• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

NJË ZEMËR QË PULSON NGA MALLI I DASHURISË

January 15, 2013 by dgreca

(Patricia Lidia, Në rrjedhë të kohës, Amanda Edit, Bukuresht, 2012)/

Lucian Gruia/

Pas vëllimeve poetike Heshtje në dy: heshtje në ne! (Ed. Citadela, Satu Mare, 2010), Mos mbyll sytë, Tatiana! (Ed. Eurobook, Jash, 2009) dhe  Protest apokrif (Ed. Amanda Edit, Bukuresht, 2012), Patricia Lidia rivjen në vëmendje të lexuesve me antologjinë rumuno-shqiptare Në brigjet e kohës, falë përkthimeve të poetit të talentuar Baki Ymeri. Antologjia e përmendur markon evolucionin e lirikës së saj, që nga ekstazi ekspresionist/dionisiak i moshës së njomë, deri te meditimet e thella ndaj temave madhore të ekzistencës: maturia, dashuria, pleqëria, liria, kalimi i kohës, të trajtuara në mënyrë specifike. Vargjet shquhen për lapidaritet dhe ekspresivitet, duke u koncentruar mbi esencën e disponimeve shpirtërore. Nga një herë shqetsimet bëhen shkretëtimtare: „Rrugëve të shkreta të shpirtit/ Koha bredh e bezdisur –/ Jehona e heshtjes/ Na i grimcon mendimet…” (Katreni i shkretërimit)

Tema qëndrore ka mbetur dashuria, e shpaluar poetikisht mbi një paletë të gjerë, që nga përmbushje e deri në zhgënjim. Çdo qelizë e trupit të poetes përmban nga një zemër të vogël që pulson ndaj dashurisë së çiltërt dhe nga një flatër e vogël që pret të hapet drejt flatrimit erotik: „Në përpëlitje flatrash/ Rrjedh kaltërsia/ Nëpërmjet damarëve të pemëve/ Drejtpërsëdrejti në krahët e tu.” (E dashuruar). Patricia Lidia e parandjente fluturimin lirik që nga fëmijëria: „Kur isha e vogël/ Ëndërroja se mund  të fluturoja…/ Flatrat m’u rritën më vonë/ Dhe ndjehesha e rëndë dhe plakë si Hëna,/ Një fije dëbore e pashkrirë mbi Tokë./ Dhe si një flutur e palindur/ U ngjita në qiell…/ Ndërkaq kërkova për tepër çaste/ Duke menduar se jam engjëll…” (Autobiografi)

Në vëllimet e para, përjetimet erotike ishin të dyfishta, engjëllore dhe djallëzore. Dashurinë e përmbushur e ndërpret një çast, kalimi i kohës. Sentimenti, ndërkaq, ofron edhe gjendje tjera të shumta shpirtërore: pritje, paqartësi, shqetsime, thirrje pa përgjigje, zhgënjime:  “Të hesht?/ Ç’qetësi e hidhur…/ Të qaj?/ Ç’vdekje e padenjë…/ Të thirr banalisht një çast/ Çfarë përjetësie më shtyp?/ Furtunë e kotë/ E shpirtit të gulçuar.// Çfarë mbeti pas nesh?/ Zhdënjim i hidhur…” (Zhgënjim). Poetesha nuk mund të jetojë pa dashuri, dhe e kërkon me çdo kusht këtë dhuratë hyjnore. Krejt Universi duket si një shkrirje ndërmjet femërores dhe mashkullores (ying dhe yang). Nga vëllimi në vëllim, përfytyrimet erotike sublimohen, poetja duke refuzuar gjithnjë e më shpesh anën mishtore dhe duke apeluar në elemente subtile: drita, zjarri, qielli – pra në elemente të ngjitjes dhe përsosjes shpirtërore. Përmes këtij procedeu, ndjenja e dashurisë sakralizohet. Idealet e larta të paplotësuara sjellin shembje të pashmangshme. Në rastin e dashurisë, përmbushjet gëshetohen me zhgënjime.

Paralelisht me kalimin e kohës, jeta gjithnjë e më shumë duket si një ëndërr. Përkohshmëria e konditës humane ndjehet gjithnjë e më e mprehtë. Kalimi i papërsëritshëm i kohës shpartalluese provokon senzacionin e ftohjes së dimrit ontologjik, si dhe atë të trishtimit të pashmangshëm: “Valë dëbore/ E shtruar vit për viti/ Me hidhërim të rëndë/ I zbuloj me fytyrën tënde/ Duke kundruar në pasqyrë.” (Gjyshja). Nga një herë poetesha komunikon me idenë e zgjerimit: „Koha nuk më lë të flas./ Nuk dëshiron të flas./ hesht.// Heshtja ime e butë dhe e ftohtë/ Porsi dheu i brishtë o nxjerrë/ Nga një gropë/ E varrrit.” (Hesht). Tjetërherë jeta duket si një lojë e qeshje/qarjes, e rëndë, ironike, e ëmbël dhe e hidhur, e kapshme me nostalgji: „Zoti nuk po luan barbut –/ E humba fatin për tepër here në bafte/ Që ta fali…/ Fati im i ditëve të marta/ Ma vodhi kohën dhe vitet e çastin/ E prangosur në irisin e tij të butë/ Përjetë më plandosi për një çast…/ Një finale më e mire seç na jep jeta/ Gjatë shtigjeve të Rrugës së Qumshtit…” (Fati im i ditës së martë).

Poezia, nëpërmjet muzikalitetit të brendshëm dhe iluzionit të pashmangshëm, ekuilibron përkohshmërinë e jetës. Fjalët e diellëzuara e mbrojnë gjatë rrjedhës së tërë ditës, që nga lindja deri në perëndim. Madje, edhe nëse dashuria fanitet nganjëherë e mbuluar me një startim të përhirtë, një etje e hatashme për jetë mund ta ndezë në çdo çast me një përbujshmëri të madhe. Toni kolokvial, adresimi i drejtëpërdrejtë, sinqeriteti i shprehjes, e joshin lexuesin. Stili i autores reflekton një ngashnjim të meritueshëm. Patricia Lidia vazhdon të mbetet, edhepese herë pas here e trishtë, një misionare e Dashurisë.

***

Patricia Lidia u lind më 19 maj 1987 në qytetin e bukur Oradea. Vitet e fëmijërisë i ka kaluar nën mburojën e gjyshërve, në brigjet teleormanene, në Zimniçenë e ngrohtë. Vitet e shkollës ia kanë prekur përfytyrimin e një luftëtari të madh e të palodhur për të drejtat e rumunëve të Transilvanisë, duke ndjekur shkollën “Emanuil Gojdu” që mban emrin e këtij atdhetari. Pastaj, fati ia pat drejtuar hapat drejt qytetit që tashmë e konsideron si  shtëpinë e saj, Timishoara. Inzheniere e  telekomunikacioneve, inzheniere e elektronikës biomedikale… në kohën e lirë, e pasionuar ndaj letërsisë… por, mbi të gjitha ndaj artit për të qenë grua… Imagjinata e pasur i ka dhuruar inspirim për të publikuar 6 vëllime personale me poezi dhe teatër, 22 vëllime me poezi për fëmijë, por edhe për të qëndruar pranë krijuesve të tjerë në mbi 30 vëllime kolektive. Ka debutuar në revistën „Ateneu” që del bë Bakëu, si dhe në antologjinë e Editurës së Fundacionit Kulturor Cancicov, me rastin e përfitimit të çmimit që ia pat ofruar revista respektive në kuadrin e Festivalit-Konkurs Kombëtar për Poezi „Avangarda XXII”, edicioni i VI-të, më 2006. Në mbarim të këtij viti ka themeluar shoqatën Asociaţia Bastionul ArtLitTim, që ka për qëllim kryesor promovimin e arteve për fëmijë dhe të rinj.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bali Ymeri, Heshtja ne dy, Lucian Gruia

DEA BEJLERI, VOGELUSHJA SHQIPTARE QE LA AMERIKEN EDHE PSE ISHTE ME PASAPORTE AMERIKANE

January 14, 2013 by dgreca

Kushtuar Senatores së Diasporës Dea Bejlerit, vogëlushes 9 vjeçare  me pashaportë amerikane që la Amerikën, e detyruar, sepse prindërit nuk kishin dokumente…Shpesh gazetat, TV-të më së shumti ju kushtojnë vëmendje të rriturve për kontributet e tyre në aktivitete të ndryshme, duke i lënë pakuptuar në harresë botën e mrekullueshme të fëmijëve…/

Nga Keze Zylo Kozeta /

Në këtë shkrim personazhin kryesor kam Dea Bejlerin, nxënësen e shkëlqyer të Shkollës Shqipe, e cila ka filluar aktivitetin e saj në Diasporë qysh në moshën tre vjeçe.  Në shumë manifestime që janë organizuar në Diasporë në New York ajo ka marrë pjesë gjallërisht duke intepretuar poezi patriotike nga autorë të ndryshëm. Kohët e fundit në 15 vjetroin e TV “Kultura Shqiptare” kur drejtuesja e programit e pyeti se në ç’moshë ke filluar të recitosh, Dea iu pergjigj se ka qenë në skenë qysh në moshen tre vjeçe.  Në 100 Vjetorin e Pavarësisë që u organizua nga TV Alba Life dhe Shkollat Shqipe, Dea interpretoi poezinë: “Naganti i Isa Boletinit” shkruar nga poeti i Kombit Agim Shehu.  Por ajo nuk ishe vetem një intepretuese e poezive, ndërkohë shoqëroi në këngë dhe sopranonn e shquar znj.Lindita Mezini Lole. Edhe në ngritjen e Flamurit në Manhattan, në Panairin e librit që u organizua në New York nga Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikane ajo interpretoi poezine “Unë e dua librin”, si dhe për vit në 28 Nëntor organizuar nga Shoqata “Devolli” dhe te tjera organizata ajo ka marrë pjesë me një dashuri të veçantë dhe pasion për të interpretuar poezi për Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë nga autorë të ndryshëm.Dea është një vajzë shumë e talentuar jo vetëm në Shkollën Shqipe por dhe në atë amerikane. Por viti 2013 Dean e zuri në Kanada, pavarësisht se ajo u lind dhe u rrit në New York gjer në moshën 9 vjeçe.  Prindërit e saj intelektualë patriotë Blerina dhe Neritan Bejleri u detyruan të largohen pasi nuk kishin dokumente. Ah këto ligje sa të mjera janë ndonjëherë?…Kur merr rrugët e mërgimit duke lënë pas mëmëdheun tënd dhimbshëm, mundohesh që me shok dhe miq në vendin që të pret ta kalosh me sa më pak dhimbjen dhe brengën me njerëz të mirë që mund t’i takosh rastësisht apo në mënyrë tjetër.Ndërsa shpesh mund të ndodh që të leshë prindërit, familjen, shoqërinë nga vendi që vjen, në emigrim plus punëve që duhet të përballosh për të krijuar jetën e re, duhet të njohësh dhe miq të rinj për të kaluar së bashku fundjavet apo festa e ndryshme që jo pak organizohen dhe në Diasporë.  Aktivitetet e ndryshme që kemi organizuar veçanërisht për Flamurin, Kombin, Kosovën na kanë lidhur ngushtësisht me familjen Bejleri. Disave mund t’ju ketë rënë fati që të gdhihen me dokumenta amerikane e kam fjalën për vendin ku jetoj prej vitesh, ndërsa të tjerë të stropaciten për ato të shkreta dokumenta me vite të tëra dhe nuk i marrin dot…  Kjo i ndodhi Deas me prindërit e saj, ndaj dhe u larguan për në Kanada e cila i mori denjësisht në gjirin e saj.Vit të mbarë në Kanda miqtë tanë Bejleri!

Ishte tejet e dhimbshme ndarja me Dean dhe familjen e saj.  Nuk do ta harroj kurrë ndarjen me vogëlushen, duke u përqafuar të dyja, lotët na rrëshqisnin pa komanduar, si e madhe që ishja mundohesha t’i gelltisja për hatër të saj, por ishte e kotë… Në mes këtij emocioni ndarës i thashë:  Ti do të vish prapë e ëmbla jonë se ti ke pashaportë amerikane, ke lindur këtu !  Dea me lot të nxehtë fëmije dhe duke me shtrënguar duart fort më tha:”Si nuk do të vi pranë jush?  Unë u rrita në Shkollën Shqipe, kam shumë shok dhe shoqe që dua t’i kem përgjithmonë”.

Por jo vetëm ne ndjemë dhimbje, por gjithë shkolla, nxënësit, mësuesit, prindërit u trishtuan pamasë për largimin e saj dhe të familjes.  Edhe mësuesja dhe nxënësit e klasës në shkollën amerikane ishin prekur shumë, Dea dhe atje nuk ishte një nxënëse e thjeshtë, por ajo ishte zgjedhur me vota prej të gjithëve si Senatore e klasës.

Pjekuria e saj para kohe dhe talenti më kanë frymëzuar për ta pasur gjithmonë personazh shumë të dashur në shkrime, poezi dhe libra të botuar.  Një prej tyre është poezia: “Senatorja e Diasporës” botuar në librin: “Mjellmat po të vijnë”.  Gjithmonë si mësuese pranë saj dhe duke e pasur bashkëpunëtore të TV Alba Life kam ndjesinë e veçantë se Dea do të ketë zërin e saj dhe do të nderojë Shqipërinë dhe në Kanada.  Ajo pranë Kanadasë ku prindërit e saj fituan dokumentet, shkoi me një “resume” tejet të pasur që do ta kishin zili dhe shumë të rritur.  Janë fatlumë organizuesit e shoqatave në Diasporën e Kanadasë që do të lidhen me Dean dhe do të ndjejnë nga afër talentin, vullnetin dhe patriotizmin që karakterizon këtë nxënëse të jashtëzakonshme me gjak shqiptari.  Kjo falë prindërve të saj intelektualë po aq aktivistë që po e rrisin dhe edukojnë me cilësitë më të mira si dhe gjyshërve që i falin aq ngrohtësi dhe dashuri.

Për kontributin e tyre si familje plot kulturë Presidenti i Alba Life z.Qemal Zylo organizoi një ceremoni me mësuesit dhe nxënësit e Shkollës Shqipe në Brooklyn.

Mamaja e Deas Blerina ka qenë mësuese qysh në hapjen e shkollës Shqipe, ndërsa Neritani një bashkëpunëtor i ngushtë, njëherazi dhe kryetar i shoqatës “Devolli”. Në ceremoninë që u organizua, Zoti Qemal .Zylo në emër të Bordit iu dha çertifikatën e mirënjohjes familjes “Bejleri” me motivacionin:  “Si aktivistë të shquar në Diasporën Shqiptare si dhe për kontributin e vyer që i kanë dhënë Shkollës Shqipe në New York”.Ata u larguan për në Kanada me shumë urime nga miq dhe shokë të shumtë që i donin dhe respektonin për kontributin e tyre.  Ndërsa Dea udhëtonte drejt Kanadasë, në vesh ende dëgjoja zërin e saj fëminor, se unë do të vi prapë në New York, ngase u rrita në Shkollat Shqipe dhe kam shumë shok e shoqe për të takuar…

 

Filed Under: Opinion Tagged With: destabilizing, factor, in the Balkans, Isuf Bajrami, serbia major

DIOGUARDI:JA SI E BINDEM AMERIKEN PER KOSOVEN

January 14, 2013 by dgreca

Për herë të parë çështja e Kosovës është ngritë në Kongresin Amerikan në vitin 1987./

 Pllana: z.Dioguardi, Cili ka qenë aspekti humanitar i Intevenimit të NATO-s në Kosovë?

Dioguardi:Së pari, desha të them se Intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk ka ndodhë rastësisht. Për herë të parë çështja e Kosovës është ngritë në Kongresin Amerikan në vitin 1987, kur unë isha kongresmen atëherë. Në atë kohë askush nuk ka mund me paragjyku  se në çfarë  mënyre barbare planifikonte të vepronte Milosheviqi kundër shqiptarëve të Kosovës. Siç e dini, ai erdhi në pushtet në vitin 1987 dhe e okupoi Kosovën, në mars të vitit 1989. Në ato ditë, mendimi ynë i përbashkët ishte e ka qenë se do të ishte zgjidhje e mirë për shqiptarët që Kosova  të ishte një republikë e barabartë me Kroacinë, Slloveninë, Bosnjën dhe republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, në kohën kur unë e dhash atë dëshmi timen të parw, para senatit të SHBA-ve, senatorit Baiden dhe senatorit Pell-lidhur me çështjen e Kosovës, kisha kuptuar qysh në atë kohë, në vitin 1989, se për Kosovën  nuk do të ishte  zgjidhje statusi i republikës, por pavarësia e saj.

Qysh në vitin 1991 për neve ishte bërë shumë e qartë se edhe departamenti amerikan  i shtetit donte ta mbante me çdo kusht shpëtimin e Jugosllavisë, andaj ne kishim kuptuar se, problemi nuk ishte më me republikat e tjera ose me Kosovën, por problemi ishte me idenë e Milosheviqit për Serbinë e Madhe, dhe se me çfardo çmimi që do të donim ta mbanim Jugosllavinë e bashkuar, do të dështonim dhe, ajo do të shkatërrohej.

Dhe, që nga viti 1991 -1999, ne gjithmonë në mënyrë intensive kemi dëshmuar para Kongresit të Senatit të SHBA-ve, se atë që po bënte Milosheviqi duke ekspozuar luftën e tij në Slloveni, Kroaci, mandej edhe në Bosnjë, dhe kur e pamë brutalitetin e paparë ndonjëherë në Evropë, të serbëve në Bosnjë, kur 250 mijë viktima, duke përfshirë gra, pleq e fëmijë, ishin vrarë, ne u dashtë që të bëhemi edhe më agresivë për të parandaluar një gjë të tillë edhe në Kosovë.

Dhe, në pranverën dhe verën e vitit 1998, kur Milosheviqi ndërmori ofensivën e tij kundër shqiptarëve të Kosovës, qysh atëherë, në maj të atij viti, ne kërkuam para Kongresit të SHBA-ve, kur unë isha ftuar që të diskutoja për këtë çështje, kisha kërkuar që NATO-ja të intervenonte menjëherë.

Unë insistoja që, intervenimi i NATO-s të vinte para kohës që Milosheviqi do të bënte atë që ka bërë në Bosnjë. Dhe, qysh atëherë kisha dëshmuar para Senatit se e vetmja gjuhë që e kupton Milosheviqi është gjuha e forcës, ose gjuha e kërcënimit me forcë. Gjithçka tjetër ai nuk do të kuptonte, pasi që do t’veproj në Bosnjë për të arritur qëllimet e tij, që kanë qenë viktima të shumta.

Dhe, kur isha pyetur nga Senati, se çfarë duhet bërë, kisha thënë se, nuk është e domosdoshme menjëherë të vendosim trupat në Kosovë, në fillim të vitit 1998, por  të paktën t’i stacionojmë trupat e NATO-s për rreth kufijve të Kosovës, t’i stacionojmë anijet tona luftarake  pranë detit të Malit të Zi, t’i tregojmë Milosheviqit se, në qoftë se vazhdon me spastrimin e tij atëherë do të ballafaqohet me forcën e NATO-s.

Edhepse në vitin 1998 nuk u bë ajo që ne kërkuam me insistimin tonë të vazhdueshëm, me kontaktet tona konkrete, me dëshmitë tona para Senatit, Kongresit dhe Qeverisë amerikane aritëm që në vitin 1999, kur u vërtetua qëllimi, që ne kishim thënë qysh më herët se, qëllimi i Milosheviqit ishte që të bëjë në Kosovë më zi se në Bosnjë, atëherë SHBA-të u vunë në krye të NATO-s dhe intervenuan për të parandaluar atë që kishte ndodh më herët në Bosnjë.

Dhe, mos të  harrojmë se çështja e intervenimit të NATO-s ka qenë çështje humanitare në aspektin human e njerëzor, sepse ka intervenuar për t’i shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga  dora vrastare e njeriut që e kishte vërtetuar veten nga luftërat e mëhershme, se ishte një manjak i gjenocidit.

Intervenimi i NATO-s, Amerikës i kushtoi shumë para(dollarë), prandaj nuk ka asnjë pyetje që mund ta bëjmë në lidhje me dyshimin që mund ta hedhim, se, a ka qenë humanitar apo jo intervenimi i NATO-s në Kosovë, se nga vet fakti që janë shpëtuar njerëzit dhe është rindërtuar jeta e njerëzve është më humane se gjithçka tjetër.

 

Së dyti, pjesa tjetër e intervenimit humanitar ishte t’i ndihmonim qindra e mijëra refugjatë që ishin përtej kufijve të Kosovës në kushte të mjerueshme, SHBA-të  kanë dhënë një ndihmë të hatashme morale dhe financiare, dhe me trupa në aspektin humanitar –ndihmë ndaj refugjatëve.

 

Së treti, pjesa e tretë e intervenimit humanitar ishte intervenimi ishqiptarëve të diasporës shqiptaro-amerikane, që kanë dërguar qindra-mijëra dollarë tek familjarët e tyre dhe, mos harroni se një pjesë e madhe e ndihmës janë bërë me paratë e diasporës dhe jo me ndihmat e UNMIK-ut, apo dikujt tjetër.

 

Së katërti, është gjithashtu buxheti i UNMIK-ut. Mos harroni se buxheti i UNMIK-ut vjen nga Kombet e Bashkuara, po të njëjtën kohë Amerika është kontribuesi më i madh i buxhetit të Kombeve të Bashkuara, prandaj kjo ka qenë pjesa e katërt e intervenimit, kështu që prej vitit 1999 deri më sot, Amerika ka qenë bartësi kryesor i të gjitha faturave, edhe të Kosovës.

Dhe, Intervenimi më i rëndësishëm në aspektin humanitar ka të bëjë me faktin e intervenimit tonë, krijimit të lobit shqiptar, të Ligës Qytetare – Shqiptaro-Amerikane, që nga viti 1989, e cila në agjendë të prioritetit gjithmonë e ka pasë çështjen e Kosovës.

Për gjithë punën që e ka bërë Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane, unë dhe bashkëshortja ime kemi qenë të involvuar në të, me rezoluta, me dëshmi para Kongresit, Senatit dhe Qeverisë Amerikane, me protesta e demonstrata në Washington e Nju-Jork, para Kombeve të Bashkuara, në Washington para Shtëpisë së Bardhë, dhe me punët tjera që i kemi bërë me media anë e kënd botës, Kosova nuk do të ishte ku është sot.

Problemi ynë qysh në fillim ka qenë shumë i madh, pasi që po luftonim kundrejt lobit dhe zërit të fuqishëm të serbëve dhe grekëve që ishte forcuar deri në atë kohë  në Washington, përderisa zëri i shqiptarëve nuk dëgjohej,  sepse ishte regjimi komunist i cili nuk lejonte që shqiptarët të përfaqësoheshin drejtpërdrejt jashtë.

Prandaj, në pjesën më të madhe të punës sonë jemi të gëzuar që kemi pasë sukses, sepse qëllimi kryesor i yni ka qenë Pavarësia e Kosovës, dhe tash e kemi.

Mirëpo, kjo nuk don të thotë se kemi me t’vërtetë Pavarësinë e vërtetë.

Së pari, e kemi ndarjen  defakto të  Mitrovicës, dhe nuk kemi  fatkeqësisht ekonomi fare në Kosovë – dhe shumë vende që ende nuk e kanë njohur këtë Pavarësi.

Pjesa e fundit e Intervenimit tonë humanitar për Kosovën ishte që të ndikojmë përmes Ligës tonë që ta zhvillojmë ekonominë e Kosovës.

Së dyti, që të sigurohemi se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe

Së  treti, që të ndikojmë në shumë vende që ta njohin sa më shpejt Pavarësinë e Kosovës.

Në asnjë kohë nuk duhet të harrojmë vëllezërit dhe motrat  tona  që i kemi në Luginën e Preshevës – dhe me delegacionin që jemi takuar qysh dje, dhe një pjesë e madhe e punës tonë, pasi që tash është arritë Pavarësia e Kosovës, do të fokusohet qysh dhe si t’ia arrijmë që ata t’i sigurojnë të drejtat e tyre.

 

Pllana:Çka mendoni Ju, në rast mos-intervenimi të NATO-s në Kosovë, cilat do t’kishin  qenë pasojat e mundshme ?

 

Dioguardi:Logjika do të thoshte se, po të mos kishte intervenuar NATO-ja në Kosovë, atëherë Milosheviqi do të kishte bërë masakra edhe më zi se në Bosnjë. Plani ka qenë i përgatitur qysh nga vitet e 30-ta nga Vaso Çubriloviqi – për shpërnguljen dhe shfarosjen kolektive të popullit shqiptar. Dhe, Milosheviqi marshoi me ushtrinë e tij që nga Sllovenia, Kroacia, në Bosnjë e Hercegovinë, dhe çmimi më i madh për të ishte Kosova, sepse në mendjet e tyre Kosova është e tyre dhe u takon atyre, dhe është krenaria e tyre që nga viti 1389.

Dhe, ne patëm sukses parandalimin e krijimit të Serbisë së Madhe, që Milosheviqi e paramendonte  së bashku me Kosovën. Atij nuk i interesonin njerëzit në Kosovë, por toka shqiptare. Ai e bënte të njëjtën gjë, siç e kishte thënë edhe plani i Çubriloviqit, që nëse nuk mund të blihen shqiptarët që ta pranojnë asimilimin të bëhen serbë, atëherë ata duhet të digjen në tërësi dhe të hiqen prej këtu, sepse serbët mendojnë në mendjen  e tyre që kjo tokë u takon atyre dhe jo njerëzve që kanë qenë autokton.

Pjesë e Kapitullit të këtij plani të Çubriloviqit flet pikërisht për djegjen e fshatrave shqiptare, nëqoftëse në asnjë mënyrë tjetër nuk mund t’i blejmë shqiptarët ose t’i shpërngulim atëherë t’i djegim në tërësi.

Unë e kam lexu këtë plan dhe, gjithmonë kam ditur për hapat që do t’i ndërmerrte Milosheviqi. Kam qenë aktiv dhe agresiv kundrejt politikës amerikane kur ajo ka hesht.

Verë e vitit 2009,

Intervistoi:    Nusret PLLANA

 

Përktheu:Faton Bislimi-ligjërues i Universitetit VIKTORIA në Prishtinë

Intervista u zhvillua në lokalet e Hotel VIKTORIA – Prishtinë

Filed Under: Interviste Tagged With: Fation Bislimi, Joe DioGuardi, Nusret pllana

ABAZ KUPI, HEROI I 7 PRILLIT DUHET TE PREHET NE ATDHE

January 14, 2013 by dgreca

Hakik Mena: Gjeneral Abaz Kupi, do të marrë përmast e vërteta vetëm në Atdhe në atë vend që ai e deshi aq shumë dhe bëri aq shumë për të, deri sa mbylli sytë më 9 janar 1976 në Nju Jork/

 NGA BEQIR SINA/

 Kew Gardens Quens – New York : Në qytetin e Queens – Neë York, të shtunën në mesdrekë u mblodhën një grup shqiptarësh për të kujtuar 37- vjetorin e vdekjes së Gjeneral Abaz Kupit. Ky tubim tradicional u mbajtë nën kujdesin e Partisë “Lëvizja e Legalitetit – ish Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit”, në SHBA, në marrëveshje me familjen Kupi.

Ky është një pelegrinazh solemn i përvjetëshëm i cili bashkoi komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike, mbretërorët shqiptarë në Amerikë, anëtarët e partisë “Lëvizja e Legalitetit”, miqtë dhe dashamirët e familjes Kupi. Edhe, sivjet, si çdo vjet, ditën e Shtunë më datë 12 Janar 2013, në orën 12 pasdite tek varri i Gjeneral Abaz Kupit, në varrezat ku prehen edhe disa mbretëro dhe legalistë të tjerë, në varrezat qytetare Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens u zhvillua ceremonia përkujtimore.

Familja Kupi mbretëror dhe legalistë mblidhen si për çdo vjet për të përkujtuar vdekjen e udhëheqësit të nacionalizmit shqiptar, burrit që, në krye të trupave të Mbretit Zog, I, i zbardhi faqen Shqipërise me 7 Prillin e 1939, dhe kujtojnë një hereshit themeluesin e Organizatës Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit, Gjeneral Abaz Kupin.

Në këtë pelegrinazh të përvjetshëm mbretërorët dhe legalistët në fjalimet e tyre tregojnë se Abaz Kupi, ka qënë lejtmotivi i kombit tonë, kështu që figura e tij sipas tyre është figura më markante ose e thënë ndryshe sinonimi i qëndresës antifashiste dhe më pasë anti komuniste.

Abaz Kupi, thanë oratorët ka një histori të pastër kombëtare, e cila shfaqet kudo në një kontiunitet prej luftës nacional çlirimtare, rezistencës së Prillit 1939, dhe veprimtarisë së tij në mërgatën shqiptare. E përmbledhur, kjo fillon me ditën kur u ngrit flamuri ynë kombëtar dhe deri ditën kur ai mbylli sytë në 9 Janar 1976 në një spital në Long Island – Neë York.(Abaz Kupi, lindi me 6 gusht 1892, në Krujë dhe vdiq në pasdreken e 9 janarit 1976 në një klinikë spitalore të Long Island(Neë York) pas një sëmundje të rëndë}

Takimin përkujtimor, e hapi dhe e udhëhoqi n/kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit z Ahmet Hoti.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Lëvizja e Legalitetit në SHBA, zoti Ahmet Hoti i cili udhëhoqi njëherishit tubimin përkujtimorë në nderim të Gjeneral Abaz Kupit, u kërkojë të pranishëmeve që të nderojnë hymnet kombëtare të Shqipërisë dhe SHBA.

Udhëheqësi i këtij tubimi, zotëri Ahmet Hoti , kërkoi nga të pranishmit, që me nji minutë heshtje të kujtohen të gjithë heronjët dhe dëshmorët e kombit Shqiptarë, të, të gjitha kohërave, të gjithë ata të cilët dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit dhe Kosovës, liri, demokraci, e mirëqënie kombëtare, dhe për nji Shqipëri Etnike, pra për të çuar në vend dhe atë Apostulatin që la pasë Mbreti i Shqiptareve Ahmet Zogu i I

Ai ftoi më pasë një kryesi nderi të këtij tubimi, e cila udhëhiqej nga kryetari i Vatrës dr Gjon Buçaj, sekretari i përgjithshëm i shoqatës Çamëria prof. Sali Bollati, kryetari i Legalitetit Hakik Mean dhe pinjolli i familjes Kupi- nipi i Abaz Kupit, Sokol Kupi.

Zoti Hoti gjatë fjalës së tij nënvizojë se ka pasur një aktivitet mbresalënës në Krujë gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë . Ai lavdëroi punën e bërë nga Kryetari i Bashkisë Krujë, zoti Shkëlzen Hoxha, duke e quajtur atë një sinqeritet të autoriteve të këtij qyteti. “Kjo ishte një ditë, kur Partia Lëvizja e Legalitetit, ka pasur një ngjarje tjetër të shënuar, tha Hoti, duke shtuar se pas vlerësimit dhe nderimit që i bëri ato ditë Kuvendi i Shqipërisë figurës së Abaz Kupit, më datë 18 nëntor 2012 do të zhvillohej në Krujë, edhe ceremonia festive e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për Abaz Kupin. Gjithashtu, sheshi kryesor i qytetit të Krujës, tha ai do të mbajë emrin e tij dhe do të ketë bustin e tij, theksoi nën/kryetari i PLL për SHBA zoti Ahmet Hoti.

Zoti Hoti e përfundojë fjalën e tij me një falemnderim të veçantë për qeverinë e Kryeministrit Berisha; “për realzimin e asaj që si tha ai ne e kemi menduar gjithë jetën se është shqiptare”.

Folësi kryesorë i këtij evenimenti ishte Kryetari i PLL për SHBA zoti Hakik Mena

“Jemi mbledhë sot në vazhdimësinë e traditës kuptimplote legaliste, për të përkujtuar ditën e hidherueshme të ndarjes nga kjo jetë; të luftëtarit të paepur për liri, kapedanit popullor, njeriut symbol të besës, nacionalistit largëpames, politikanit konseguent, kryetarit tonë heroit Abaz Kupit”, tha në fillim të fjalës së tij kreu i Legalistëve në SHBA, zoti Hakik Mena.

Ndërkohë që, lidhur me vdekjen e Kupit, zoti Mena, rikujtojë edhe një herë se 37 vjet më parë familja e tij do të humbte njeriun e tyre të dashur e të shtrenjtë, populli shqiptar do të humbte heroin që do e kishin zili shumë popuj të botës, klasa politike shqiptare do të humbte idealistin largëpamës kombëtar, ndërsa ne legalistët tha ai humbëm udhëheqësin i cili me dekada me rradhë në mënyrën maksimale mbrojti me dinjitet kauzën tonë kombëtare.

Kreu i ligalistëvë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti Hakik Mena, Abaz Kupin e quajti njeriun që përfaqesonte modelin në masën që e deshti atdheun , të njeriut model se si luftoi dhe e mbrojti atë, dhe të njeriut model se si e deshironte t’a shihte Shqipërinë, të bashkuar me të gjitha trojet e saj Etnike..

Më tej në fjalën e tij ai bëri dhe një përshkrimi të figurës së përjetësuar të nacionalizmit shqiptarë Abaz Kupit. Ai figurën e tij e “ndërtojë” mbi katër shtylla të cilat ai i quajti epitetet e Abaz Kupit.

“Unë tha ai mendojë se do të Bazi i Canes si e thërrisnin atë pra Gjeneral Abaz kupi, ishte i përsosur duke kaluar nëpermjet 4 epiteteve që, natyrishtë , përkojne me periudha e kohë të ndryshme. Epiteti i parë vuri në pah zoti Mean, është ajo e një Kapedani popullor, periudhës që fillon gjatë momenteve të fundit të rënjes së Perandorisë Osmane.”

Epiteti i njeriut simbol, i përket në një periudhë të cilën unë thotë Mean, do të dëshiroja t’a quaja periudhën më vendimtare si për personalitetin e tij ashtu edhe për fatin e kombit tonë duke filluar me 7 prill 1939 e deri me vendosjen e Komunizmit në Shqipëri. Mabasi qe 7 Prilli i vitit 1939, ai që nxorri në pah plotëshisht vlerat e Abaz Kupit si një luftetar të vendosur dhe guximtar, si një patriot fisnik dhe mbi të gjitha si besnik i mbretit Zog dhe i Shqipnisë

Epiteti “nacionalist largpamës” përkon me periudhën e fillimit të përpjekjeve të Abaz Kupit, për të bashkuar frontin nacional çlirimtar me Ballin Kombëtar e të gjitha forcat e tjera shqiptare Ai tash merr përsipër me shumë krerë të tjerë nacionalistë pa dallim partish për të luftuar së bashku armikun e përbashkët fashizmin.

“Epiteti i katert dhe i fundit për mendimin e Kreu i ligalistëvë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti Hakik Mena, si u shpreh ai në fjalën e tij i përket politikanit konseguent, pra i përketë periudhës së largimit të Abaz Kupit, drejt një bote aqsa të panjohur edhe të “egër” . Ai shkon në shumë vende si Itali, Egjypt Amerikë, Francë, Gjermani. Edhe pse jashtë atdheut, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik në organizimin e OKLL, dhe në unifikimin e të gjithë partive politike. Ai merr pjesë edhe në organizimin e Komitetit Shqipnia e Lirë, e cila krijohet në SHBA, me qëllim të luftimit të komunizmit me shpresë, për t’u kthyer një ditë në atdhe. ”

Në fund të fjalës së tij Mena, tha se :” Deri në momentet e fundit të jetës së tij ai s’ka pushuar së punuari dhe menduari për një Shqipni Etnike, të lirë, dhe demokratike. Më në fund do të thoja tha Mena, le të shërbej shëmbulli i këtij luftëtari fisnik, për ne brezat e ri. Le të shpresojmë që një ditë të afërt ashtu siç iu bë nderimi për rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë prej Bashkisë së qytetit të Krujës, dhe Qeverisë Shqiptare të vënies së pllakës përkujtimore, po ashtu të nderohet duke bërë të mundur po në mënyrë institucionale kthimin e eshtrave në vendlindjen e tij – në vedin që ai e deshti aq shumë dhe bëri aq shumë deri sa vdiq në 9 janar 1976 në Nju Jork të SHBA”

Në Përkujtimin e Abas Kupit – në Keë Gardens, Neë York, në emër të Vatrës, foli kryetari i Fedratës PanShqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Gjon Buçaj :

Edhe pse ky përkujtim bahet çdo vjetë në datën e vdekjes së Abas Kupit, në vetëvete asht përkujtim i jetës dhe veprimtarisë së tij. Këtë herë ky përkujtim bahet pak dit mbas perfundimit të 100 vjetorit të pavarësisë, që u kremtue në mënyrë madhështore, kudo ku ka shqiptarë, por sidomos në Shqipni, me manifestime kulturore shkencore, historike e politike, u banë botime, seminare, shfaqje e dokumentarë, u vëlerësuen me çmime e monumente ngjarje historike dhe figura të randësishme kombëtare, (ku mjerisht u vërejtën edhe mungesa me randësi). Por këtu asht vendi dhe rasti të përmendi këthimin e eshtnave të Mbretit Zog nga shteti shqiptar dhe ngritjen e nji shtatoreje të meritueme.

Fakti që kundërshtarët e tij ishin kalibra të mëdhaj të ajkës së kulturës e të traditës së shqiptarizmit, e cilëson Ahmet Zogun si njeriun me aftësitë ma të përshtatëshme për të themelue shtetin modern shqiptar, ku mbretnoi deri sa pushtimi i huej ushtarak, e ndërpreu brutalisht me 7 prill 1939, ndërpremje të cilën, mbas 29 nandorit 1944 e vazhdoi për afër nji gjysmë shekulli, edhe ma brutalisht, pushtimi i huej ideologjik, nga pasojat e të cilit kombit shqiptar i duhet edhe shumë kohë për t’u sherue.

Nji vepër tjetër kombëtare që vëlen të përmendet këtu sot, i përket Krujës historike, Krujës së Skenderbeut që, në kuadrin e 100 vjetroit të pavarësisë, shpalli qytetarë nderi post-mortem, Abas Kupin dhe Mustafa Krujën, dy bij të denjë të saj, me bindje politike të ndryshme, por të dy me merita të pamohueshme për arritjen e pavarësisë.

Më lejoni të përsëris nji epizod na jeta e rinisë së Abas Kupit, të cilin m’a pat mësue nji tjetër patriot i çmuem, i ndjemi Ago Agaj, e që e pata përmendë me rastiin e vorrimit të tij: në valën e përpjekjeve për ngritjen e Flamurit, Abasi djaloshar, vrau nji fanatik që vepronte për të pengue ngritjen e “sorrës”, siç e quenin Shqipen fanatikë dhe armiqët e kohës. Ky gjest tregoi sa serioz dhe i vendosun ishte ai për pavarësinë e Shqipnisë. Uroj që përkujtimi i ardhshëm të realizohet në Atdhe!, përfundojë fjalën e tij kryetari i shoqatës Vatra dr. Gjon Buçaj.

Jam i nderuar tha zoti Bollati që me jepet rasti të flasë në nderim të njërit prej atëdhetarve më të mëdhenjë të kombit tonë gjeneral Abaz Kupin – njeriun që nuk kurseu asgjë duke treguar gjithë botës se Shqipëria nuk dorzohet, atij që me rezistencën e tij dhe bashkëluftërave të tij iu përgjigjë me pushkë pushtimit fashist”

Më pasë i mbijetuari i tragjedisë çame, solli kujtime nga një takim me një veteran të komunitetit zotin Rexhep Ymeri, gjatë vizitës në Neë York të Princit Leka. Bollati tha se Ymeri fliste për një këngë që këndohej në kohën e mbretërisë shqiptare dhe që duhet të jetë edhe sot lejtmotivi i patriotizmit shqiptar: “Jam i vogël djalë shqiptarë – kurr të rritëm do të shkojë ushtarë/ Do të marrë pushkën dhe do të luftojë Kosovë e Çamëri do të çlirojë – Mbretin Zog dhe Shqipërinë do t’a nderojë/.

Duke pyetur Sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes së Prizerenit në SHBA, zotin Tom Mrijaj autobigraf i njohur i disa figurvae të shquara të disporës, se si do të përshkruante figurën e Abaz kupit, ai u përgjegjë pa ekuivoke “Si simbol të bashkimit kombëtar”

Më pasë ai sqaroi se : ” Historia e vërtetë e popullit shqiptarë shumë shpejt do të rishkruhet nga bijtë e bijat e atyre martirëve, që për shumë vite përjetuan kalvaret e ferrit ateisto -komunist enverian”

Për këtë tha Mrijaj figura e paepur e nacionalizmit shqiptar gjeneral Abaz Kupi, ka filluar me shpejtësi të zbardhet, duke dalë në pah veprimtaria e tij atdhetare. Kohëve të fundit, doli nga shtypi libri: “Kuvend Letrash Me Miqte”, me autor studiuesn Eugjen Merliken. Nëse e shfleton me shumë kujdes këtë vepër historike me dokumente autotentike, në shumë faqe flitet për veprimtarinë patriotike të Abaz Kupit në emigracion, i cili me tërë enërgjinë e tij përpiqej për bashkimin e shqiptarëve, në një front të përbashkët për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri.

Ndërkohë që shtoi se :” Në Simpoziumin e XI-të të radhës “Trojet e Arbërit”, që u mbajt më 27-28 Nëntor, në përkujtim të 100-vjetorit të Pavarësisë në kryeqytetin e Shqipërisë Etnike në Prizren, studentja e re e historisë në Univerzitetin e Shkodrës, mbesa e nacionalistit kolonel Xhemal Lacit, Leonora Laci, hapi kumtesen e saj me këto fjalë: “Luftrat historike për liri, nuk i kanë bërë ata, që kanë jetuar në liri, por ata që kanë lindur e janë rritur nën pushtim.” Në brëndësin e kumtesës, flitej për hapat e shumë figurave nacionaliste, sic ishin: Kolonel Xhemal Laci, Gjeneral Abaz Kupi etj., që u përpoqen për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.”

Tubimi u mbyll teksa Poeti anti komunist Tahir Hysa recitoi vargje të krijuara posaqërishtë për këtë datë të shënuar dedikuar figurës së Abaz Kupit dhe Mbretit të Shqiptarëve Ahmet Zogu i I. Ndërsa, sipas traditës përshëndeti dhe faleminderojë të gjithë pjesmarrësit në emër të familjes Kupi nipi i gjeneral Abaz Kupit, djali i Fatbardh Kupit zoti Sokol Kupi, i cili në emër të familjes së tij, familjes Dani, dhe Çupi – Gjergji ka nënvizuar se ” Shqipëria, sot po kalon një fazë, e cila për gjithë historinë e saj nuk ka pasë një shnacë të tillë – që edhe Kombi ynë të bashkohet – krah kemi edhe aleatët tanë më të fortë”.

Filed Under: Histori, Reportazh Tagged With: abaz kupi, Ahmet Hoti, Beqir Sina, hakik Mena, heroi i 7 prillit

ME 13 JANAR, MARK GJONAJ, ASSEMBLYMAN I SHTETIT TE NEW YORKUT, BËRI BETIMIN

January 14, 2013 by dgreca

Senatori i njohur i Nju Jorkut, në senatin e SHBA, Chuck Schumer, Kongresmeni Elito Engel, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, dhe udhëheqës të lart vendorë përshëndetën zotin Mark Gjonaj /

NGA BEQIR SINA, Bronx -New York/
BRONX, NEW YORK : Kjo ishte një ditë krenarie për amerikanët dhe shqiptarët e këtij qyteti njujorkez, i cili ka numërin më të madh të shqiptarëve që banojnë në New York. Kjo ishte dita më e lumtur e jetës së tij dhe familjes dhe atyre mijëra shqiptarve që jetojnë në këtë qytet, por edhe për mbarë shqiptarët kudo që janë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Malin e Zi, Çamëri dhe Diasporë, që një shqiptarë në SHBA arrin një post kaq të lartë në Shtetin e New Yorkut. Ishte 13 janar 2013 dita kur një djalë shqiptari – djali i Reçit të Ulqinit Mark Gjonaj i lindur në Amerikë, te dielen e 13 Janarit,  në një atmosfer festive beri në sallën e teatrit të shkollës së mesme “Christopher Columbus High School”, betimin e parë, si një anëtarë i parë shqiptar në historinë e emgracionit, i zgjedhur më 6 nëntor anëtarë në Kuvendin e Shtetit të Nju Jorkut, nga Qarku 80 në Bronx.
“Kjo ishte një ditë historike për popullin shqiptar, tha Marko Gjonaj ashtu si është edhe për të gjitha komunitetet e tjera, amerikanët, italianët, Jewish-ët , Puerto Ricans , rusët, afrikano- amerikanët, kinezët, arabët dhe të tjerët, pra të gjitha komunitetet,”

Ceremoni u shoqërua prej fjalimeve nga gjuha jonë amtare, himni ynë kombëtarë, flamuri kuqezi me shkabën me dy krena, të cilat qëndronin të lidhura ngushtë “krah për krah” me hymnin amerikan, flamurin amerikan dhe fjalimet në gjuhën angleze, të senatorve, kongresmeneve dhe udhëheqësve fetar e politik lokal, autoriteve vendore dhe përfaqësueseve më të lart të shtetit të Nju Jorkut.

Mark Gjonaj hyri në sallë me familjen e tij që rrinte në rreshtin e parë, i shoqëruar nga një “lumë” urimesh e përgëzimesh. Menjëherë, pas tij u vendosë një skuadra e Policisë së Shtetit( NYC Police Department Explorere Post 2436) e cila egzekutojë marshin e policisë, me pesë flamuj përfshirë atë të SHBA, Shqipërisë, Shtetit të New Yorkut, Policisë dhe Kuvendit të New Yorkut .
Ceremoninë, në të cilën morë pjesë më shumë se 1000 vetë e hapën dy hymnet kombëtare, ai American National Athem, kënduar nga Fatima Santos dhe Pledge of Allegiance kënduar nga Nathalia Fernandez – si dhe Hymnim shqiptarë, të cilin e këndojë këngëtaria e mirënjohur Merita Halili e shoqëruar nga mjeshtri i firsamonikës Raif Hyseni.
Ndërkohë që hapjen e bekimit të ceremonisë e kreu I Përndershmi dom Pjetër Popaj – Kryefamullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës.
Ceremoninë e udhëhoqi gjykatësi i njohur njujorkez Douglas E. McKeon drejtori i Zyrës së Betimit për Shtetin e New Yorkut, i cili ishte ngarkuar edhe për të administruar betimin e zyrës së re, për assemblyman Mark Gjonaj.

Senatori Jeff Klein ishte i pari në mesin e shumë atyre folësve në këtë ceremoni të gjatë, I ndjekur nga William J. Madona, Artenida Gjeli, Aleatha Williams, Denis Wales dhe Jeffrey Panish, Diane Cerino, Charles E. Shumer, Carl E. Heastie, Ruben Diaz Jr. Elito Engel, Adriano Espaillat, Ruth Hassel – Thompson, Michael Bendedetto, Eric Stevenson, Christine Quinn,, James Vacca, Gilbert Galanxhi, Akan Ismaili, Vuksan “Sonny” Vataj, Rosa Gjonaj, Paul Gjonaj, Elsa Lulaj, Robert Johnson.
Pika më kulminate e kësaj ceremonie ishte betimi mbi librin e Biblës- i cili shprehet mbi citimin e kapitullit “So, Help Me God!” (Zot, më ndihmo mua!). Ceremonia e betimit “Zot më ndihmo mua!” u shoqërua me daljen në skenë të Mark Gjonaj- së bashku me gruan Robertën, dhe dy djemtë e tij, Jozefi dhe Nicholas . Duke mbajtur dorën e majtë mbi Bibël – të cilën e mbanin dy djemtë e tij dhe me dorën tjetër ngritur lart më pëllëmbë me “shikim” nga gjykatësi Douglas E. McKeon drejtori i Zyrës së Betimit, ai përsërit një për një fjalët e betimit, para gjykatësit Douglas E. McKeon. Më këtë rast duhet theksuar se kjo nuk është ceremoni zyrtare, mbasi Betimi zyrtar do të bëhet javën e ardhëshme në kryeqytetin e New Yorku – Albany.

Miku i madh i shqiptarëve Kongresmeni Eliot Engel tha se ai dëshironte të gjithë të dinë se pjesmarrja e tij në këtë ceremoni ishte një nder për një mik të mirë të tij si Mark Gjonaj. Engel ka shtuar se Mark Gjonaj fitoi një garë që shumë pak njerëz e kishnin menduar më parë teksa më në fund i dhanë atij një shans për të fituar, dhe se Marku është i zgjuar, punëtor, dhe di se si të bëjë gjërat e mira për të gjithë komunitetet në këtë distrikt. Engel vlerësoi gjithashtu Assemblyman Gjonaj për ruajtjen e traditës së tij duke e kthyer gjithmon “kokën prapa për të treguar prejardhjen e tij – nga erdhën dhe prindërit e tij” shtoi kongremeni Eliot Engel.

Senatori i njohur i Nju Jorkut, në senatin e SHBA, Chuck Schumer, mbasi foli me një konsiderat të lart për komunitetin shqiptarë, tha se ai;”Asnjëherë nuk e kishte vënë në dyshim fitoren e Mark Gjonaj, sepse ai është shembulli i emigrantëve që arrijnë suksesin në SHBA, kur integrohen dhe punojnë shume për këtë vend. Senatori Schumer ashtu si dhe Presidenti i Bronxit, Ruben Diaz ishin të mendimit se Assemblymani Gjonaj ka një etikë të punës së tij për të ndihmuar në përmirësimin e rrethit të tij, në Bronx , në një mënyrë për të sjellë të gjithë njerëzit së bashku.”
Më pasë e mori fjalën Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun, Artenida Gjeli, e cila ka shprehur një ndjejë kënaqësie të veçantë, që po përshëndeste, me këtë rast të gjithë në gjuhën tonë të ëmbël Shqipe, Ajo e nisi fjalën e saj me përshëndetjen :” Mirësevini në betimin e anëtarit të ri të Asamblesë së shtetit të New Yorkut, për Distriktin 80-të, zotin Mark Gjonaj!’

“Kjo ceremoni historike, kjo fitore e madhe, theksojë znj. Gjeli e një shqiptari të Amerikës në SHBA, i cili vjen nga një familje punëtore shqiptare nga qyteti i Bronxit – New York, nuk ndodhi rastësisht, sepse si ai pati pas vetes ashtu si shqiptarët edhe Amerikanët e të gjitha kominitetet e tjera(amerikanët, italianët, Jewish, Puerto Ricans , rusët, afrikano amerikanët, kinezët, arabët dhe të tjerët, të gjitha komunitetet), të cilët e përkrahën masivisht, duke parë tek ai njeriun që do t’i përfaqësoi ata me një vizion të qartë për të ardhmen e këtij vendi.

Në vijim ajo tha se :’Për aqsa mund të quhet se kjo fitore është historike ; “Kjo nuk mendojë se është vetëm fitorja e zotit Mark Gjonaj – por mendojë se është fitorja e të gjitha komuniteteve të Distriktiti 80-të, që ai do të përfaqësojë tani, me një mandat dy vjeçarë, pra kjo është fitorja e të gjitha komuniteteve që banojnë e jetojnë në këtë Distrikt.”

Në fund ajo adresojë edhe një falemnderim të përzemërt në emër të Anëtarit të ri të Asamblesë së New Yorkut, zotit Mark Gjonaj, dhe në emër të stafit të tij , në emrin e saj, si Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun,’ duke iu faleminderuar nga zemra për kontributtet e dhëna, për përkrahejn dhe punën vullnetare që kan bërë në këtë fushatë të sukseshme”, tha ajo.
Ambasadori i Shqipërisë në Washington zoti Gilbert Galanxhi pos një urimi personal lexoi letrën përshëndetëse që Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha i drejtonte zoti Mark Gjonaj :
I dashur zoti Gjonaj

Kam kënaqsinë e veçantë, që, me anë të kësaj letre, t’ju shpreh urimet e mia më të përzemrta e të qeverisë shqiptare për zgjdhjen tuaj në Asamblenë e Shtetit të New Yorkut,

Kam ndjekur me vëmendje fushtën tuaj zgjedhore, që u kurorzua me sukses më 6 nëntor 2012 me zgjedhjen tuaj anëtar në këtë Asamble, si përfaqësues i Distriktit 80-të, në Bronx County, New York. Prandaj, sot me rastin e ceremonisë së betimit, kam kënaqësinë t’ju përgëzoi për suksesin tuaj dhe t’ju urojë punë të mbarë në detyrat e përgjegjësit e reja, si përfaqësues i denjë i Distriktiti 80-të, në Asamblenë e Shtetit të New Yorkut.

Në mandatin tuaj ju do të përfaqësoni dhe do të mbroni të drejtat e komunitetit të distriktit që ju ka besuar votën , distrikt ku është i vendosur edhe një numër i konsiderueshëm shqiptaro amerikanësh. Komuniteti shqiptaro amerikan ka dhënë kontributin e vet në zhvillimin dhe përparimin e kombit Amerikan e në konsolidimin e parimeve e të vlerave të lirisë, kontribut i cili gjerësisht është i njohur dhe i vlerësuar. Për këtë, të gjithë shqiptarët kudo ndohen janë mirënjohës e krenarë.

Angazhimi juaj në politikë se dhe suksesi në zgjedhje janë tregues i zhvillimit, përparimit dhe përkushtimit të komunitetit shqiptarë në New York, si dhe i vendosmërisë për të nxitur e për të mbrojtur interast e këtij komuniteti nëpërmjet pranisë në sistemin e vendimmarrjes, në pushtetin legjislativ, pikërisht atje ku është zemra e çdo demokracie. kjo është edhe mënyra më e mirë për të rritur njëkohësisht edhe kontributin në mbrojtjen dhe forcimin e arritjeve që e kan bërë kombin amerikan të jetë pararojë e zhvillimit në shkallë botërore.

Me sigurimet e konsideratës e të respekti më të lart – i Juaji Sali Berisha.

Në përshëndetjen që solli me këtë rast, Konsulli Fatmir Zajmi, në emër të Konsullatës së Përgjithëshme të Kosovës në Nju Jork, thuhej se :”Unë kam një kënaqësi e madhe t’ju përcjell ju, në emër të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, urimet e shumta dhe të ngrohta për zgjedhjen tuaj si Assemblyman në Qarkun 80-të, të Kuvendit të Nju Jorkut në Albany .

“Kjo, thekson Ambasadori Sejdiu është bindja ime fortë se personaliteti juaj i shumë respektuar dhe karriera e shquar e Juaj janë garanci të forta se Ju do të përfaqësojnë me sukses qytetarët e Qarkut 80-të të qytetit të Bronxit..

Duke shtuar se :’Unë do të doja të shtrijë urimet e mia më të mira për suksesin tuaj profesional, si dhe shëndetin dhe lumturinë e familjes suaj” I Juaji, Ambasadori Bekim Sejdiu Kunsulli i Përgjithshëm i Kosovës

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, beri betimin, Mark Gjonaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT