autori i shkrimeve, nxjerr përfundimin “llogjik” se edhe vendimet e Kongresit të Berlinit janë një rrjedhojë e natyrshme, sepse “ky bashkë-punim me Sulltanin”: « Krijoi një mosbesim të thellë tek fqinjët kristianë  ballkanas ( por sigurisht edhe tek anëtarët e Kongresit të Berlinit) për shkak se po ata bejlerë e pashallarë shqiptarë që i shërbenin Perandorisë turke  deri para humbjes së luftës (ruso-turke- shen. im) dolën papritur si  `anti-turq` por thjesht për të ruajtur privilegjet dhe tokat duke i u servilosur vendeve perëndimore dhe Rusisë » (lidhja)

Për rrjedhojë, vendimi i Fuqive të Mëdha “Automatikisht pa dashje, copëtoi tokat shqiptare të cilat identifikoheshin si toka të Perandorisë turke nga Rusia, vendet perëndimore dhe fqinjët ballkanas”.(lidhja).

Autori na siguron (gjithëmonë pa fakte arkivore apo studimore) se “klasa sunduese shqipëtare sundonte edhe popujt e tjerë të krishterë të Ballkanit si `dora e fortë` e Sulltanit” dhe « për popullatat jo shqiptare ballkanike, shqiptarët nuk shiheshin si popullatë e pushtuar, por si popullatë që së bashku më boshnjakët shiheshin si bashkë-pushtues ».(1)

Gati-gati të krijohet bindja se sundimi afro 500 vjeçar i popujve të Ballkanit, ka qenë osmano-shqipëtar dhe të gjitha këto për faj « të klasës së pasur shqipëtare»!

Mirëpo faktet historike, që për fat të keq, në tekstet mësimore pasqyrohen shumë të reduktuara apo të seleksionuara, ku mungojnë statistikat e krimeve dhe dëmeve, si dhe i rëshqasin autorsisë së atyre që i kanë kryer, dëshmojnë se “ Kongresi i Berlinit (13qershor-13korrik 1878) u mbajt pikërisht për të harmonizuar, interesat e ortodoksisë dhe katolicizmit, duke e shndëruar Shqipërinë etnike, atë kohë me rreth 114.728 km², në gjah të Rusisë…” (9)

Ky fakt mbështetet edhe nga tej-zgjatja kohore, 35 vjeçare qe ju desh Fuqive të Mëdha “të merreshin vesh ndërmjet tyre”, nga kundershtimi i armatosur shqipëtar, si dhe nga emrat dhe aresyet e përfituesve kryesorë të këtyre vendimeve.

Përfundimisht, në arenën ndërkombëtare “Çështja shqipëtare” u mbyll me Konferencën e Ambasadorëve (dhjetor 1912 – gusht 1913) ku Sërbia perseri “u rrit me 39.000 km² , duke i marrë Shqipërisë 1.290.000 banorë, ose 55% te banorëve të saj. Mali i Zi u rrit me 7.000 km² dhe mori 260.000 banorë, duke dyfishuar popullsinë e vet. Greqia u rrit me 51.300 km², duke marrë edhe 1.624.000 banorë.”(10)

Atëhere, përse akuza absurde e “fajësisë” se shqipëtarëve, është përdorur në dokumentet historike të shk. 19 – 20 nga ana e fqinjëve të saj,  dhe ka nxjerre kryet edhe në shk 21?

Përdorimi i akuzës së fajësisë, në të gjitha kodet penale lidhet me përgjegjësinë, pra edhe me dënimin e fajtorit

Gjithashtu termi « fajtor » lidhet me termin « rrezik » për të tjerët, pra justifikon “të drejten” e tjetrit për « sigurinë e vetes ». Të gjitha këto qëndrojnë, në rast se bëhet fjalë për FAKTE TË VËRTETA. Por, sipas një thënie të Çurçillit: “sa të veshë e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron rreth botës” dhe ky është rasti i fqinjëve tanë.

Në kohën që u krijua Lidhja e Prizrenit, si organizëm politik dhe ushtarak për të mbrojtur trevat dhe krijimin e  një Shteti shqipëtar, “Gazetat zyrtare shkruajnë se tani Serbia po kërcënohet më shumë se asnjëherë nga Perandoria Osmane (nënkupto shqipëtarët). Lidhja qe kanë bërë shqipëtarët (e Prizrenit) po trajtohet si një gjë shumë serioze dhe shumë e rrezikshme për serbët” . (11) Për tu mbrojtur nga ky “rrezik” dhe për “sigurinë” e të gjitha vendeve ballkanike “Greqia mori inisjativën e krijimit të një Lidhjeje Ballkanike (18.8.1912 ). Ajo u propozoi qeverive bullgare, serbe e malezeze, themelimin e një aleance katër-palëshe që do të kishte si synim “frenimin e pretendimeve shqipëtare” (12) (nënkupto, kundërshtimin e armatosur të shqipëtarëve të udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit).

Sami Frasheri, në kohën kur Fuqitë e Mëdha trajtonin « Çështjen Shqipëtare » (1878-1913), në shkrimet e tij në shtyp, e ngre lart zërin për këtë politikë mashtruese të fqinjëve: “Në telegramet që janë dërguar nga Korfuzi dhe që janë botuar në gazetat e Europës, flitet për të krishterë që qënkan therur (!) nga mysylmanët në rrethet e Janinës dhe sidomos në kazatë e Margëlliçit e të Paramithisë, dhe për zullumet dhe padrejtësitë (!) që qënkan duke u bërë në ato vise. Banorët e kazasë së Margëlliçit janë të gjithë mysylmanë (shqipëtarë-shën. im), edhe ajo pakicë të krishterësh që ndodhen në këtë kaza, si dhe të krishterët e kazasë së Paramithisë janë shqipëtarë. Ashtu si në të gjitha viset e tjera të Shqipërisë, edhe këtu myslimanët shkojnë si vëllezër me bashk-atdhetarët e tyre… grekët nuk gjejnë dot mënyrë tjetër për të fituar të drejtën që të marrin këto dy kaza, veçse duke trilluar shpifje të këtilla » (13)

Arkivat e shteteve ballkanike, dhe ato të Fuqive të Mëdha, kanë dëshmi të shumta të masakrave masive mbi shqiptarët dhe nuk kanë asnjë dokument për të kundërtën: ”Vetëm në dy prefektura të Shqipërisë (më 1915), të Korçës dhe Gjirokastrës u dogjën 250 fshatra ; dhjetra të tjera u plaçkiten dhe mijra shqiptarë u vranë. Në Tobol, Luadh e Cair, “ u dogjën të gjallë, në shtëpitë e tyre, dhjetra dhe qindra familjarë: burra, gra, fëmije e pleq…” (14)

Letra e “rrezikut shqipëtar” është luajtur gjithëmonë në tavolinat ndërkombëtare prej shteteve fqinje, për t’iu paraprirë kërkesave për pushtim edhe në shk 20. Kështu “viktima” greke, ju kërkonte Fuqive të Mëdha ta lejonin ta shtynte kufirin e saj deri “në malet Akrokeraune, ne vijen qe kalonte ne distriktin « grek » te Himares dhe qe vazhdonte ne lindje deri ne Liqenin e Ohrit…dhe një shkëmbim të popullsive “greke dhe shqipëtare në kushte humane dhe të barabarta” …(por) si variant më të mirë, sugjeronte krijimin e shtetit federativ greko-shqiptar, si “minimumin e pranueshëm” nga “epirrotet” për ruajtjen e paqes në Ballkan”  (15)

Miti i “fajësisë” së shqipëtarëve, ushqehej jo vetëm nga letërkëmbimi i dipllomacisë sërbe apo greke, por edhe nga  institucionet arsimore dhe kulturore të këtyre shteteve.    « Më 29 qershor 1945 Akademia e Shkencave greke  deklaronte: Populli grek nuk mund të rrijë indiferent kur grekët e Vorio-Epirit vazhdojnë të masakrohen, të asgjësohen nga një popull që është ende në fazën parahistorike të zhvillimit, pa as një literaturë dhe pa asnjë shkencë, ka vetëm një alfabet që e ka marrë hua… ».(16)

Siç vërehet, “fajësia” nuk qëndron vetëm tek “masakrat” ( asnjëherë të dokumentuara) të kryera nga shqipëtaret por edhe sepse janë “ një popull i prapambetur…”, që zbulon thelbin e teorisë raciste që qarkulloi në  Europën e fund – shekullit 19 dhe u zbatua në shtetin nazist gjerman. Ky “faj”, qe i mjaftueshëm për zhdukjen e një populli, pikërisht një muaj mbas shkatërrimit (maj 1945) të një mekanizmi ushtarak racist, që shfarosi miliona njerëz.

Çdokush që do të kërkonte në materialet që trajtojnë termin “genocid”, “etnocid”, “spastrim etnik”, “racizëm”, “krime kundër njerëzimit”, “shkelje të të drejtave të njeriut” apo kronikat historike që përfaqësojnë këto emërtime, përveç veprimeve çfarosëse të kryera nga shteti serb i Milosheviçit, asnjë emërtim i sipër-përmendur nuk përfshin ndonjë ngjarje të Kombit tonë gjatë shk. 19 – 20. E në fakt, mbi Kombin shqipëtar është ushtruar genocid i pandërprerë.

Mjafton të kujtojmë dëbimin masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës, ( 1878-1912), për të parafytyruar këtë genocid kolektiv kundër shqipëtarëve në Ballkan. “Serbia, përmes dhunës dhe terrorit të organizuar shtetëror, ushtroi gjenocid dhe spastrim etnik mbi 700 vendbanime dhe mbi 300.000 shqiptarë, të cilët asokohe jetonin në trojet e veta etnike, apo në një hapësirë sa territori aktual i Kosovës. Vetëm në Luginën e Nishit gjatë kësaj periudhe u vranë dhe u masakruan 35.000 shqiptarë.

Kjo u arrit me përkrahjen morale, politike, diplomatike e ushtarake të Rusisë Cariste e të Evropës. Burimet e kohës flasin për rreth 70.000 shqipëtarë të therur, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra shqiptare të rrafshuara me zjarr vetëm më 1877/1878.” (17)

Fundi i  këtyre masakrave u shënua në Kosovën e vitit 1999. Nuk ka shtet në Europë, që të ketë mbritur në shk. 21 , i rrethuar me bashkë-kombësit e tij (kjo dukuri edhe për shtetin shqipëtar të Kosovës) dhe të jetë tkurrur nga ana territoriale në 1/5 e hapsirës së tij natyrale. Nuk ka popull ballkanik, që duke qenë historikisht në numër, më i madhi në rajon, të vijojë të tjetërsohet edhe në ditët tona. (“Në vitin 1844 – shqipëtarët populli më i madh në Ballkan me 3 900 000 banorë!” www.pashtriku.org)

Në Historinë e Kombit tonë, nuk bëhet fjalë për krime në një periudhë kohore apo për një krahinë të caktuar, por për një veprimtari të pandërprerë dy shekullore, të disa shteteve apo Mbretërive, veçmas dhe në bashkë-punim me njeri-tjetrin, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha, Marrëveshjeve politike e veprimeve ushtarake, kundrejt një populli të vetëm.

Shqipëtaret kanë dëshmi të shumta të genocidit të të gjitha llojeve, që përfshihen në Konventat e sotme europiane, (18) të ushtruara në vijimësi gjate dy shekujve mbi Kombin tonë, por nuk kanë DORË t’i shkruajne në gjuhët e tjera, që të njihet e VËRTETA HISTORIKE, e cila është memece për popujt europianë e botuar vetëm në shqip.

Shqipëtarët nuk kanë ZË t’iu kërkojnë dy shteteve të tyre, që ky genocid dy shekullor, të dënohet zyrtarisht në forumet ndërkombëtare historike dhe politike, dhe të shprehet me shifra, shëmbuj e autorsi, në tekstet shkollore brënda vendit të tyre.

Riciklimi i tezave dhe qëndrimeve shoveniste të shk 19 në epokën e BE-së

Risjellja e  “fajësisë” së shqipëtarëve të kohës osmane, bëhet për të krijuar lidhjen historike të veprimeve “kriminale” të  popullit tonë, me ditët e sotme. Në mungesë të dokumentacioneve, shfrytëzohen “romane horor” që shkruhen edhe nga personalitete europiane, siç ka qenë : Transplantimi i organeve të robërve serbë, krimet e shqipëtarëve gjatë luftës së Kosovës (1998-1999) (Carla del Ponte e Dik Martin) dhe sidomos “goxhda e ndryshkur e Nastradinit”- diskriminimi i minoritetit grek në jug të Shqipërisë.

Mbi bazën e kësaj letërsie të llojit racist « Në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirrote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritarë grekë që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët kundër tyre. »(19)

Për të trija këto akuza, me gjithë gjyqet, komisionet dhe verifikimet e ndërkombëtarëve, nuk është dëshmuar asnjë fakt.

Përse shk. 21 ka nevojë për këtë lloj letërsie ? Sepse, që kur Revolucioni francez  përmbysi një mbretëri nga vetë banorët e saj, që  kur për drejtimin e vëndit u vendos praktika e zgjedhjeve dhe kur teknollogjia e shtypit dhe masivizimi i shkollimit, e detyruan Rendin e Ri e të plotfuqishmëve të llogariste edhe forcën e masës popullore, u pa e nevojshme të krijohen ”mite” (në kuptimin letrar dhe jo historik) të ndryshme.

“Faji” i shqipëtarëve është një prej tyre. Qytetarët europianë e më gjerë, konsumues të masmedias dhe deklaratave të papërgjegjëshme të disa politikanëve apo funksionarëve, ndikohen nga “fjalët” dhe askush nuk ju dëshmon të kundërtën, në po atë gjuhë dhe me po ato mjete. Shteti ynë mjaftohet me rolin e mik-pritësit të komisioneve hetimore dhe jo të përfaqësuesit të një populli të damkosur, që kërkon përgjegjesinë e prishjes së imazhit në arenën europiane dhe botërore.

Për rrjedhojë, viktima (me cytjen e BE-së) ulet e çnderuar përball kriminelit të papenduar e të pandërgjegjësuar dhe  këndohen hymne fetaro-shtetërore, të “bashkjetesës në kohën moderne” dhe kopshtit të Edenit ballkanik,  megjithëse gjaku i “fajtorëve” shqipëtarë, në barkun e nënës, i të rinjve, burrave , grave e të moshuarve, akoma nuk është tharë.

Historiani Sheradin Berisha dëshmon se “Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë dhe 90% prej tyre qenë civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar mijëra femra shqiptare…jane rrembyer mbi 3 mijë shqiptarë dhe pas luftës afër 1000 mijë prej tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi (Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3), ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 1.800 shqiptarëve të tjerë që konsiderohen si të zhdukur …

Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet e tjera ndërkombëtares dhe as ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këtë mori kriminelësh.” (20)

Figura e shquar e Parlamentit Britanik, Aubrey Herbert (lobimi i te cilit e beri Shqiperine anëtare te Lidhjes së Kombeve në dhjetor 1921), që në maj 1913, në Dhomën e Komuneve shprehu idene e kushteve për bashkëjetesë të europianëve: “pas çdo konflikti, stabiliteti i vërtetë vjen vetëm nga arritja e një paqeje të drejtë, dhe se drejtësia kërkon dy gjëra: respektimin e dëshirave themelore të popullit dhe bërjen dhe ekzekutimin e gjykimeve morale për kriminelët dhe viktimat e tyre. ( Aubrey Herbert, Mons, Anzac dhe Kut, cd. Edward Melotte, Barnsley 2009). (21)

 

Shqipëria Natyrale dhe Dosja Çame – fundi i një Miti dhe Pavarësia e vërtetë e Shqipëtarëve

 

Në shkrimet e sipër-përmendura, Pirro Prifti nuk lë pa analizuar edhe “fajet” e shk. 21 të “klasës drejtuese shqipëtare”. Sipas autorit, përveç fobisë që ajo ka ndaj fqinjëve dhe luftës ndaj ortodoksisë shqipëtare, sot kërkon Shqipërinë natyrale : « në kohën që duhet të integrohemi dhe të marrim  statusin e shtetit-kandidat ri-fillojnë avazin e politikave të harruara të Pashallarëve të dikurshëm nën shërbimin e Perandorisë Osmane për Shqipërinë etnike? »(3)

Për hir të së vërtetës, “klasa drejtuese” shqipëtare, nuk e ka në planet dhe as në dëshirën e saj çështjen e Shqipërisë natyrale. Këtë e dëshmoi qartazi Kryeministri ynë, në viziten e tij në Mal të Zi para një viti (25.01.2012), ku u shpreh se “zërat e ekstremistëve, ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush” (22)

Por me qënëse jemi në vitin elektoral, mund të dëgjohen edhe fjalë apo premtime, që shumë shpejt, mbas ditës së votimit “do të thahen si vesa nën diell”.

Po kështu, të parët që e luftuan ortodoksinë shqipëtare dhe shkatërruan çdo objekt fetar shqipëtar (përpara regjimit enverian si kohë) qenë fqinjët tanë sllavo-ortodoks. Më 22.11.1940 kur grekët pushtuan Korçën “u vërtetua një veprim sistematik dhe i qëllimshëm i shkatërimit të kishave dhe të xhamive të shqipëtarëve në zonat ku u fut ushtria greke. (AUSSMEI relacion i komandës së korparmatës IV për Zyrën Informative të Armatës XI mbi dëmet e shkaktuara nga ushtria greke për tempujt e kultit fetar në Korçë më 30.06.1941) (23)

Cili ishte “faji” i objekteve të kultit? Vetëm se ishin të shqipëtarëve dhe ju shërbenin atyre.

 

Përse shqipëtarët kërkojnë Shqipërinë Natyrale ?

 

Shqipëtarët historikisht kanë qenë paqe-dashës dhe nuk kanë patur shprehje raciste ndaj popullsive të tjera, brënda dhe jashtë kufijve të tyre shtetërorë. Këtë e kanë dëshmuar edhe të huajt: “« Sllavët, thotë një gazetë shqipëtare, janë një popull trim ; ata mund të kenë shumë cilësi të mira. Shkaku është diçka tjetër. Urrejtja jonë nuk shtrihet në individë, as në grupe nacionale, por tek shpirti i agresionit, në fanatizmin fetar dhe dredhite të ulta politike, të njohura me emrin e Pan’Sllavizmit » (24)

Burimi i kërkeses se shqipëtarëve, mbështetet tek fakti historik, se në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, Shqipëria Natyrale u shpall me vullnetin e të gjithe krahinave, por në mbledhjen e ambasadorëve në Londër në vitet 1912-1913, u trajtua si kërkesë e një populli kolonial.

Në Francën mesjetare, mbreti dhe fisnikëria, duke u mbështetur në idenë e kohës së Jul Qezarit, e quante popullin (dmth galët) skllevër dhe veten, francezë sundimtarë. Frankët, si pushtues gjermanikë (më sakt, pasardhës të luftëtarëve “të lirë” që kishin pushtuar Galinë në shk V) pretendonin se kishin fituar të drejtën e tyre për të mbretëruar.  Galët, që e kishin humbur lirinë e tyre, nuk kishin të drejtën e vet-vendosjes.

Rrënjët e kësaj ideje vinin prej një tradite të përpunuar në Mesjetë, që e justifikonte skllavërinë, me anën e një sërë metodash intelektuale, që e katandisnin popullsinë në një gjendje të mjerueshme jetësore, që trashëgohej brez pas brezi.

Në shk. e XVIII , Revolucioni francez ndryshoi rrënjësisht këndvështrimin e së kaluarës (25) dhe lindi idea e: “Lirisë-Barazisë-Vëllazërisë !” që e gjejmë të mishëruar në Projektin e BE-së, për ardhmërinë e popujve europianë.  Por si mund të triumfojë kjo ide në Ballkan, kur shqipëtarët e shk. 21 jetojnë në vendet fqinjë në kushtet e galëve mesjetarë?  Si mundet politikanët europianë, të bëjnë thirrje “bashkëjetese” në shtete, ku ata trajtohen si popull i skllavëruar dhe jetojnë në kushtet e mohimit të të drejtave elementare të njeriut dhe të kërcënuar vazhdimisht në ekzistencën e tyre?

Për shqipëtarët – galë të Maqedonisë : “ që prej vitit 1991 deri më sot, nuk është bërë asnjë investim ekonomik nga ana e shtetit…Tetova me dy universitete, duket si një qytet i shkretë. Pa ujë të pijshëm, pa bibliotekë, pa teatër, pa objekt për organizimin e panaireve, pa librari bashkëkohore, pa sallë sportive…Prej vitit 1991 deri më sot, të gjitha investimet ekonomike janë bërë në Shkup dhe në pjesën juglindore të Maqedonisë. Në periudhën 2006-2012, qytetet shqiptare në Maqedoni, në aspektin ekonomik u shndërruan në geto. Çdo ditë në Shkup bëhen ndërtime nga më të ndryshmet. Shqiptarët ndërkaq duhet të kënaqen me betonin që shtrohet buzë ndonjë rrugë dhe me asfaltimin e gropave.(26)

Shqipëtarët-galë, trajtohen me të njejtën psikollogji mesjetare edhe në Mal të Zi, Serbi, Greqi dhe hije të kësaj ideollogjije për problemin e Mitrovicës, shprehen edhe në Shtetin shqipëtar të Kosovës.

Kongresmeni Joseph J. DioGuardi, me 25 Korrik 2008, ne Kongresin e ShBA pohon se: “Eshtë ironike që plani i Ahtisaarit u jep serbëve në Kosovë të drejtat më të mira të minoriteteve si askujt tjetër në Evropë, për gjersa ende kemi shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi që jetojnë nën kushte të aparteidit edhe sot” (27)

Popullsia e shteteve fqinj, ushqehet psikollogjikisht në shkolla, media dhe shpesh nga personalitetet shtetërore, me ndjenjën e agresionit racist ndaj shqipëtarëve autoktonë, fakte të ndodhura në vënde anëtare dhe pretendente për tu anëtarsuar në BE.

Europianët që e kanë kaluar këtë përvojë në kurrizin e tyre, nuk e kanë të vështirë të pranojnë, se zgjidhja më reale për Ballkanin është pikërisht vendosja e popullsisë së Kombit shqipëtar, në kushte të barabarta me popujt e tjerë ballkanikë dhe europianë. Pra, t’iu jepet e drejta e vetë-vendosjes dhe e drejta e shfrytëzimit të trevave të tyre autoktone.

Shqipëria Natyrale dhe zgjidhja e problemit Çam, do t’iu jap fund riciklimit të MITEVE raciste të shk 19 – 20 të shteteve fqinjë, por edhe në masmedian shqipfolëse dhe do të kurorëzojë Pavarësinë e vërtetë te Kombit tonë. Ky veprim, do të sjellë frymën europiane të Revolucionit francez në Ballkan, që shënoi epokën moderne të shoqërisë njerëzore, e mëshiruar në projektin e BE-së për bashkëjetesën paqësore.

 

 

Fatbardha Demi

25.01.2013

 

1- www.zemrashqiptare.net/…/Pirro_Prifti:_Lidhja_e... -12.06.2012

2- www.forumishqiptar.com/…/144978-Rrën… – 29 Gusht 2012

3- www.revistadrini.com/…/pirro-prifti-censusi-–nje  10/12/2012

4-  Gazeta « sot » online  2012-12-29).

5- “Populli dhe kombi grek, një popull dhe një komb shovinist në qëndrimin ndaj kombit shqiptar” Prof Dr Eshref Ymeri 17.12.20012

6- Marco Travaglio f.229 “La scomparsa dei fatti” v.2006

7- Edith Durham f.46 « Brenga e Ballkanasve» v.2000

8- Veis Sejko f.173 « Mbi elementet e perbashketa ne epiken shqiptaro-arbereshe dhe serbokroate » v.2002

9- Nuri Dragoi f150-51, “Shqiperia dhe Greqia” 2009

10- f 182 po aty

11-  Sami Frasheri f198 (”Shënime politike” 2.09.1878) Vepra I, Tiranë 1989

12- Beqir Meta f13, “Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)”

shtepija botuese GEER , Tirane 2002

13- Sami Frashëri (gaz “Terxhuman Shark” 7.08.1878) f192Vepra I,Tiranë,1989

14- Nuri Dragoi f 192 , “Shqiperia dhe Greqia” 2009

15- Beqir Meta f101“Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)” shtepija botuese GEER , Tirane 2002

16- Arben Puto “Lufta italo-greke” f 255 Botimet Toena, Tiranë 2011

17- Serbia theri 70.000 shqipëtarë dhe dogji 600 fshatra shqipëtare …shekulli.com.al/web/p.php?id=13817&kat=87

18- Kapitulli i 2-te i Konventes per parandalimin dhe ndeshkimin e  krimit te genocidit nga ansambleja e pergjitheshme e BE-se me 9.12.1948 (-↑ Convention pour la prévention et la répression du crime de génocide [archive], approuvée et soumise à la signature et à la ratification ou à l’adhésion par l’Assemblée générale dans sa résolution 260 A (III) du 9 décembre 1948, entrée en vigueur le 12 janvier 1951, conformément aux dispositions de l’article XIII)  dhe e ripohuar ne Kapitullin e 6-te Statutit te Romes me 17.7.1998 qe eshte Kapitull baze, per Gjukaten Penale Nderkombetare (Statut de Rome sur le site de l’ONU[PDF] [archive]. Wikipedia génocide)

19-« Greqia në sulm për aneksimin e jugut të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria në mbrojtje të vetvetes së saj »Arben LLALLA  16.11.2012 gaz « Tirana observer »

20- www.Pashtriku.org 20. 01. 2013

21- Aubrey Herbert në Dhomën e Komuneve në maj 1913 – Noel Malcolm 20.01.2013 « Nacional »

22- Berisha në Mal të Zi: Ata që kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare, ekstremistë, 25.01. 2012TemA Online

23- Beqir Meta f51, “Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)”

shtepija botuese GEER , Tirane 2002

24- Edith Durham f72, « Brenga e ballkanasve » v.2000

25- Patrick J. Geary f34-35 “Il mito delle nazioni” Carocci, 2002

26- xhelalzejneli.com/ceshtja-shqiptare-ne-maqedoni ,18.9.2012

27- Ky artikull është bazuar në ligjërimin e autorit (i cili ishte ligjërimi kryesor i konferences) në Washington, DC, më 14 Korrik në konferencën mbi të ardhmen e Shqiptarëve në Ballkan, e cila ishte organizuar nga divizioni për intelegjencë të jashtme të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe Agjencisë Qëndrore të Intelegjencës (CIA). Joseph J. DioGuardi 25 Korrik 2008, Çështja Shqiptarenë Kongresin e SHBA « Albanian American Civic …blog.aacl.com/ceshtja-shqiptare-ne-kongresin-e-sh...)

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: fajtore, Fatbardha Demi, shqiptaret, te vetes, teza antishqiptare

DALIP GRECA: SI E RILINDEM DIELLIN E NOLIT DHE KONICES

January 25, 2013 by dgreca

NGA Raimonda MOISIU/ BOTOI- TIRANA OBSERVER/

 Dalip Greca është një publicist i njohur këndej dhe përtej Atlantikut, veçmas një nga intelektualët më në zë të diasporës shqiptare, që posedon mjeshtërisht artin e publicistikës bashkëkohore. Kush e lexon e ndjen se pena publicistike e Dalip Grecës, “artikulon” me aftësi dhe mjeshtërisht “makinën” prodhimtare, mendimin e pjekur e të mençur publicistik, me madhështinë e bukurinë e të përditshmes njerëzore, ndërton qartë të kaluarën, pasuron të tashmen dhe i hap udhë të ardhmes. I pranishëm në median dhe shtypin shqiptar, shtypin shqiptaro amerikan, në penën e tij publicistike lexohet plotësisht jeta dhe filozofia e saj, ndjeshmëria kombëtare dhe e identitetit shqiptar, e vlerave kombëtare dhe çështjes kombëtare, guximi për ta shprehur, e ruajtur atë, penë që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan e botës amerikane, e të gjithëve, por është model i ndjeshmërisë që e ka vendosur atë mes integrimit të këtyre vlerave. Dhe Dalip Greca befason me universin e tij profesional, publicistik dhe interesant, -historia përsëritet; Rilind gazetën historike të Nolit e Konicës;DIELLI! Rilindja e kësaj gazete të themeluar nga mërgimtarët e hershëm historikë, në dekadën e parë të shekullit të kaluar, disi larg, por afron kufijtë mes historisë dhe krenarisë kombëtare, mes përjetësisë dhe lavdisë! Me frymë modestie dhe pjekurie Kryerdaktori i gazetës “Dielli”, publicisti i njohur Dalip Greca na rrëfen; si arriti të rilindë gazetën më shumë se një shekullore DIELLI, pra-Vatra dhe Dielli në Amerikë!

Ju keni qenë një penë publicistike e njohur që pa emigruar nga Shqipëria në Amerikë. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetar? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo diçka e papritur, që ju zgjodhët të jeni gazetar?
– Rrethanat ishin paksa të çuditshme për kohën dhe sistemin. Populli ka një shprehje: Pas një të keqeje prit një të mirë ose e kundërta. Kisha shkruar një fejton në majin e vitit 1982. Punoja në arsim atëherë, në shkollën e Ballagatit, shkolla më e skajshme e kodrave të Lushnjës. U akuzova se nxiva realitetin socialist. Ranë telefonat nga lartë, u shkul Komiteti Ekzekutiv dhe ai i partisë në Ballgat, u bënë ballafaqime të zgjatura, u bënë investigime dhe hetime. Një dyqan fshati kishte 6 muaj i pafurnizuar me ushqime. Udhëheqja lokale pasi i solli ushqimet me makina ushtarake në ditën që u botua fejtoni im në gazetën lokale, duke krijuar idenë se dyqani i kishte ushqimet, nisi “gjyqi”. Po kërkohej grupi armiqësor, kush fshihej pas meje dhe kush ishte nxitësi i shkrimit kritik, që njolloste jetën e lumtur të fshatarëve. Të mos kisha pas mbështetjen e kryeredaktorit të gazetës lokale, të ndjerit P. Kraja, që këmbënguli për verifikim të problemit me revizorë të financës, nuk dihej ç’rrugë do të merrte fati im. Udhëheqja e atjeshme, me ndonjë përjashtim, e dënoi artikullin. Nga gjithë ajo rrëmujë fitova besimin e kryeredaktorit dhe pas një viti, kur u hap vendi, unë kalova në gazetën lokale, redaktor për problemet e arsimit, kulturës dhe sportit. Çfarë ndikoi pyesni, ju. Mendoj pasioni më kapi për dore dhe më tërhoqi në shtigjet e vështira dhe të rrezikshme të gazetarisë.

A mund të na përshkruani shkurtimisht New York-un si zemëra e emigracionit shqiptar në Amerikë por edhe ku ndërthuren shumë kultura të tjera.
-New Yorku, dihet është metropol botëror; por ai ka marrë prej kohësh pikën e rëndesës edhe për emigracionin shqiptar. Këtu kanë vepruar prej kohësh organizata dhe parti politike të emigracionit politik shqiptar; Organizata Lëvizja e Legalitetit, Balli Kombëtar, Blloku Independent, Komiteti Shqipëria e Lirë etj. Këto tërhoqën përherë e më shumë emigracionin politik që vinte nga Ish Jugosllavia, Italia apo Greqia. Këtu ka vepruar Shoqata Jusuf Gërvalla, Kosova etj. Po ashtu degët e Vatrës kanë qenë të fuqishme këtu në New York, ka pas më shumë se një, por shpërngulja e Federatës Vatra nga kryeqendra shqiptare dhe vendthemelimi i saj, Bostoni historik, në New Yorkun metropol në fillimvitet ’90 si dhe krijimi i LDK-së, e rriti më shumë peshën specifike të pranisë shqiptare këtu. Para viteve ’90, mesa kam parë nga shfletimi i shtypit dhe librave që janë botuar, qoftë dhe ato me pseudonime, japin pasqyrën e përçarjes së komunitetit shqiptar në New York, ç’ka e nxisnin dhe shërbimet sekrete të Tiranës dhe Beogradit. Titizmi dhe Enverizmi, ishin dy sëmundje, të cilat ende i japin efektet negative edhe sot, në mënyrë paksa të kamufluar, por të lexueshme. Gjithsesi do të thoja se në tërësinë e vet komuniteti shqiptar është i orientuar nga ndjenja Kombëtare. Këtë e treguan dy veprimtari madhore të vitit 2012, festimi i 100 vjetorit të Vatrës, ku pat një pjesëmarrje që nuk ishte parë që nga viti 1993, kur presidenti Berisha pat vizituar diasporën. Po ashtu edhe festimi i 100 vjetorit të Pavarësisë; manifestimi madhështor në Times Square, ishte shprehja më kuptimplotë për forcën bashkuese të shqiptarëve nën simbolet Kombëtare. U ndjeva shumë i emocionuar që raportova për TV Kultura shqiptare nga Times Square. U përsërit i njëjti mozaik kuq e zi, që ishte shpalosë edhe me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, i njëjti uragan ushtoi në rrokaqiejtë e Manhattanit. Edhe atëherë shqiptarët treguan forcën e tyre në sheshin historik të metropolit njujorkez. Pata raportuar atëherë edhe për TVSH. Këto janë çaste emocionuese që të mbeten në kujtesë përjetësisht.
Po ashtu New Yorku, është shteti ku ka më shumë veprimtari kulturore, promovime librash, hapje ekspozitash, organizim festivalesh, etj.

Ju keni një karrierë të gjatë në gazetari, që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?
-Sapo ju përshkrova çaste të gëzuara, veçse profesioni i gazetarit ashtu siç të jep kënaqësi, të shkakton dhe telashe. Si gjithë të tjerët me karrierë të gjatë, edhe unë kam përjetuar ngjarje të gëzuara dhe dëshpëruese. Kam punuar në këtë profesion në pozicionin e gazetarit të lirë, të redaktorit dhe të kryeredaktorit. Kam drejtuar gazeta të përjavshme dhe të përditshme. Mbresat janë aq të shumta sa do të do të duheshin faqe gazetash. Po ndalem fillimisht në një moment të trishtë. Duhet të ketë qenë viti 1988. Bashkë me telekronistin e rrethit kishim shkuar në Ballgat, ku ishin hedhur në aksion qindra forca për të korrur me krah grurin. Ne shkuam në kohë dreke. I gjetëm duke ngrënë drekën e varfër. I madhi i komitetit u afrua tek disa grupe që përtypeshin në heshtje. E shoqëruam edhe ne me kamerë dhe aparat fotografik. Ç’të shihnim? Bukë misri me pak sheqer, dikush vetëm bukë me qepë apo ndonjë turshi, mbetur nga dimri. Dhe ne duhej të përcillnim entuziazmin e atyre skllevërve, që prodhonin grurë dhe hanin misrin e destinuar për bagëtinë, që prodhonin, qumësht me shumicë, rritnin bagëti për mish, por vetë s’kishin të drejtë të hanin, sepse ua merrte shteti për qytetin dhe kryeqytetin. Madje edhe pulat e detit ua kishin marrë. I Madhi i dha urdhër kryetarit të kooperativës: lëreni mangët planin e qumështit të shtetit dhe prodhoni ca gjizë që ta kenë për fushatën! Uli kokën dhe iku. Çaste të trishta si këto ta brejnë kujtesën. Zhvendosemi në kohë- Ishte viti 1996 dhe në atë kohë drejtoja gazetën “Ora e fjalës” në Lushnjë, një gazetë e krijuar nga miqtë e mi republikanë Shpend Sallaku e Gëzim Hajdari, sot intelektualë të suksesshëm, shkrimtarë me zë në Itali. Duke hyrë në zyrën e Kryetarit të Këshillit të rrethit për të marrë të dhëna, në krah të kryetarit gjej një kapobandë të rrezikshëm të asaj kohe. Kryetari ngrihet në këmbë dhe siç duket i çliruar nga hyrja ime, thërret: Eja gazetar i nderuar, na ke munguar! Kapobanda u ngrit në këmbë dhe po më shihte me vëmendje. Pastaj, pyeti kryetarin: Ça gazete punon ky? Mos është ai që shkroi për arratisjen time nga spitali? Situata u tensionua. Vështrimi im kaloi tek koburet që i vareshin në brez.
-Jo, ndërhyri kryetari, ky është miku ynë, shkruan vetëm mirë.
Unë harrova përse kisha hyra dhe pasi përshëndeta dola. Konflikti përfundoi pa zarar. Një rast tjetër. Ishte viti 1997. Drejtoja ‘Republikën’ atëherë. Në mbrëmje kisha shkuar në Parlament të ndiqja punimet e seancës. Gazetën ia lashë zëvendëskryeredaktorit. Njëri nga gazetarët, që sot është bërë ndër më të njohurit e kronikës dhe investigimit; merr një lajm në telefon se një bandë e Lushnjës kishte zënë pritë makinave me materiale ndërtimi të Beratit dhe e shkarkonte materialin në dalje të qytetit, ku po ndërtonin një vilë. Kishte filluar shthurja e shtetit. Bandat po bënin ligjin. Të nesërmen lajmi ishte botuar në faqen e parë të ‘Republikës’. Që në orën 9 të mëngjesit nisën telefonat. Familja ime, që jetonte në Lushnjë, ishte shumë e shqetësuar sepse banda me një varg makinash me drita të ndezura dhe me bori të takuara kishin rrethuar pallatin dhe po kërcënonin fëmijët. Nuk u tërhoqën derisa i sigurova që të nesërmen do ta përgënjeshtroja lajmin. Ishte një situatë tepër e vështirë. Një rast tjetër, ka si shkak militantizmin partiak. Kisha vendosur në faqen e parë të ‘Republikës’ një fotografi-montazh të liderit socialdemokrat, Gjinushi. Militantët e tij, mbërrijnë në zyrën time, dhe njëri prej tyre, më kapin për fyti, me kërcënimin: Merru po deshe edhe një herë me kryetarin dhe partinë tonë. Me sa kam mësuar organizatori ka ndërruar tre parti deri tani. Puna në gazetari ka dhe ngjarje komike. Kam disa ngjarje interesante në kohën e piramidave. Njëra ka të bëjë me të famshmen ‘Sude’. Në konkurrencë me Fondacionin ‘Xhaferri’, ajo i ngriti përqindjet në stratosferë. Askush nuk e njihte Suden për fytyrë. Nuk dilte në publik. Gazetari i kronikës tek ‘Republika’ dhe zv/kryeredaktori, nisën një seri shkrimesh, duke u përpjekur që ta nxirrnin Suden nga strofulla. Kritikat e ‘Republikës’ për kompetentin, për autobusin, që nëse nuk futeshin pasagjerë, nuk mund të vazhdonte udhëtimin, analogjia e Sudes, po nuk depozituat, nuk kam çfarë u jap. Këto shkrime e inatosën Suden dhe një natë merr badigardët, ku mbaj mend Baçovën, ish basketbollistin e Partizanit, dhe mësynë ‘Republikën’. Baçova me zë të lartë thërret: ku është kryeredaktori? Njëra nga gazetaret e sjell në zyrë. Britmat e mysafirëve kishin si qëllim frikësimin dhe përgënjeshtrimin, por njëri nga gazetarët, D.N, e shpërfilli shtatlartësinë e ish basketbollistit edhe pse ishte sa gjysma e tij, iu hakërrua. Ra tempi i mysafirëve. Atëherë nisëm bisedën, duke i kërkuar Sudes se çfarë ishte e padrejtë në shkrimet tona. Ajo nisi shpjegimet: Unë nuk kam thënë se paret i ka kompetenti. Nuk kam thënë se autobusit iu mbarua nafta, nuk kam thënë këtë e atë…Ajo të vetat ne tonat. Të nesërmen hapim gazetën me titullin ”Sudja mësynë Republikën”. Shkrimi i xhindosi më keq ustallarët e Sudes, që herën e dytë nuk pritën mbrëmjen por erdhën që paradite. Sërish ballafaqim, por këtë herë më të ashpër. Gjeta një moment pavëmendje të mysafirëve dhe i bëra shenjë fotografit që të priste poshtë shkallëve dhe ta fotografonte Suden gjatë zbritjes. Me fotografi shkrimi do të kishte më shumë efekt. Huamarrësit nisën të grumbulloheshin rreth fondacionit të saj duke kërkuar kthimin e parave. Ku qëndron komizmi? Një ditë dy policë që ishin caktuar nga shteti që të mbanin rendin rreth fondacionit, trokasin tek Republika dhe kërkojnë ndihmë për të tërhequr paratë e tyre që kishin depozituar atje. A s’është për të qeshur? Telashet nga profesioni më kanë ndjekur gjatë në të dy kohët, para dhe pas ’90-tës. Gjatë viteve 1998-99, kam qenë shpesh dyerve të gjykatës, duke u përballë me qeveritarë të rangjeve të lartë, fillimisht me Ilir Metën si zv/ kryeministër, njëkohësisht edhe me familjarët e deputetit Tritan Shehu. Me të parin për akuzën që i kishim bërë për korrupsion, me të dytin, për problem të trojeve në Durrës. Siç e keni vënë re, edhe këtu kam pasur telashe po për shkak të profesionit dhe parimit tim për t’i thënë gjërat hapur.

Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, shqiptaro-amerikane?
-Po ndalem fillimisht tek gazetaria shqiptare. Media ka vlera të padiskutueshme për të çuar shoqërinë përpara, por mendoj se gazetaria shqiptare ashtu si e gjithë shoqëria shqiptare vazhdon të përjetojnë tranzicionin e zgjatur. Herë –herë më duket e hutuar, herë – herë agresive. Më duket se një gazetare shqiptare ka gjetur togfjalëshin më të saktë; media është në depresion! Media nuk është e lirë nga politika. Nuk them që politika të shihet si armike e medias, por ka një masë deri aty sa gazetari ta ndjejë profesionin dhe të mos bëhet skllav i politikës. Shtypi më duket mua më shumë hedh fishekzjarr akuzash se sa investigon dhe vuan nga nxitimi. Më shumë krijon huti se sa kryen detyrën si pushtet i katërt. Kam mendimin se vuan edhe nga të qenurit shërbëtor, një pjesë me pozitën, një pjesë me opozitën. Ke vënë re se analizat e disa gazetarëve nuk kanë shumë ndryshim nga fjalimet e deputetëve sipas kampeve partiake, deklaratat e zëdhënësve apo fjalimeve të shefave të politikës? Nuk e di në shprehem qartë, por në sytë e mi është kjo tablo në Shqipëri: Media që është palë me qeverinë-vetëm pohon, dhe lëvdon Qeverinë e shan opozitën, media që është palë me opozitën vetëm shan qeverinë dhe lëvdon opozitë. E kanë shumë të vështirë që krahu i gazetave të rreshtuara në krah të opozitës të thonë se këtë gjë qeveria e bëri mirë! Kjo nuk shkon. Agresiviteti është një tjetër tipar karakteristik i medias shqiptare. Fjalori është pa etikë. Kam mendimin se kur të shkruaj gazeta apo flasë Radio- TV, shoqëria duhet të tundet. Kjo nuk ndodh në Shqipëri për shumë arsye, por edhe për shkak të inflacionit të akuzave; hidhet një sot dhe të nesërmen harrohet sepse hidhet tjetra.Problemi qëndron se edhe tek media e këtushme shqiptare, ashtu si e gjithë media ballkanike,janë në rezonancë me mediat e vendlindjes, vuajnë nga sëmundjet e atjeshme. Kjo duket edhe në gazetat e komunitetit, por veçanërisht në mediat elektronike, ku mungon profesionalizmi dhe vihet re një vetëmburrje skandaloze. Madje rroftë Youtube dhe Facebook, dhe një kamerë e një mikrofon po trumbetohen si Televizione Profesioniste.

Me iniciativën e Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, një grupi intelektualësh dhe dashamirës të gazetës historike dhe tradicionale “Dielli”, produkt i Era Noli & Konica, ju e risollët atë për komunitetin shqiptaro –amerikan pas disa vite ndërprerje të botimit të saj, Para së gjithash përgëzime të sinqerta. Si lindi ideja e ringjalljes së saj, -si pjesë narrative jetësore e rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo…?
-Faleminderit për vlerësimin bashkë me komplimentet. Ideja ishte e vatranëve. Kur u organizua 100 vjetori i Diellit, kisha dhe unë një kumtesë për rolin dhe vlerat historike të gazetës “Dielli” si shkollë e gazetarisë shqiptare për një shekull. Punova 3 muaj në arkivin e Vatrës, kryesisht me koleksionet e gazetës, që i merrja në shtëpi dhe i studioja, mbaja shënime. Kumtesa u vlerësua. Në seancat e Konferencës pata një interesim nga z. Agron Alibali dhe Merita Bajraktari McCormack, të cilët ma shtruan si alternativë, nëse gjehej mundësia e pagesës, a do të punoja në “Dielli”? Një muaj më pas unë dola i lirë nga gazeta “Illyria” ku editoja prej 10 vitesh edicionin shqip. Shkaku siç m’u tha me gojë dhe me shkrim (e ruaj ende shkresën përcjellëse) për probleme financiare të gazetës. Menjëherë më erdhi propozimi i Vatrës për të marrë drejtimin e “Diellit”. As më vunë kushte, as u vura kushte, qoftë dhe financiare. Njoftimi që publikoi në numrin e 100 vjetorit të Diellit, z. Karagjozi ishte shumë i ngrohtë dhe më shkaktoi emocione të forta dhe ma rriti vendosmërinë që t’i përkushtohesha me gjithë shpirt “Diellit” dhe Vatrës. Me ndonjë përjashtim të vogël mbështetja ka qenë e fuqishme nga Vatra. Realiteti tani është më ndryshe; Dielli është stabilizuar në botimin e përmuajshëm, ka publikimin e përditshëm në on line, jemi duke punuar për mbledhjen e dhe përgatitjen e koleksioneve të gazetës për një periudhë 42 vjeçare. Po ashtu vazhdojmë të kërkojmë burime financiare që të na mundësojnë një botim më të shpeshtë.

Cilat kanë qenë uljet dhe ngritjet në karrierën tuaj A ka ndonjë gjini tjetër që ju e lëvroni dhe do të dëshironi ta provoni?Në rast se po. Cila është gjinia tuaj e preferuar?
-E kam pak të vështirë sepse do të thoshte lexuesi: edhe ky si Beluli! E kam filluar me ndrojë gazetarinë për shkak të një ”frike” se po më heqin sot e po më heqin nesër. Shkaku ishte biografia. Im atë ishte burgosur në mes të viteve ’50. Edhe pse e fitoi pafajësinë pas 13 muajsh burg, kjo iu kujtua gjatë atij dhe neve gjatë të gjithë jetës. Nga ana tjetër, dajua im, vëllai i nënës, Adem Qose, u dënua me 101 vite burg dhe kreu pas amnistive dhe punës 17 vite. Kur doli nga burgu një këmbë e kishte të paralizuar. Asnjë nga 9 fëmijët e tij dhe 11 fëmijëve të vëllait te tij, nuk u lejua të shkollohej. Kjo biografi të diktonte një qëndrim si mbi gjëmba, ku sundonte frika e “zbulimit”. Në të vërtetë unë nuk i dija gjërat kur isha fëmijë. prindërit na kishin ruajtur duke na i fshehur. I kam mësuar shumë vonë. Sinjalin e parë e mora kur dolën listat e studimeve pas gjimnazit. Ditën e parë emri im ishte tek Juridiku, të nesërmen përfundoi në Shkodër për mësues 8 vjeçareje, të cilin nuk e preferonin edhe për shkakun se të merrnin ushtar pas shkollës. E provova serish njollen e biografise pas 2 vjetësh. Kur mbarova Institutin Pedagogjik në Shkodër për gjuhë shqipe, dega ushtarake e rrethit më kërkoi që të shkoja të studioja në shkollë ushtarake për oficer. Alternativa që më shtruan ishte: O shko për oficer ose do të çojmë ushtar! M’u duk më e lehtë e para pas bisedës që na bëri shefi i degës për lavdinë e ushtrisë. E firmosa deklaratën mes mëdyshjeve. Kur shkova në mbrëmje në shtëpi, ia tregova tim eti ç’më kishte ndodhur. Ai u nxi në fytyrë dhe më dha urdhër që të shkoja të flija herët se nesër do të shkonim sërish në qytet. Kalova një natë pa gjumë. Në mëngjes herët shkuam në fshatin fqinj ku e kishte shtëpinë kryetari i këshillit të Bashkuar. Edhe sot ruaj respekt për atë njeri, pa shkollë, por zemërmirë. Nuk mbaj mend që t’i ketë bërë keq njeriu, madje as”kulakëve “ të Matjanëve. Ai ishte shok ushtrie i babës; e ruante respektin edhe pas burgu, nga që ia kishte ndihmuar familjen në kohë të vështira. Baba ia shpjegoi veprimin tim kryetarit dhe i foli hapur në sytë e mi, duke i thënë se unë nuk mund të shkoja për oficer se do të hapeshin letrat e biografisë, edhe nëse pranohesha një ditë do të më përzinin me ceremoni. Në logjikën e tim eti, oficeri dhe komunisti ishin njësoj të filturuar imtësisht për biografinë. Për oficer shkonin të besuarit që nuk kishin asnjë cen në biografi. Kryetari dhe imatë ranë dakort që të gjenin një arsye tjetër që ta paraqesin si shkak. Kemi qëndruar gjithë ditën duke pritur dhe më në fund hyri kryetari i këshillit. Më pas thirrën edhe babën. Mua vetëm ma komunikuan se pas një muaji do të shkoja ushtar. Kështu që shkova 3 vjet ushtar (në fakt bëra 37 muaj). Edhe një herë tjetër më ngacmoi biografia. Në vitin e dytë të ushtrisë, kisha riparuar në det të hapur një defekt teknik gjatë lundrimit, që u vlerësua dhe më propozuan për dekorim dhe shpërblim me leje suplementare. Mirëpo pritej vlerësimi i Partisë në fshat. Pas 15 ditëve vjen përgjigja”nuk ka garanci politike”. Ma tregoi Komisari zemërmirë, T. Kola, babai i futbollistit Bledar Kola. Ia di për nder atij oficeri që më dha mundësi që  të mos më anulohej leja shpërblyse, sepse në vitin e tretë të ushtrisë nisa dhënien e provimeve me korrespondencë në Universitetin e Tiranës. Për një vit likuidova të gjithë ekuivalencën. E zgjata pak përgjigjen për të treguar se në ato vite që unë punova në gazetari ndjehesha i pasigurtë për shkak të bashkëjetesës me njollat e biografisë. Madje kur vinin mbledhjet e Partisë, ne pa parti, na thoshin, na falni, mund të dilni pak jashtë se tani kemi punë partie. Kontradiktat e mia dolën hapur në fillim të viteve ’90. Pas shkrimeve të prof. Ylli Popës, dr. Sali Berisha e të tjerë, na doli frika. Shkrimet e mia kritike më nxorën përballë administratës qeveritare lokale. Kjo ishte kohë e vështirë për mua dhe familjen. Merrja kërcënime, letra anonime, deri edhe Fletë rrufe në qendër të qytetit, gjoja nga bashkëfshatarët e mi, që kritikonin Partinë që nuk e kishte zbuluar gjarpërin (medemek mua). Po si mund të vinin bashkëfshatarët e mi në pesë të mëngjesit aty ku u duhej të udhëtonin më shumë se 2 orë. Këto ishin lojëra të Sigurimit apo të aktivistëve të partisë. Zhgënjimi më i madh ishte kur si gazetar pashë dhe perjetova ballafaqimet që bënte Ramiz Alia, Adil Çarçani, Nexhmije Hoxha, Haxhi Lleshi, me vullnetarët e Enverit për t’u ndalë hovin kundërshtues, ku përbetoheshin për vazhdimësi të rrugës së Enverit dhe do ta mbronin edhe me gjak. Gjatë rrugës së kthimit mora vendimin. E shpreha këtë në redaksi, por edhe në shkrime që i botoja në gazetat e Tiranës ku ishte vrarë frika. Menjëherë erdhi pushimi nga puna. Qëndrova pak kohë i papunë, republikanët më kërkuan që të pranoja postin e sekretarit të komitetit Ekzekutiv Pluralist. U përpoqa të kryej me drejtësi detyrën në kohë të vështira. E lashë këtë detyrë kur pranova propozimin tjetër për kandidat për deputet sepse ligji e diktonte. Me 20 shtator 1991 u krijua gazeta antikomuniste ”Ora e Fjalës”, nga Shpend Sallaku dhe Gëzim Hajdari. Që në numrin e parë u botua një shkrim i imi kundër korrupsionit të administratës shtetërore. Po në atë numër kishte dhe një përgëzim nga botuesit në adresën time dhe të gazetarit Bujar Xhaferri për ndihmën që kishim dhënë. Unë isha dhe pjesë e Këshillit Botues. Pas ikjes të themeluesve të kësaj gazeta në Itali, në vitin 1992, gazetën e mora unë dhe e mbajta deri në gusht 1996, kohë kur m’u ofrua posti i Kryeredaktorit të ‘Republikës’. Mendoj se aty është dhe arritja e karrierës time, në përgjigje të pyetjes tuaj. Me një ekip të rinjsh ne bëmë një gazetë të madhe, shumë herë më të madhe se partia, me rritje kulmore deri në 40 mijë kopje në ditë dhe me një staf të plotë në qendër dhe me korrespondentë në të gjithë territorin e vendit. Përsa i përket gjinive që lëvroj, më pëlqen reportazhi, dossieri, satira. Në letërsi, pasioni i fshehur është proza e shkurtër.

Në publicistikën tuaj gjithçka vjen nga jeta reale. Çfarë lloj kërkimi keni bërë për të? A keni pasur materiale apo ngjarje që ju kanë ndihmuar në shkrimin e tyre?
-Përgjigja është brenda pyetjes tuaj. Gazetaria nuk bëhet vetëm në zyrë, por duhet prekur jeta, duhen takuar njerëzit. Duhet shkuar atje ku jetojnë njerëzit, atje është gazetaria. Natyrisht ka rëndësinë e vet edhe shfrytëzimi i arkivave, i historisë, por mbi të gjitha takimi me njerëzit mbetet kyçi i suksesit. Gazetari para se të marrë të shkruaj duhet edhe të kërkojë, të shfletojë, të njohë individin apo ngjarjen, të grumbullojë sa më shumë informacion dhe pastaj të seleksionojë dhe të korrektojë veten. Mendoj se skedimi i fakteve që përjeton gazetari dhe mbajtja e një ditari të përditshëm është i domosdoshëm. Për 10 vite në Illyria fitova shumë; gjeta gjallë një pjesë nacionalistësh, që në fëmijërinë dhe rininë time na i kishin prezantuar si diversantë, si ”armiq të popullit”. Ishin nacionalistët që iu ishte mohuar Atdheu. Kam intervistuar shumë nga ata. Në Dielli zbulova një botë tjetër, që e njihja pak, shpirtin idealist të vatranëve.

Në jetën e përditshme në New York, ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës, figura të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe të politikës shqiptare dhe amerikane. Sa është prezent atdheu ynë Shqipëria e çështja shqiptare, veçmas ajo e Kosovës e Çamërisë në marrëdhëniet me ta?
-Po e filloj nga fundi: Çështja Çame dhe e Kosovës, janë dy shtylla të veprimtarisë së Vatrës, pashmangshmërisht dhe gazetës së saj Dielli, që ka për mision bashkimin e natyrshëm të trojeve shqiptare, por jo me folklor, jo me aksion, jo me turravrap, por si një proces i pashmangshëm, që kalon përmes bashkimit shpirtëror, ndjesor, njerëzor, duke dëgjuar dhe aleaten tonë, Amerikën. Ne shqiptarët jemi me fat që Amerikën e kemi në krah, e kemi aleate. Ajo që pat nisë presidenti Willson, në fillim të shekullit të shkuar, e çuan më tej presidenti Klinton dhe Xhorxh Bush. Edhe këto kohë ne vazhdojmë ta kemi ndihmën e ëngjëllit mbrojtës me emrin”Amerikë’. Kam qenë i pranishëm në shumë takime me politikanë amerikanë, lokalë dhe qendror. Përherë jam emocionuar nga vlerësimet që i bëjnë Kombit shqiptar, edhe pse politikanët tanë tregohen nxënës të këqij. Vatra ka kontakte me ish Senatorë e kongresmenë. Vlerësimet që përcollën në 100 vjetorin e Vatrës Senatori Shumer dhe kongresmeni Engel, ishin maksimale. Kontakti im i parë me politikanët amerikanë ka qenë me ish Senatoren e shtetit Hilari Klinton. Ajo po vinte kandidaturën për senatore dhe komuniteti shqiptar organizoi një darkë fondmbledhëse në Manhattan në restorantin e patriotit Bruno Selimi. Kishte më shumë se 100 pjesmarrës. Më mori me vete botuesi i Illyrias, Ekrem Bardha. Unë s’kisha më shumë se 2 muaj që kisha ardhur nga Shqipëria. Isha i ndrojtur. Ajo shumë e qeshur me shqiptarët. U bënë fotografi me secilin. Unë kisha zënë një qoshe dhe nuk po afrohesha. Ekrem Bardha ma bëri me dorë dhe lëshoi zë: Eja këtu! Ajo e kuptoi ndrojtjen time dhe më thirri. Dola në fotografi. E ruaj si relike në shtëpinë time atë fotografi. Qëlloi që dhe vajza ime, Elisabeta, që është mësuese në një shkollë të mesme, pasi mbaroi studimet për shkencat politike në Hunter College, punoi 6 muaj në zyrën e Seantores si praktikante universitare. Edhe ajo ka fotografi me zonjën Klinton, madje dhe një vlerësim shumë pozitiv pune e njohurish. E përmenda këtë rast sepse sa herë ka qëlluar që të jemë në takimet e shqiptarëve me zonjën Klinton, kam parë e dëgjuar një përkujdesje të jashtzakonshme të saj për shqiptarët. Po kështu do të përmendja kontributin e ish kongresmenit Tom Lantosh, kongresmenit Eliot Engel, Danna Robaher, madje edhe të senatores, Kirsten Gillibrand, të ish kongresistit Joseph DiGuardi etj.

Kanë thënë për Dalip Grecën…
Ca e kanë sharë e ca lëvduar. Citimet mendoj se janë të panevojshme.

Mesazhi për inteligjencën e këtushme shqiptare…
T’i përulen Kombit dhe të punojnë për Kombin.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisedoi, Dalip Greca-Si e rilindem Diellin, Raimonda Mois

AJTANGA LUBONJA – NË DIKTATURË KAM SHITUR 80 HERË GJAK, TANI JETOJ NË MJERIM, PA SHTËPI, DJALIN PA PUNË E ME TË ARDHURA MINIMALE

January 25, 2013 by dgreca

KALVARI MË NISI MË 1974, KUR ARRESTUAN BABAIN, XHAXHAIN, BURRIN E HALLËS DHE DJALIN E XHAXHAIT DHE I DËNUAN ME 11, 13, 15 DHE 17 VJET/

‘I bëj sms kryeministrit për hallet që kam, dërgon njerëz për ta ndjekur e mbeten me kaq, kërkoj pergjigje, s’më kthejnë më’

Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ/

Pyetje: Ajtanga Lubonja, ju jeni nga familja e Fatos Lubonjës?
Ajtanga Lubonja: Unë jam vajza e xhaxhai e Fatos Lubonjës. Në korrik të vitit 1974 arrestohet fillimisht babai im Llazar Lubonja inxhinier, pastaj pas disa ditësh arrestohet Fatosi, burri i halles Vasil M. Todi ( sot nga keta vetëm Fatosi është gjallë) akuzohen për agjit- propagange dhe denohen me nga 11,13,15 dhe 17vjet burg, fatosi u ridënua. Asnjë lloj faji nuk kishin kryer, budallalleqet e asaj kohe qe vinin ne pah forcen e Partise!

Pyetje : Kur filloi kalvari juaj Ajtanga Lubonja ? A mund të na tregoni vuajtjet tuaja gjatë diktaturës?
Ajtanga Lubonja: Qe me marrjen e epitetit ”Armiku i Popullit”, filloi kalvari i vuajtjeve të mija dhe familjes time. Më la burri me nje femije 2 vjeç, më hoqen nga puna dhe u detyrova te kthehem ne Tirane se gjate 4 vjeteve jetoja ne Pogradec e atje punoja ne arsim, ketu ne Tirane kam punuar ne revisten ”YLLI” dhe revisten ”Shqipetarja e re”.
Kur u ktheva ne Tirane s’me jepnin pune vetem të punoja tek bregu u lumit, ku mbaja arka. Pas luftrash neper dyer te komitetit te Partise me çuan nxenese ne NPV-Rrobaqepsi, ku ndenja 6 muaj nxenese pa pagese. Gjate kesaj kohe fillova te shes gjak se nuk kisha me çfare te rrit djalin, punova 14 vjet ne rrobaqepsi, deri sa atje mbaroi puna. Me shume lufte rregullova pune pastruese ne hotel Valbona dhe Internacional, ku punova deri ne vitet ’90.

LIRI BERISHA, ME TË CILËN KEMI QENË SHOQE FËMINIE DHE SHKOLLA, PAS ZGJEDHJEVE TË 2005 MË GJETI PUNË DERI MË 2010

Pyetje: Çfarë ndodhi me ju pas rrëzimit të diktaturës?
Ajtanga Lubonja: Kur filloi lëvizja demokratike dhe une u lidha menjehere me lëvizjen. Më kanë qëlluar ditën qe u rrëzua busti e kam shenjen ne koke etj. Fillova pune sporteliste ne Qytetin Studenti. Por nuk treguan asnjë lloj kujdesi dhe askush nuk mori parasysh ato që kishim hequr, sepse ishin monopolizuar te gjitha, vetem në vitin 2005, pasi fituam zgjedhjet takova Liri Berishën, me te cilen kemi qene shoqe feminije dhe shkolle dhe ajo me krijoi mundesine te punonja ne Shërbimet Qeveritare, në një pozicion teper te thjeshte, punonjese administrate me 380 mije leke rroge! Gjate kesaj kohe bashkëpunoja me gazetën ”55”.
Në sherbimet qeveritare punova deri në vitin 2010 dhe me nxorren ne pension! Gjate kesaj kohe kerkoja shtepi.

KAM 22 VJET QË JETOJ NË KONVIKT

Pyetje: Ku banoni gjatë këtyre 22 vjet tranzicion?
Ajtanga Lubonja: Kam që në dhjetorin e vitit 1992 që banoj ne konvikt, me banja te perbashketa, pa uje brenda …tmerr! I jam drejtuar Kryeministrit i cili i ka dhene urdher Entit te Banesave, por asgjë. Kërkesa ime në bashki është prej kohësh, që kur ishte Edi Rama, por ai as që merrte mundimin.
Me ardhjen e Bashes, une punova shumë per fushaten e tij, tani nuk me ngrene me telefonin! Keshtu une vazhdoj te jetoj ne konvikt tek godina 15.

Pyetje: Jeton me djalin që e rrite me aq halle, duke shitur gjakun tënd?
Ajtanga Lubonja: U detyrova te ndahem me djalin se ai u martua e u be me femije dhe në keto kushte s’mund te jetonim bashke dhe ata jane me qera diku ketu prane. Djalin e kam pa punë, vetem nusja punon dhe une me nje pension prej 150mije lekesh dhe pse m‘u premtua pesion i veçante nga kryeministri, erdhi me takoi keshilltari i tij z.Ylli Asllani dhe asgjë. Interesant, i bej sms kryeministrit per hallet qe kam, dergon njerez per ta ndjekur e mbeten me kaq,kerkoj pergjigje,s’me kthejnë më.

Pyetje: 22 vjet tranzicion dhe ju si e përndjekur ende jetoni në një konvikt, nuk keni as shtëpi dhe të ardhura minimale jetese, a gjeni fajtor dikë për këtë gjendje?
Ajtanga Lubonja: Keshtu une jam ne kushte te tmerrshme ekonomike, jam teper e semure, vuaj me diabet , bej 4 insulina ne dite, vuaj me tension-zemer, ulçera, veshka o nuk numerohen dot diagnozat e mija. Kam dhene 80 here gjak te mbijetoj, dhe…dhe ja ku jam drejt fundit e pashprese, pa shtepi me nje ekonomi te rrenuar!

TË PËRNDJEKURIT DHE PRONARËT LEGJITIMË KANË MBETUR NË MËSHIRË TË FATIT
Pyetje: Po si e përndjekur çfarë keni përfituar nga ato që ju takojnë?
Ajtanga Lubonja: Shperblimin si te perndjekur na kane dhene vetem një kest! Si do behet me tej nuk e di.

Pyetje: A ishit ju shpirtërisht me grevistët e urisë, dy prej të cilëve ndërmorën aktin e sakrificës sublime?
Ajtanga Lubonja: Futja ne greve e te perndjekurve na zgjoi shprese, po si gjithmone ketu tek ne merr ngjyra politike!

Pyetje: Politikanët të gjithë janë me disa shtëpi, vila e lluks në qytet e bregdet, ndërsa të përndjekurit e diktaturës jetojnë në kushte mizerje, keni një koment?
Ajtanga Lubonja: Jo vetem politikanet jane me disa shtepi, po dhe ata që përçojnë ujin e tyre, ejani të shihni ketu ne Qytetin Studenti si janë ngritur shtepite e lokalet si kepurdha dhe nuk eshte asnjeri ne prone te vet e pronaret e ligjeshem zvarriten pa patur mundesi te marrin pronen e tyre.
Kam si fakt djalin tim, ai nga babai është JORGON, ka disa prona per t’iu kthyher, evidente eshte shtepia ngjitur me Ministrinë e Arsimit, por nuk ia japin.

Pyetje : Shpresoni ende tek këta që ju kanë mashtruar për 22 vjet?
Ajtanga Lubonja: Une nuk e di deri sa mund ta shtyj, ky eshte shteti per te cilin luftova dhe me kane lene ne meshire te fatit…Po me tej!!! Mendoj qe familjet e verteta te persekutuara po lihen ne meshire te fatit. E di që shpresa vdes e fundit, po une jam shume e semure, po vdes vete!!!

Intervistoi Elida Buçpapaj

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, interviste me Ajtaga Lubonjen

Ylber Dauti

January 25, 2013 by Administrator

Filed Under: Featured

January 2013 issue of Dielli is now available

January 25, 2013 by Administrator

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT